Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,
Për shkak të një filmi dokumentar eksperimental – “Njeriu me kino-kamera” (Man with a Movie Camera) nga Dziga Vertov (1929) – që pamë mbrëmë, a më mirë e ri-pamë si një ritual fund-vjetor familjar, i fortë na erdhi tundimi që ta rindërtonim vitin 2025 të revistës si një montazh frenetik titujsh, autorësh dhe temash; portret i një qyteti fjalësh, që ngrihet buzë detit të turbulluar të mediave sociale.
Është vetë sekuenca e botimit të njëpasnjëshëm që fton për krahasimin filmik; me kusht që çdo ese apo analizë të përfytyrohet si fotogram në gjendje të lidhë duart me fotograme të tjera, për të përftuar një shirit celuloidi që pastaj të marrë jetë të pavarur dhe ta tregojë revistën në lëvizje, si në ekran; me montazhin në rol botë-ndërtues dhe sintaksën e pranëvënies si një lloj urbanistike për qytetarët e tekstit.
Veç emrit identifikues, revista trashëgon e çon më tutje edhe përplasjen e ideve në fusha rreth të cilave është përftuar – arti, kultura, letërsia, politikat kulturore, identiteti, mass mediat dhe Interneti, propaganda dhe dizinformimi, arsyeja dhe irracionalizmi. Këtë vit interes maksimal për lexuesin patën temat e infektimit të artit dhe të kulturës nga korrupsioni politik, që tashmë është shtrirë edhe në jetën publike dhe që e prek drejtpërdrejt atë lloj veprimtarie kulturore që ka nevojë për mbështetjen nga shteti. Mbyllja e pashpjeguar e emisionit “Artes” në RTSH, me të cilin revista bashkëjetonte në një simbiozë virtuale, na dha shkas për të ngritur dhe ushqyer disa debate për atë që ndodh me kulturën dhe artin në Shqipëri; teksa krejt skenës kulturore i rrezikohet një përmbysje me ekskavator e ngjashme me çfarë i ngjau ndërtesës së Teatrit Kombëtar pak vite më parë.
Nuk kanë munguar shkrimet për problematikat e rritjes urbane dhe të shndërrimit të qendrave të qyteteve, me pjesëmarrjen e specialistëve të fushës; esetë dhe kujtimet për mikrohistorinë e qyteteve, në rrethanat kur konteksti i kësaj mikrohistorie po shkatërrohet; si edhe në vite të tjera, Elsa Demo ka sjellë vështrimet e veta për teatrin dhe performativitetin e kulturës, duke qëmtuar edhe mbështetjen korruptive të një kaste artistësh dhe producentësh të privilegjiuar nga pushteti; Eda Derhemi, Teuta Toska, Gentiana Minga dhe Jonida Xhyra-Entorf e kanë vazhduar filigranën mikro-sociologjike të nisur prej vitesh në faqet e revistës; Kaon Serjani ka spikatur me serinë e shkrimeve për filozofinë e Nietzsche-s, siç ka spikatur Sadedin Mezuraj me analizat e tij letrare dhe Fatos A. Kopliku me sprovat e tij antropologjike; vlejnë të përmenden edhe esetë e Arben Dedes për manifestimin e shkronjës letrare, në hapësirë dhe në kohë.
Një nismë tjetër ishte ajo e botimit në revistën tonë, në versionin shqip, të një dossier-i kushtuar Shqipërisë në revistën dymujore spanjolle La Maleta de Portbou, të përgatitur e të edituar nga Bashkim Shehu, dhe me kontribute nga Elidor Mëhilli, Edon Qesari, Çapajev Gjokutaj dhe Ardian Vehbiu. Një rast i mirë ku lexuesi shqiptar lexon atë që ne i tregojmë botës, përtej asaj që shkruhet për ne në mediat e huaja.
E mbyllëm 2025-ën me serinë e shkrimeve ATË GJË QË…, duke ftuar disa miq dhe bashkëpunëtorë të revistës që të na shkruajnë për atë gjë që kanë bërë këtë vit, të cilën do të donin ta kishin bërë më herët në jetë. Copëzat që na erdhën nga Dashnor Kokonozi, Krenar Zejno, Elvira Dones, Ali Luca, Arben Dedja, Ardian Vehbiu, Eda Derhemi dhe Ervin Hatibi – e të tjera që do të botohen në vijim – ishin të një cilësie të tillë, që të na bëjë të pendohemi – ironikisht – pse nuk e kishim provuar këtë lloj bashkëpunimi më parë.
Këtë vit mbyllëm edhe projektin-dossier “E shkuara është vendi ynë”, një gjerdan esesh nga Ardian Vehbiu kushtuar kujtesës urbane, mikro-historisë dhe pranisë së të shkuarës në të tashmen, me një mbrëmje rrëfimesh me lexime nga seria, shoqëruar me një projeksion vizual punuar nga artisti Gentian Shkurti që përfshin imazhe nga Rruga Kont Urani, si vendi emblematik ku e kaluara dhe e tashmja përplasen dhe rishkruhen.
Në maj të 2025-ës ra 5-vjetori i shembjes së Teatrit Kombëtar, një ngjarje që ka mbetur në memorie si emblemë e trajtimit brutal, nga administrata, e së mirës publike dhe që dëshmon se shoqëria jonë ende nuk ka fituar imunitetin e duhur, përballë forcës së arbitraritetit të pushtetit dhe të krizave që ai prodhon. U mblodhëm me atë rast në Tiranë, për ta vazhduar leximin kulturor dhe qytetar të së sotmes, në emër edhe të rezistencës edhe të shpresës.
I ngjashëm për nga fryma ishte edhe takimi i parë i BÜK READING SERIES, që përkoi me ditët e Panairit të Librit, një mbrëmje intime për të lexuar letërsi në dorëshkrim së bashku dhe, veçanërisht, për të dëgjuar njëri-tjetrin. Si një revistë që botohet vetëm online, pa një produkt që mund ta marrësh në dorë apo ta ekspozosh si mall në vitrinat e rrjeteve sociale, këto takime me lexuesin dhe autorët tanë konfirmuan se Peizazhet vazhdojnë te kultivojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes autorit dhe lexuesit, pa ndërmjetësime – një bashkësi që përftohet në mënyrë intuitive, jashtë konteksteve dhe formaliteteve institucionale.
Këtu mbase duhet përmendur edhe një nismë e Ardian Vehbiut me substack-un MENDITIME, një strehë për mendime më intime, e ku tashmë janë botuar rreth 125 shkrime deri më tash. MENDITIME është një hapësirë paralele me Peizazhe të fjalës, një suplement ku ai autor do të vazhdojë të postojë ese dhe projekte të vetat specifike; me shpresën se ashtu do të përfitojë edhe revista vetë.
Jemi përpjekur t’i japim e t’i ruajmë revistës një prani të qëndrueshme në mediat sociale – nga Facebook-u në Instagram, e gjetiu, aq sa tani një numër i madh vizitorësh vjen në sajtin tonë duke ndjekur linket që gjen në ato media. Kjo ka qenë një zgjedhje e detyruar nga rrethanat, por që nuk e kemi parë kurrë si optimale; mediat sociale udhëhiqen nga një logjikë tjetër, vetë-shërbyese, dhe shpesh nuk ua çojnë lajmet për revistën dhe shkrimet e reja personave të duhur. Ju ftojmë të abonoheni (falas) për t’i marrë shkrimet tona në email në mënyrë që shpërndarja të mos varet nga algoritmet dhe logjika e rrjeteve sociale. Do ta vlerësonim shumë edhe çdo shpërndarje (sharing) që do t’u bënit shkrimeve tona me miqtë në rrjetet sociale, diçka që nuk ju kushton asgjë, përveçse ju “zbulon” si përkrahës të revistës, që në fakt jeni.
Ju jemi mirënjohës të gjithë juve që na keni ndjekur dhe jeni bërë pjesë e veprimtarive tona të formateve të ndryshme; dëshmi se përveçse revistë, “Peizazhe të fjalës” është tashmë edhe komunitet – autorësh, lexuesish dhe mbështetësish, por sidomos komunitet mendjesh, që ka gjetur dhe gjen veten te revista dhe që merr pjesë në jetën e saj.
Këtë vit botuam rreth 300 shkrime, nga zëra tashmë të afirmuar në faqet tona e të tjerë që urojmë të gjejnë një strehë ku të shpalosin mendimin dhe ndjeshmëritë e tyre. E gjithë kjo, me një redaksi prej dy vetësh, që përgatit çdo shkrim, pa llogaritur angazhimin profesional tjetërkund, që na e mundëson dhe kufizon këtë veprimtari. Edhe pse “Peizazhe të fjalës” është një projekt idealist, që nuk ka synuar të shesë, lexuesi duhet të paktën ta dijë dhe ta mbajë parasysh se çfarë pune, përpjekjesh dhe ndonjëherë sakrificash kërkohen, për ta mbajtur të hapur dhe me materiale të reja çdo ditë.
Kemi, për fatin tonë, një grusht mbështetësish bujarë, të cilët kanë dhuruar me zemërgjerësi të admirueshme këtë vit, si edhe më parë, dhe të cilëve u shkon mirënjohja jonë e pakufi. Por këto shuma mezi shlyejnë kostot administrative dhe teknike të faqes – teksa do donim të ishim në gjendje të mbulonim jo vetëm angazhimet teknike dhe punën tonë si redaksi, por edhe të shpërblenim periodikisht me honorare autorët tanë kyç, për projekte të posaçme. Kjo, në rrethanat kur ndihma nga institucionet publike, nga Ministria e Kulturës tek Akademia e Shkencave dhe Universitetet nuk ka ekzistuar, paçka se ne kemi kontribuuar dhe kontribuojmë intensivisht, prej shumë vjetësh, që të gjitha këto institucione të plotësojnë misionin e tyre ndaj qytetarëve. Aq më i neveritshëm na vjen ky konstatim, kur marrim vesh dita-ditësh se si janë shpenzuar, shpërdoruar dhe abuzuar fondet publike, që vijnë nga taksat tuaja, për të financuar veprimtari absurde, vetë-shërbyese dhe fasada për shpërblime dhe depozitime të pahijshme.
I kemi besuar gjithnjë modelit të dhurimit nga lexuesit dhe dashamirësit e revistës, prandaj ju bëjmë thirrje të na mbështesni me një donacion për të siguruar vazhdimësinë e revistës. Ky donacion do të ishte në vend të një abonimi vjetor në revistë dhe do të siguronte që Peizazhet të jetë e aksesueshme dhe falas për të gjithë. Nëse revista të tjera financohen me shitje të kopjeve apo financime reklamash, ne kemi menduar se shpërndarja e mendimit shqip është një e mirë publike që duhet mirëmbajtur me investim nga ne të gjithë.
Ju falënderojmë që na lexoni dhe na keni bërë pjesë të përditshmërisë tuaj!
Gëzuar, pra, Vitin e Ri 2026: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që e urojmë të jetë për të gjithë produktiv, i lirë, i shëndetshëm dhe i mbarë.
Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Shkrime të zgjedhura nga ky vit:
- PO INTELEKTUALËT KUSH DO T’I SHPËTOJË? – Ardian Vehbiu
- ATDHEU NË MES – Eda Derhemi
- “PANDEMIA” E FASADAVE TË SFAZUARA – Skender Luarasi
- SHKRIM ME NGUT – Edon Qesari
- NJË EPITAF DHE NJË REKUIEM PËR VETËVRASJEN E REALIZMIT SOCIALIST – Visar Zhiti
- DISKURSI PUBLIK DHE SKENA E ARTIT SHQIPTAR – Adrian Paci
- FOLLOW THE MONEY? NOPE! FOLLOW THE ARTIST! – Elsa Demo
- SKËNDERBEU I TRETË – Ardian Vehbiu
- NJË DITAR INTIM PËR SKENË – Alem Bedhija
- IDENTITETE TË DUKSHME DHE TË PADUKSHME – Pamela Zoe Topalli
- SEKRETI PËR TË MBETUR IRRELEVANT – Ardian Vehbiu
- SHQIPTARËT E GREQISË | Οι Αλβανοί – Elson Zguri
- PESHA E LIRISË – Dashnor Kokonozi
- I FUNDMI I MËRKOSHËVE – Rael Hoxha
- KONCERT NË VITIN 1937 – Romeo Collaku
- PIKËNISJE – Jonida Xhyra-Entorf
- KUR MUNGON MASA KRITIKE – Ardian Vehbiu
- RRETH ROMANIT POLICOR – Arben Dedja
- RADIOJA E VJETËR – Ajkuna Dakli
- SHQIPËRI, MOJ KUÇKË, Ç’NA BËRE VEREM! – Mustafa Nano
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
