Qytetaria në ethe

Pa u shuar ende zhurma për ca prononcime jo aq të papritura të presidentit grek në lidhje me çështjen çame e me të drejtat e minoritarëve grekë, u bë e ditur se qeveria bullgare paskësh vendosur t’i jepte trajtim preferencial minoritetit “bullgar” të zonave të Prespës dhe të Gollobordës deri dje të njohur si maqedonas, madje edhe për nga privilegjet. Ndërkohë në lista shqiptarësh në Internet po qarkullon një përkujtesë e përgatitur nga eksponentë shkodranë të besimit katolik, nëpërmjet së cilës i kërkohet Papës së Romës, dhe disa personaliteteve të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj, që të ndërhyjnë për të përmirësuar trajtimin e elementit katolik në vend, i cili sipas autorëve të përkujtesës ende nuk e ka marrë vendin që i takon në strukturat dhe hierarkitë kombëtare.

Doemos, asgjë të re nuk ka në këto kërkesa ose rivendikime minoritetesh, me përjashtim të bashkëpërkimit kohor të tepruar; të paktën që prej fillimit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, zbulimi i identiteteve minoritare dhe i diferencimit prej masës “shqiptare” është konsideruar rëndom si ushtrim publik i demokracisë së fituar, pavarësisht prej zemëratës, njëlloj joprodhimtare, të kombëtaristëve. Megjithatë, kjo dëshirë a zell për t’u diferencuar a distancuar nga të qenit shqiptar, kjo gatishmëri për t’u deklaruar grek-bullgar-maqedonas-serb-malazez-vllah-rom ose për të thirrur në skenë krejt laryshinë e identiteteve kombëtare joshqiptare në Ballkan e gjetiu, fton më shumë për reflektim sesa për zemëratë. Edhe valëvitja publike e identitetit fetar minoritar – në një shtet ku bashkëjetesa paqësore e feve ngre më shumë peshë, publikisht, sesa vetë praktikat fetare – fsheh në vetvete një vullnet për të vënë në diskutim emblematikën qendrore të shtetit, ose vetë qytetarinë shqiptare si titullim të drejtash dhe detyrash publike.

Çka më tërheq vëmendjen në këtë refuzim themeltar të shqiptarisë si tipar të identitetit është referimi ndaj një autoriteti tjetër, të jashtëm, që nuk ka të bëjë me pushtetin qendror të Tiranës, por që përkundrazi mund edhe t’i kundërvihet atij, në atë masë që kjo palë e tretë përçon autoritetin e epërm, të themi, të Evropës së Bashkuar, si në rastin e kujdesit, ose të “kujdesit” të qeverisë greke për grekët etnikë të Shqipërisë. Prania greke në ekonominë shqiptare, marrëdhëniet e agjencive të ndryshme shtetërore dhe private greke me minoritarët dhe ndikimi i fqinjit të jugut në politikën e Tiranës janë të tilla, që vetvetiu e de facto e vendosin minoritetin grek në një pozitë të privilegjiuar në raport me popullsinë “jogreke” të Shqipërisë. Nuk do të kishte asgjë të keqe sikur kjo pozitë të shfrytëzohej për të afruar të dy vendet, por këmbëngulja e përfaqësuesve të minoritetit në denoncimin e “keqtrajtimit” nga qendra dhe një numër kërkesash kulturore e të shkollimit lënë të kuptohet se, për një numër jo të vogël minoritarësh, Athina e ka zëvendësuar tanimë Tiranën si autoritet, dhe jo vetëm në rrafshin etik.

Edhe në përkujtesën e katolikëve, e cila duket të jetë nënshkruar nga një grup jo i papërfillshëm përfaqësuesish të atij komuniteti, përsëri nuk është e vështirë të vihet re kjo lojë me autoritetin, për sa kohë Gjon Pali II përmendet në krye të listës së atyre që shpresohet t’i japin zgjidhje çështjes katolike në Shqipëri, duke u parapëlqyer jo vetëm në raport me pika referimi të tilla si ai autoritet në Tiranë që mbulon marrëdhëniet e shtetit me kishën, por edhe me personalitete të tjera globale që do të mund të vinin në vështrim për këtë, si Kofi Anan. Megjithëse përkujtesa citon një mori faktesh nga historia që provojnë atdhetarizmin e flaktë të shqiptarëve katolikë në shekuj, leximi i kujdesshëm i atij dokumenti të lë përshtypjen e hidhur se, të paktën për autorët e përkujtesës dhe grupet që këta autorë përfaqësojnë, vetëdija e të qenit katolik ka marrë përparësi ndaj vetëdijës së të qenit shqiptar.

Në rastin e popullsive sllave të zonave të Prespës e të Gollobordës, nuk më rezulton që veprimi i qeverisë bullgare të jetë provokuar ose nxitur nga ndonjë thirrje a përkujtesë e komuniteteve të atjeshme; por trajtimi i privilegjiuar i këtyre pakicave të papritura nga ana e vendeve “mëmë” nuk ka pse të anashkalohet e të lihet i paftilluar nga diplomacia e Tiranës, aq më tepër kur vjen në rrjedhë të veprimeve të ngjashme në të kaluarën nga ana e qeverive të vendeve të tjera ballkanike, si Greqia e Rumania. Jo sepse duhet të presim nga qeveritë e fqinjëve atë lloj ndjeshmërie ndaj sedrës dhe identitetit kombëtar të shqiptarit që as vetë qeveria shqiptare nuk po e tregon; as sepse duhet patjetër t’u kërkohet minoriteteve të reja e të vjetra, të mbijetuara e të porsazbuluara, që të vuajnë njëlloj si edhe shqiptarët e mirëfilltë, ose të “gjakut të pastër”, siç i quajnë kombëtaristët. Megjithë rivendikimet truallsore që mund të kenë ndaj Shqipërisë qarqe të caktuara në Greqi e gjetiu, duket sheshit se vëmendja e tepruar ndaj minoriteteve prej qeverive të vendeve “mëmë” i detyrohet më tepër trysnisë elektorale të mizërive kombëtariste, të cilat në Ballkan rregullisht mund t’i rrëzojnë qeveritë e t’i sjellin përsëri në pushtet. Me fjalë të tjera, edhe pse ky spektakël impresiv minoritetesh nuk është i tillë që të kërcënojë ekzistencën dhe integritetin e Shqipërisë, vetë gatishmëria e këtyre komuniteteve për t’iu falur autoritetesh të tjera nga ato të Tiranës më duket shqetësuese, në mos kobndjellëse për themelet e qytetarisë në Shqipëri.

Kombëtaristët e traditës prej kohësh ligjërojnë e bubullijnë për heronj e flamuj, tokë të larë në gjak, bedena kështjellash, shqiponja që fluturojnë lart, epope të Skënderbeut e të Gjergj Elez Alisë, kryengritje kundër “qenit turk”, qëndresë në gryka e gërxhe, besëlidhje mustaqellinjsh të pamposhtur e kështu me radhë. Përvoja e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit tregon se kjo lloj ligjërate fëminore, madje edhe në kontekste didaktike të kontrolluara, nuk po funksionon dot më. Dashuria për atdheun, sado e shenjtë dhe sublime e megjithë një komponente historike të pashmangshme, hedh shtat në të tashmen; dhe nuk ka pallavër romantike që të mund të kompensojë mungesën e motivimit. Përndryshe identiteti i shqiptarit, në rrethanat e ekzistencës së Shqipërisë si shtet sovran, varet para së gjithash nga vlera që çdo shqiptar i jep qytetarisë së vet, pikërisht asaj qytetarie që i është dhënë që prej lindjes e i është njohur formalisht, por edhe solemnisht, nga shteti shqiptar. Gjestet centrifugale të këtij apo atij komuniteti etnik, fetar ose kulturor duan trajtuar, kështu, si simptoma të një sëmundjeje serioze të institucioneve qendrore të shtetit, madje edhe para se të denoncohen si pasoja të shovinizmit të vendeve fqinjë, ose si shenja të mosbesnikërisë qytetare të atyre grupeve.

Rreth dy javë më parë, një funksionar i lartë i shtetit gjerman publikisht i tregonte me gisht shqiptarët si një rrezik real për rendin publik në krejt kontinentin evropian; një deklaratë kjo e pahijshme dhe ndoshta e palogjikshme, por që me siguri ka zënë në opinionet e evropianëve më tepër vend se kundërshtimet që iu bënë, madje edhe prej meje. Qytetarët shqiptarë ende ndeshen në vështirësi e pengesa të pabesueshme, kur kërkojnë të ushtrojnë një të drejtë njerëzore aq elementare sa liria për të udhëtuar nga një vend në tjetrin. Shqipëria ka mbetur jashtë institucioneve të Evropës dhe ende nuk dihet kur e si do të mund të integrohet në kontinent, për t’u bërë e barabartë mes të barabartëve. Falë përvojave të drejtpërdrejta, shkrimeve të shumta në shtyp, kritikave të vëzhguesve dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të dhënave nga organet e ruajtjes së rendit dhe vetë protestave të opozitës brenda vendit, është koaguluar tashmë opinioni – në Shqipëri dhe në botë – se shteti shqiptar është i korruptuar deri në palcë, madje se vetë veprimtaria rutinë e institucioneve të shtetit e të pushtetit në Shqipëri synon para së gjithash pasurimin e pushtetarëve.

Mund të tingëllojë ndoshta e tepruar po të them se cilido qytetar e mbart me vete, në mendje, modelin e pushtetit që ka mbi krye; jo vetëm në trajtë të interiorizimit të ligjeve dhe të normave të jetës publike, por edhe si thelb a trajtë të distiluar të autoritetit, ose të atij parimi themeltar sipas të cilit organizon sjelljen e përditshme. Çka më duket me rëndësi, në këtë skemë, është se autoriteti publik – faktik ose i përthyer në superego – nuk mund as duhet të hyjë në konflikt me etikën individuale, ose tërësinë e atyre normave për t’u ndjekur, në emër të dinjitetit personal, familjar e komunitar. Përndryshe, gjithnjë do të gjenden qytetarë shqiptarë të gatshëm jo vetëm për t’i ndërruar identitetet a për t’ua rishikuar renditjen në hierarkitë e vlerave; por edhe për t’i përligjur gjeste të tilla me rënien e prestigjit të autoritetit qendror në Tiranë, ose padenjësinë e institucioneve të shtetit shqiptar për të vijuar në rolin e tyre prej prindi ose tutori simbolik. Në rrethanat kur kufijtë gjeografikë dhe simbolikë të Shqipërisë janë hapur krejt – por kryesisht vetëm nga jashtë brenda – është e vështirë në mos e pamundur për pushtetin në Tiranë t’u shpëtojë ballafaqimeve të përditshme me pushtete të tjera, reale e virtuale, ushtruar mbi jetët individuale.

Vizionarët ndoshta nuk kanë reshtur ndonjëherë së ëndërruari e ndoshta përgatituri për atë ditë kur minoritetet – etnike, fetare, kulturore – do ta kenë për nder t’i referohen publikisht qytetarisë shqiptare dhe do ta puthin pasaportën e Tiranës njëlloj sikurse e puthin tokën shqiptare, edhe sot e kësaj dite, ata që kthehen pas vitesh mërgimi ose syrgjyni. Arkitektët e universeve paralele ndoshta e kanë përshkruar atë tjetër ditë, kur Shqipëria do t’u blatojë trajtim preferencial e pensione të majme arvanitëve të Greqisë, ose atë tjetër ditë, kur qytetarë italianë në Veneto e në Marche të nisin të rrëmojnë në gjenealogjitë, për të zbuluar të vyerën origjinë arbërore. Të tilla ditë janë doemos të largëta, por ka edhe objektiva të tjerë, më të afërt e të kapshëm, të cilët mund të arrihen me mund e vullnet të përbashkët të institucioneve e të qytetarëve, për t’ia kthyer prestigjin aq të nevojshëm shqiptarisë e për ta kufizuar numrin e atyre që qytetarinë shqiptare e përjetojnë, edhe sot e kësaj dite, si mallkim. Edhe politika, edhe kultura kanë ç’të kontribuojnë në këtë përpjekje; por roli vendimtar i mbetet gjithnjë etikës e sidomos etikës së përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes në jetën publike. [2004]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin