nga Enkeleida Kapia
Përpara se Orwell të botonte romanin 1984 në vitin 1949, ai botoi një ese në vitin 1947 që ngërthen dhe një nga temat kryesore të 1984, të titulluar Politika dhe Gjuha Angleze (angl. Politics and the English Language). Në të, ai ilustron, përmes shumë shembujsh, që anglisht-folësit e kanë lënë anglishten pas dore, e kanë lënë të rrëgjohet (Kjo më kujton diskutime të shpeshta edhe në albanologji). Merr qysh në fillim 5 specimene, siç i quan ai, nga medie të ndryshme, pjesë nga artikuj shkencorë të shkruar nga profesorë me emër, fragmente nga artikuj gazetash, etj., dhe del në përfundimin që të gjitha këto kanë dy tipare të përbashkëta:. u mungon a) shprehësia dhe b) precizoni gjuhësor. Këto tipare, vazhdon ai, janë kthyer në tiparet përveçuese të prozës politike moderne angleze, e cila, po sipas tij, është e mbushur me “blloqe të parafabrikuara” gjuhësore që e kanë tjetërsuar shprehësinë e gjuhës nga konkrete në abstrakte. Ai u referohet si veprimtari mëkatare që çojnë në abstragim dukurive të (a) zhdukjes së metaforave, (b) përdorimit të gjymtyrëve operative boshe në fjali (si për shembull, në vend të foljes “break” përdoret “render inoperable”), (c) fjalor pompoz i zgjeruar me fjalë që vijnë nga zhargoni shkencor, nga gjuhët e huaja, nga arena politike ndërkombëtare, madje dhe nga veprat marksiste (po, po!). Me pak fjalë, Orwell në këtë ese parashtron idenë që gjuha (po) shkatërrohet dhe, për më tepër, kjo dekadencë e saj po varfëron mendimin e folësve dhe të shkruesve. Por ai beson që kjo rënie nuk është e pakurueshme, dhe i ofron lexuesit pesë rregulla të cilat duhet t’i ketë parasysh doemos gjatë procesit të shkrimit:
- Kurrë mos përdor një fjalë të gjatë, në se në vend të saj mund të përdorësh një fjalë të shkurtër.
- Nëse një fjalë mund ta heqësh pa i ndryshuar kuptimin thënies, hiqe.
- Kurrë mos përdor formën joveprore nëse mund të përdorësh veproren.
- Mos përdor asnjëherë një fjalë të huaj ose një fjalë nga zhargoni shkencor, nëse ajo që kërkon të thuash mund të thuhet përmes një fjale të leksikut të përditshëm.
- Më mirë thyej këto rregulla se sa të thuash diçka barbare.
Edhe pse këto rregulla duken elementare (por nuk janë, sidomos kur mes tyre vendosen ndajfolje si “kurrë”), Orwell bën të qartë që përmes tyre ai synon të luftohet ideja e përhapur asokohe (por edhe tani, në shumë qarqe) që heshtimi politik vjen nga abstragimi i gjuhës. Si mund ta luftosh fashizmin, shprehet ai, nëse nuk e di se çfarë është fashizmi? Ideja se retorika politike, qoftë e majtë ose e djathtë, është e mbushur dhe e stërmbushur me shabllone të ngurta gjuhësore, të ndërtuara enkas për të fshehur të vërtetën dhe realitetin, e shqetëson aq shumë Orwell-in sa ai e rimerr sërish këtë temë te 1984 përmes konceptit dhe dukurisë së Rigjuhës. Po sjellim këtu një paragraf nga përkthimi i 1984 i Sokol Çungës (Botimet Pegi, 2020), në të cilin Orwell na njeh me Rigjuhën:
“Qëllimi i rigjuhës nuk ishte vetëm të ofronte një mjet të përshtatshëm me të cilin të përkushtuarit e Socing-ut të shprehnin botëkuptimin dhe mendimet e tyre, por edhe të bënte të pamundur çdo mënyrë tjetër të menduari. Qëllimi ishte që kur rigjuha të përvetësohej një herë e mirë dhe ishgjuha të harrohej, mendimi i papërshtatshëm, pra, mendimi që devijonte nga parimet e Socingut, të bëhej i pamundur në kuptimin e parë të fjalës, të paktën në atë masë sa mendimi varet nga fjalët. Fjalori i rigjuhës ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të jepte shprehjen e saktë, dhe shpesh atë më të hollësishmen, për çdo kuptim që dëshironte të shprehte drejt anëtari i Partisë, duke përjashtuar çdo kuptim tjetër, si dhe duke eliminuar mundësinë që të arrihej në një kuptim tjetër përmes mënyrave të ndërsjella. Deri diku, kjo arrihej duke shpikur fjalë të reja, por kryesisht duke eliminuar fjalë të padëshiruara dhe duke i zhveshur këto fjalë nga mbetjet e kuptimeve të padëshiruara dhe, aq sa ishte e mundur, nga çdo kuptim tjetër dytësor. Le të japim një shembull: fjala i/e lirë ruhej ende në rigjuhë, por mund të përdorej vetëm në formulime të tilla si: “Qeni është i lirë nga pleshtat”, ose “Fusha është e lirë nga bari”. Nuk mund të përdorej në kuptimin e vjetër të të qenit “politikisht i lirë” apo “intelektualisht i lirë”, përderisa liria politike dhe intelektuale nuk ekzistonin më as si koncepte, kështu që nuk lindte nevoja të emërtoheshin me ndonjë fjalë.
[…]Individi i rritur duke folur vetëm rigjuhën si gjuhë të vetme nuk do ta mësonte kurrë se i/e barabartë dikur kishte pasur një kuptim të dytë, që do të thotë politikisht i/e barabartë, apo se i/e lirë, dikur nënkuptonte intelektualisht i/e lirë, njësoj si dikush që kurrë nuk ka dëgjuar për lojën e shahut dhe nuk i di kuptimet dytësore të fjalëve mbretëreshë dhe torrë. Shumë krime dhe gabime, njeriu i së ardhmes nuk do të kishte mundësinë t’i kryente, për vetë faktin se ato nuk do të përcaktoheshin dot me fjalë e për rrjedhojë, do të ishin të papërfytyrueshme.”
Duket si një ëndërr e keqe ideja që mendimi mund të tkurret nga gjuha. Por sa bazë shkencore ka kjo ide?
Për të kuptuar kontrollin politik që mund të ushtojë një regjim i caktuar mbi gjuhën dhe rrjedhimisht mbi mendimin, duhet të njihemi me teorinë e relativitetit gjuhësor, themelet e së cilës janë hedhur qysh në fillimet e shekullit të 20-të nga Fraz Boas (theksojmë këtu në gjuhësi, sepse debati gjuhë-mendim mund të gjurmohet deri te Platoni, Kanti dhe Dekarti). Boas mendonte që gjuha është thjesht një klasifikim i realitetit dhe që gjuhë të ndryshme i klasifikojnë realitetet e tyre ndryshme. Për të mos i hyrë në hak Boas-it, ai theksonte që ky variacion me gjasa nuk ka asnjë efekt mbi mendimin. Sidoqoftë, studenti i tij Edward Sapir që e ndiqte nga pas Boas-in dhe e adhuronte punën e mjeshtrit të vet, e mori këtë tezë dhe e shtriu më gjerë, sidomos pasi filloi të bashkëpunonte me kolegun e tij të ri Benjamin Whorf. Të dy krijuan atë që sot njihet si teoria e relativitetit gjuhësor e cila në thelb propozon që gjuha ndërton mendimin dhe që mendimi nuk mund të ekzistojë pa gjuhën. Logjika e kësaj teorie është disi e komplikuar, por, në vija të trasha, mbështetet mbi premisën që gjuha përmban një numër fiks mjetesh formale leksikore dhe gramatikore të cilat folësi i përdor për të shprehur një bagazh përvojash jetësore, që patjetër mund të jenë të pafundme. Është pikërisht ky kombinim midis mjeteve formale të gjuhës dhe përvojave gjuhësore që, sipas teorisë së relativitetit gjuhësor, është i ndryshëm nga gjuha në gjuhë. Tani, nëse folësit përdorin struktura të caktuara për të shprehur realitete të ndryshme, rrjedhimisht kjo gjë me kalimin e kohës sjell një lloj modelimi të mendimit. Kjo është dhe premisa e Orwell-it në 1984. Rigjuha është teknologjia që përdoret për kontrollin ndaj mendimit.
Po a ka ndonjë fije shprese për lirinë? Duket se edhe Orwell vetë nuk e ka ndarë mendjen. Vini re se si në fund të paragrafit të parë shprehet që një koncept është i paimagjinueshëm e, për rrjedhojë, i paemërt, ndërkaq që në fund të paragrafit të dytë mëton që një koncept është i paemërt dhe, për rrjedhojë, i paimagjinueshëm. Cila është e vërteta, pra? A varet mendimi nga gjuha? A është e vërtetë që ne shqiptarët mendojmë në shqip, italianët në italisht, amerikanët në anglisht, rusët në rusisht? Po indianët që flasin më shumë se një gjuhë, në cilën gjuhë mendojnë? Apo mos ndodh që mendimet kanë simbolikën e tyre (jo-gjuhësore) dhe gjuhët tona njerëzore janë thjesht petku me të cilën i veshim këto mendime për t’ua përçuar të tjerëve? Kjo, dashje pa dashje, përbën ende një nga pyetjet më themelore në gjuhësi sot.
Në një qëndrim krejt të kundërt me atë të relativitetit gjuhësor, ku siç thamë më lart faktorët determinativë të mendimit janë strukturat gjuhësore, qëndrojnë ata që mendojnë se ky kamp është thjesht një absurditet konvencional. Nëse mendimet varen nga fjalët, atëherë si mund të shpjegojmë krijimin e fjalëve të reja në gjuhë? Po fëmijët e vegjël si i mësojnë fjalët në veçanti dhe gjuhën në përgjithësi, nëse mendja jonë është tabula rasa dhe mbushet vetëm pasi kemi fituar gjuhën si mjet shprehësie? Po, përkthimi, përkthimi si do të qe i mundur? – pyesin ata.
Është normale që gjuhës t’i jepet më shumë rëndësi. Sidomos kur e krahason me mendimin. Gjuha është e zhurmshme, e dëgjojmë, e shohim, i shohim germat të zeza mbi të bardhën e letrës. Kurse mendimi, kushedi se ku rri, diku në kokat tona. Edhe të flasim për mendimin na duhet gjuha! Kështu që afërmendsh që në pamje të parë duket sikur mendimi nuk ka se si të ekzistojë pa gjuhën. Por mote të shumta kërkimesh eksperimentale mbi natyrën jo-gjuhësore të mendimit (angl. non-verbal thinking), si edhe mënyrën se si funksionon mendimi në përgjithësi në konjicionin tonë, sjellin përfundime që e çlirojnë mendimin nga zgjedha e gjuhës. Për shembull, në mjekësi ka raste pafund pacientësh të cilët për arsye të ndryshme shëndetësore, për shembull hemorragji të pjesshme cerebrale, humbasin plotësisht ose pjesërisht funksione gjuhësore, por kanë inteligjencë krejt të shëndetshme, pra funksione mendore me kapacitet normal. Ose marrim disleksinë, e cila prek sistemin gjuhësor, por rrallëherë prek aftësitë mendore të pacientëve që diagnostikohen në të. Gjuhësia jo rrallëherë flet edhe për raste fëmijësh të shurdhët, të cilët nuk kanë asfare gjuhë, por e krijojnë atë krejt nga fillimi. Bebe të vogla 5-muajshe, të cilat nuk kanë aspak strukture gjuhësore, kanë, ndër të tjera, nocione themelore të matematikës për të shprehur sasinë e objekteve me të cilat po luajnë. Majmunët, gjithashtu, pa gjuhë si kjo e jona, kanë një sërë nocionesh të avancuara mendore që u afrohen atyre tonave, si për shembull, kanë një model të ngjashëm të farefisnisë, të cilin e njohin dhe e respektojnë me fanatizëm.
Po si mund të “rrinë” këto nocione që sapo përmendëm e plot e plot të tjera, në tru, në mendje, pa gjuhën? Siç shprehet dhe studiuesi Steven Pinker, matematicieni dhe filozofi Alan Turing ka qenë i pari që ka mundur ta konkretizojë këtë ide përmes asaj që njihet si Makineria e Turing (angl. Turing Machine). Turing Machine nuk është gjë tjetër veçse një kompjuter që punon me një logjikë të brendshme, pa pasur nevojë për gjuhën. Me pak fjalë, kjo makinë mund të shihet si një model i thjeshtëzuar i “hapësirës” ku rrinë mendimet tona. Kjo logjikë e brendshme afërmendsh që të funksionojë kërkon që deduksionet dhe induksionet të ndërtohen në bazë të përvojave tona jetësore, por për këtë nuk i nevojitet gjuha. Çka i nevojitet janë disa koncepte bazë (që në rastin tonë përfaqësohen përmes gjuhës, por mund të përfaqësoheshin edhe përmes një simbolike krejt tjetër), të cilat duhet të vihen në punë me njëra tjetrën përmes një sistemi që i lidh e i ndërlidh sipas nevojave të shprehjes. Pra, është si me thënë që për të bërë brumin e bukës duhen disa përbërës bazë, d.m.th. miell, ujë, kripë, të cilat duhen lidhur me dorë ose me brumatriçe. Tani, ne i quajmë miell, ujë, kripë, se flasim shqip, por fare mirë mund t’i quanim diçka tjetër. Ama, kjo nuk e tjetërson identitetin e tyre në realitet dhe në mendjet tona. Pra, fakti që buka është bukë dhe që përgjithësisht ka këta përbërës, nuk ka të bëjë me emërtimet tona në (miell, ujë, kripë) në shqip. Por ka të bëjë me nocionet përfaqësuese që kemi në tru për këta përbërës dhe për produktin që vjen si pasojë e përzierjes së tyre.
Matanë këtij qëndrimi apo atij të parit më lart, ne në shumicën e kohës mendojmë përmes gjuhës. Por, botën nuk e kuptojmë për shkak se flasim një gjuhë të caktuar, për shkak se flasim shqip apo se flasim anglisht, a italisht, por e mendojmë dhe e kuptojmë sepse brenda nesh kemi një sistem themelor nocionor, që vjen e pasurohet nga përvojat tona jetësore, nga kultura jonë individuale e kolektive (në fakt kultura e ndikon gjerësisht gjuhën dhe mendimin, por kjo është një temë krejt tjetër dhe meriton një trajtim të veçantë).
Cili do qe, pra, fati i Rigjuhës sot? Sot, Uinstoni do qe shpaguar mirë. Hakmarrja e tij, siç do shpreheshin shumë gjuhëtarë pa ndrojtje e mëdyshje, do shihej në koncepte lirie (në kuptimin e gjerë të fjalës) krejt të panjohura në gjuhë dhe realitete të ndryshme, të cilat jetësohen përditë; në faktin që folësit krijojnë pafund fjalë të reja për koncepte të paemërta për ta, madje u japin jetë dhe kuptimeve arkaike të fjalëve të vjetra; me brezin i ri që nuk mjaftohet me riprodhim të përpiktë të asaj që dëgjon nga brezi i vjetër, por krijon e rikrijon aspekte të reja gjuhësore përditë. Në këtë hulli, Rigjuha, si të gjitha gjuhët, do e kishte liruar veten nga prangat sepse gjuhët, sa të jetë jeta e njerëzimi, nuk arrin dot kush t’i burgosë.