LLAMBUSHKA E SKAFISTËVE

Para disa ditësh, mediat italiane njoftuan se në kanalin e Otrantos, disa njësi detare italiane të “Guardia di Finanza”, gjatë patrullimit në kuadrin e kontrollit të flukseve migratore të paligjshme, dalluan një gomone të fuqishme që drejtohej nga brigjet e Leçes.

Mjeti lundrues udhëtonte me drita të fikura dhe ua tërhoqi vëmendjen forcave të rendit ngaqë sillej në mënyrë të dyshimtë, sikur merrej me trafik migrantësh. Operacionet detare ishin komplekse, sepse nga një anë duhej bllokuar gomonia, nga tjetra nuk duheshin rrezikuar migrantët.

Gomonen e drejtonin dy skafistë shqiptarë nga Vlora, të cilët u arrestuan me akuzën e favorizimit të imigracionit të paligjshëm, ndërsa 37 migrantët, sipas gjasës kurdë e sirianë, u përcollën pranë një qendre për asistencë të përkohshme.

Lajmin e dhanë edhe mediat shqiptare që përcillnin, pothuajse fjalë për fjalë, informacionet e simotrave italiane. Mund edhe të na ketë shpëtuar, por nuk pati në shtyp ndonjë hetim të mëtejshëm, ose reportazh të posaçëm, për çështjen e migracionit të paligjshëm nga brigjet shqiptare. Nga nisen këto gomone? Kush i organizon? Nga kalojnë imigrantët e huaj? E shumë aspekte të tjera që kanë nevojë për hulumtim.

Por çfarë na rrëfen ky lajm i thjeshtë? Më shumë seç duket në pamje të parë. Fillimisht duhet të kujtojmë se vitet 2000 përkuan edhe me ndryshimet në lëvizjet migratore nga Shqipëria drejt Italisë. Nisjet nga Shqipëria me gomone erdhën duke u reduktuar, falë bashkëpunimit të frytshëm të forcave detare italo-shqiptare, të cilat e rritën ndjeshëm kontrollin në Adriatik. Po kështu u perfeksionua monitorimi i brigjeve shqiptare, madje për shumë vite u bllokuan mjetet lundruese në det.

Mirëpo vetëm kontrolli nuk do ta kishte ndaluar fluksin e migrantëve nga Shqipëria sikur të mos ishin gjetur rrugë të tjera, edhe ligjore, të emigrimit drejt vendeve europiane. Dhjetëvjeçari i fundit regjistroi gjithashtu rritjen e migracionit të ligjshëm, që shfrytëzoi mundësitë e punësimit të rregullt në vendet e tjera, por edhe forma të tjera si bashkimi familjar, studimi, etj.

Na duhet të pranojmë gjithashtu, se migracioni i paligjshëm nga Shqipëria nuk është se u zhduk krejt, por vetëm sa ndryshoi modalitetet dhe kanalet e udhëtimit, duke parapëlqyer kalimin nga toka dhe ajri. Kjo për arsyen se udhëtimi në det paraqiste rrezik më të madh, ndërkohë që edhe objektivat e mbërritjes filluan të ndryshonin. Shqiptarët e ndryshuan disi kursin migrator, duke synuar kryesisht vendet e Europës veriore ose ShBA-të.

Një faktor tjetër i rëndësishëm ishte edhe zhvillimi i ekonomisë shqiptare, që nuk mund të krahasohet me gjendjen tejet sfilitëse të fillimviteve 1990. Shumë shqiptarë sot parapëlqejnë ta ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri. Megjithatë, zhvillimi ekonomik shqiptar nuk ka qenë aq linear e i mbajtshëm, sa të bllokonte tërësisht emigracionin drejt vendeve të tjera. Krizat e herëpashershme, herë të deklaruara e herë të fshehura, kanë krijuar kushtet për ikje të vazhdueshme nga vendi, edhe pse pa realizuar modalitetet spektakolare të eksodit ose të gomoneve. Këtu, duhet të përmendim patjetër liberalizimin e vizave në fund të vitit 2010. Ky vendim u dha mundësinë shqiptarëve të udhëtojnë lirshëm në Europë, e në rast vendimi për emigracion të përhershëm, t’i shmangnin rrugët e rrezikshme, siç është ajo detare për shembull.

Për këto arsye, trafiku i paligjshëm nëpër Adriatik erdhi duke u shuar dhe gomonet u përdorën më shumë për trafik droge se sa për trafik qeniesh njerëzore. Përfitimi i dy trafiqeve, po t’i krahasojmë mes tyre, është i padiskutueshëm, natyrisht në favor të atij të drogës, ngaqë edhe nga pikëpamja logjistike duket më i lehtë e më fitimprurës. Kriminaliteti i organizuar i përshtatet me shpejtësi kushteve të reja dhe i shfrytëzon ato në mënyrë të efektshme.

Për t’iu kthyer lajmit të mësipërm, mund të vëmë re me keqardhje se nuk pati analiza të hollësishme për flukset e reja migratore dhe domethënien e tyre. Është e vërtetë se një dallëndyshe, sikurse një gomone, nuk na thotë shumë për stinën e re, sikundër për trafiqet në det, por ngjarje të tilla mund të jenë sinjale të rëndësishme alarmi për të nesërmen.