MONEDHA NË SHATËRVAN

Shqipëria gjendet nën ethe provimesh. Mjekë testohen e revoltohen. Mësues punësohen e largohen nëpërmjet testimeve në mes të vitit shkollor. Nëpunësit civilë testohen. Policët po testohen. Ushtarakët do të testohen. Problemi është, se shqiptarët nuk dalin mirë në teste.

Ose nuk jemi të mësuar me provime – me këto provime moderne që kërkojnë zgjidhje të problemeve e mendim kritik. Ose na mungon inteligjenca. Sipas Lynn & Vanhanen (2002) inteligjenca (IQ) e shqiptarëve vlerësohet me 90 (përllogaritur në bazë të komshinjve tanë), pra nën mesataren e britanikëve, 100. Nga disa studime del që PISA ka korrelacion të lartë me testet e inteligjencës, rreth 0.9, e me rezultatet e saj IQ e shqiptarëve është edhe më e ulët, rreth 80-86 pikë. Ose, situata jonë ekonomike është shkaktare. Siç dëshmon studimi i PISA, se një pjesë e dallimeve ndërmjet vendeve shpjegohen nga ekonomitë e tyre. P.sh. Lynn & Vanhanen përllogarisnin në vitin 1998 për inteligjencën tonë një GDP për kokë prej 9000$, sot ne e kemi rreth 4600$. Ose rezultatet e testeve janë thjesht të dhëna rastësore, sepse dikush ka harruar të hedhë monedhën në shatërvan.

Instituti i Zhvillimit të Arsimit, agjenci e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ka nxjerrë së fundmi rezultatet e një testimi për nivelin e arsimit të ulët, klasat e treta dhe të pesta. Testimi bazohet në objektivat e programit mësimor për aftësitë e njohuritë në gjuhë, matematikë dhe dituri natyrore. Kampioni, prej të cilëve u testuan 1062 nxënës për klasën e tretë dhe 1291 për klasën e pestë, u shtresëzua sipas shpërndarjes  së 100 shkollave në drejtoritë arsimore rajonale duke marrë parasysh vendndodhjen fshat/qytet.

Rezultatet e përmbledhura nga testimi ishin të dobëta, si tregohen në grafikun e mëposhtëm. Një pjesë e madhe nxënësish nuk kapërcejnë nivelin e dytë që i korrespondon notës 6. (Numri total sipas tabelave është 1094 për klasën e tretë dhe 1377 për klasën e pestë – sa serioz mund të jetë një studim kur minimalisht numri i kampionit nuk përkon?).

Chart 1

Për politikbërësit janë interesant dallimet ndërmjet krahinave. Nëse do të bazoheshim mbi mesataret e qyteteve, një përafrim jo i pastër se nuk kam të dhënat mbi individët, dallimet ndërmjet jugut dhe Shqipërisë së mesme e veriore janë statistikisht sinjifikante, por jo ato ndërmjet Shqipërisë së mesme dhe veriut. P.sh. në testimin e gjuhës shqipe grafiku i mëposhtëm nxjerr se jugu ka rezultate më të mira. Ky rezultat nuk konfirmohet në provimet e maturës së vitit 2014, por këto dallime janë ushqim për stereotipizime dhe thirrje për politikbërësit.

Chart 2Besueshmëria e testit është relativisht i ulët  (0.69), kur p.sh. provimi i maturës në vitin 2014 e ka pasur mbi 0.8 për të katërta provimet (megjithëse, ose sepse administrimin e dobët).  Problemet kryesore që shfaqin nxënësit janë shprehja e mendimit dhe zgjidhja e problemeve, më pak vështirësi paraqiten në riprodhimin e njohurive.

Për studiuesit shkaktarë kryesorë të rezultateve të dobëta janë aftësitë e mësuesve dhe tekstet shkollore. Vetëm se kurrkund në raport dëshmohet për lidhje statistikore ndërmjet rezultateve dhe përdorimit të një teksti të veçantë shkollor, e aq më pak për probleme me mësues. Sidoqoftë, këto janë mendimet e ekspertëve arsimorë, por në raport mungojnë argumentet për këto mëtime, që mund të interpretohen edhe si përpjekje për të përzier tregun e librave shkollor.

Rezultate të dobëta vërehen edhe në testimin e 5267 mësuesve kandidatë për vende pune. Testimi prek aspekte të veprimtarisë së mësuesit e mësimdhënies, dhe njohuri nga lënda. Këto rezultate duhen shqyrtuar me rezerva se këta mësues nuk janë përfaqësues për të gjithë mësuesit dhe gjenden nën stresin e papunësisë. Interpretime të nxituara duhen shmangur sa i përket edhe mënyrës së testimit e administrimit të provimit. Korrelacioni (cronbach alfa) ndërmjet dy pjesëve të provimit është 0.64 (ose 0.522 me Mplus).

chart 3

Dallimet rajonale janë shumë të vogla (13 qarqe), por të mëdha ndërmjet profileve. Në arsimin fillor shfaqen probleme të mëdha. Mesatarja është 30 pikë për të dyja pjesët, ndërkohë që mesatarja e përgjithshme është 34 (dallimet statistikisht sinjifikante).

chart 4

Dukshëm vërehen problemet sidomos në përgatitjen lëndore të mësuesve që janë testuar. Mësuesit e lëndës së fizikës kanë një variancë të madhe, ndërmjet 6 dhe 26 pikëve, por rezultate të larta kanë ata të edukimit special. Mesatarja e mësuesve të fillores është edhe më e ulët në aspektin lëndor, 14 mesatarisht në dallim nga 18 pikë mesatarja në total. Jo më kot kemi probleme që dëshmohen në testin e nxënësve.

chart 5

Për t’iu kthyer tezës së parë, asnjë specialist nuk është shprehur deri tani se sa mund ti atribuohet problemeve me testet, administrimit, mungesës së traditës dhe përgatitjes psikologjike me testet. Shto këtu inteligjencën e ulët të shqiptarëve, sa të sigurt janë politikbërësit se testi është instrumenti i duhur për të shpërndarë meritat.

Nuk dihet ende sesi dalin studentët në provimet e shtetit. Këto të dhëna raportohen shumë keq në gazeta, në të dyja qeveritë Agjencia Kombëtare e Provimeve nuk ka treguar ndonjë transparencë deri më tani. Por, p.sh. në gazetën Shqiptarja.com janë publikuar përqindje të larta të studentëve të degës mësuesi që nuk e kalojnë provimin e shtetit (në shtator të 2013 ishin rreth 86% në matematikë, 75% në arsimin fillor etj.).

Sado i frymëzuar nga ideologjia e meritokracisë të jetë gjithkush nga ne, vështirë se testet përbëjnë një bazë për vlerësimin e epërsive individuale, e sidomos të kapaciteteve në të ardhmen. Në një vend me 3 milionë banorë, ku një pjesë e madhe e popullsisë i duhet të përfitojë nga shteti (arsimin e lartë, punësimin, prokurimet e shërbimeve publike etj.), testimi është si një tel që vendoset si prag për të këputur koka, e jo si shkallë merite.