GARA PRESIDENCIALE NË AMERIKË

Vështrim i shkurtër nga Dritan Osmani

Kanë kaluar pothuajse katër vjet kur Barack Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2008.  Amerika dha dhe një herë mesazhin që është një vend i lirë, çdokush mund të bëhet president edhe pse ka ngjyrën e lëkurës të zezë. Është nga leksionet që vijnë përtej Atlantikut që jo vetëm sfidojnë të gjithë botën demokratike por edhe fitojnë një betejë të hershme. Kjo betejë fitohet prej superfuqisë amerikane pa armë, siç fiton shumicën e betejave Amerika.

Duke mos qenë ndjekës konsekuent i politikës amerikane nuk i shpëtova dot ngasjes për të shkruar shkurt, sa shtet social dëshiron Amerika; përpjekjet e Presidentit Obama për më shumë shtet social, kundërshtitë e mëdha që ka hasur, dhe sa e ndajnë Amerikën këto kundërshti.

Po pasi tregoi që ishte vend kampion i lirisë, u vu re se shkuarja me presidentin e ri do të ishte e vështirë. Pas akuzave banale që Presidenti Obama nuk ishte amerikan, filloi beteja për reformën në shëndetësi ku u pa qartë që Amerika ishte e ndarë në pyetjen sa social duhet të jetë shteti. Në një vend ku tradita konservatore e shtetit ka qenë më dominante u pa qartë se tendencat për një reformë sociale në sistemin shëndetësor gjeneronin një agresivitet të papritur (për mua të paktën). Në mitingjet kundra reformës shëndetësore vinin protestues të armatosur, gjë shumë e rrallë dhe e çuditshme në Amerikë që tregonte së paku vendosmërinë e një mase të madhe amerikanësh për ta kundërshtuar sa më fort reformën shëndetësore (pati edhe shumë diskutime që mbronin argumentin që mbajtja e armëve është e ligjshme në Amerikë! Por përse në miting?).

Nga ana tjetër fotografitë e Presidentit Obama me simbolet e Rusisë sovjetike u bënë të zakonta; siç duket nuk kishin gjetur asgjë të ngjashme në Amerikë apo historinë amerikane për të krahasuar Presidentin Obama, por huazonin nga periudha sovjetike për të treguar sa e huaj ish për ta tendenca sociale dhe ndryshimi që Obama donte të sillte. Nga ana tjetër ishte për të bërë përshtypje reagimi jashtë çdo lloj etike më duket mua i kongresmenit amerikan Joe Wilson kur akuzoi duke thërritur me zë të larte se Presidenti Obama ishte gënjeshtar në një fjalim para Kongresit. Më vonë bëri apologji por ngeli fakt që situata ishte shumë e tensionuar. Prioriteti i politikës së Obamës  shikohej vetëm dimensioni social i shtetit, madje edhe sukseset ne luftë kundra terrorizmit (vrasja e Bin Laden) i faturoheshin më shumë vazhdimit të politikës së ish-presidentit Bush sesa vetë politikës së Obamës. Dukej se Amerika ishte e përgatitur për një president si Obama por jo për dimensionin social që ai do ti japë shtetit.

Dhe tani mbërrijmë në pjesën të ngjarjes presidenciale aktuale, gara Romney-Obama. Mua nuk më është dukur Amerika kaq e ndarë ndonjëherë politikisht dhe emocionalisht. Po të vësh re videon e Chuck Norris duket ankthi që kanë nga politikat e Obamës duke i quajtur socialiste. Reagimi i Clint Eastwood të madh tregon që nervozizmi i republikanëve është i madh. Nga ana tjetër fjalimi shumë emocionues dhe mbresëlënës i Michelle Obamës do të thoshte ne kemi ardhur prej Amerikës së njeriut të thjeshtë, dhe duam çdo amerikan të ketë shans për ëndrrën amerikane; dhe për më tepër kjo është e mundur vetëm me ne.

Një gjë është e sigurt, Amerika mes kësaj ndarje po ndryshon, ne shpresojmë dhe besojmë për mirë sepse aleati ynë strategjik do të jetë me i fortë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin