Në SPAK, Driant Zeneli ka shpjeguar se, si drejtor ekzekutiv, nuk është marrë me organizimin e “Harabelit”, por e ka shfrytëzuar postin “për ta patur pjesë të shtuar të jetëshkrimit të tij”. Pyetjes, nëse ka përdorur fondet e qendrës për të mbuluar shpenzime personale, i është përgjigjur se ka paguar gjithmonë nga xhepi i vet. Matanë, Xoxa deklaron se të gjitha vendimet në “Harabel” merreshin nga Zeneli. Është e qartë, siç del në dosje, se Xoxa vazhdon të synojë helmimin e provave.
Në mesazhet telefonike, Xoxa-Zeneli flasin për artistë (Anri Sala) dhe arkitektë të huaj (Marco Casamonti, Jesus Hernandez), autorë veprash me rëndësi publike të zbatuara në Shqipëri, në shoqërinë e të cilëve del Erion Veliaj. Ndjehet dëshira e Zenelit për të qenë pjesë e këtij rrethi të afërt me pushtetin. Të dy e vërtisin bisedën si t’i afrojnë këta individë për prestigjin e “Harabelit” apo për pjesëmarrjen e Zenelit në ekspozita të mundshme.
Në vitin 2022, Ministria e Kulturës mbështet “Harabelin” për projektin “Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri”, në vlerën 1,000,000 lekë. Për zbatimin e tij, Zeneli nënshkruan marrëveshje shërbimi me Valmir Xoxën, kushëriri i Ajolës, i cili do duhej të bënte punë kërkimore për 2 muaj, kundrejt pagesës 50.000 lekë! Valmiri, dirigjent në profesion, pedagog në Universitetin e Arteve, nuk zotëron kapacitet teknik apo njerëzor për kësisoj shërbimesh. Drianti e di këtë. Drianti di që, edhe pasi fondet publike të arkëtohen, ato degëzohen në shuma të copëzuara në shpk ose si në rastin konkret, në individë të afërt me Ajolën. Drianti di po ashtu, se Ministria e Kulturës, para se të ndihmojë “Harabelin”, duhet të mendonte për Galerinë Kombëtare të Arteve që ulërin për ndihmë, prej vitesh, për boshllëkun e frikshëm në fondin e artit bashkëkohor, ndër të tjera.
E gjithë mbështetja me para publike në adresë të organizatave private dhe prezantimi i tyre si forma më të shkathëta, inteligjente dhe efiçente, që në fakt investojnë për ekspozimin e mallit, jo për prodhimin dhe ruajtjen afatgjatë të vlerave, bëhet në kurriz të institucioneve kombëtare, dhe në kurriz të artistëve, kontributi i të cilëve në historinë e artit shqiptar, do duhej dëshmuar në Galerinë Kombëtare sot, po dhe kur ata të mos jenë më. I njëjti reflektim vlen për Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Muzeun Kombëtar, që në gjendjen ku janë, nuk kanë përmasë bashkëkohore, nuk kanë as memorie.
Qeveritë e Ramës dhe Bashkia e Tiranës janë autorë të shtetit paralel në kulturë, shtet me fytyrën e OJF-ve dhe OJQ-ve, e ku po shohim se kampione është Xoxa, për nga abuzimi, arroganca dhe koha e shkurtër me të cilën ajo e vuri në jetë zellin e saj dhe të klanit të cilit i përket.
Nga intervistat dhe bisedat kam mësuar se disa artistë i kanë thënë “jo” prej kohësh projektit të Ajola Xoxës për t’u bërë pjesë e fondit të artit bashkëkohor “Harabel”. Kanë refuzuar, sepse kanë ndjerë përgjegjësi për përkatësinë e veprës së tyre. Besoj se ky lloj artisti dhe njeriu, ka për t’i thënë “jo” edhe platformave të llojit Mane Foundation, që kanë filluar të përgjojnë e të veprojnë.
Edhe një herë te GKA, për të kuptuar si përfitoi “Harabeli” në fare pak kohë për të centralizuar të dhënat dhe skenën e artit bashkëkohor. Në këto tri dekada, GKA nuk ka pasur politikë për blerjen e veprave të artistëve shqiptarë të kohës sonë. Kur ish-drejtori Rubens Shima erdhi në detyrë, vuri re se, blerjet e veprave bashkëkohore, kishin ngecur në vitin 1994. Hynte në fond ndonjë vepër nga fituesit e “Onufrit”, që u mbyll me vendim të ministres Mirela Kumbaro . Në vitet 2009-2011, Shima kërkoi një fond të posaçëm për artin bashkëkohor dhe Ministria e Kulturës dha 2 ml lekë për të blerë ca pak vepra, duke e çuar në 40 numrin e veprave bashkëkohore në fond. Aty ka mbetur. Edhe dixhitalizimi i koleksioneve në atë periudhë, shërbeu vetëm për përdorim të brendshëm. Publiku nuk kishte akses nëpërmjet faqes web të Galerisë, që po të funksiononte, do të qarkullonte koleksionin dhe do të kishte një Galeri Kombëtare virtuale.
Kur shoh videot e agjit-propit për punimet në Galerinë e Arteve, pyes: çfarë mendojnë se do të varin në mure Rama, kryeministri artist dhe Gonxhja, ministri me formim piktori, bashkë me revolucionarët e rinj, që me kasketat e jelekët fosforeshentë, me atë buzëqeshjen e leshtë, por të kurdisur në fytyrë, sikur të kenë dalë nga tablotë e realizmit socialist, bëhen të frikshëm, sepse ngjajnë me tipat e BYL-A-s, aktivistë të humanizmit, bamirësisë dhe prosperitetit, të cilët, të vetmen përvojë pune dhe jete e kanë pranë partisë.
Për këto nuk është përgjegjës Drianti. Përgjegjësia e tij është që ka pranuar të përdoret dhe ka përfituar si pronar fiktiv i një biznesi zaptues i skenës kulturore. Nuk e korruptoi “Harabeli” Driantin. Xoxa e gjeti gati. Që në krye të herës, premisa korruptive njerëzore ka qenë aty dhe e hodhi nga Bienalja e Venecias në Manifesta, pa garë, me atë art frikacak.[1]

Driant Zeneli, Maybe the cosmos is not so extraordinary (2019), video still
Ergys Krisiko, e provon në shumëfish këtë.
Në ekipin e “Harabelit” ai prezantohet thjesht skulptor.
Kush e kujton Pazarin e Ri menjëherë pas rikonstruksionit, i shfaqet në hyrje një çift lejlekësh bërë në thupër, që ngadalë filluan t’u ngatërrohen njerëzve nëpër këmbë, të shqyhen e t’i kalbin shirat. Pastaj i ngjitën në majën e shtyllës të ndriçimit urban, derisa u fikën.
Për të përfaqësuar Shqipërinë përtej, Krisiko realizoi një butafori, pavijonin-shpellë në Panairin e Librit në Torino 2023.[2] Një vit më parë kishte ekspozuar me sukses në COD “Leviatanin”. Edhe aty shfaqej ciklopizmi, i afërt në shijet e kryeministrit. Eksesi në përmasa i veprave përputhej me fabrikimet për pushtetin që jepte kuratorja Xoxa. “Leviatani”, shkruante ajo, “mbase është kjo ndërtesë apo pushteti që ajo mbart, apo Leviatani është ai që e sjell këtë pushtet, pra populli votues?”
Një studiues i huaj i artit bashkëkohor shqiptar e zhvendoste analizën nga veprat e Krisikos tek teksti kuratorial, si i kapur në dilemë mos po luhej “kapi macja miun” me pushtetin, pikërisht në shtëpinë e pushtetit. Ndërsa njerëzia, tek kalonin bulevardit, shihnin kuajt mavi në përmasa natyrale, të vendosur në shkallët e kryeministrisë. “Sa fizike, eksperienca është edhe filozofike, në botën politike të vitit 2022, ku asnjë krijesë mitologjike nuk arrin të sfidojë realitetin, ku realiteti e tejkalon fantazinë”, shkruan kuratorja. Ashtu është. Në të dyja rastet, Xoxa i fabrikon të vërtetat ashtu si pornoja fabrikohet me fjalë bazike në banjat publike.
Po atë vit, “Harabeli” nisi një cikël ekspozitash, “për rizbulimin e muzeumeve apo zonave arkeologjike përmes vepra të artistëve bashkëkohorë” dhe bishti i Leviatanit të Krisikos, doli nga kryeministria për t’u futur mes kolonave ilire në oborrin e Muzeut Arkeologjik në Durrës.[3]
Objektet gjigande të Krisikos, duke qenë se nuk kanë estetikë të brendshme, vuajnë për të thënë “jam këtu” dhe për të imponuar një ide të pabarazisë sociale. Ia dalin të lidhen me një shoqëri, së cilës Krisiko i shërben.
Instalacionin metalik “Ardhja e zogjve”, me sfond urban mbikalimin pranë “Pallatit me shigjeta”, e ka realizuar në kuadër të konkursit ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike” (2022). Qeveria shqiptare investoi 20 ml lekë, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. E përshëndeti investimin edhe Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë. Kush janë këta? Grupim profesionistësh të dorëzuar. Sipas tyre, ishte sukses që, për 18 hapësira publike, 12 rrethrrotullime, 4 mbikalime dhe 1 nyje infrastrukturore, artistë si Krisiko, të propozonin një copë dekori si kredo e design-it urban. Shihnin aty “imagjinatë artistike dhe preokupime arkitekturore”. Veç Krisikos, nga artistët e preferuar të “Harabelit”, doli fitues edhe Sadik Spahija me “Zabelin” e tij në dalje të rrethrrotullimit të Koplikut.
Vijmë tek Krisiko person fizik, në kuadrin e veprimeve hetimore të kryera për personat fizikë që dyshohet se kontrollohen nga Xoxa. Këta janë subjekte tregtare përfitues të fondeve publike, të cilat i transferojnë në llogaritë bankare të OJF-ve të Xoxës dhe të personave fizikë të kontrolluar prej saj. Gjatë këtij procesi, Krisiko e prezanton veten si skulptor instalativ dhe si pedagog, i angazhuar gjithashtu edhe në aktivitet privat. Aktiviteti i “Krisiko art&studio” përfshin: realizimin e veprave të artit në metal, rezinë, inoks, bronz, shitje dhe blerje veprash arti, kancelari, pajisje përkthimi, marketing shërbimi kateringu, shitje biletash, avioni, trageti dhe treni në Shqipëri dhe në botë, paketa turistike, pagesa të shërbimeve me para në dorë, me xhirim bankar, me kartë krediti, reklama, pasuri të paluajtshme, shërbime kuratoriale dhe menaxhimi etj..
Mund të hysh në faqen Opencorporates.al dhe të shohësh sa mbroth i shkon biznesi Ergysit. Nga viti i themelimit 2017, aktiviteti i tij njeh vetëm rritje, siç e tregon tabela e informacionit financiar për fitimin para tatimit (në lekë), midis viteve 2018-2023[4]:
2023: 9, 830, 939
2022: 25, 009, 895
2021: 2, 501, 730
2020: 1, 905, 825
2019: 9, 470, 609
2018: 5, 375, 805
Në llogari të fundit, ai deklaron në SPAK se, për shërbimet që ka bërë si artist në raport me aktivitetet e shtetases Ajola Xoxa, “nuk ka marrë më shumë se 8 milionë lekë të vjetra”. Thotë se nuk e njeh “Ava Studion” dhe as BYL-A-n. Por nga komunikimet mes tij dhe financieres së OJF-ve të Xoxës, dalin raporte fiktive. Në të gjitha faturat e lëshuara, ajo që përcakton përshkrimin e shërbimit është financierja dhe jo ofruesi i shërbimit, “i cili bindet pa bërë asnjë pyetje”. Veprimet hetimore dallojnë se, megjithëse ai ka të punësuar ekonomiste në subjektet e tij si Person Fizik dhe Person Juridik, përsëri përpilimi, përshkrimi, vendosja e vlerës dhe lëshimi i faturave bëhet sipas udhëzimeve të shkruara në Whatsapp nga financierja, sipas porosive të Xoxës. Në asnjë rast, Krisiko nuk kërkon të paguhet për “shërbimet” që supozohet të ketë kryer. Përkundrazi, lëshimi i faturave kërkohet me urgjencë nga financierja. Në dosje thuhet se, “nuk është shitësi që këmbëngul për të lëshuar faturën dhe marrë lekët që “i takojnë”, por blerësi që këmbëngul për lëshimin e faturave dhe mbetjen e pagesave për “shërbimet” që supozohet se ka marrë.” Kur vjen kërkesa “na duhet një faturë me vlerën 1,100,000 lekë”, Ergysi është aty, i gatshëm. Këto 1,100,000 lekë duhet të dalin si shpenzim nga llogaritë e një organizate tjetër, jo nga të Ajola Xoxës. Është organizata “Frobolous”, e cila i kalon paratë në favor të subjekteve dhe personave të afërt me Xoxën, si rasti i Krisikos. Ky lëshon dy fatura për “Frobolous” për shërbimet “skenografi” dhe “koncept kreativ”, të dyja fiktive.
I pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, Krisiko shprehet se nuk ka dijeni rreth OJF-së “Frobolous”. Kjo organizatë jofitimprurëse, në tregun e veshjeve të modës prej vitit 2022, ka për qëllim “të kontribuojë në krijimin e politikave afatgjata për integrimin e femrave në nevojë në fushën e rrobaqepsisë”. Gjatë gjithë ekzistencës së saj, organizata ka realizuar vetëm një ngjarje, “Tirana’s Fashion Night”, njohur ndryshe si “Couture Awakening”, një sfilatë mode në Pallatin e Brigadave në nëntor 2023. Ka kontribuar edhe Xoxa në kurim, po sidomos Krisiko me skenografinë në lule të zeza “bërë nga vajzat e Harabelit”. Sipas veprimeve hetimore, rezulton se, për OJF “Frobolous” është kryer një pagesë në vlerën 2,970,000 lekë, sipas urdhër-shpenzimit të firmosur nga kryetari i Bashkisë Tiranë. Vlera totale e parashikuar e projektit është 6,946,845 lekë, mbështetur pjesa tjetër nga Qendra “Harabel” (3,072,945 lekë) dhe Grace Models.
Shpenzimet e kryera rezultojnë si vijon:
– 540,000 lekë, koncept kreativ, Ergys Krisiko
– 410,000 lekë, prodhim video, Naan Gallery
– 1,100,000 lekë, skenografi, Ergys Krisiko
– 50,000 lekë, “DJ”, Naan Gallery
– 250,000 lekë, regji lëvizëse, Naan Gallery
– 110,000 lekë, drejtor i përgjithshëm, Stefano Romano-Harabel
– 900,000 lekë, 3 asistente prodhimi, nga organizatat e Xoxës
– 150,000 lekë, qira karrige për publikun, Naan Gallery
– 200,000 lekë, audio, ndriçim, ASLV shpk
– 100,000 lekë, backstage, Naan Gallery
Krisiko përdoret dhe përfiton.
Kur SPAK pyet Veliajn për këtë person, ai përgjigjet se e njeh si artist, por që nuk e ka idenë fare në lidhje me pagesat. Në fakt, në fillim të nëntorit 2024, Ergys Krisiko ka fituar një konkurs nga Bashkia Tiranë, “për të realizuar një instalacion, me elemente metalike, strukturë njerëzore, në vlerë 63 milionë lekë të vjetra”, siç e pohon ai vetë. E konfirmon openprocurement.al: Operatori Ekonomik Ergys Krisiko është shpallur nga Bashkia Tiranë fitues i tenderit me objekt “Blerje struktura dhe instalacione çeliku”. Njoftimi shoqërohet me RedFlag, që njofton rrezikun e një praktike korruptive.[5]
Mund të humbasim kur të duam në pyllin e shifrave të këtij procesi hetimor, çështja është që, duke i analizuar të matet dëmi, të shkundet ndërgjegjja e fjetur, edhe ajo që sot thotë, “po ne i dinim këto” dhe të shohë me sy humnerën ku kemi mbërritur. Për të kuptuar se shkëlqimi i platformave të organizatave jofitimprurëse, këtyre sudeve të kulturës bashkëkohore, nuk është vetëm çështje korrupsioni, po edhe përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe nëpërmjet saj, e disa ministrive, të Kulturës, Arsimit dhe Turizmit, për shkërmoqjen e pasurisë publike dhe trashëgimisë kombëtare.
Nuk mbetet veç të riformulohet apeli “Follow the money!”, vjelë nga “Watergate”-i, e përdorur sa gjatë gjerë në leksikun opozitar të viteve të fundit. Për vende si Shqipëria duhet përshtatur: Follow the artist!
Ndiq artistin dhe ka për të të çuar ai tek paraja, tek paraja e llojit që qarkullon për të qëruar mykun dhe që të lahet, asaj i duhet aleancë me mbetjet njerëzore.
Pjesa e parë: RRUGA E TRËNDAFILAVE
Pjesa e tretë: SHTETI PARALEL, ELITA, REHABILITIMI
© 2025 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë © Driant Zeneli
[1] Shkruaj për këto tema edhe në artikujt: https://peizazhe.com/2024/08/30/vexations-i/; https://arca.al/sq/studime/identiteti-kopsht-i-bienales
[2] https://ata.gov.al/2023/05/18/rama-stende-spektakolare-e-shqiperise-ne-panairin-e-librit-ne-torino/
[3] https://harabel.org/sq/sour-sweet-soil-eltjon-valle-ergys-krisiko/
[4] https://opencorporates.al/sq/nipt/l71703037s
[5] https://openprocurement.al/sq/pcompany/list/corporate_id/L71703037S
blendi …ziu
Ndërsa lexoja shkrimin, mendova se autorja do të ishte ..PROKURORE ?!!!