SHQIPËRIA NË CREATIVE EUROPE 2014-2020

nga Lindita Komani

Shqipëria u bë pjesë e programit Creative Europe në qershor 2014. Mbaj mend që në rrethet letrare, në të cilat merrja pjesë në atë kohë, kjo gjë u prit me entuziazëm. Organizatat që merreshin me projekte letrare do të mundeshin të përfshiheshin në projekte ndërkombëtare, shtëpitë botuese do të mundeshin të merrnin fonde për përkthime letrare, shkrimtarët shqiptarë do mundeshin të merrnin pjesë në konkurrimin mes shkrimtarëve në BE. E njëjta gjë vlente sigurisht edhe për subjektet dhe për individët artistë që vepronin në fushat e artit dhe kulturës që nuk ishin detyrimisht letërsia. Por sikurse u kuptua me kalimin e kohës, kjo gjë ishte shumë më lehtë e thënë se e bërë.

1. Cilat ishin pikat e rëndësishme të kontratës së Shqipërisë me BE?

Sipas nenit 2 të kontratës, Shqipëria do të mund të merrte pjesë me të drejta të plota: (a) në nënprogramin e kulturës; (b) në linjën ndërsektoriale, me përjashtim të facilitetit të garancisë për sektorët kulturorë dhe kreativë; (c) në nënprogramin Media. Shqipëria do të duhej të ngrinte strukturat e përshtatshme dhe mekanizmat në nivel kombëtar dhe do t’i duhej të zbatonte masat e nevojshme për koordinim kombëtar dhe organizim të aktiviteteve për të zbatuar programin në përputhje me përcaktimet relevante në rregulloren që krijoi këtë program. Në veçanti, Shqipëria merrte përsipër krijimin e zyrës lokale Creative Europe Desk.

Sa i përket përfshirjes financiare, është e vërtetë që subjektet shqiptare do të kishin të drejtën të merrnin pjesë në projektet ndërkombëtare dhe të përfitonin të ardhura sikurse edhe subjektet nga vendet e BE-së. Por kjo nuk vinte falas, sikurse në shumë raste jemi mësuar në vitet e tranzicionit. Për Shqipërinë do të kishte një kosto vjetore që ishte përcaktuar në këtë nivel: (a) për të marrë pjesë në nënprogramin e kulturës dhe linjën ndërsektoriale, kontributi vjetor financiar i caktuar për Shqipërinë është 55 000 euro në vit; (b) për të marrë pjesë në nënprogramin Media, kontributi vjetor i caktuar për Shqipërinë është 95 000 euro. Këto shuma duhet të derdhen nga Shqipëria në buxhetin e përgjithshëm të BE për këto programe respektive. Ajo që merr përsipër BE në kuadër të kontratës, është që të rimbursojë kostot dhe dietat për përfaqësuesit dhe ekspertët nga Shqipëria që marrin pjesë si vëzhgues në punën e komitetit të programit. Gjithashtu BE kontribuon për mbajtjen e zyrës lokale të Creative Europe Desk, por kontributi i BE nuk mund të tejkalojë 50% të buxhetit total dhe gjithashtu nuk mund të tejkalojë 2/3 e kontributit vjetor financiar të Shqipërisë.

Me këtë informacion bazë në mendje, është me vlerë të shikohet se çfarë ka ndodhur në periudhën qershor 2014 – dhjetor 2020: sa e aftë ka qenë Ministria e Kulturës e Shqipërisë që të ngrejë strukturat e nevojshme për të promovuar sa më mirë programin Creative Europe, për të përgatitur subjektet shqiptare për të marrë pjesë në thirrjet e këtij programi dhe nga ana tjetër sa të afta kanë qenë subjektet shqiptare që të përthithin fonde. Duhet të kemi parasysh në këtë analizë që buxheti total i shpërndarë në subjektet e fushës kreative dhe të kulturës në mbarë vendet pjesëmarrëse në program në vitet 2014-2020, ishte 1.46 miliardë euro.

2. Thirrjet për projekte në periudhën 2014-2020

Duke iu referuar informacioneve të publikuara në portalin e Creative Europe lidhur me ecurinë e thirrjeve në shtatë vitet e kaluara, përpunuam dhe përgatitëm disa të dhëna të përmbledhura që do të paraqiten si vijon. Ato tregojnë se mundësitë kanë qenë shumë të mira në këto vite, që industria kreative dhe e kulturës në Shqipëri të ishte integruar me partnerë ndërkombëtare dhe të kishte siguruar edhe fonde në nivele të konsiderueshme.

Programi Creative Europe në periudhën 2014-2021 ka shpallur 138 thirrje dhe ka pritur, shqyrtuar dhe shpallur fitues për to. Në këtë listë nuk përfshihet puna e kryer për disa aksione specifike, për dhënien e disa çmimeve që jepen nga BE, posaçërisht: Kryeqytetet Europiane të Kulturës, Ditët Europiane të Trashëgimisë, Emërtimi i Trashëgimisë Europiane; katër çmimet europiane: Çmimi i Bashkimit Europian për Trashëgiminë Kulturore (nga Europa Nostra), Çmimi i Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore – Cmimi Mies van der Rohe, Çmimi European për Thyesit e Kufijve (muzikë), Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsinë.

Këto 138 thirrje të shpallura mund të grupohen sipas titullit të tyre të thirrjes dhe në këtë mënyrë mund të kuptohet qartësisht sesa shumë fusha ka dhe se sa lloj subjektesh – nga ato që prodhojnë art e kulturë e deri te promovuesit e tyre – subjekte që merren me marketing – mund të përfshihen apo të ishin përfshirë me aplikime në këto thirrje:

  • Për mbështetje për programim televiziv: 13 thirrje
  • Për bashkë-produksion ndërkombëtar: 7 thirrje
  • Për agjentët e shitjeve: 7 thirrje
  • Për zhvillim audience: 3 thirrje
  • Për mbështetje automatike: 7 thirrje
  • Për akses në treg: 10 thirrje
  • Për festival filmash: 13 thirrje
  • Për distribucion (mbështetje selektive): 7 thirrje
  • Për listë projektesh (slate funding): 6 thirrje
  • Për projekte platformash: 3 thirrje
  • Për rrjete europiane: 2 thirrje
  • Për video lojëra: 7 thirrje
  • Për projekte bashkëpunimi: 9 thirrje
  • Për përkthim letrar: 6 thirrje
  • Për mbështetje për trajnime: 7 thirrje
  • Për mbështetje për distribucion online: 8 thirrje
  • Për rrjetëzimin e kinemave: 4 thirrje
  • Për zhvillim projektesh të veçanta (media): 4 thirrje
  • Për përmbajtje audiovizive (projekte të veçanta): 6 thirrje
  • Për zhvillim përmbajtjeje (projekte të veçanta): 2 thirrje
  • Për edukim për filmin: 4 thirrje
  • Për mbështetje për Creative Europe Desks: 1 thirrje
  • Për lidhjen mes përmbajtjes kulturore dhe audiovizuale përmes digjitales: 1 thirrje
  • Për projekte për integrimin e refugjatëve: 1 thirrje

3. Suksesi i subjekteve shqiptare

Për të analizuar suksesin e subjekteve shqiptare, krijuam një bazë të dhënash duke shqyrtuar listat e projekteve fituese për secilën nga 138 thirrjet e shpallura. Të dhënat po i paraqesim të plota, në mënyrë që sa më shumë lexues të interesuar, sidomos nga subjekte që veprojnë në fushën e artit dhe kulturës apo që aspirojnë të veprojnë në këtë fushë, të kenë mundësinë të kuptojnë situatën dhe të frymëzohen për periudhën buxhetore 2021-2027 që tashmë ka nisur.

Subjektet shqiptare numërojnë:

Përfshirje si partnerë në trembëdhjetë projekte bashkëpunimi për trembëdhjetë subjekte:

  • 2014: 1 projekt me partner kryesor slloven ku është përfshirë Tirana Art Lab si një nga 9 partnerët. Financimi nga BE për projektin ka qenë: 198 000 euro.
  • 2016: 1 projekt me partner kryesor Italian ku është përfshirë Tirana Ekspres si një nga 5 partnerë në total. Financimi nga BE për projektin ka qenë: 193 541.96 euro.
  • 2017: 1 projekt me partner kryesor Italian ku janë përfshirë 2 partnerë nga Shqipëria, T.K. dhe Tjetër Vizion. Financimi nga BE për projektin ka qenë: 1 428 400 euro.
  • 2018 – projekte në kuadër të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore: 1 projekt me partner kryesor italian ku është përfshirë Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Financimi nga BE ka qenë: 200 000 euro.
  • 2018: 2 projekte ku janë përfshirë partnerë shqiptarë, përkatësisht Qendra Gjenerata e Re në një projekt me partner kryesor Italian dhe Syri Blu në një projekt me partner kryesor serb. Financimet e BE për këto projekte kanë qenë respektivisht nga 200 000 euro.
  • 2020 – projekte bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor: 7 projekte ku janë përfshirë partnerë nga Shqipëria. Në dy projekte është përfshirë Poeteka, në të parin me partner kryesor francez ku financimi nga BE ka qenë 347 469 euro si një nga 9 partnerë në total, në të dytin me partner kryesor bullgar ku financimi nga BE ka qenë 324 234 euro si një nga 6 partnerë në total; në një projekt me partner kryesor italian ku financimi nga BE ka qenë 312 467 është përfshirë Tulla si një nga 8 partnerë në total; në një projekt me fokus muzikën me partner kryesor malazez, ku financimi nga BE ka qenë 410 930 euro është përfshirë Vox Baroque si një nga 4 partnerë në total; në një projekt me partner kryesor hollandez ku financimi i BE ka qenë 429 884 euro është përfshirë Harabel si një nga 4 partnerë në total; në një projekt me partner kryesor slloven ku financimi i BE ka qenë 424 947 euro është përfshirë Qendra Marrëdhënie si një nga 3 partnerë në total; në një projekt me partner kryesor rumun ku financimi nga BE ka qenë 254 705 euro është përfshirë Muzeu Historik Kombëtar si një nga 5 partnerë në total.

Përfshirje si partner për një projekt platforme europiane:

  • 2015: 1 projekt me partner kryesor slloven ku është përfshirë Universiteti Polis si partner shqiptar. Financimi i BE-së për projektin ka qenë 500 000 euro.

Mbështetje për Creative Europe Desks:

  • 2018: Mbështetje financiare nga BE në vlerë prej 51 492.44 euro për Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare Kinematografike.

Tetë shtëpi botuese fituese për 13 projekte për Përkthime letrare:

  • 2014: 4 projekte nga shtëpi botuese: Toena është financuar me 62 957.85 euro, Morava është financuar me 17 751.36 euro, Pegi është financuar me 70 900 euro, Fondacioni Instituti i Komunikimit dhe Dialogut është financuar me 56 168.89 euro.
  • 2015: 5 projekte nga shtëpi botuese: Fan Noli 2002 shpk është financuar me 53 013.14 euro, Dudaj është financuar me 59 439.50 euro, ALBAS është financuar me 75 447.23 euro, Pegi është financuar me 58 500 euro, Dituria është financuar me 59 996.28 euro.
  • 2016: Nga 11 aplikime nga Shqipëria janë përzgjedhur si fituese 3 projekte: Fan Noli 2002 shpk është financuar me 59 879.50 euro, Dituria është financuar me 42 509.60 euro, Pegi është financuar me 59 900 euro.
  • 2017: Nga 12 aplikime nga Shqipëria është përzgjedhur si fitues 1 projekt: Fondacioni Instituti i Komunikimit dhe Dialogut është financuar me 54 458.78 euro.
  • 2018: 3 projekte nga shtëpi botuese: Pegi është financuar me 50 500 euro, Dituria është financuar me 59 979.60 euro, ALBAS është financuar me 58 127.37 euro.
  • 2019: 3 projekte nga shtëpi botuese: Toena është financuar me 62 358.63 euro, Fondacioni Instituti i Komunikimit dhe Dialogut është financuar me 56 394.73 euro, Dudaj është financuar me 58 203.50 euro.

Dy kompani filmi fituese për dy projekte zhvillim përmbajtjeje audiovizive:

  • 2018: Gentian Koçi PF (Artlab Film) është financuar me 30 000 euro.
  • 2020: ERAFILM është financuar me 30 000 euro.

Tre subjekte partnere në tre projekte distribucioni:

  • 2015: 1 projekt ku është përfshirë Empire shpk si partner nga Shqipëria. Buxheti për partnerin shqiptar ka qenë: 3000 euro.
  • 2016 – skema selektive: 1 projekt ku është përfshirë Agron Domi si partner nga Shqipëria. Buxheti për partnerin shqiptar ka qenë: 3000 euro.
  • 2017 – skema selektive: 1 projekt ku është përfshirë Tirana Film Institute si partner nga Shqipëria. Buxheti për partnerin shqiptar ka qenë: 5000 euro.

Përtej sa më lart, vlen të shënohet që arritje të tjera janë:

  • Dhënia e Çmimit të BE-së për Letërsinë dy autorëve shqiptarë, Ben Blushit në vitin 2014 dhe Rudi Erebarës në vitin 2017. Ketu vlen të ndahet përvoja e njërit prej këtyre dy autorëve, të cilit iu drejtuam për informacion lidhur me çfarë sjell çmimi për autorin. Zoti Erebara tregon që libri i tij “Epika e yjeve të mëngjesit” është botuar deri tani në 3 gjuhë, greqisht, italisht dhe bullgarisht. Ndoshta sivjet do të publikohet edhe në një gjuhë të katërt. Secila nga shtëpitë botuese që ka marrë përsipër botimin në një gjuhë tjetër, ka aplikuar përmes skemës së përkthimeve letrare në kuadër të programit Creative Europe. Ndërkohë, autorit për secilin rast përkthimi i jepet një pagesë fikse për të drejtën e autorit dhe një përqindje në kontratë për shitje, nëse ka, duke hequr taksat.
  • Përfshirja e disa objekteve me shumë vlerë të trashëgimisë kulturore në listën e objekteve të mbrojtura nga Europa Nostra. Mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre pjesërisht mund të jetë financuar nga Creative Europe dhe pjesërisht nga Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, por të dhëna mbi shifra nuk janë bërë transparente për publikun online, ndaj nuk do të pasqyrohen këtu.

4. A ka qenë me vlerë pjesëmarrja e Shqipërisë në Creative Europe?

Në një këndvështrim ekonomik, është e rëndësishme të analizohet nëse pjesëmarrja e Shqipërisë në programin Creative Europe ka qenë me vlerë, kjo sidomos duke pasur parasysh se jemi një vend i varfër me buxhet të kufizuar publik, aq sa pjesëmarrja në një program ndërkombëtar ku na duhet të paguajmë për të qenë pjesë, është një lloj luksi i veçantë.

Duke iu referuar kontratës së vitit 2014, kostoja e pjesëmarrjes sonë në vit është 150 000 euro. Në 7 vjet Shqipëria llogarisim që ka paguar 1 050 000 euro në buxhetin e BE-së.

Duke iu referuar të dhënave të publikuara në portalin e Creative Europe, mbi bazën e të cilave u përgatit ky artikull, llogarisim që vetëm për linjën e programit kushtuar përkthimeve letrare, tetë subjekteve shqiptare që kanë qenë fituese në to, u është dhënë një financim prej gati 1 080 000 euro. Përtej tyre, janë edhe projektet e tjera të lartpërmendura, prej të cilëve vetëm tek disa prej tyre që kanë të bëjnë me përmbajtje audiovizive dhe distribucion është bërë transparente shuma që kanë siguruar. Për projektet e bashkëpunimit mbetet e paqartë sesa është shuma me të cilën BE ka financuar partnerët shqiptarë.

Parë vetëm në një këndvështrim financiar, mund të thuhet qe Shqipëria i “ka nxjerrë” kostot që ka pasur për këtë pjesëmarrje në Creative Europe. Por a mjafton kjo për të vlerësuar suksesin e kësaj pjesëmarrjeje?

Edhe sikur të kufizohemi në rastin e shtëpive botuese që duket se janë subjektet më të suksesshme sa i përket standardeve ndërkombëtare që priten nga aplikues për fondet e Bashkimit Europian, vetëm tetë shtëpi botuese kanë mundur të sigurojnë fonde. Ndërkohë, nga sa është bërë publike nga BE, kanë qenë zakonisht mbi 10 shtëpi botuese që kanë aplikuar në çdo thirrje për përkthime letrare. Në biseda me përfaqësues nga tri shtëpi botuese të realizuara jo për qëllimin e këtij artikulli, por shtrirë në kohë si biseda mes të njohurish, është bërë e qartë një pakënaqësi dhe mosbesim sa i përket drejtësisë së procesit. Shtëpitë botuese që e kanë shfaqur atë janë po aq serioze, cilësore, njohëse të kushteve të partneriteteve ndërkombëtare si ato që kanë fituar. Ka edhe akuza, por që le të mbeten për ato biseda. Në njëfarë mënyrë, kjo është një temë e diskutuar, dhe këtë e dinë të gjithë që veprojnë në fushën e botimeve letrare.

Sa i përket fushave të tjera për projekte, mund të shihet se suksesi shqiptar ka qenë i kufizuar në shumë pak linja projektesh krahasuar me sa ka pasur në dispozicion. Në total, 31 subjekte kanë qenë përfituese fondesh nga BE dhe nga këto subjekte janë shtetërore. Pra vetëm 27 subjekte private kanë arritur të gjejnë akses në këtë burim fondesh. Pyetjet që me të drejtë lindin janë:

  • Sa dhe si ka punuar Ministria e Kulturës për promovimin e gjithë thirrjeve të Creative Europe pranë subjekteve të regjistruara si kompani apo organizata që veprojnë në fushën e artit dhe kulturës?
  • A janë shfrytëzuar fonde IPA nga ato të parashikuara për Shqipërinë për të rritur aksesin e subjekteve shqiptare në fondet Creative Europe? Pra, a ka pasur dhe sa trajnime ka pasur për shkrim projektesh dhe buxheti për aplikime për këtë program?
  • A është e mundur që një pjesë e fondeve IPA për Shqipërinë të shfrytëzohen për të rritur kapacitetet lokale për shkrim projektesh dhe a mund të financohen konsulentë që të shkruajnë të tillë?
  • Sa të gatshme janë subjektet shqiptare që të bashkëpunojnë me partnerë të huaj?
  • Për përgatitjen e aplikimeve kanë përdorur burime të brendshme apo kanë bashkëpunuar me konsulentë vendas/të huaj?
  • Si ka mundësi që për linjën e filmit dhe televizionit ka pasur sukses shumë më të ulët sesa për linjën e përkthimeve?

5. Creative Europe Desk në Shqipëri

Europa Kreative pritet që më së pari e më së miri të përfaqësohet në Shqipëri përmes Creative Europe Desk Albania, sikurse parashikohet edhe në kontratën e nënshkruar në vitin 2014. Në kushtet e jetës digjitale, pritet që kjo përfaqësi të shprehet përmes një faqeje interneti të përditësuar dhe përmes të paktën një faqeje në Facebook në të cilën të hidhen lajmet më të reja nga ky program. Le të shohim rezultatet aktuale nga këto dy platforma të pritshme.

Faqja e Creative Europe Desk Albania: http://creativeeurope.kultura.gov.al/, aktualisht (screenshot, data 10 shkurt 2021) si rezultat shfaq sa vijon:

Ndërkohë faqja në Facebook ekziston dhe ka 2504 persona që e kanë pëlqyer atë. Por faqja po të përdorim cilësimin që përdoret në raste të tilla, është e vdekur. Shifrat e tregojnë këtë.

Në periudhën 22 dhjetor 2018 deri 29 janar 2021 (parë më 10 shkurt 2021), pra për mbi dy vjet, janë publikuar në faqe 52 lajme (linke, foto me informacion tekst shoqërues) dhe këto publikime kanë gjeneruar një pëlqyeshmëri prej plot 74 pëlqime, pra 1.42 pëlqime për postim. Ka pasur një pëlqyeshmëri prej 7-8 pëlqimesh në rastet kur ka pasur aktivitete dhe janë postuar foto, përndryshe shumë më pak ose aspak pëlqime.

Si ka mundësi që gjendja është kjo? Një zyrë e cila duhet të shërbejë si ndërlidhëse mes Shqipërisë dhe BE-së sa i përket fondeve të Creative Europe, si mund të katandisë në këtë pikë dhe kush e mban përgjegjësinë për këtë? Për çfarë është krijuar kjo zyrë? Vetëm për show? Për çfarë e kanë marrë financimin nga Bashkimi Europian në nivel prej 51 492.44 euro, sipas rezultateve të thirrjes së vitit 2018 kushtuar Support to Creative Europe Desks (Coordinating bodies and offices) (për referencë: https://eacea.ec.europa.eu/sites/eacea-site/files/cedesks_2018_coordinators_with_partners.pdf?

Periudha e re buxhetore 2021-2027 ka nisur tashmë dhe me urgjencë kjo gjendje e Creative Europe Desk Albania është e domosdoshme që të ndryshojë.

6. Sa të përgatitur jemi për periudhën e re buxhetore 2021-2027?

Në periudhën e re buxhetore 2021-2027, programi Creative Europe do të ketë në dispozicion 2.4 miliardë euro, pra sasia e fondeve është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën 2014-2020. Linjat e projekteve do të jenë të ngjashme me ato të periudhës pararendëse, ndërkohë që për herë të parë, sektori i mediave të lajmeve do të mbështetet përmes aksioneve të ndryshme, duke promovuar njohjen e mediave, pluralizmin dhe lirinë e medias.

Çfarë mund të përmirësojnë subjektet shqiptare në periudhën e re, gjithashtu Ministria e Kulturës dhe deri diku edhe zyra e BE-së në Shqipëri?

Për subjektet private është e këshillueshme që të punojnë shumë në drejtim të krijimit të partneriteteve me jashtë dhe ngritjes së kapaciteteve të brendshme që ta përballojnë këtë përmasë të re të nevojshme të punës së tyre si biznese apo organizata. Sa më shumë që të kërkohet për partneritet të huaj, aq më e madhe është mundësia për t’u përfshirë në projekte të BE-së. Arsyeja është e thjeshtë: subjektet e huaja që tashmë kanë fituar një ose më shumë herë fonde në Creative Europe, e kanë kapacitetin për të shkruar projekte fituese. Kjo është mënyra më e mirë për subjektet shqiptare për t’u përfshirë në projekte në këtë program, ku mund të mësojnë shumë edhe lidhur me procedurat, procesin e aplikimit, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të jenë vetë në gjendje të shkruajnë projekte fituese dhe të jenë drejtues projektesh.

Për Ministrinë e Kulturës është domosdoshmëri që Creative Europe Desk të jetë funksionale, ndihmuese, informuese dhe transparente për të gjithë të interesuarit që të përfshihen në thirrjet për projektet e Creative Europe. Suksesi i kësaj zyre vlen dhe duhet të matet në mënyrën që do të ndodhte në rastin se ajo do të operonte si subjekt privat: me numrin e aplikimeve nga dhe numrin e projekteve të fituara nga subjektet shqiptare. Standardet europiane nuk sigurohen vetëm duke firmosur një marrëveshje dhe duke i bërë BE-së një pagesë të madhe, por duke ngritur pikësëpari standardin e shërbimit në nivelet siç i kanë vendet anëtare të BE-së dhe siç i kërkon programi Creative Europe, në mënyrë që sa më shumë subjekte të mbeten të kënaqur për këtë shërbim dhe jo të krijohen thashetheme e zhurmë lidhur me favorizime e disfavorizime. Një element tjetër shumë i rëndësishëm i punës së ministrisë mund të ishte gjithashtu ai i lehtësimit të kontakteve me partnerë potencialë – subjekte nga vende të BE-së – që mund të jenë të interesuar që të përfshijnë subjekte shqiptare në bashkëpunime. Për këtë, bashkëpunimi me ambasadat do të ishte me rëndësi dhe vlerë.

Për zyrën e BE-së do të ishte me vlerë të merrte në konsideratë mundësinë që të financonte trajnime për ngritje kapacitetesh – ekspertizë lokale lidhur me fondet Creative Europe, sikurse kemi argumentuar në një artikull tjetër edhe lidhur me programin tjetër Horizon Europe. Për industrinë kreative dhe të kulturës në Shqipëri, përfshirja në projekte europiane do të ishte një burim i madh jo vetëm për fonde, por edhe për të fituar përvojë dhe mësuar metoda bashkëkohore pune, për integrim më të mirë artistik e kulturor në Bashkimin Europian. Shqiptarët janë individë shumë kreativë dhe edhe në vështirësitë më të mëdha arrijnë të gjejnë zgjidhje, të krijojnë, të prodhojnë punë me shumë vlerë, ia dalin me sukses të bashkëpunojnë dhe prodhojnë në grup. Në këtë aspekt, vërtet e meritojnë mbështetjen që në nivel europian kontributi i tyre për një Europë Kreative dhe të Kulturës të jetë më i ndjeshëm.

(c) 2021, Lindita Komani. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin