ELITAT SHQIPTARE DHE TË TJERA QENIE MITOLOGJIKE (II)

 

Ideologjia

            “Pozita e naltë i mbështjell me nji vel të shkëlqyem të gjithë njerzit: edhe të paaftin. Gabimisht popujt e shkretë mendojnë se kur nji njeriut i jepet pozita e naltë e fuqisë shtetnore, ai pajiset patjetër me të gjitha vetitë e mira që duhen, e sidomos me dije e me urti. Sido që të veshet njeriu, mbetet ai që ishte: nji kurrkush.”

                        [At Zef Pllumi, Rrno vetëm për më tregue]

 Një sistemi ekonomik tërësisht shfrytëzues si ky që ekziston sot në Shqipëri, në frontin politik i duhet patjetër një ideologji që t’i vijë për shtat. Ideologjitë mbizotëruese si socializmi, komunizmi dhe kapitalizmi modern kanë për kusht ekzistence interesin e përbashkët dhe kërkojnë pjesëmarrje publike të të gjithë shoqërisë, çka është pothuajse e pamundur për t’u arritur, po të kihet parasysh e kaluara shqiptare.

Ndërkohë shumica e shqiptareve kanë përqafuar një trajtë bastarde të Darvinizmit social. Bëhet fjalë për një besim i cili pretendon se në Shqipëri ekziston një elitë e cila i meriton frytet e kapitalizmit. Përkatësia në këtë grup të përzgjedhur bëhet sigurisht në bazë të pasurisë. Sidoqoftë, siç ndodh me çdo aristokraci, superioriteti duhet të jete i trashëguar. Është në natyrën njerëzore që individi të kërkojë status pasi ka arritur njëfarë pasurie materiale. Për këtë mjafton t’u referohemi martesave me shkuesi të baronëve plaçkitës amerikanë me aristokracinë europiane të rënë nga vakti, për të parë më qartë dëshirën e pashmangshme të klasave të sapopasuruara për të konsoliduar pasurinë e tyre nëpërmjet lidhjesh fisnore. (J.K Galbraith “The Age of Uncertainty”, bën një përshkrim informativ dhe shumë humoristik të kesaj dukurie.)

Meqë mundësia e martesës në një derë të “lartë” në Shqipëri nuk ekziston, të pasuruarit rishtaz po rizbulojnë të shkuarën e tyre komuniste. Ajo që përcakton statusin e “elitës” shqiptare sot është pozita e djeshme gjeografike. Sa më afër bllokut të kesh jetuar, aq më e “merituar” bëhet e drejta për snobizëm. Në diasporë, pyetja “Ku ke jetuar në Tiranë?” nuk është thjesht bisedë tavoline, por hetim mbi rangun shoqëror të bashkëfolësit. Lindja dhe pasaportizimi në Tiranë dhe afërsia me qarqet e pushtetit të dikurshëm janë kthyer në forma të reja të aristokracisë shqiptare, meqë ajo e vjetra u shkatërrua plotësisht pas LDB.

A është ky një status i merituar? Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se, pavarësisht nga sistemi në fuqi, Shqipëria edukoi një klasë intelektualësh, dhe duam apo s’duam, kjo krijoi një elite të re shqiptare. Jam dakort që elita është një pasqyrim pothuaj kokë e këmbë i shoqërisë nga e cila del. Por kjo elitë nuk u ngjit në rangun e saj nëpërmjet meritës. Ashtu si dhe në vendet e tjera komuniste, emërimet dhe ngritjet në detyrë bazoheshin tërësisht në parapëlqimet partiake dhe jo në bazë të aftësive intelektuale. Me fjalë të tjera, zhvillimi profesional dhe arritjet intelektuale nuk ishin as të nevojshme as të mjaftueshme për të ngjitur shkallët e pushtetit. Kjo nuk do të thotë që shtresës së lartë i mungonin njerëz të aftë. Por struktura e mbijetesës ishte mbështetur në baza aq banale, sa dhe ata që kishin kapacitet mendor për të ecur përpara përfitonin më shumë nga një vizitë “miqesore” tek sekretari i partisë, sesa nga një punim kërkimor në fushën profesionale përkatëse. Pasojat e zbatimit të kësaj praktike për vite të tëra shkaktuan një ntrashje të shqisave intelektuale shqiptare. Kjo është një dukuri e njohur mirë në bllokun lindor, Megjithatë nëse e pranojmë se izolimi shqiptar ishte një rast i veçantë, shthurja e intelektit shqiptar ishte shumë herë më e thellë. Këtë e nxjerr qartë në pah mungesa e akademikëve dhe e artistëve të mirëfilltë shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Në këtë aspekt, fatkeqësisht Shqipëria është shumë më mbrapa se bashkëkombasit tanë kosovarë, megjithëse këta të fundit kanë qenë të kufizuar nga një regjim racist e shtypës. Paaftësia totale e klasës profesionale shqiptare për të mbijetuar jashtë Shqipërisë tregon se gënjeshtra që i kishin ushqyer vetes vite me radhë mbi madhështinë e tyre s’ishte gjë tjetër veçse një mulli me erë. Kjo gjithashtu tregon se pretendimet për status të elitës së vetëshpallur shqiptare janë thjesht përçapje pa bazë, të mbështetura mbi një logjikë boshe.

Për t’u paraprirë kundërshtimeve që doemos do të lindin nga paragrafi i mësipërm le të shtjellojmë argumentin e mëposhtëm: “ Pretendimet e çdo elite/aristokracie mbi “të drejtën e pushtetit” kurrë nuk janë bazuar mbi meritën. Aristokracia e vjetër europiane e justifikoi statusin e saj si e “përzgjedhur nga zoti” (më qesharake nuk bëhet). Më vonë, milionerët amerikanë në fillim të shekullit të njëzet i thurnin lavde Darvinizmit social (Spencer etj.) si dhe etikës protestante (Weber), duke predikuar se “shtimi i pasurisë ishte thjesht shenjë e epërsisë mendore.” Ky paralelizëm nuk është tërësisht i saktë pasi të dyja këto shoqëri jetonin nën paragjykimet e kohës. Për më tepër, është ca si vonë për Shqipërinë të përsërisë të njëjtin proces kur fare lehtë mund ta anashkalojë fazën fillestare dhe të metat që pasojnë. Mëkëmbja e një elite të mirëfilltë demokratike është një luks që tani për tani Shqipërisë i mungon. Për këtë do të duheshin vite të tëra midis prirjeve diktatoriale të elitave dhe dëshirës për barazi politike të shtresave të ulta, një proces shumë i gjatë dhe i kushtueshëm për Shqipërinë e sotme. Vendosja e një barazie të ekuilibruar politike është një domosdoshmëri historike.

Edhe më e rrezikshme është lehtësia me të cilën pinjollët e kësaj elite të vetëshpallur e kanë përqafuar trashëgiminë e tyre. Është njësoj sikur pasardhësit e një fituesi të llotarisë të këmbëngulin se u takon të drejtojnë vendin. Kjo rrjedhë logjike i kalon caqet e një besimi të verbër; ajo përjashton tërësisht mendimin racional. Ky brez i ri e ka bërë fakt të kryer që i takon “e drejta për sundim” dhe është thjesht në pritje të kalimit natyral të stafetës. Në shumë raste, haptazi për të përligjur “rangun” e trashëguar, disa nga këta mini-përandorë të padurueshëm mundohen të justifikojnë veprimet e një regjimi që me qëllim shkatërroi ndërgjegjen qytetare të vendit. Prirjet e tyre autoritare janë një ogur i keq për të ardhmen e politikës shqiptare. Për më tepër, prindërit e tyre mbajtën një lloj etike morale në marrëdhëniet me shtresat e ulëta, kurse bijtë kanë adoptuar një sjellje tejet arrogante ndaj bashkëkombasve të tyre. Kjo të sjell nder mend një skenë nga filmi i Monty Python – “The Holy Grail” ku aristokracia kalëronte në kuaj imagjinarë, disa hapa përpara shërbëtorëve të tyre, të cilët i kishin detyruar të imitonin zhurmën e patkojve. Kjo bëhej për të mos u shkatërruar padronëve iluzionin e brishtë me të cilin jetonin.

Si tip përmbledhjeje

Zgjidhja e problemit ekonomik shqiptar nuk është barazia e të ardhurave por barazia e mundësive për këdo. Kështu që akuzat për prirje socialiste dhe komuniste janë të panevojshme. Një pabarazi e thellë nuk ushqen gjë tjetër përvecse cmirës, e cila në vetvete krijon një mjedis shumë ndjellës për fondamëntalizmin Islam, ultranacionalizmin, konflikte etnike e të tjera mrekullira si këto. Deri më sot, asnjë prej tyre nuk është bërë problem shumë shqetesues, por kjo për shkak se Shqipëria ka patur dy faktorë ndihmues: 1) Në krahasim me vende të tjera në të njëjtin stad zhvillimi, shqiptarët kanë lëvizur në masë në Perëndim. Në një farë mënyre kjo e ka lehtësuar barrën e varfërisë dhe trysninë e ushtruar nga klasat e ulëta; 2) Fakti që Shqipëria është, të paktën gjeografikisht, një shtet europian, i detyron europianet të tregojnë interes, ndonëse sporadik e të cekët, në zhvillimin e vendit. Atëherë megjithëse politikanët shqiptarë nuk u kanë dhënë llogari atyre që i zgjodhën, dikujt i kanë dhënë llogari, ndonëse ky dikushi nuk ka patur ndonjë interes të madh.

Argumentet e mësipërm mund t’u shkojnë për shtat shumë qarqeve antishqiptare, të çfarëdo ngjyre qofshin, pasi u le shteg tundimeve për të përligjur nepërmjet tyre çfarëdolloj paragjykimi të mbrapshtë që ushqejnë. Megjithatë këto janë të verteta që duhen thënë haptaz, pa rezervime, sepse duhet zhbërë mëdoemos ky sistem ekonomik dhe politik që e ka zënë vendin për fyti dhe nuk e lëshon. Ndryshe copëzimet fetare, etnike dhe ekonomike që u përmendën me lart do të gjejnë terren të përshatshëm për të gëluar në Shqipëri, dhe pasojat e pranisë së tyre dihen mirë. Ndërkohë retë ekonomike kanë filluar të bëhen gjithnjë e më ogurzeza: rënia e rrogave reale (pak a shumë ngritja e rrogave më ngadalë se rritja e inflacionit), rënia e kapitalit që hyn në Shqipëri, dukuria e borxhdhënies së pakufizuar nga një sistem i kontrolluar i kreditit që sjell si pasojë falimentimin e sistemit të kreditdhënies. Po të marrim parasysh edhe rënien drastike të ekonomisë amerikanë dhe shkurtimit të fondeve për kredi në të gjithë botën, kemi të bëjmë me një krize ekonomike për të cilën institucionet shqiptare janë katastrofikisht të papërgatitura. Ristrukturimi i ekonomisë shqiptare është i pashmangshëm, për të parë këtë fakt nuk duhet zgjuarsi, thjesht qartësi mendimi. Çështja qendron në mënyrën se si ky ristrukturim do të drejtohet nga ata që përbëjnë klasën politike të vendit. Me sa duket, “elita” shqiptare është ose tejet inkompetente ose indiferente deri në kriminalitet dhe nuk po jep shenja se e kupton pozitën e vështirë në të cilën ndodhet vendi. Sidoqoftë, nëse kjo situatë vazhdon, goditja ekonomike do të jete përsëri e rëndë dhe e menjëhershme. Dhe në atë moment orteku do të ketë marrë tatëpjetën! 

[fund]

Shënim: Kjo ese është përkthyer nga anglishtja prej vetë autorit. Peizazhe të Fjalës do ta botojë në dy pjesë, në një kohë që origjinalin të plotë mund ta lexoni këtu.

Rreth Autorit

Elton Dusha është i doktoruar në Universitetin e Torontos, dhe prej vitesh ushtron profesionin si profesor, analist, dhe konsulent ne fushën e ekonomisë. Fokusi i punës së tij është makroekonomia, veçanërisht politikat monetare, zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe tregjet financiare. Përveç publikimeve akademike, ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në diskursin publik, sidomos gjatë qëndrimit të tij në Kili, nëpërmjet artikujve për institucionet shtetërore dhe publikun, ku prek tema kyçe dhe aktuale për politikat ekonomike.

Author Archive Page

4 Komente

  1. ”’“ Pretendimet e çdo elite/aristokracie mbi “të drejtën e pushtetit” kurrë nuk janë bazuar mbi meritën. Aristokracia e vjetër europiane e justifikoi statusin e saj si e “përzgjedhur nga zoti” (më qesharake nuk bëhet). ””

    Jam dakort me analizen siper kesaj shprehjeje po ketu kam dyshime te forta.

    Pike se pari pjesa qe e ben qesharake eshte krejtesisht e gabuar.

    Ne nje shoqeri teiste ku zoti luan rol thelbesor ne psikiken humane , Zoti si burim i vetem i pushtetit ‘te mire’ eshte argumenti me i forte e me i besueshem per shoqerine,pra aspak qesharak. Qesharak behet ne nje shoqeri ateiste.
    Pra aristokracia e djeshme perdorte per legjitimimin e statusit te saj te vetmin burim ‘te ligjshem e te pranueshem’ pra Zotin.

    Edhe sot Presidenti Amerikan perdor shprehjen relike ‘ Zoti e bekofte Ameriken’ e cila simbolizon ne rast se Amerika ecen para nen ate presidence nje bekim nga ana e Zotit, pra ecen mire se Presidentin amerikan e ka bekuar zoti.
    Nese ecen keq vetiu ‘Zoti nuk e ka bekuar Presidencen’ e kjo lidhet me ngjarjet biblike ku nese Zoti te bekonte ecnin mire, kurse nese ishte ‘i nxehur’ me Davidin apo Salomonin e radhes atehere Zoti sillte fatkeqesi.
    Faraoni egjiptian kundershtoi Zotin e kemi tragjedi per popullin, pra Zoti nuk e bekoi Egjiptin sepse e kishte me Faraonin.

    Pike tjeter eshte merita e aristokracise. Ne kohet e vjetra nuk beheshe aristokrat sepse kishe nje thes me para, por sepse i kishe bere nje sherbim , mbretit,shtetit apo kishes, pra nuk futej kurrkushi se kishte gjetur thesarin e Sindbad Detarit. Pastaj u degjenerua me blerjen e titujve ne france po jo ne lindje e qender te europes.

    Aristokracia e vjeter nuk e shihte te drejten e pushtetit si dicka qe duhet te justifikonte, por si nje tager te saj, ashtu sikunder cdo status shoqeror qe varet nga trashegimia eshte shume me i qendrueshem se nje status i fituar gjate jetes se personit.
    Pushteti shkonte drejt aristokracise e nuk ishte aristokracia qe e kerkonte.

    Kjo perben imperativin kategorik te pushtetit. Pushteti eshte i prirur te shkoje drejt pak duarve te me te pasurve e diturve. Zakonisht aristokracia jokomuniste i rrit femijet me shkolle jo sepse atyre u duhet shkolla per nje profesion me te cilin te hane buke , por sepse Aristokracia e sheh dijen si nje arme e domosdoshme per te treguar superioritetin ndaj plebejve injorante.

    Pra nje aristokrat e do dijen per prestigj klasor e jo per ta shfrytezuar per te ngrene buke. Po ashtu i duhet dija edhe per prestigj vetjak mes aristokratesh, pra une dallohem nga ti sepse une jam me i ditur e kam me shume prestigj,pavaresisht se mund te kemi pasuri te perafert.

    Pikerisht per keto arsye historikisht shtresa e aristokracise ka qene njekohesisht edhe me e ditura, pra keshtu meritokracia plotesohet. Ai eshte me i pasur , ai eshte me i ditur e nderkaq eshte i bekuar nga Zoti.
    Sot mjafton te jete me i pasur e ky eshte difekti i madh i Elites moderne, pasi nuk ka qendrueshmeri.

    Fakti qe duhet te jesh me i pasur, perjashton cdo lloj moraliteti te mirefillte klasor,pasi paraja e morali jane kundershtare te eger e nje individ duhet te luftoje shume per ti pasur te dyja bashke e shpesh nuk ja arrin por kjo realizohet pas shume brezash.

    Pra, e drejta e pushtetit buron njefaresoj prej natyres se vete Elites. Kjo e drejte eshte e dobet dhe e diskutueshme kur elita eshte e re(pas pushtimit apo zhdukjes se elites se vjeter) dhe forcohet vazhdimisht me forcimin e elites si pasoje ne radhe te pare te trashegimise e cila eshte forma me e forte dhe e qendrueshme e statusit qe ka ekzistuar, ekziston dhe do ekzistoje.

    Persa i perket elitave ne demokraci, zakonisht nuk perzihen drejtperdrejt ne pushtetin e dukshem por fshihen pas tij dhe e drejtojne. Kjo vjen si pasoje e ashpersise se shtreses mesoulet e cila ka nevoje per mashtrime te reja e te sofistikuara, te cilat me perpikmeri u serviren prej elites.

    Ne thelb ne cdo sistem pushtetin e ka elita, eshte thjesht ceshtje tolerance ndaj shtreses se mesme e te ulet.
    Kete tolerance Nicja e akuzonte ashper si tregti e trafik per pushtetin,midis mbajtesit natyror te saj,Aristokracise dhe nderhyresit te dhunshem, Plebeut.

  2. Une ngelem i mendimit se sistemi i aplikuar nga PKSH ne 25-27 vjetet e para te sundimit te saj, i pare ne kontekstin e kushteve te kohes, eshte nje nga periudhat me te sukseshme ne historine e zhvillimit te shoqerise shqiptare.
    Vitaliteti i regjimit, menyra e materializimit te bazes se vet ideologjike dhe aplikimi i tyre ne praktike, dyshoj se do te mund te perseritet ( jo te pakten gjate jetes sime) per nje kohe te gjate.

  3. Mua vazhdon te me ngacmoj ai boshlleku teorik ne trajtimin e kesaj teme. Nuk e di sa i njohur ka qene autori me teorite e mundshme qe merren me fenomenin ne fjale: dmth. te elites. Ka teori te vecanta qe merren me kete fenomen, ne gjermanisht quhen Elitentheorie dhe Elitenforschung, dhe nuk eshte aspak nje fushe e re kerkimi, porse shume klasike. Jo vetem nga A. Gramsci qe teorizoi mbi Hegjemonine kulturore, porse qe nga A. de Tocqueville mbi Aristrokacine, K. Marx mbi Kapitalizmin, V. Pareto ne Sociologji, G. Mosca ne Politiken fashiste etj. qe mua nuk me shkojne neper mend. Sot kryesisht merren teorite neo-marxiste me keto kerkime, ku ne neo-marxistet hyne perspektive si ajo neogramsciane, qe permenda une me pare e R. Cox dhe ne gjermani H. J. Bieling dhe K. H. Krysmanski, ne Amsterdam Kees van der Pijl (shkolla e Amsterdamit), ne Amerike qe me kohe C. Wright Mills me “The Power Elite” (1956). Keto teori kane hyre edhe ne teorite e integrimit europian (Bieling, S. Gill) , dhe ne ato te politikes se jashtme europiane (une). Eshte edhe nje liber i Finochiaro qe shpjegon se edhe te djathtet i kane bere teorite e Gramscit te tyre, (M. A. Finocchiaro, Beyond Right and Left: Democratic Elitism in Mosca and Gramsci). Keto nga librat dhe autore qe kam lexuar une. Patjeter qe duhet te kete me teper nga keta.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin