Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kritikë

SHTETI PARALEL, ELITA, REHABILITIMI

Midis organizatave që janë financuar nga Bashkia Tiranë dhe kanë kryer pagesa për shoqatat e Xoxës, Kongresi Rinor Kombëtar qëndron në krye, me vlerën 942,845,318 milionë lekë, për periudhën 2022-’24. Më pas vjen shoqata “Bash-Art”, e Ilirjana dhe Altin Bashës.

E themeluar në vitin 2015, fillimisht me qëllimin për të bërë bashkë artistë të artit skenik dhe për të rritur vetëdijen sociale në shoqërinë shqiptare.  Me zgjerimin e aktiviteteve, hapet edhe më objektivi i shoqatës në mbrojtjen e të drejtave të gruas, të drejtave të LGBTQIA+, etj.[1] Çifti nuk e ndërpret aktivitetin teatror privat, as kur Altin Basha bëhet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental dhe në vijim drejtor i Teatrit Kombëtar, detyrë nga e cila u shkarkua së fundi, i dyshuar për abuzime me fondet publike. Shumat e skandalit të janarit, që u rehabilitua me shpejtësi në Shqipëri, po edhe në Kosovë, duken të papërfillshme në raport me çfarë kanë përfituar Bashat nga aleanca me Bashkinë Tiranë.

Sipas të dhënave në dosjen hetimore, “Bash-Art” ka marrë 9 pagesa:

1) 4,798,250.00 lekë, projekti Festivali “FemFest 2”, mars 2023
2) 4,387,250.00 lekë, projekti Festivali “FemFest”, mars 2024
3) 1,892,000.00 lekë, projekti “Pesë fytyrat e heshtjes”, nëntor 2024
4) 4,512,500.00 lekë, projekti “Jesus Christ Superstar”, 28-30 dhjetor 2022, me urdhër shpenzimi nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
5) 4,290,000.00 lekë, projekti “Jesus Christ Superstar”, 28-30 dhjetor 2023, me urdhër shpenzimi nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
6) 1,862,000.00 lekë, projekti Koncert “Punishtja e Elfëve Kids Fest”, 21-24 dhjetor 2021, me urdhër shpenzimi nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
7) 4,008,500.00 lekë, projekti Festival “FemFest”, 5-8 mars 2022, me urdhër shpenzimi nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
8) 2,167,500.00 lekë, projekti “Made in Albania”, 15.04.2016, me urdhër shpenzimi nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
9) 4,205,000.00 lekë, projekti “Vizita e inspektorit”, 18.05.2019-4.06.2019, nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj

Nëse mbajmë parasysh se buxheti për projekte artistike i Teatrit Kombëtar, të paktën për vitin 2024, ishte 11,200,000 lekë, atëherë, me kaq para sa ka financuar Bashkia shoqatën e Bashës, mbi 32 milionë lekë të reja, do ishin prodhuar projektet artistike të tre viteve në Teatrin Kombëtar. Në listë shoh që mungojnë prodhime të tjera të “Bash-Art”, financuar nga Bashkia, si muzikali “Mamma mia”.

Për festivalin “FemFest”, me prodhime teatrore kushtuar çështjeve të gruas, që mbahet në festat e marsit, “Bash-Art” ka bashkëpunuar me “Harabelin” për prezantimin në sheshin “Nënë Tereza” të instalacionit “Red Shoes”, financuar nga Bashkia.

Në pasqyrën financiare që ofron dosja hetimore, Veliaj ka nënshkruar disa urdhër-shpenzimesh për projektet e Bashës. Kur Veliaj deklaron në SPAK, se nuk ka dijeni që OJF-të e Xoxës të jenë financuar nga Bashkia, ai sqaron se është Këshilli Bashkiak që vendos, si institucion i pavarur nga Kryetari i Bashkisë. Këshilli zgjedh një komision me disa anëtarë, të cilët vlerësojnë projektet dhe miratojnë financimet, e më pas nënshkruan kryetari. Kjo bëhet për të shmangur konflikte me shumëllojshmërinë e njerëzve që njeh kryetari. Praktika me Bashën flet ndryshe.

Për të njëjtin muzikal, “Jesus Christ Superstar”, Bashkia ka paguar dy herë: 4,512,500.00 lekë, për tri shfaqje në vitin 2022 dhe 4,290,000 lekë, për tri shfaqje në vitin 2023. Spektakli ka pasur më shumë shfaqje nga sa shihet në tabelë. Nuk po llogaritet këtu përfitimi nga të ardhurat e biletave 1000 lekëshe. Basha drejtor i Teatrit Kombëtar e hapte sezonin artistik të vitit të ri 2024 me produksionin e vet privat.  

Dosja hetimore paraqet të zbërthyer financimin sipas zërave, pagesës dhe personit të angazhuar si vijon:

1. Promocion, 200,000 lekë – Arts Lab (ojf me administrator Erald Simixhiu, daja i Xoxës)
2. Organizator, 200,000 lekë – nuk ka person të angazhuar
3. Vocal Coach, 300,000 lekë – Arts Lab (nuk ka kapacitete për trajner zëri)
4. Asistent regjisor, 300,000 lekë – Benada Shuta
5. Korrepetitor, 300,000 lekë – Arts Lab (nuk ka kapacitet për këtë shërbim)
6. Skenë dhe kostume, 300,000 lekë – Divni Gushta
7. Orkestrues, 300.000 lekë – Jusiald Xhani
8. Koreograf, 100,000 lekë – Sedmir Memia
9. Band, 500.000 lekë – Jusiald Xhani Person fizik
10. Balerinë dhe figurantë, 15 persona, 600,000 lekë
11. 2 Aktorë, 200,000 lekë – Ervis Saliasi, Amri Hasanlliu
12. 1 Aktor, 80,000 lekë – Egzona Ademi
13. 6 Aktorë, 420,000 lekë – Ilgli Zarka, Silvio Goskova, Ilia Kaçi, Kristo Qerama, Klinti Çollaku, Donald Shehu
14. Fonia-Ndriçimi, 700,000 lekë – Decibel Audio Solutions shpk

Për pjesën muzikore të spektaklit fryhen zërat, gjithsesi mungon autori. Regjisori Altin Basha nuk figuron. Dirigjentja, Zana Turku, ku është? Atë kam parë të dirigjojë në skenë.

Kur nuk ka gjurmë artisti, duhen ndjekur zanatçinjtë. Këta paguhen për gjëra që nuk iu takojnë dhe paguhen më tepër se aktorët/këngëtarë kryesorë. Divni Gushta i Teatrit “Migjeni” di që bën skenografi, jo kostume, mjeshtëri që në spektaklet e Bashës i mban Ilirjana, po as emri i saj nuk duket. Nuk ka regjisor, por ka asistente regjie, është Benada Shuta, e cila, në skandalin që zbuloi emisioni “Piranjat”, paguhej si grimiere në produksionin “Vojcek”, punë që, në fakt, nuk e kishte bërë. Çifti Basha ka ndjekur të njëjtën skemë abuzimi, duke shtuar “prekjen” e Xoxës në buxhet me tre zëra.

Nga të dhënat hetimore të SPAK-ut, gjyqtari Erjon Bani sheh me interes bisedat mes financieres së Xoxës, Adela Kondakçiut dhe Ilirjana Bashës. Në mars 2023, “Bash Art” i lëshon një faturë “Harabelit” në vlerën 285,700 lekë, për shërbimin “Pagese FemFest – Instalacion vepër arti publik”. Biseda mes tyre vlerësohet si provë për skemën e plotësimit në mënyrë fiktive të zërave financiarë. Basha fillimisht dyshon, heziton, por Kondakçiu e siguron se, në Bashki nuk do të kenë probleme (ndonjëherë, janë vetë punonjësit e Bashkisë që i kujtojnë vajzat e Xoxës “të sjellin dokumentet për fazën e dytë”). Në fund bien dakord.

Përse Bashat kërkojnë shërbime nga Xoxa, kur nuk është e kësaj fushe?

Elitat, shijet

Sipas së njëjtës logjikë funksionon shoqata “Tirana Teatër” e Artan Imamit. Prej vitesh tanimë, ai vetë nuk del në skenën e Teatrit Kombëtar. Privatisht, financohet nga Bashkia, po dhe nga Ministria e Kulturës, herë si producent, e herë si regjisor dhe aktor. Prej vitit 2017, ka vënë në skenë: “Iluzione bashkëshortore”, “Klani i të divorcuarave”, “Nuk do të gënjejmë më kurrë”, “10 vjet martesë”, “Shtëpiakë të dëshpëruar”, “Bebet e Kazanovës”, “Mashtrim”, “Tango”, “Nuk duhet ta thoshe”. Artistikisht, “Tirana Teatër” i mëshon një shijeje të maskulturës.  

Kanë kolegë dhe në fusha të tjera. Ardit Gjebrea, për shembull. Nuk po përsëris çfarë kanë nxjerrë mediat për shumat që shoqata e tij “Jon” ka marrë nga Bashkia për festivalin “Kënga magjike”, vlera që mund të maten me të Bashës, tani që i shoh. Biznesi privat në muzikë i Gjebresë, është në harmoni me produktin e tij televiziv prej show man-i, si pjesë e një kulture tabloidi, që është model dominant në raport me produktin modest që ka Shqipëria në muzikë, teatër, arte të tjera të spektaklit të gjallë. Në këtë pikë ka rol kyç Bashkia, si burimi më i madh i financimit në sektorin kulturor.

Lexuesit mund t’i kujtohet lista e vitit 2021 me emrat e artistëve të financuar nga Bashkia, nxjerrë nga materiali hetimor i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Aty dilte se, për vitet 2016-2020, Bashkia e Tiranës ka dhënë mbi 12 miliardë lekë për projekte në kulturë dhe sporte. Fondi më i madh, 244.599.993 lekë, është dhënë në vitin 2019. Në vitin 2023 u dyfishua vlera në 462.515.450 lekë. Ishte vit i zgjedhjeve vendore.

Nisur nga kjo fuqi financiare dhe vendimmarrjeje, duhen kërkuar rregulla që autoritetet lokale të ruajnë balancën mes financimeve që japin për “argëtimin” për zgjedhësit e tyre dhe financimeve për institucionet e artit dhe kulturës. Nuk mund të jepen 10 milionë lekë të reja për një festival treditor, që organizon gruaja e kryetarit dhe familjarët e saj, dhe vetëm 800 mijë lekë në vit për shtëpinë e artit të kryeqytetit, Galerinë e Artit të Tiranës.

Duke kuptuar detyrat e qeverisjes kulturore, lind e drejta të mbahet qëndrim për pusullat publike si të Gjebresë dhe të Imamit (me hashtag #jamerion #kambesimtekti) pas arrestimit të Veliajt:

“Askush nuk mund të thotë që Tirana është njësoj si më parë… Jam i lumtur dhe krenar që kam një mik si ty!”

“Unë, si pjesë e mijëra të tjerëve në fushën e artit e kulturës, as në ëndrrat tona më të mira nuk do e kishim menduar që dyert e Bashkisë do të ishin dyert e shtëpisë sonë.” Apo “Ti ke ndihmuar shumë nga ne, lali Eri”, shkruante një gazetare. Pastaj erdhi protesta në dyert e SPAK-ut. Për t’i kuptuar si qytetarë dhe gjestin e tyre si gjest qytetarie, mund të jetë edhe kështu, duhen kuptuar ç’punë bëjnë si artistë. Mungonin shumë të tjerë, që e kanë lënë në foto dëshminë e tyre të mbështetjes për politikat kulturore të kryetarit të Bashkisë. Nuk ishin 45 artistët e Teatrit Metropol, nuk ishte Orkestra e RTSH-së (“Nderi i Kombit” nuk ka një skenë ku të luajë muzikë), që i janë bashkuar për mbjelljen e “Pyllit orbital”.

Erion Veliaj ndihmoi që masa të tëra të popullatës të marrin pjesë në jetën qytetare dhe kulturore/argëtuese të Tiranës. Një proces shoqëror gati, nxitja e kulturës popullore, e shprehur tek arti i rrugës me porosi nga lart, tek tabloidizimi i kulturës në tërësi, nëpërmjet formës më demokratike, muzikës. Mblodhi rreth vetes mbështetjen e artistëve, të cilët nuk janë rritur si artistë në bazë të tregut muzikor, apo të ndonjë shijeje që kultivohet përmes tregut muzikor, por përmes industrisë së dasmave dhe koncerteve të Bashkisë. Kënga e tyre vjen nga atdheu i askushkëndkahkundqyshit, lloji që u legalizua nga qeveritë në trupin e një kulture, porsi shtesat pa leje në ndërtesat me punë vullnetare të komunizmit. Etërit artistë ushqehen nga Rai, pak Sanremo imitacion në festivalet private, ndërsa fëmijët u adoptojnë forma kooperativizmi, veshur në meshin global. Janë të fortë në bashkësi dhe që bashkësia të mbahet, u mjafton një dije alfabetike. Nuk ka nevojë të kenë qëndrim, fundja si mund të kenë qëndrim kur s’kanë mendim, dhe mendim nuk kanë, sepse nuk kanë gjuhë dhe pa gjuhë nuk ka art. Ata nuk janë vazhdimësi e elitave, janë ndërprerje e procesit të rritjes, e transmetimit të kulturës nga një brezi në tjetrin; ata bëhen testimonial në industrinë e kirurgjisë estetike për heqje dhjami, hekurosje rrudhash; ata kërkojnë një prift publik, një rrëfimtore me kamera, që të dërdëllisin për jetën me energji pozitive, mezi presin t’i pyesin për nënat, burrat, për gjysmat më të mira, për divorcet, sentimentalizojnë varfërinë, dramën familjare, vënë në skenë gjithçka me qëllim që të mos ketë më dallim nga ti tek unë, nga njëri tek tjetri dhe të psherëtijnë të lehtësuar në kor: “Jemi njëlloj, të gjithë, në të mirën dhe në të keqen, të gjithë bijë të zotit”, a “bij të universit” (Aliu, një poet, që jeton larg këtij teatri, duke parë njerëzit në rrugë, më tha një ditë se “depresioni, në kuptimin e thellë të gjësë, jo depresioni personal, shfaqet i buzëqesh në shumicën e kohës edhe kjo s’merret vesh a është zhvillim apo është një lloj dështimi që do ta shofim mrapa”).

Artistët e kësaj race janë njerëz të asimiluar nga mentaliteti i atyre që qeverisin. Kur i shikon, kupton se nuk ka ndodhur tek ta ndonjë proces rritjeje, zhvillimi i fuqive dhe i karakterit, dmth janë bartës të aftësive të pazhvilluara që me kalimin e moshës kalben, qelben. Si mund të bëhen transmetues të kulturës?

Qeverisja e shëndetshme dhe kultura e mirë mund të bëhen bashkë vetëm kur elitat janë të afta të trashëgojnë.

Artistët që nuk u rritën kurrë, se nuk ditën, dhe kur ditën, nuk deshën llogaridhënie, nuk duan as sot, që mirëqenia kulturore të jetë një e drejtë e përbashkët, e zbatuar në masat kombëtare për arsimin, në programet shkollore për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Ndaj Shqipëria është bërë një vend ku ka edhe njerëz që merren me art.

Nuk është e keqja te mbështetja me fonde publike e sektorit privat në kulturë. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës kanë cenuar mundësitë e barabarta, që do duhej të krijoheshin nga ndarja e rregullt e parasë publike për artet, si pjesë e një procesi për demokratizimin e kulturës; nuk kanë ruajtur balancë me financimet për civilët dhe organizatat kulturore, ojf-të e kompanitë tregtare. Duke vepruar me patëdrejtë, në shkelje të ligjit, kanë shkaktuar dëm ekonomik, ka thyer besimin tek jo pak artistë dhe tek cilitdo publik që e vlerëson kulturën si gjënë që i jep kuptim jetës.

Dhe këtu pyesim Kadarenë-shkrimtaren, Ndrenikën-aktorin, Imamin- aktorin, Gjebrenë-show man-in, Shaqirin-balerinin (që ia ul shumë peshën Veliajt kur thotë që pastroi Tiranën-hale): Nëse e bukura që shihni ju ka prodhuar mirëqenie personale, pse nuk ka prodhuar edhe mirëqenie shoqërore?

Rehabilitimi

Reja u kthye nga një tufë shufrash hekuri, në një institucion.” Kryebashkiaku i thoshte këto fjalë – kishte aftësinë ta banalizonte një vepër arti – kur hapej festivali me të njëjtin emër, në instalacionin Reja, përballë Galerisë Kombëtare të Arteve. Këtu nisin zyrtarisht aktivitetet e “Harabelit”. Harabel Contemporary Art Platform sjell Anri Salën, i ftuar nga festivali “Reja”. Sala, është njëherësh në bordin e “Harabelit”. Në gusht, qendra e Xoxës mbjell pemë në Kampin e internimit në Tepelenë, në ditën e kujtesës për viktimat e komunizmit, bashkë me Autoritetin e Informimit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në fasadën e Politeknikut për disa mbrëmje projektohet “Edhe muret kane veshë” realizuar nga Alketa Xhafa.

“Harabeli” e ka shfaqur nevojën për një sistem nominal shprehish gjuhësore, siç e pamë me metaforat, apo shprehish ndjesore (empatia në rastin e Kampit të Tepelenës, vëmendja ndaj krijuesve që kanë aurën e artistit të pavarur si Lekë Tasi, Primo Shllaku); ka pasur nevojë për demonstrimin e një ligjërimi në publik në dukje kritik (Leviatani); për ekspozimin e patronazhit ndaj trashëgimisë kombëtare (restaurimi i filmave të Kinostudios, prezantimi në Pallatin e Brigadave).

Shpejt sistemi i “Harabelit” bëhet problematik, me projektin e veprave të artit në hapësirën publike. Xoxa fton artistë me emër, komisionon vepra dhe me Bashkinë zgjedh hapësirat publike për t’i instaluar. Kështu u zbatuan projektet: “Bukurshkrimi” i Adrian Pacit, “Three Times Black” i Silva Agostini, “Enough is enough” i Alban Mujës, “Zâ” i Sadik Spahisë, “The dreaming city” i Ledia Kostandinit.

Në diskutimet me artistë dhe joartistë, ky projekt bashkë me konkursin ndërkombëtar të qeverisë për vepra arti në hapësirën publike, është parë si prirje që kanë disa vende si Shqipëria me rrjedhje të popullatës, me ulje drastike të buxheteve për kulturën. Konstruksionet monumentale arkitekturore në hapësirën urbane tërheqin vëmendjen si ide rivitalizuese dhe efekti i tyre vizual funksionon tek turisti. Bashkia dekoroi me street art rreth 500 kuti elektrike me imazhe nga filmat amerikanë, figura popullore, personazhe të video-game-ve dhe lloje të tjera të kulturës pop. Bunkerët anti-atomik të komunizmit u kthyen në qendra arti në shërbim të turizmit. Emra të tjerët në përdorim nga qeveritarët për t’u dhënë këtyre vendeve peshën që nuk e kanë, janë akupunkturë apo hotspot-e, dhe prezantohen nga Bashkia si një motiv më shumë për të vizituar Tiranën.

Për t’u kthyer tek veprat e projektit të “Harabelit”, në rezultat të fundit, nuk janë vepra autonome, qoftë për mënyrën si janë financuar, qoftë si janë krijuar. Nuk qëndrojnë në këmbë të pavarura, edhe po të donin artistët. Veç kësaj, janë rrethuar nga kaq shumë përpjekje për reklamë dhe orientim të publikut drejt tyre, sa e banalizon komunikimin që Xoxa e pretendon si qëllim të projektit të saj.

Inaugurimi i punës “Bleta” nga Sislej Xhafa, në Landfillin e Tiranës, ngjalli zemërim. Aq më tepër synimi i shpallur nga “Harabeli” “për ta shndërruar këtë zonë në një park skulpture të artit bashkëkohor, një projekt afatgjatë që nis me propozimin e “Bletës” nga Sislej Xhafa”. Në video-intervistën për kanalin e artit të “Harabelit”, Xhafa thotë: “Unë as jam i vetëdijshëm çka bëj, atë koha e determinon”.[2] Në rastin më të mirë, kur edhe do ta kuptoja, Xhafa e ka fjalën për artin si gjuhë që përkthen të pavetëdijshmen dhe të pakomunikueshmen. Por nuk është ky vendi për të folur për art, vendi ku është vrarë një fëmijë, Ardit Gjoklaj. Xhafa ka pasur kohë mjaftueshëm të shprehet publikisht për përfshirjen në këtë projekt i mbështetur nga para me origjinë të errët, sot nën hetim për kryerjen e veprës penale. Xhafës i është kërkuar të  reagojë, nuk e ka bërë.

Kjo vlen dhe për të tjerë artistë me apo emër të shquar, pjesë e nismave të “Harabelit”, si në rastin kur e kanë ditur origjinën e parave me të cilat mbështeteshin projektet, edhe kur nuk e kanë pasur haberin.

Një rast tjetër. Në dosjen hetimore analizohen kontrata, transaksione, pagesa e fatura abuzive me projektin “International Contemporary Dance Festival Tirana”, i themeluar nga Tim Newman (D18 Paris) dhe Ajola Xoxa (Harabel Contemporary), i realizuar me fonde publike. Në vitin 2023, Fondi i Ministrisë së Kulturës për “Dance Festival”, ka qenë 250,000 euro, vlerë e pakrahasueshme me buxhetet vjetore për projekte artistike të institucioneve tona. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ish-drejtoresha Abigeila Voshtina, ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi me kompaninë “Rametal” të biznesmenit Elman Abule, sot nën hetim. TOB-i angazhohej t’i paguante “Rametal” 1,213,380 lekë pa TVSH, një shumë qiraje për një seri artikujsh skenikë për baletin “Preljocaj” dhe për projektin “Sonoma” 1,868,220 lekë, të dyja në programin e edicionit të parë të festivalit, kur Xoxa ishte drejtoreshë artistike.

Nga veprimet hetimore del se, faturat që janë lëshuar në emër të “Rametal”, nga ojf-të e kontrolluara nga Xoxa, janë tërësisht fiktive. “Ne kemi kontratë me Preljocajn, por s’kemi faturë dhe për atë jemi zbuluar”, thuhet të bisedën mes dy ekonomisteve të Xoxës dhe kompanisë “Rametal”.

Në kaq pak histori, kemi një ish-drejtoreshë të shkarkuar me një vendim qeverie të pamotivuar, por e përfolur për abuzime financiare. E megjithatë, Voshtina vazhdon e qetë karrierën, jep intervista. Një mesazh publik për sukseset e saj në TOB, e mbyllte me fjalët: “Arti s’vdes kurrë.”

Për Angjelin Preljocajn, drejtor artistik i “International Contemporary Dance Festival Tirana”, mund të thuhet se, atij do t’i jetë dukur normalitet gjithë gatishmëria e ofruar nga qeveria dhe institucionet e artit në Shqipëri për të bërë një festival, pa e pasur idenë e origjinës së parave për projektin. Por, ky është hamendësim. Se ç’po ndodh, ai duhet ta ketë dëgjuar.

Mbetet në ndërgjegjen e secilit për qëndrimin që duhet të mbajë. Vlen kjo edhe për bordin e “Harabelit”. Organizatat e artit dhe kulturës mund t’i përdorin bordet si subjekte jovendimmarrëse dhe jomonitoruese, në planin politik dhe të biznesit. Por është përgjegjësi e bordit të diskutojë mbi misionin e një organizate dhe në momente si ky, roli dhe përgjegjësia e bordit rritet. Vullnetarizmi dhe besnikëria për “Harabelin” është njëra gjë, tani është fjala për një qëndrim etik për angazhimin e secilit. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe mësimdhënës në universitet. Kjo mund të jetë një përgjegjësi më e madhe, sesa përgjigjja para opinionit publik. Unë dyshoj që, rehabilitimi për ata që abuzuar me fondet publike, do të fillojë pikërisht nga universiteti.

Sistemi që krijoi gruaja e kryetarit të bashkisë ka pasur mbështetje të vazhdueshme financiare nga Komisioni Evropian, nga ambasadat e huaja në Shqipëri, veçanërisht nga Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës, që nuk e kanë orientuar bashkëpunimin me galeri të tjera modeste. Fjala vjen, me Qendrën Zeta, nga të parat dhe vetmet galeri që vazhdon mbahet. Nga Ministria e Kulturës “Zeta” ka fituar ndonjëherë fonde në vlera fare modeste, të mendosh që organizon Çmimin Ardhje, i vetmi i mbetur për të rinjtë e artit bashkëkohor në Shqipëri.

“Harabeli” do të mbahet mend jo si zog i qiejve, por si përçarës i mjedisit të brishtë kulturor, duke thelluar ndarjen mes atyre që munden dhe atyre që nuk munden, atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, duke e kthyer konceptin për artin si privilegj i një klase me para. Studiuesit e sociologjisë mund të gjejnë këtu një proces atomizimi shoqëror, ajo fazë ku shkatërrohen ato lidhje që i mbajnë njerëzit bashkë. Kultura është një nga këto lidhje të shkatërruara. Ky, mendoj, është shteti paralel për të cilin punoi fort edhe Ajola Xoxa me sistemin e saj.

Pjesa e parë: RRUGA E TRËNDAFILAVE

Pjesa e dytë: FOLLOW THE MONEY? NOPE! FOLLOW THE ARTIST!

© 2025 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet riprodhimi nga mediat!


[1] https://bashart.al/

[2]  https://www.youtube.com/ëatch?v=g0aJ9AV4GAo&t=66s

1 Koment

  1. Problematika e raportit të njerëzve të artit dhe mendjes, me pushtetin – e vjetër sa bota.

    Sipas legjendës, Diogjeni po hante groshë, ulur te pragu i derës, kur atypari kalon Aristipus, një filozof i pasur që e mbante gjithmonë mirë me mbretin.

    I thotë Aristipus: “Mëso t’i perkulesh mbretit, që të mos hash kurrë groshë”.

    I përgjigjet Diogjeni: “Mëso të hash groshë, që të mos i përkulesh kurrë mbretit”.

    Marrëdhënia është po aq delikate dhe e vështirë sot, sa edhe në antikitet. Madje sot, kur kuti i shoqërisë për çdo gjë dhe çdo njeri është ekonomia dhe pasuria, kjo vlen më shumë se atëherë, kur virtyti bazë shoqëror nuk ishte makutëria, por shkëlqimi si qytetar i polis-it.

    [Meqë jemi te kjo temë: Hubris i socialistëve, që arriti kulmin me shembjen harbutçe dhe hajdutçe të Teatrit, tani u ka rënë në kokë dhe po i fundos me soj e sorollop. I zuri mallkimi i Teatrit të gjithë bashkë! ]

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë