Shqiptarja e New York-ut dhe dy anët e saj të medaljes
Recension mbi: Ledia Xhoga, Misinterpretation (2024). Portland: Tin House 2024; London: Daunt Books 2025. 322 f., ISBN 978-1-917092-18-0
Libri që do të paraqitet është i spikatur për dy arsye: Së pari, sepse këtu shkruan një autore shqiptare me një brilancë letrare që nuk ndeshet shpesh. E lindur dhe rritur në Tiranë, ajo ka përfunduar studimet për Shkrim Krijues në Texas State University dhe jeton sot në Brooklyn. Romani i saj Misinterpretation ka fituar, ndër të tjera, çmimin “New York City Book Award for Outstanding Debut Author” dhe është përfshirë në listën e gjatë të “Booker Prize 2025”. Së dyti, është tematika ajo që shënon një pikë kthese në letërsinë transnacionale të Ballkanit. Nuk është diçka e pazakontë që autorë me prejardhje shqiptare, pas viteve ’90, të arsimohen në universitetet perëndimore, të fuqizohen dhe të artikulojnë përmes gjuhës së vendit pritës përvojat e tyre të integrimit – një lloj shkrimi shërues, që e “nxjerr” migracionin nga brenda: Ornela Vorpsi, Gazmend Kapllani apo Lindita Arapi janë vetëm tre shembuj të letërsisë së suksesshme dhe të afirmuar ndërkombëtarisht, përkatësia e së cilës mbetet e diskutueshme midis kanonit shqiptar dhe atij të vendit pritës.
Ashtu si këta autorë, edhe Ledia Xhoga shkruan në mënyrë të dukshme autobiografike: protagonistja e romanit lëviz mes Perëndimit dhe Shqipërisë, duke përshkruar përplasjet kulturore që kjo lëvizje sjell. Rikthimi në atdhe, që te Kapllani (veçanërisht në Wrong Land) dhe te Arapi (në Vajzat me çelës në qafë) përjetohet si makth, te Xhoga paraqitet ndryshe: kritika e zakonshme ndaj vendlindjes mungon, dhe Tirana paraqitet në një dritë pozitive. “Tirana was overwhelming as usual. Soon after landing, I was convinced that the only life that mattered was the one here: unpredicted, complicated, but truer than anything else.” (fq. 159). Dhe gjatë largimit nga Tirana, ajo përmbyll: “Albania was a country that made you uneasy and tense, but alert and alive. It infuriated, exasperated, without apology or retribution, and yet one felt seen here, often even loved.” (fq. 214).
Kjo qasje është e re në letërsinë transnacionale bashkëkohore të Ballkanit dhe shënjon një afrim emocional midis vendlindjes dhe vendit pritës, që lejon sërish nostalgjinë dhe mallin për atdheun. Por ajo që përbën risi të vërtetë në shkrimin e Xhogës, dhe që unë e quaj dy anët e saj të medaljes ka të bëjë me pozicionimin e personazhit në vendin pritës. Letërsia transnacionale ballkanike (nga Aleksandar Hemon deri te Bekim Sejranović) ka kultivuar figurën e antiheroit simpatik, që lufton me problemet e alkoolit dhe të martesës, duke treguar qartë se jo gjithçka është e artë në Perëndim. Po ashtu, figura e emigrantëve shqiptar dhe underdogs siç e përshkruan Pajtim Statovci për Finlandën, e cila zë pozitë të ulët në hierarkinë shoqërore, këtu zëvendësohet nga një figurë hibride: një grua e re, e cila – falë martesës me një amerikan Billy dhe profesionit si përkthyese dhe interprete – është pjesë legjitime e shoqërisë amerikane, por qëndron në një pozitë ndërmjetësuese ndaj migrantëve me status dukshëm më të brishtë, si p.sh. mikja e saj kurde Leyla, e cila përndiqet nga ish-bashkëshorti.
Mund të tingëllojë e thjeshtë, por vetë fakti që romani përfundon me një “Happy End” është një risi në letërsinë transnacionale ballkanike. Në fillim, ngjarjet marrin hov të vrullshëm dhe, pas dy shpërthimeve të Billy-t, martesa duket e shkatërruar, derisa rrëfimtarja, në mes të romanit, udhëton te e ëma në Tiranë. Në pjesën e dytë të romanit, çifti arrin të rimëkëmbet dhe, përballë kërcënimit nga një përndjekës, qëndron bashkë me solidaritet dhe besnikëri. Kështu, romani inkurajon një brez të ri postmigrantësh shqiptarë drejt marrëdhënieve ndërkulturore dhe martesave etnikisht të përziera, duke reflektuar një realitet të ri shoqëror që para 10–20 vitesh nuk ekzistonte. (Kështu i thotë kushërira e saj më e re, Alma, në New York, lidhur me planet e saj për martesë: I just want something real, like what you have”, fq. 89).
Cilat janë figurat kryesore të romanit? Përkrah rrëfimtares – inteligjente dhe tepër e ndjeshme – që mund të lexohet si alter ego e Xhogës, njihemi me Billy-n, profesor filmi në New York, me një interes sipërfaqësor për Evropën Lindore. Dy migrantë të tjerë sjellin trazira në martesë: fillimisht kosovari Alfred, i traumatizuar rëndë si viktimë torture, të cilin rrëfimtarja e shoqëron fillimisht te dentisti e më pas te psikiatrja si përkthyese, dhe për të cilin zhvillon ndjenja të forta të pashprehura. Tjetra është Leyla, një kurde tashmë pa status të rregullt që përndiqet dhe fotografohet fshehurazi nga Rakan, kushëriri i ish-bashkëshortit të saj. Rrëfimtarja përpiqet ta mbrojë Leylën, duke organizuar një kurth ndaj Rakanit: siguron numrin e tij të telefonit, e fton për një udhëtim, i jep biskota me kërpudha halucinogjene, i merr celularin dhe e lë në një parking në Jersey. Kur largohet për disa javë në Shqipëri, ajo ia lë banesën Leylës, e cila ikën me nxitim nëpërmjet shkallëve të emergjencës, sapo Rakan e gjen (dhe më vonë madje i vendos fshehurazi dy minj në qesen e blerjeve të rrëfimtares në supermarket). Më pas, Rakan shkon në banesë dhe i kërcënon Billy-n dhe bashkëshorten e tij, përpara se të zhduket pa lënë gjurmë (me shumë gjasë është arrestuar).
Rrethi i afërt i rrëfimtares është, si në plan shoqëror ashtu edhe etnik, shumë i larmishëm: krahas postmigrantëve që luftojnë për leje qëndrimi në SHBA – si Zani, shqiptari gjithnjë pozitiv dhe i gatshëm për të ndihmuar – shfaqet edhe Anna, violinistja e pasur që përpiqet t’ia marrë Billy-n dhe e sfidon hapur martesën e tyre ndërkulturore.
Libri përbën një përvojë leximi të jashtëzakonshme që kombinon autoironi, saktësi vëzhgimi, kompetencë ndërkulturore dhe një tension narrativ që të kujton një thriller. Stili i Xhogës ndjek me finesë imagjinatën e rrëfimtares, duke e shkrirë për një çast me realitetin. Romani na paraqet një heroinë të re, e cila, në vitin e shtatë të martesës, lufton për lidhjen e saj dhe për integrimin në SHBA, dhe në fund i përballon të gjitha sfidat. Fëmijëria në Shqipëri dhe jeta e saj si e rritur në Nju Jork shfaqen si të pajtueshme; shoku kulturor i fillimviteve ’90 tashmë është i kapërcyer: “two parallel highways with regular exits into each other” (fq. 167).
Ky normalizim i Shqipërisë lidhet edhe me procesin tashmë konkret të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe, me shumë gjasë, do të thellohet më tej në të ardhmen. Prandaj, mund të presim ende letërsi të shkëlqyer nga brezi i ri i autorëve shqiptarë.
© 2025 Christian Voss, Humboldt University Berlin (christian.voss@hu-berlin.de). Përktheu Tea Lozi.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.