MISTERI NË SHESH

Nuk e kisha vënë re, por e kuptova që duhet ta ngrija kokën lart, sepse pothuajse të gjithë turistët e bënin, njëri pas tjetrit, vetëm, ose në grup. Gishta tregues andej nga kupola, buzëqeshje me nënkuptime, shpjegime interesante, shkrepje fotografish. Në qytetin italian Askoli Piçeno, në Sheshin e Popullit (Piazza del Popolo) ka diçka vërtet kurioze.

sheshi i popullit-Askoli PicenoFillimisht duhet thënë se Sheshi i Popullit në Askoli Piçeno është shesh tejet i bukur, si nga ana urbanistike, ashtu edhe arkitektonike. Shkrimtari italian Guido Piovene ia ka kapur thelbin: “Sheshi i Popullit është sheshi italian që së bashku me San Markon e Venecias të jep përshtypjen e sallës, të rrethuar nga portikë monumentalë, i mbyllur nga absida e mrekullueshme e Shën Françeskut”.

Thelbi qëndron pikërisht tek ideja e sallës, se me gjithë mend të duket sikur je brenda një salle e jo në qendër të qytetit. Por ajo që nuk shpjegohet kollaj është ndjesia e ëmbël e përqafimit që të jep sheshi. Harmonia thithet kudo, nga portikët tek Pallati mesjetar përbri, nga harqet në rresht tek dritaret e ndërtesave. Kurse dyshemeja e shtruar me pllaka të lëmuara prej guri travertin, të jep idenë e shtëpisë, e diçkaje familjare, të mbledhur, intime.

Si për ta prishur syrin e keq, siç thonë plakat, mbi kishën e Shën Françeskut, nga krahu i kullës veriore, dallohet nga larg forma e organit mashkullor. Udhërrëfyesja turistike jo vetëm na e shpjegoi arsyen, por ishte ajo që na e tërhoqi vëmendjen dhe na bëri t’i ngrinim kokat lart; çka praktikisht bëjnë të gjithë kur kalojnë nga sheshi. Përveç vendasve.

Habisë sonë, të shoqëruar me buzëqeshjet e kuptueshme, iu dha përgjigjja. Ai “organ mashkullor”, pothuajse një metër i gjatë, i ngritur tek balustrada e kambanores, është ngritur në shenjë proteste e talljeje nga muratorët, që pasi i mbaruan punimet, nuk u paguan deri në fund nga punëdhënësit e atëhershëm. Si hakmarrje – thonë zërat prej shekujsh. Ishin muratorët që ia punuan këtë rreng. Aty për aty kureshtja shuhet, e të mbet shija e këndshme e një surprize, që të vjedh një buzëqeshje të lehtë.

betiloMirëpo, më vonë, sapo të kujtohet historia, të vjen një pyetje tjetër. Dakord, e paskan bërë artistët e muratorët e asaj periudhe. Po përse punëdhënësit, pra porositësit e ndërtesës, e kanë lënë në këmbë, madje në dukje të mirë, mu në sheshin qendror të qytetit. Përse nuk e kanë shkatërruar? Tek e fundit nuk duhet varè, mjafton një çekiç i thjeshtë, për ta hedhur përtokë, copë pas cope. Kohë kanë pasur me bollëk.

Shpjegimin e gjeta në informacionin online, ku gjenden faqe interesante kushtuar “monumentit” të çuditshëm. Sipas studiuesit Gigi Morganti faji nuk mund t’u jepet mjeshtërve të 1444 që ndërtuan kullën, sepse objekti në realitet tregon diçka serioze e fisnike, që sot e ka humbur kuptimin. Bëhet fjalë për një betil (betilo në italisht), term me origjinë semite (beith-el) që do të thotë saktësisht “Shtëpia e Hyjit”.

Që nga parahistoria, shpjegon Morganti, me afirmimin e hyjnive mashkullore edhe koncepti i pjellorisë i transferohet hyjit mashkull e merr formën e ngritur mbi terren në mënyrë vertikale.Pak a shumë kështu monumente të tjera si kërthiza e Delfit (onphalós), e të tjera në historinë e qytetërimeve të ndryshme.

Jakobi, sipas studiuesit të lartpërmendur, e nguli gurin ku kishte fjetur pasi iu shfaq Zoti dhe e quajti vendin Beith-el, që këtej edhe emri i vendit Betleme, ku lindi Krishti, drita për të krishterët. Si rrjedhim betili, në formën që e pamë, merr kuptimin e “qendrës së botës së krishterë”, si në shumë katedrale të tjera romanike e gotike nëpër Europë.

Nuk kemi përse e vëmë në dyshim shpjegimin e studiuesit, por mund të vëmë bast se gojëdhëna popullore do të mbijetojë për shekuj të tërë, sepse turistët do ta ngrenë gjithnjë kokën lart e do t’i shkrepin aparatet fotografike me objektivë të gjatë. Sikurse duhet pranuar se perceptimi i objektit me siguri ka qenë i ndryshëm në shekuj. Fillimisht është parë seriozisht, pa asnjë tabu, ndërsa me kalimin e kohës ia tërheq vëmendjen njerëzve për arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë shumë me origjinën.

Që është gjithashtu gjetje origjinale për t’i argëtuar turistët nuk mund të mohohet. Arti dhe arkitektura mesjetare nuk ka asgjë komike, kështu ndonjë buzëqeshje e pafajshme edhe pranohet. Objekti dhe historia e muratorëve tregohet nga të gjithë, mes të qeshurave dhe habisë. Pak e marrin mundimin për ndonjë verifikim të mëtejshëm. Ndërkohë, vetë objekti u bë sebep për të folur për një nga sheshet më mahnitëse të Italisë, ku mund të shkosh vetëm posaçërisht, meqë gjendet larg shtigjeve të rrahura turistike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin