PAS SHPATULLAVE TË UDHËHEQËSIT (II)

Angela Merkel

E thjeshtë dhe e përmbajtur (fig 9), udhëheqësja gjermane flet dhe artikulohet me lëvizje minimale të trupit gjatë gjithë kohëzgjatjes së fjalimit. Për seriozitetin e mesazhit na paralajmëron skena e pazakontë dhe sfondi i saj që zhvillohet më së shumti jashtë hapësirës së kontrolluar të dhomës. Qyteti përtej xhamit duket i heshtur, a thua se kemi të bëjmë me një fragment kohe të ngrirë. Asgjë nuk pipëtin ndërsa vëmendjen e marrin fytyra e kancelares, dhe tingujt e qetë që dalin prej buzëve të saj. Ajo qëndron e mbështetur mbi bazën horizontale të tavolinës së drunjtë, e cila duke qenë se e mbyll plotësisht pjesën e poshtme të imazhit, i jep qëndrueshmëri gravitacionale strukturës së kompozimit dhe sidomos siluetës trapezoidale të kancelares.

Figura 9. Fotografi e shkrepur gjatë fjalimit të kancelares gjermane të mbajtur me datë 18 mars, mbi pandeminë koronavirus, (Burimi: Foto: dpa/Steffen Kugler )

Tone të ngrohta

Angela Merkel ka veshur një kostum blu. Ngjyra e përzgjedhur e njëson atë me atmosferën e përgjithshme të dhomës dhe peizazhit, me qiellin e kaltër, çatitë reflektuese të ndërtesave, muret dritë-përthithëse prej betoni të interierit dhe flamurin e Europës. Veshja e zgjedhur nga Angela Merkel duket sikur ka ndjekur fjalë për fjalë sugjerimet e Pantone, firmë me ndikim në përcaktimin e tendencave të ngjyrave në tregun e dizajnit. Në faqen e tyre e nëpër mediat sociale ata na kujtojnë herë pas here se bluja klasike (classic-blue), është ngjyra e vitit 2020, dhe sqarojnë tekstualisht se ajo:

“…përçon qetësi, vetëbesim, afërsi me të tjerët, dëshirë për të ngritur themele të besueshme dhe të qëndrueshme mbi të cilat mund të ndërtojmë, ndërsa së bashku kapërcejmë pragun e nje ere të re” (Pantone, 2020)

Forma e udhëheqëses lundron nëpër kaltërsinë e përgjithshme të mjedisit, e shkrirë mes toneve më të ftohta, të cilat shtrihen në pjesën më të madhe planit (fig. 10/a). Arnheim e përshkruan forcën shprehëse të ngjyrës por dhe vështirësinë për t’ia zbërthyer kuptimet (Arnheim, 1954). Ai na tregon se si në gjuhën pamore ngjyrat ndahen sipas toneve të ngrohta dhe të ftohta, pra me një gjuhë krahasuese të huazuar nga perceptimi i temperaturës mbi lëkurën tonë, i të ftohtit dhe të ngrohtit. Pikërisht tek kjo afërsi e të përshkruarit të dy ndjesive, megjithëse të perceptuara përmes shqisave të ndryshme, Arnheim na jep një prej mundësive të interpretimit të toneve të ngrohta dhe të ftohta në gjuhën pamore:

“Një njeri i ftohtë na shtyn të mbyllemi brenda vetes. Ne ndjejmë se duhet të mbrohemi nga një pushtet dëmshëm – kështu ndrydhemi dhe mbyllim portat. Një njeri i ngrohtë na shtyn drejt hapjes. Ai na tërheq dhe me dëshirë duam ti tregojmë atij çdo gjë që kemi” (Arnheim, 1954)

Paleta e ngjyrave të hapësirës së fjalimit mund të ketë një ndikim të ngjashëm dhe tek ne, ngjyrat e ngrohta na afrojnë ndërsa të ftohtat na mbajnë larg. Sipas piktorit ekspresionist dhe pedagogut të Bauhauss-it Johanes Itten dy ngjyrat skajore që përcjellin këto ndjesi, pra të ngrohtin dhe të ftohtin janë e kuqja portokalli dhe bluja e gjelbërt (Arnheim, 1954).

Figura 10. Analizë e toneve të imazhit. a: grafik i shpërndarjes së toneve të imazhit mes blusë dominuese (në pjesa e poshtme) dhe të kuqes më pak të shtrirë (në pjesën e sipërme); b: pjesët më të ngrohta të imazhit të fjalimit, flamuri gjerman, fytyra, duart dhe Riechstag-u.

Pasi bëjmë përzgjedhjen e toneve të imazhit përmes të kuqes (fig. 10/b) zbulojmë që zonat më të ngrohta të tij pra edhe pjesët më të hapura dhe ftuese janë flamuri i Gjermanisë, pjesët e zbuluara të trupit të kancelares dhe ndërtesa e parlamentit gjerman në sfond. Këto elemente, dhe tonet më të ngrohta në përgjithësi megjithëse zënë sipërfaqe më të vogël janë dominuese, pra e kërkojnë me më shumë forcë shikimin e vrojtuesit.

Në kërkim të qendrës

Shpërbërja e imazhit sipas toneve kryesore, na lejoi të identifikojmë një sërë elementësh mbizotërues të cilët i lidhte së bashku ngrohtësia e tyre. Tani le të afrohemi më shumë duke i zbërthyer figurat në ekran sipas njësive themelore të gjuhës pamore, pra sipas rajoneve topologjike të grupuara në fusha forcash (Qëndro, 2011). Kjo përpjekje do të na ndihmojë të përcaktojmë marrëdhënien hierarkike mes elementëve të sipërpërmendur duke na mundësuar identifikimin e mëtejshëm të pjesëve më kryesore.

Figura 11. Rajonet topologjike kryesore të imazhit

Siç thamë më lart, elementët përbërës të skenës së fjalimit, tavolina, flamujt, muret, qielli, tarracat dhe vetë veshja, duket sikur po imitojnë qetësinë e përçuar nga kancelarja. Ato kanë sipërfaqe të lëmuara, krijojnë pak zhurmë dhe nuk kanë silueta dramatike. Flamujt e derdhur, qielli pa re apo kostumi i ngrirë flasin me tërësinë e formave dhe kryesisht me tonet e tyre. E megjithatë në disa nga rajonet e imazhit ky rregull nuk qëndron, nëpër këto zona mund të gjejmë dhe koloremat[1] kryesore dhe njëkohësisht qendërsitë më të spikatura të tij (fig. 11). Nga një vëzhgim më i kujdesshëm dallojmë që duart, koka e kancelares, si dhe ndërtesa e Reichstag-ut zhvillohen njëra pas tjetrës, sipas boshtit vertikal të imazhit por dhe sipas diagonales që ndjek vatrën e perspektivës. Ato jo vetëm që ndodhen brenda bashkësisë mbizotëruese të toneve të ngrohta por zënë dhe rajonin më qendror brenda planit. Rëndësia e tyre, përveçse menjëherë e dukshme, del në pah edhe falë disa tipareve që janë tipike vetëm për to.

Tipari i kryesor dallues dhe përbashkues i duarve të kryqëzuara, i fytyrës së folëses dhe i fasadës së parlamentit është simetria (fig. 12). Ato janë të vetmet figura simetrike në hapësirën e fjalimit. Kjo veti e tyre bëhet dhe më e rëndësishme në këtë rast kur vetë imazhi i përgjithshëm nuk ka një kompozim simetrik.  Kjo i bën ato, elementët më të qëndrueshëm brenda një kompozimi relativisht dinamik.  Për të kuptuar situatën e krijuar mund të na ndihmojë përsëri një përkufizim i Arnheim:

“Simetria krijon qendërsi…ajo mund të jetë një fytyrë me boshtin e saj vertikal dhe me dy sytë e saj, një figurë ballore me gjymtyrët simetrike ose fasada e një ndërtese” (Arnheim, 1988)

Figura 12. Elementët simetrikë të imazhit dhe boshtet apo planet e simetrisë përkatëse të secilit.

Arnheim gjithashtu shton se, qendra shpërhapet së bashku me simetrinë, dhe kështu silueta simetrike e trupit të Merkel shtrihet drejt ndërtesës në sfond dhe bashkohet me të. Në këtë rast krahët simetrikë të Reichstag-ut shpalosen si flatra pas shpatullave të udhëheqëses.

Trupi i Angela Merkel nuk qëndron plotësisht përballë nesh, përveç fytyrës së saj, dhe boshti i simetrisë së imazhit nuk i kalon mes për mes si në rastin e presidentit Amerikan.  Mesorja gjeometrike e planit kalon diku tek duart e saj (fig 13/a). Po këtu, tek rajoni i duarve, mesorja kryqëzohet me vektorët diagonalë të perspektivës (fig 13/b) të cilët vazhdojnë drejt thellësisë duke ndërtuar lidhje me sfondin. Pra kancelaren dhe Reichstag-un nuk i lidh vetëm ngjashmëria në distancë përmes simetrisë por edhe perspektiva e përbashkët. Dinamika e lindur krijon një marrëdhënie të përafërt me të ashtuquajturin, parimi i fatit të përbashkët, ose:

“dukuria pamore sipas së cilës elementët që lëvizin së bashku në mënyrë të njëtrajtshme e ruajnë këtë cilësi njëlloj edhe kur janë të palëvizshme” (Qëndro, 2011)

Parlamenti dhe kancelarja, kështu siç janë kompozuar (fig. 13), ndajnë të njëjtët vektorë, të njëjtin drejtim, të dy po ecin nëpër të njëjtën udhë dhe kanë të njëjtin destinacion. Ata duken si të ngrirë përkohësisht vetëm për kohëzgjatjen e fjalimit, të pandemisë mbase, për të vazhduar më pas udhën e përbashkët.

Figura 13. Disa nga boshtet e imazhit; a: mesorja që kalon tek duart dhe e ndan imazhin në dy pjesë të barabarta; b: diagonale që ndjek vijën e perspektivës dhe bashkon kancelaren me ndërtesën e parlamentit; c: koka e kancelares dhe kubeja kanë të njëjtën madhësi dhe lartësi ndërsa hierarkia më e lartë I takon folëses falë pozicionit më qendror dhe faktit që është figurë ndërsa parlamenti sfond.

Tipare të tjera që i nxjerrin edhe më në pah tre elementët janë format e tyre të mbyllura e të konturuar qartë si dhe tekstura e pasur me detaje (fig 14), krejt ndryshe nga sipërfaqet e lëmuara të pjesëve të tjera. Pasuria e teksturës ndihet nëpër hijet e thella qofshin ato mes gishtave të duarve apo mes kolonave të fasadës së parlamentit, tek rrudhat e fytyrës apo dhe tek kontrasti i krijuar nga sytë e kaltër të Angela Merkel. E natyrisht mes fasadës së parlamentit që qëndron më i zbehtë në sfond, duarve dhe fytyrës, dy të fundit janë protagonistët e imazhit.

Për një kancelare që ka famën e një udhëheqësi punëtor dhe që njihet për përdorimin e suksesshëm të mendjes, përqendrimi i vëmendjes te këto dy rajone topologjike duket mëse i natyrshëm.

E ndërsa rëndësia e pranisë fizike të kancelares, e shikimit të saj apo dhe e duarve të bashkuara është vetvetiu e dukshme, ja vlen kërkojmë pak më shumë për rëndësinë e Reichstag-ut, e parlamentit gjerman i cili ashtu i larë nga rrezet e diellit u përzgjodh të jetë sfond dhe krah i djathtë i udhëheqëses.

Figura 14. Pjesët e imazhit me forma të mirëpërcaktuara dhe teksturat më të pasura.

Në kërkim të këndit më të mirë

Ashtu si presidenti Trump, edhe kancelarja gjermane e ka në zyrën e saj tavolinën vetjake të punës (fig 15/a).  Aty pas ulëses, përveç murit të bardhë, ajo mban tablonë e piktorit ekspresionist Kokoschka me subjekt paraardhësin e saj në kancelari dhe themeluesin e partisë CDU të drejtuar po nga ajo, Konrad Adenauer (fig.15/b). Por Angela Merkel ka zgjedhur të mos flasë nga tavolina e saj. Siç duket simulakra e ish kancelarit jetëgjatë të gjysmës demokratike të Gjermanisë (i asaj federales), sado i rëndësishëm nuk është konsideruar mjaftueshëm gjithëpërfshirës e në çdo rast jo aq sa ndërtesa e parlamentit. Për të kuptuar përkushtimin ndaj përzgjedhjes së sfondit të drejtueses gjatë fjalimit koronavirus, mund të na ndihmojë të kuptuarit e shpërndarjes hapësinore të zyrës së saj (Government, 2020).

Zyra e Merkel ndodhet në njërin nga këndet edhe katet më të larta të ndërtesës së kancelarisë. Ajo ka një formë afërsisht trekëndore. Rreth e qark nëpër perimetrin e hapësirës ndodhen të shpërndara tre tryeza me tre përdorime të ndryshme. Më qendrore është tryeza, e sapo përmendur  e punës(fig.15/b). Pranë hyrjes së zyrës ndodhet një tavolinë e dytë, e gjatë dhe në dukje e përshtatshme për të mbajtur mbledhje (fig.15/c). Ajo është  po aq e lartë sa tavolina  e punës dhe në fakt është dhe vendi i preferuar i kancelares.  Aty ajo kryen detyrat e saj dhe pret vizitorët (Government, 2020). Vendi pranë dritares së orientuar nga jugu dhe pranë hyrjes, i ngrohtë dhe praktik, është këndi më i dashur dhe më i përdorur nga ajo. Tryeza e tretë është e ulët (fig.15/d), ashtu e  rrethuar nga kolltukë të rehatshëm, është e përshtatshme  për biseda më të qeta. Në sfondin e këtij këndi pritjeje ndodhet dhe vetrata e madhe me pamje nga sheshi i Republikës dhe Reichstag-u. Ky i fundit,  jo tavolina e punës dhe as tavolina e rehatshme e mbledhjeve, është këndi i zgjedhur nga Kancelarja për fjalimin e saj.

Figura 15. Kolazh me imazhe të zyrës së kancelarisë; a: pamje e përgjithshme e zyrës me tre këndet dhe tryezat përkatëse; b: këndi i punës me tablonë e Konrad Adenauer në sfond; c: Këndi i mbledhjeve dhe gjithashtu më i përdoruri nga kancelarja, pranë derës dhe vetratës së gjatë me pamjen nga jugu dhe parku i madh (Großer Tiergarten) i Berlinit d: këndi i takimeve me vetratën dhe pamjen e Reichstag-ut të shënjuar me rreth në sfond. (Burimi: © 2020 The Press and Information Office of the Federal Government)

Gjetja e vendit më të mirë

Teksa e vështrojmë më me kujdes hapësirën përreth kancelares zbulojmë disa mospërputhje mes sallonit të zyrës dhe vendit ky ajo mban fjalimin solemn.  Mospërputhjen na e zbulon tavolina e përdorur gjatë fjalimit. Ajo është e drunjtë, e ngrohtë dhe ka një vizë të lehtë tërthore[2] që kalon pranë duarve të folëses (fig. 9), ajo është e ndryshme nga tre tavolinat e zyrës së kancelarisë pasi ato janë të zeza me sipërfaqe të lëmuara dhe pa ndërprerje.

Për të kuptuar pak më shumë këtë mospërputhje le të përpiqemi të marrim me mend atmosferën dhe situatat hipotetike që mund të jenë krijuar përpara fjalimit të 18 marsit. Regjisorë të imazhit dhe shpura asistentësh mbase lëviznin lart e poshtë nëpër kancelari. Ata do kenë diskutuar se si tavolina e punës mund të ishte e përshtatshme por sfondi me tablonë e Kokoschka-s jo, apo se si vendndodhja përpara vetratës mund të ishte e përkryer por tavolina e ulët nuk përcillte mjaftueshëm seriozitetin e mesazhit. Vallë a mund ti kërkohet Kancelares të lëvizë një tavolinë tjetër tek ajo dritare?

E kështu dikush do ketë ardhur me një zgjidhje, ai ose ajo ka “zbuluar” të njëjtën perspektivë me të njëjtën pamje të parlamentit një kat poshtë zyrës së udhëheqëses, ose më saktë tek dhoma e kabinetit të kancelarisë (fig. 16). Dhoma e madhe gjatësore, plot dritë, me mure të bardha, me mobilie të ngrohta druri dhe me  dritaren identike me atë të zyrës të katit të sipërm e hapur drejt Reichstag-ut, me sa duket është pranuar më në fund si vendi i duhur për fjalimin. Pra fjalimi nuk është mbajtur fare në zyrën e kancelares.

Dhoma e kabinetit përdoret kryesisht të mërkurave (Government, 2020) për mbledhjet e qeverisë gjermane. Pjesa më e madhe e hapësirës së saj mbushet nga tavolina vezake e stërmadhe rreth të cilës kancelarja drejton mbledhjet e kabinetit me ministrat federalë dhe të shtetit (fig 16/a). Ajo nuk qëndron në krye të saj në drejtim të Reichstag-ut por diku nga mesi i tavolinës përgjatë boshtit më të gjatë të tryezës ovale (fig. 16/b). Përveç hapësirës qendrore të mbushur nga tryeza e madhe ka dhe një hapësirë tjetër, pranë vetratës me pamje nga parlamenti, të mobiluar me dy radhë tavolinash në formë gjysmë harkore (fig. 16/c). Tek ky kënd ulen përfaqësuesit e brendshëm të kancelarisë, shefat e departamenteve e deri tek mbajtësit e minutave. Me pak fjalë ekipi më i afërt i drejtueses, i gatshëm për ta asistuar atë gjatë mbledhjeve të gjata.

Kancelarja nuk e ka mbajtur fjalimin as tek vendi i saj në mes të tryezës vezake. Ajo është ulur tek radha e dytë e tavolinave që normalisht qëndrojnë diku në anë të saj, pra në këndin më periferik të dhomës, tek tavolina e drunjtë me atë ndërprerjen vijore që kalon poshtë duarve të saj. Në këtë rast asaj nuk i është dashur të zotërojë hapësirën përballë me ministrat hijerëndë, fundja ajo po i flet gjithë gjermanëve, madje dhe popujve të Europës, përmes objektivit të kamerës. Sfondi është më i rëndësishmi, e bashkë me të afërsia me dritaren dhe pamja e qartë e parlamentit.  Për të gjitha këto arsye, në minutat përpara fjalimit, ajo ka ecur drejt skajit të dhomës së kabinetit, ka zënë vendin e ndihmësve të saj të pasuruar posaçërisht për rastin me dy flamujt , dhe ka filluar ti flasë dëgjuesve të shqetësuar. Pas saj qëndron parlamenti gjerman aq i rëndësishëm sa për ta detyruar kancelaren të braktisë rehatinë e zyrës. Tani na mbetet vetëm të kuptojmë përse kjo ndërtesës është kaq me vlerë? Çfarë përfaqëson ajo për Gjermaninë?

Figura 16. Kolazh me imazhe të dhomës së kabinetit; a: pamje e sallës e cila ndodhet një kat më poshtë zyrës së kancelares (me shigjetë të bardhë është shënuar vendi ku ulet kancelarja); b: dhoma e parë nga këndi i kundërt i fotografisë paraardhëse gjatë një takimi zyrtar (me shigjetë të zezë është shënuar Angela Merkel) c: pjesa më fundore e dhomës me pamje nga Reichstag-u, ku qëndron ekipi i kancelares, dhe gjithashtu këndi i zgjedhur nga ajo për fjalimin. (burimi: © 2020 The Press and Information Office of the Federal Government)

Në krye të qendrës së përbashkët

Në skenën e Angela Merkel mbizotëron mjedisi i jashtëm. Duket sikur po na thotë se ndarja nga hapësira publike, nga sheshi i zbrazur poshtë dritares së saj nuk do të jetë i përhershëm, ai vazhdon të jetë aty e do ti presë. Duhet vetëm pak durim. Dielli, qielli si dhe shteti gjerman në formën e Reichstag-ut vazhdojnë gjithashtu të jenë si përherë, si dhe vetë kancelarja.

Parlamenti është ndërtesa protagoniste e hapësirës pas shpatullave të kancelares aq e rëndësishme sa e shtrëngoi atë që të braktiste zyrën e saj, megjithëse e rehatshme dhe fort dinjitoze. Ngrehina e parlamentit është hijerëndë, e gurtë, klasike, me rrënjët në të kaluarën. Ajo flet përmes gjuhës formale neoklasike, e përzgjedhura e monarkëve europianë që nga kohët e Rilindjes për ndërtesat e pushtetit të tyre. Reichstag-u (Britannica, 2020) e niste rrugëtimin në vitin 1884 fill pas bashkimit të Gjermanisë pasi perandori Vilhelm I, e ndërtoi për nevojat e shtuara të parlamentit të tij perandorak. Ca më vonë mbi të u gdhendën fjalët “Dem Deutschen Volke”, “Për Popullin Gjerman” që u panë si ogur i rënies së shpejtë të absolutizmit. Pas Luftës së Parë botërore dhe abdikimit të perandorit në ballkonet e ndërtesës u shpall republika, u zhvilluan seancat e para pluraliste. Në sheshin përballë parlamentit u zhvillua protesta më përgjakur e historisë gjermane,  në atë rast për të drejtat e punëtorëve. Reichstag-u  u la mënjanë vetëm në vitet kur në Gjermani sundonte nazizmi e më pas komunizmi. Me pak fjalë vetë ekzistenca e ndërtesës, e brendisë por dhe e sheshit të saj është pazgjidhshmërisht e lidhur me lirinë, me drejtësinë, me demokracinë. Ajo është shenjë e patundur dhe gjurmë e pafshirë e pushtetit të popullit.

Parlamenti u rikthye protagonist në hapësirën e Berlinit pas rënies së murit dhe ribashkimit të Gjermanisë. Pak vite më vonë, ndërtesa u rikonstruktua plotësisht. Ca më vonë pranë saj u ndërtua dhe ndërtesa e re e Kancelarisë, prej ku flet dhe Angela Merkel. Mesazhet e lidhura me lirinë dhe demokracinë përçohen mjaft fort sot më shumë se më parë, sidomos përmes kubesë së re të Reichstagu-t e projektuar nga arkitekti britanik Norman Foster në vitet 90 (fig. 17). Ajo është praktikisht një përmbysje jo vetëm formale por edhe simbolike e kubesë klasike. Ajo është e lehtë, transparente, e arritshme. Ajo nuk është një objekt që vetëm soditet, por një hapësirë që përjetohet, dhe jo rastësisht falë konceptimit të ri të saj parlamenti gjerman është sot ndër ndërtesat më të vizituara në Berlin (Britannica, 2020). Publiku, qytetarë gjermanë e turistë ngjiten e lëvizin nëpër të duke u njësuar me hapësirën e pushtetit që ushtrohet nën ta nga përfaqësuesit e zgjedhur në sallën e madhe të parlamentit.

Figura 17. Kubeja e përshkueshme e parlamentit gjerman projektuar nga Foster + Partners (Burimi: © Harshiitart, licensed under CC BY-SA 4.0 via Wikimedia Commons)

Kubeja e tejdukshme vjen tek ne përmes dritares gjithashtu të tejdukshme të Kancelarisë dhe qëndron në mes të ekranit së bashku me kancelaren (fig. 13/c). Pra, përfundimisht me sfondin e thjeshtë por të zgjedhur me aq kujdes, udhëheqësja po i thotë popullit të saj se pavarësisht këtij virusi: ata janë të gjithë bashkë, shëndetësia, institucionet e shtetit, por mbi të gjitha, përmes parlamentit është aty i gjithë populli gjerman. Ata janë të bashkuar përmes vlerave demokratike. Këtë e thotë sfondi dhe natyrisht fjalët e Merkel:

 “Ne jemi një demokraci. Ne nuk jetojmë të detyruar, por duke ndarë diturinë dhe pjesëmarrjen. Kjo është një detyrë historike dhe mund ta arrijmë vetëm bashkë” (Merkel, 2020)

Aleksandar Vucic

Me datë 15 mars e shohim Aleksandar Vucic (fig 18/a) duke folur përpara një sfondi blu të thellë, nga ato skenografitë e përkohshme prej bezeje, që ngrihen me skelet të lehtë e montohen posaçërisht për deklarata publike apo konferenca për shtyp. Bezja është blu dhe mbi të janë printuar dukshëm të gjitha shenjat, figurative dhe të shkruara, të nevojshme për të identifikuar institucionin e presidentit të republikës serbe.


Figura 18. Presidenti serb gjatë fjalimit të 15 marsit për emergjencën koronavirus; a: presidenti flet para sfondit provizor të stolisur me simbolet e shtetit dhe presidencës i shoqëruar nga kryeministrja e vendit dhe drejtues të tjerë b: marrëdhënia e Vucic me stemën presidenciale, kurorën dhe mantelin (burimi: Faqja facebook e Aleksandar Vucic)

I pari mes të barabartëve

Udhëheqësi serb nuk është vetëm në daljen e tij, ndryshe nga ai amerikan apo kancelarja gjermane. Pas tij, gjatë fjalimeve më të rëndësishme për emergjencën e koronavirusit qëndron një shpurë me njerëz, kryesisht burra, ministra ose teknicienë të rreshtuar e gati për ndihmë. Kështu në fjalën e 15 marsit, gjatë së cilës Vucic lëshon një sërë deklaratash të forta, ai është i pari, dy hapa pas tij rri kryeministrja e vendit, ndërsa edhe një hap më përtej qëndrojnë përfaqësues të kabinetit qeveritar dhe profesionistët e lidhur me kundërpërgjigjen ndaj epidemisë.

Imazhit përpara nesh i mungon thellësia e perspektivës, falë dhe afërsisë së sfondit njëngjyrësh. Duket sikur kemi përpara një ikonë bizantine. Gardhi me silueta njerëzore dhe flamuj të rreshtuar mbizotërohet nga forma e udhëheqësit, shumë i madh dhe i lartë në krahasim me gjithë të tjerët. Pozicioni i tij kryesor theksohet dhe më tepër nga prania e stemës presidenciale, e cila e parë nga përballë qëndron mbi të si aureolë. Nga përballë duket sikur presidenti tashmë mban kurorën mbretërore mbi krye ndërsa pret ti hedhin dhe mantelin për tu bërë njësh me pushtetin (fig. 18/b). Në një afresk kishtar bizantin vendin e Aleksandar Vucic do ta mbante Krishti, shën Maria, mbreti ose perandori. Duke perifrazuar Rudolf Arnheim gjatë interpretimit të një mozaiku në kishën bizantine të Shën Vitale-s, të shekullit VI, me subjekt perandoreshën Teodora (fig. 19), mund të themi se gjatë fjalimit të tij presidenti serb qëndron “i pari mes të barabartëve” (Arnheim, 1988). Ai po i siguron qytetarët e republikës së tij se:

“sot të gjitha vendimet për luftimin e koronës mbështeten tek pikëpamjet e profesionistëve më të mirë, jo politikanët” (Vucic, 2020)

Ndërsa mënyra e vendosjes në skenë, përpara dhe mbi teknicienët ndihmës në të djathë (fig. 20), nënvizon se sigurisht këto pikëpamje do të mbikëqyren nga ai.

Figura 19. Teodora dhe pjesëmarrësit, Bazilika e Shën Vitale-s, shekulli i 6 (burimi: Wikiwand)

Përtej pëlhurës

Kalimin drejt fjalëve më të forta të mesazhit presidencial do ta arrijmë përmes të kuptuarit të mëtejshëm të hapësirës ku mbahen fjalimet e rëndësishme të marsit.  Nga një fotografi tjetër e atyre ditëve dhe e shpërndarë në faqen Facebook të udhëheqësit (fig. 20), zbulojmë disa hollësi të rëndësishme të mjedisit arkitektonik përreth tij. Në të majtë të imazhit, pas shoqëruesve të presidentit, shohim se si pëlhura blu përthyhet përreth një elementi këndor me formë cilindrike që ndryshe nga bezja nuk është aspak i përkohshëm. Çka shohim është fragmenti i një kolone monumentale dhe pak më lart pjesë të një afresku madhështor.

Pallati i ëndrrave

Hapësira e mbushur nga fjalët solemne të presidentit Vucic nuk është e një vendi çfarëdo. Gjendemi brenda sallonit kryesor të pallatit të ndërtuar për dinastinë mbretërore të Karadjodjevic-ëve. I njohur si Novi Dvor apo Pallati i Ri (Belgrade, 2013), ndërtesa filloi të ngrihej në 1911-ën dhe u kthye në rezidencë mbretërore vetëm pas luftës së parë botërore. Ajo do të bëhej zyrtarisht shtëpia e mbretit serb, e adashit të presidentit të sotëm, Aleksandar i I-rë në qershor të vitit 1922. Aleksander Vucic po flet nga salla kryesore e pallatit mbretëror, sot presidencial, dhe kolona gjigante prej mermeri është veçse njëra prej shumë kolonave të tjera që qarkojnë perimetrin e hapësirës.

Figura 20. Pamje nga fjalimet e marsit, ku shquhet trungu i një prej kolonave të sallës në të djathtë të udhëheqësit dhe afresku/mozaiku pas sfondit blu (burimi: Faqja facebook e Aleksandar Vucic)

Nga disa pamje të tjera zbulojmë qe kolonat janë dorike, dhe siç na thotë Vitruvi, të ideuara sipas përpjesëtimeve të mashkullit (Vitruvius, n.d.). Ato kolona janë përcjellëse të idealit të fuqisë burrërore të shtetit serb. Ivan Colovic në librin e tij “The politics of Symbol in Serbia” pohon se viriliteti, forca mashkullore e luftëtarit si dhe besnikëria ndaj udhëheqësit qëndrojnë në themel të vetëdijes kombëtare të këtij kombi (Colovic, 2002) dhe mbi këto dy narrativa janë ngritur shtylla të rëndësishme të identitetit kombëtar të Serbisë.  Të gjitha këto tipare dalin në pah tek marrëdhënia e ndërtuar në hapësirë, mes kolonadës dhe presidentit.

Historia e pallati të ri të ndërtuar pasi i vjetri përballë tij, i ngritur për familjen rivale të Obrenovic-ëve, nuk mjaftonte më, përputhet me një moment shumë të rëndësishëm historik të Serbisë, me luftën e parë botërore dhe pasojat e saj. Fundi i luftës së madhe, me gjithë  humbjet e mëdha njerëzore që i shkaktoi Serbisë, do të shënjonte dhe zgjerimin më të madh të ndikimit serb në Ballkan që nga koha e perandorisë serbe të shekullit XIV. Ndërsa i vjetri ishte pallati i mbretit të Serbëve, Novi Dvor u bë pallati i mbretit të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve e më pas i mbretit të Jugosllavisë. Tek pallati mbretëror dhe kjo sallë madhështore trupëzohet ambicia e një vendi për të kryesuar fqinjët dhe për tu përfshirë mes shteteve dhe kombeve më të rëndësishme evropiane.

Figura 21. Pallati Presidencial (Pallati i ri/ Novi Dvor) ose ish pallati mbretëror; a; ballina e pallatit nga kopshtet që përputhet dhe me sallën e madhe, të projektuara nga e para nga arkitekti Milan Minić në vitet 48-53 (Belgrade, 2013); b: Salla e madhe e qarkuar nga radhë kolonash dorike dhe me afreskun/mozaikun (në këtë rast të mbuluar) në pjesë fundore (burimi: Belgrade-beat)

Dikotomia e hapësirës

Përveç kolonës dorike, vështrimi diagonal i skenës por dhe kërkimi i mëtejshëm i tipareve të saj na zbulon detaje të tjera të fshehura nëpër hapësirën e sallës mbretërore. Salla është gjatësore, me plan drejtkëndor. Në të dy anët e saj, pas kolonadave, gjenden dy mozaikë të rëndësishëm, me subjekte të ndryshme të lidhura me historinë e Serbisë. Këto vepra u vendosën në hapësirën e pallatit pas luftës së dytë botërorë, në vitet 50 (Belgrade, 2013), ndërkohë që ndërtesa, pas rënies së mbretërisë, përshtatej për nevojat e republikës serbe, si pjesë e Jugosllavisë socialiste.

Mozaiku i parë qëndron i mbuluar pas krahëve të presidentit. Në të zhvillohet një skenë e kohëve moderne, në to shohim punëtorë, gra, deri dhe një marinar, diku një figurë të veshur me veshje tradicionale, siluetat e thjeshtuara të një qyteti të ri dhe tela. Në pamundësi për të përcaktuar autorin dhe subjektin e saktë, mund të supozojmë që kjo vepër përfaqëson shoqërinë socialiste që u vendos pas fitores të forcave komunistëve të udhëhequr nga Josef Broz Tito në përfundim të luftës së dytë botërore. E në mos shoqërinë në tërësi ndonjë ngjarje të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë periudhë.

Mozaiku tjetër po aq i madh ndodhet  në anën tjetër të sallës, përballë presidentit Vucic ndërsa ai mban fjalimin e rëndësishëm. Ne si spektatorë e kemi të pamundur ta shohim, komunikimi mes imazhit dhe udhëheqësit është personal dhe ndodh jashtë planit të kamerës. Në atë mozaik pasqyrohet një skenë shumëngjyrëshe lufte e realizuar nga piktori me origjinë malazeze Petar Lubarda. Subjekti i veprës është shumë e njohura betejë e Fushë Kosovës , mbase ngjarja më e himnizuar në ndihmë të identitetit kombëtar serb.

Pra salla mbretërore nga e cila flet Aleksandar Vucic na qenkësh një hapësirë e dyzuar, e ndarë mes dikotomisë, nacionalizëm serb – internacionalizëm jugosllav. Pas tij qëndron mozaiku socialist, me temë nga e kaluara jugosllave, ndërsa përpara beteja e Fushë Kosovës që i përket jo vetëm të kaluarës por dhe të tashmes, mbase dhe të ardhmes, të një shoqërie ku retorika nacionaliste vazhdon të jetë shumë e fortë.

Solidariteti mes kombeve është përrallë

Le të ndalemi pak tek mozaiku i Lubarda-s. Beteja e Fushë Kosovës e paraqitur në murin përballë Aleksandar Vucic është një etapë e dhimbshme e historisë së vendit ballkanik, pasi shënjon fillimin e sundimit otoman dhe të ashtuquajturës “Nata Turke” (John R. Lampe, 2020). Narrativat e historisë serbe, dhe jo vetëm, strukturohen përmes golgotash (Colovic, 2002) të herëpashershme ekzistenciale. Vetë pallati i ri u realizua përpara, gjatë dhe menjëherë pas njërës prej tyre, e njohur në historinë serbe si golgota shqiptare. Ajo lidhej me tërheqjen e detyruar të ushtrisë së mundur serbe, përmes Shqipërisë, drejt porteve të Adriatikut me destinacion Korfuzin (John B. Allcock, 2020). Aty ata do të mund të rigrupoheshin për të rinisur betejat në një front tjetër. Tërheqja e karavaneve me dhjetëra e mijra serbë, ushtarë dhe jo vetëm, u kthye shpejt në një kalvar tragjik përmes maleve të ashpra të Shqipërisë, pa ushqim të mjaftueshëm, në mes të dimrit dhe në  një mjedis jo miqësor.

Figura 22. Dy skajet e sallës; a: afresku, i vendosur në krye të sallës me subjekt modern me gjasë të lidhur me periudhën e regjimit socialist jugosllav(burimi: neweurope.eu); b: mozaiku i Petar Lubarda-s me subjekt betejën e fushë Kosovës, (burimi: belgrade-beat)

Udhëheqësi i sotëm duket sikur po e përgatit popullin e tij për golgotën e radhës,  për pandeminë e koronavirusit, ndërsa shikon betejën e përgjakur në gjenezë të kalvarit serb.  Sipas mitit në atë ngjarje, Serbia u sakrifikua për Europën. Sipas serbëve, Europa i braktisi ata atëherë, dhe gjithmonë më pas, duke mos ia njohur ose duke ia rrëzuar ambiciet popullit ballkanik.

Aleksandar Vucic i thotë popullit të tij se Europa vazhdon të jetë mosmirënjohëse, pasi ajo e ka lënë dhe këtë herë mënjanë Serbinë në kulmin e pandemisë. Ai është koherent me hapësirën përreth tij teksa flet duke u mbështetur tek një tjetër shtyllë e nacionalizmi të djathtë serb, prej nga vjen dhe ai vetë, tek ideja e shtresëzuar e të ashtuquajturit “perëndim i kalbur”, apo “Europa shërbëtore plakë” (Colovic, 2002). Në vitin 2020, po të lemë mënjanë teatrin politik, shumë gjëra vazhdojnë të jenë si përherë. Këtë e thotë dhe udhëheqësi i Serbisë gjatë fjalës së tij:

“…solidariteti i madh ndërkombëtar nuk ekziston, solidariteti europian nuk ekziston, ai ishte një përrallë në letër” (Vucic, 2020)

Në gjurmët e Jugosllavisë

Pas luftës së dytë botërore, roli i pallatit mbretëror si një nga qendrat e pushtetit shtetëror të Jugosllavisë u zbeh. Tito nuk e zgjodhi atë si rezidencën e tij, ndërsa autoriteti socialist jugosllav i udhëhequr nga një kroat i ndërtoi ndërtesat dhe hapësirat e tij të shfaqjes së pushtetit tjetërkund nëpër Beograd. Pallati mbretëror gjithsesi qëndroi në shërbim të vazhduar të republikës serbe, nën kornizën jugosllave, duke u kthyer në mbartës së dikotomisë së sipërpërndur, të formëzuar te dy mozaikët muralë të vendosur ballë për ballë.

Figura 23. Tito gjatë darkës me pjesëmarrësit e konferencës së Beogradit, 1 shtator 1961 (burimi: dissonantheritage)

Kështu, duke kërkuar detaje mbi jetën e pallatit të ri, zbulojmë një fotografi. Në të, Josef Broz Tito pozon krah presidentit indonezian Sukarno dhe drejtues të tjerë shtetesh (fig. 23). Pas tyre qëndrojnë po të njëjtat kolona dorike të sfondit presidencial të 15 marsit. Tek kjo fotografi rigjejmë një tjetër tipar të udhëheqësve të Beogradit që, me sa duket, e ka infektuar edhe këtë hapësirë e me të udhëheqësin e sotëm serb.

Josip Broz Tito ishte ndër ideuesit e polit të tretë botëror që qëndronte jashtë aleancave të mëdha, të botës perëndimore dhe bllokut lindor socilalist.  Lëvizja Asnjëanëse, Non Aligned Movement, u zyrtarizua në Beograd në vitin 1961 (Ancic, 2017). Fotografia e Titos në Novi Dvor është bërë në një nga darkat e konferencës. Në vetëm një dekadë e gjysmë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore, udhëheqësi jugosllav ia kishte dalë të lidhte e të zgjidhte aleanca me të gjitha frontet botërore, me lindjen komuniste, me demokracitë perëndimore, dhe në 1961 ishte me asnjërën prej tyre dhe njëkohësisht me pjesën më të madhe të botës. Në kulmin e emergjencës koronavirus, presidenti serb, gjithashtu i mësuar të joshë njëkohësisht komunitetin europian, Amerikën dhe Rusinë, i hedh publikisht sytë drejt fuqisë më të re, drejt të njëjtës lindje të largët të ish udhëheqësit indonezian, teksa i thotë bashkëqytetarëve të tij se:

“Ne presim shumë dhe i kemi shpresat më të mëdha tek të vetmit që mund të na ndihmojnë në këtë situatë të vështirë, dhe ajo është Kina” (Vucic, 2020)

 

 

[1] Sipas përkufizimit të Gëzim Qëndro-s: “njësia bazë e gjuhës pamore njihet me termin koloremë. Ajo përkon me grumbullin e variablave pamore të përceptuara në një paraqitje pamore me anë të fiksimit okular, apo fokusit të vështrimit.” (Qëndro, 2011)

[2] Vija tregon që tavolina e përdorur nga kancelarja përbëhet nga disa pjesë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin