KËTË 8-MARS DO T’IA UROJ MAMASË

nga Liri Kuçi

“Edhe kunata nga Italia telefonoi për të më uruar. Vetëm ti nuk më urove!” më rreh si çangë mbi krye. Trishtimi i para disa viteve në fjalët e sime mëje për 8-Mars. Nuk arrita të belbëzoj më gjatë sesa: “Kjo datë nuk është festë ma”. Ndërkohë, atë ditë sapo ishte mbyllur organizimi i një proteste pa shumë pjesëmarrje, në Tiranë. Për një çast pllakosi heshtja në anën tjetër të telefonit. “E di”, – më tha, “por mund të ma uroje gjithsesi”.

Supozohej që e ofenduara të isha unë, pasi e kisha bërë disa herë këtë bisedë me të. Nuk u trondita nga rëndesa e atij pohimi, që nuk erdhi as si ankesë, por si kryeneçësi e mosnjohjes së një dite të rëndësishme për të dyja ne. Për secilën në mënyrë e me peshë të ndryshme. Për atë gjithë botën dhe ekzistencën. Për mua gjithë rëndësinë e banimit të teorisë përmes përpjekjes disavjeçare në lexime e veprimtari politike. Unë – as gjysma e saj.

Mund ta kisha zgjatur edhe pak bisedën me të. Ta çtensionoja atë lidhje telefoni me ndonjë batutë rasti. (Kollaj nga ana tjetër e linjës, apo jo?) T’ia zbusja trishtimin në zë, për ta gëlltitur lëmshin e lotëve në fyt. Përse jo atëherë? Fundja kisha mbajtur edhe një fjalim në protestën e asaj dite… Mund t’i tregoja dhe që kisha veshur pallton e kuqe xhanëm, e di se do të më thoshte që më çel fytyrën ajo ngjyrë. Nuk i thashë ama, që atë protestë pata mbajtur një fjalim duke m’u dridhur zëri… Për shoqet e saj nga Kombinati, që nuk erdhën. Edhe ajo në fabrikë veshjesh punon. E dija se do të reagonte menjëherë, do t’i mbronte. E bën gjithnjë… “Ne duam moj xhan, lëvizim andej, ç’kujton ti? Na presin ditët e punës dhe faturat e fundmuajit vijnë shpejt … Po edhe një ditë pushim që kemi, përmbysim shtëpinë me punë. Ja, gatuajnë të gjorat pjatën e preferuar të të vegjëlve, që përkëdhelen nga prania e mamasë në shtëpi.”

Bisedën e mbylla shpejt. Torturën pas saj e vazhdova gjatë… deri sot. E kisha lënduar. Por, sërishmi ishte treguar bujare (dhe krenare) duke mos më qortuar, as duke u zgjatur në rrjedha të panevojshme lumenjsh hipokrizie. Kurrë nuk e ka bërë. Mësimin prej saj e kam marrë gjithherë me po të njëjtën shije të hidhur… Mos po i ngjaja asaj? Apo ta kisha ndëshkuar pandërgjegjshëm kështu?

Babai i saj, im gjysh, vendosi ta dërgonte ende pa bërë 18 vjeç në shtëpinë e burrit, me të cilin sapo ishte njohur. Sot, ai është im atë. Ajo do të ishte mjeke, sikur të vazhdonte studimet e larta dhe aborti të mos ishte blasfemi. Sikur të kishte zgjedhur të mos i jepte jetë një qenieje tjetër. Sikur të kish’ zgjedhur të mos më kishte mua. Sikur të vendoste vetë. Sikur jeta të ishte zgjedhje. Mendoj t’ia uroj këtë 8-Mars mamasë.

Sot ndihem ligsht dhe ndryshe përpara saj. Në vigjilje të këtij 8-marsi pyes veten, nëse emancipimi kërkon si parakusht thelbësor premisën, që vetëdija të shkarkohet si fshikullimë deri në dhimbjen e pamundësisë së qenies? Përse të humbasë vallë e njerezishmja në procesndërtimin e ndërgjegjjes shoqërore? A nuk supozohet të shkojnë përkrah, teksa e skalitim veten me durim dhe bashkëndarjen e dobësisë, pamundësisë, shtypjes?! Pyes me gjasë, sepse nuk kam guximin të pranoj supremacinë e arrogancës që buruaka prej “stadit të lartë të vetëdijes”. Gjepura!

Po, këtë 8-Mars do ta uroj!

Përpjekjet vetëmohuese të simotrave të saj në histori ajo nuk meriton t’i ngarkohen shpatullave, që tashmë janë gërbulur mjaft prej ëndrrave të ndërprera pavullnetshëm, një rinie të jetuar përgjysmë, mbylljes dhe mospërfilljes së kontributit në shtëpi, nënvlerësimit, keqtrajtimit e keqpagimit të një pune që nuk e zgjodhi ajo, por nevoja. Një jetë e bërë prej nevojës. Ç’peshë e papërmasë! Jeta si detyrë. Vetja si mjet. Bota /Tjetri si kut matës dhe xhelat i përjetshëm. Burri.

Këtë 8-Mars ama, do t’ia uroj mamasë, veçanërisht, për të gjitha rileximet e nevojshme që nxori në pah kjo krizë e shëndetit, që mbajti zemrën pezull muajsh paqendrueshmërie fizike. Çaste që fjalët ua zinin vendin shifrave; temperatura 38, oksimetri 95, gjilpëra 2, ceftriaxone 1, paracetamol 3. Derisa fjalët rivendosën ngadalë (por ndoshta ende jo krejtësisht) rendin e gjërave. “Sot nuhata aromën e zbardhuesit të rrobave”. Mirë…

Do ta uroj, sepse në procesin e gjatë të emancipimit kemi nevojë për njëra-tjetrën çdo ditë; qoftë njësoj dhe/apo në mënyra të ndryshme. Qoftë njërën prej këtyre ditëve duhet të përkujtojmë t’i gëzohemi ndryshimeve tona dhe atyre të sjella prej nesh, për ne dhe shoqërinë. Kemi madje më shumë nevojë për të këtilla ditë. A mund t’i kemi të gjitha? Duhet t’i kemi të gjitha!

Do ta uroj sepse imja dhe e shoqeve të mia është njëmend punë dashurie. Për të dhe shoqet e saj – ua kemi borxh. Ndërsa, brezave të palindur, detyrim. Solidariteti ndihet e përcillet edhe nëpër histori. Kjo është dashuri. Motërzim. Feminizëm.

Këtë 8-Mars do ta uroj bashkë me këtë pothuajse-letër drejtuar asaj. Sot e telefonova dhe i tregova, që po shkruaja diçka. Këtë herë mora kohë t’ia shpjegoj. E shijova. Më dëgjoi pa më ndërprerë asnjë çast dhe pas një pushimi e psherëtime të shkurtër, u mundua të dukej stoike: “Unë e di që 8-Marsi nuk është festë, por ti uromë. Uromë e gëzomë shpirtin, sepse ne po luftojmë sa mundemi. Ti e di…”

Ky është urimi im për ty, ma!

Rreth Autorit

Liri Kuci është bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës “Shota.al”. Ajo ka kryer studimet Master në Universitetin e SOAS në Londër (2022). Prej vitesh është angazhuar në çështjet e drejtësisë shoqërore, duke u thelluar në analizën ndërthurëse të diskursit politik feminist, arsimit dhe punës.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin