KUJTIME TË NJË ISH-ZYRTARI

Zakonisht nuk e marr veten seriozisht. As kur kam qenë nëpunës i lartë i shtetit. As kur kam përfaqësuar shtetin në ndonjë takim apo konferencë ndërkombëtare.

Edhe pse njësoj me përfaqësuesit e tjerë, të paktën në aspirata, vetja më është dukur i vogël. Problemet tona tepër të vogla. Jo vetëm në përmasa: “Reformat tona në këtë sektor do të prekin rreth 25% të popullsisë, përafërsisht 500 000 vetë.” Por edhe në natyrën e karakteristikën e tyre: “Ndikimi i shkëputjes së paparalajmëruar të energjisë elektrike mbi pesë sipërmarrjet e industrisë së fasonëve në Durrës.”

Qasjet ndaj këtyre problematikave gjithashtu të vogla.

Pjesë nga ditari:Drekë me Miti Paragonin – Restorant Baba Qema; Rakinë e solli nëpunësi Shkëlqim K. Na u rrokanis koka me Mitin, ose e kish rakia. Do të isha larguar me kohë sikur të mos varesha nga transporti që kish ofruar Miti.

Njerëzit që vuanin këto probleme ishin të vegjël. Ata kishin halle (pesë germa), jo probleme.

Pjesë nga ditari: “U paraqit Q.N. se vajza e tij, i vetmi person që mund të punonte në shtëpinë me pesë kokë – Q.N. ish-minator ilegal i gjymtuar dhe i ve – kishte dy vjet pa punë. Më mori 30 min kohë për të më rrëfyer historinë e tij. Ndoshta ishte e dhimbshme. Isha tepër i zënë me konferencën e fundit ndërkombëtare. Duhet të dukesha mirë me partnerët. Nëpunësi Valmir M. kishte bërë një fjalim për ibret. Mu deshën dy orë t’i jepja një formë. Këta njerëz duhen pushuar. E pamundur të përfshihem emocionalisht në këto raste. Kam kohë që nuk kam parë një film të mirë. Me siguri K.M. ka ndonjë sugjerim. Më mungon ajo kohë kur i vetmi problem ishte të gjenim ndonjë cigare a të vidhnim ndonjë videokasetë porno. Tani duhet të merrem gjithashtu me këto licencat. Sekretarja morri shënim problemin e Q.N. Nuk e kuptoj përse ky deputeti i zonës duhet ta sillte tek unë! Të marrë njëherë këtë Kastriot M. për ndonjë kafe.

Mbaj mend që influenca ime, përfundonte disa hapa më tej pragut të zyrës. Nja pesë metra nga korridori ndodhej zyra e fundit me vartësit. Megjithëse nuk refuzova ta përdorja ketë pushtet për të ndihmuar ndonjë. Në kapërcyell të zgjedhjeve elektorale vëreja sesi me centimetra zhvendosej e zvogëlohej ky pushtet.

Pjesë nga ditari: “Sot Marku M. nuk denjoi as të përshëndesë. Kërkesa për shkresën nuk u plotësua. Tetë hapa e gjysmë. Mendoj për kryeministrin. Deri sa hapa i shkon pushteti? Ndoshta km? Duhet me siguri tjetër njësi matëse. Në zyrë hyn Pjerin L. që më ndërpret përllogaritjet. Do të shkojmë në Lushnjë. Na presin si mbretër – thotë. Mund të jetë edhe kryeministri, por ai nuk do të hajë. Ka merak se mos e helmojnë. Do të nisemi autokolonë. Shoferi i dikasterit që ndodhej rrethuar nga një pellg lëvozhgash fara luledielli nuk lëvizi nga vendi, por lëvizi kokën për nga makina. Shtatë hapa influencë? Deri tek ky nuk kisha mbërritur gjithsesi asnjëherë.

Megjithatë kam dashur të kem një ndikim. Së fundmi me këtë reformën. Kishim tre vjet që merreshim seriozisht. Një grup prej 5-6 ekspertësh. Të gjithë lexonim e diskutonim me orë. Qindra mijëra dollarë u shpenzuan për ekspertë ndërkombëtarë, pa llogaritur rrogat tona. Këta duhen edhe për të përligjur reformën. E tani në parlament, kur po diskutohej projekt-ligji që do të realizonte reformën e planifikuar nga qeveria e kaluar, ish-kryeministri shprehet se e gjitha ishte një “aventurë”. Zgjidhja e madhe po i imponohej një populli me halle të vogla:

Nga procesverbali i parlamenti, sesioni i katërt. Korrik 2015. Sali B.: “Jam marrë personalisht me këtë ligj dhe me këtë koncept 2 vjet me radhë, me dëshirën më të madhe, që ta adaptonim këtë sistem. … Pse arrita në përfundimin se ky koncept dhe ky ligj do të ishte një aventurë për Shqipërinë, ndonëse kisha dëshirën më të madhe të ecnim drejt tij? Sepse gjeta një mur të pakapërcyeshëm. Në qoftë se procedohej në këtë formë, do të bënim një gabim të tmerrshëm, sepse po krahasonim të pakrahasueshmet, krahasonim qytetarin e Britanisë së Madhe, i cili ka tri shekuj, në mos më shumë, që ka ujë të nxehtë brenda shtëpisë dhe qytetarin shqiptar, që ende nuk ka ujë të pijshëm në shumë zona dhe brenda shtëpisë…

Patjetër që druhem të rrëfej se kam qenë nëpunës i lartë i një shteti të vogël. Kuptoj edhe kryeministrin aktual që kërkon ta shtrijë ndikimin e tij jashtë këtyre kufijve. Lider i Ballkanit, buçasin mediat. E megjithatë, ai në zyrë do të gjejë një raport mbi hallin e P.K-së që e kanë hequr nga puna si sanitare. Problemin e Samir M. që i kanë penguar kamionin në doganën e Durrësit. Memon e nëpunësit Xhevahir Q., i cili rrëfen mbi veset e kolegut të tij të zyrës. A do të mund t’u rezistojë hireve dhe ngacmimeve seksuale të Teuta O., e cila ka paraqitur kërkesën për t’u bërë drejtoreshë?

Pjesë nga ditari: “Shqiponja Z. lëshoi sot disa piskama e të qeshura të forta në zyrën time, si për të shënjuar territorin e saj ndaj rivaleve potenciale në zyrën pranë. Për një moment m’u ledhatua sedra, dhe do ta vazhdoja bisedën e këndshme e plot premtime erotike sikur për dreq të mos më merrte nusja në telefon. Ka filluar edhe kjo të rrisë vigjilencën. Kjo shefja e re e marrëdhënieve me shtypin është për t’u pirë në kupë.

Si mund t’i shpëtojë robi vogëlsisë së vet?

Pjesë nga ditari: “Spartak T. më thotë së njeriu duhet të ikë jashtë e të matet me madhësinë e atyre atje. I pari i fshatit nuk ka ekzistuar asnjëherë. Perandori po.

E më jep shembullin e një këshilltari të presidentit, Markaj Gj., i cili, sikur shumë të tjerë, i gjykon arritjet e të larguarve me kutin e arritjeve të tij, kryesisht falë pozicionimit të tij politik e klanor. Markaj Gj., sipas mikut tim Spartak, nuk ka mundësi të masë epërsitë e tij jashtë kontekstit shoqëror e politik të Shqipërisë.

Të larguarit, pretendon Markaj Gj., duhet medoemos ta organizojnë jetën e tyre që t’i shërbejnë krenarisë së kombit shqiptar. Suksesi i emigrantëve duhet të kompensojë për vogëlsinë e qenies së çdo shqiptari të kompleksuar me këtë vogëlsi.

Pra Markaj Gj. është një konsumues i suksesit të të larguarve. Ai nuk zgjedh të krijojë diçka përtej mediokritetit të përditshëm e të pakapërdishëm shqiptar, por zgjat dorën të përfitojë e të mbushë boshllëqet e egos së tij me suksesin e të tjerëve.

Spartak T. është një burrë i mençur.”

Tek lexoj këto pjesë të ditarit, zor se më kapërdihet as ky llokumi me arra. Llokumi është i përsosur, i realizuar me dashuri nga një mjeshtër.

Pjesë nga ditari: “Në Pogradec është një mjeshtër llokumesh. Thonë që ka pasë punuar në punishten e dikurshme të pastave. Në djall diabeti thashë, por llokumet e këtij do t’i provoj. Mendova sesi robi mund ta kalojë një punë të rëndomtë, aftësi apo shkathtësi në perfeksion, në art. Mu kujtua “Jiro Dreams of Sushi” apo “The Last Samurai. Ndoshta është kulturë aziatike, por ky mjeshtri i llokumeve duhet të jetë ndonjë filozof i farësojtë, që kujdeset për qiellzën e myshterinjve.”

Në “The World Beyond Your Head: On Becoming an Individual in an Age of Distraction” [Kur fiqiri nuk ta kap dynjanë: Realizimi i robit në epokën e shpërqendrimit] të M. B. Crawford, kuptoj se nuk janë përmasat e sipërmarrjes që të rrisin vetëvlerësimin. Për më tepër bota është tepër e vogël që të bëj vend edhe për egon time. Madhësia duhet gjetur në kënaqësinë që na dhuron përsosmëria e punëve të vogla. Sikur ky mjeshtri i llokumeve në Pogradec.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: