Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI / Filologji

SHKRIM ME NGUT

Pak ditë më parë, në pjesën e parë të një sprovë kushtuar tensionit mes shkrimit, leximit dhe ligjërimit të folur në epokën e uebit 2.0., Ardian Vehbiu la një shënim, si dhe lëshoi një dackë të mirë, për të gjithë ne që, kush më shumë e kush më pak, kemi krijuar një profil publik të lidhur me të shkruajturin. Vehbiu vuri në dukje tundimin e shumëkujt—të diktuar ca nga nguti për vëmendje të menjëhershme, ca nga lexuesi i ngutur dhe i ngutshëm—për t’i postuar shqyrtimet apo mendimet përkatëse në rrjete sociale.

Në qendër të kritikës është shpenzimi që i bëhet damarit shkrimor në statuse të cilat, me kalimin e kohës, vijnë duke u shkurtuar në hapësirë, duke u pakësuar në kohë, e në fund duke u jetërsuar në cilësi dhe thellim. Me një fjalë, po shkruhet gjithnjë e më pak, gjithnjë e më cekët. Thënë ndryshe, kush shkruan ka rënë viktimë e një lexuesi që sa vjen e nuk ka kohë, ka më pak nerva dhe madje e braktis krejt aktin e të lexuarit. Një lexues që, në rastin më të mirë, scroll-on por nuk lexon.

Pavarësisht se dackën e ndjeva, e më dhembi, duhet të shtoj gjithsesi se rreshtat në vijim nuk u shkruan nën shtysën e një vetë-shfajësimi kundrejt Vehbiut, në cilësinë e mikut dhe botuesit tim. Erdhën më së shumti si rrjedhojë e një vëzhgimi që m’u bë, në lidhje me sprovën e sipër-përmendur, të cilën e ripostova në rrjetet e mia sociale.

Dikush më shprehu rezervën se sprova e Vehbiut—e cila ishte, veç të tjerash, një pikënisje për një kritikë ndaj marrëdhënies që Inteligjencës artificiale (AI) po ndërton me aktin e të shkruarit—ishte shkruar vetë me AI. Përse një vërejtje e tillë? Sepse shkrimi ka një përdorim të shpeshtë shenjash pikësimi, m’u tha, tipike për një punë të gjeneruar me AI. Dhe nuk është hera e parë që e ndesh një vërejtje të tillë, madje edhe në rrethana miqësore që mund të kenë pasur të bëjnë me shkrime të miat.

Shpjegimi i vetëm, a së paku kryesor, që i jap një vrojtimi të tillë ka të bëjë me humbjen e përdorimit (dhe të zakonit për të parë në përdorim) shenjat e pikësimit. Tekstet që prodhohen sot në përditshmëri, e veçanërisht në rrjete sociale, janë kaq të varfra për sa i përket këtyre simboleve, e shpesh me përdorim të gabuar të tyre, sa prania e tyre ngre dyshime për artificialitet të vetë shkrimit.

Në qendër të akuzës është sidomos vijëza lidhëse (–, ose — që përdoret më shumë në kontekst shkrimor anglosakson, por jo vetëm), e cila është kaq e rrallë në kulturën e sotme masive të të shkruarit sa një përdorim i mundshëm i saj parasheh mundësinë e ndërhyrjes së AI-it.

“Hiqi ato vijëza” më është thënë ndonjëherë me merak të sinqertë, “se duket ashiqare që e ke shkruar me Chat GPT”. Pakkush shqetësohet për funksionalitetit e atyre vijëzave, por ndalet te prania.

Po ndodh, tekefundit, diçka e ngjashme që mund të pikaset edhe në realitetin më të gjerë shoqëror: aftësia e inteligjencës artificiale për të ndërtuar video ex novo po e shtyn gjithëkënd që të dyshojë nëse çdo video që has në rrjet të mund të jetë artificalisht e krijuar. Njësoj edhe për shenjat e pikësimit: fakti se përdorimi i tyre ka ardhur duke u mpakur, deri në zhdukje, në shkrimtarinë reale, ndjell dyshimin se kush i përdor mund t’ia ketë zhvatur ato ndonjë gjeneruesi artificial si Chat GPT-së.

Ndonëse ishte shumë e lehtë për mua të mbroja autorësinë njerëzore të shkrimit të Vehbiut, më erdhën nëpër mend disa shtesa argumentuese që po i parashtroj më poshtë. Me kushtin që kush më lexon ta dijë, që këtu, se qëllimi i tyre nuk i kalon kufijtë e një dëfrimi të kulluar intelektual. Kështu, sa për qejfin e të shkruarit, dhe të të përdorurit të shenjave të pikësimit me bollëk. Gjë që e bëj, deri në nivel fodullëku, edhe në komunikime private.

Dhënë ky sqarim, për si e shoh unë, janë dy mënyrat e “zbardhjes” së një teksti që, me paragjykim të shëndetshëm ose jo, na ngre dyshimin se mund të jetë gjeneruar nëpërmjet AI-t. Të paktën për sa i përket hartimit të një të tilli, të një teksti pra, në shqipe.

Mundësia e parë kalon përmes zbatimit, le të themi, të një filologjie të ngushtë (philologia minima). E ka sqaruar edhe Vehbiu, ndaj nuk po shtoj diç të re, se përtej të qenit një rregullues i mirë drejtshkrimor dhe gramatikor, AI nuk është dhe aq i hollë në mirëmbajtjen sintaksore të një teksti. Në shqipe, së paku, ende jo.

Qui casca l’asino! do të thoshte në raste të ngjashme Totò-ja, aktori i mirënjohur komik napoletan, si për të theksuar pikën nevralgjike në të cilën gomari bie brenda me këmbët e veta. Sintaksa është mbretëria më e panjohur për dikë që gjuhën e shkruar—por dhe gjuhën në tërësinë e vet—e sheh thjesht si mjet, por nuk e ka ngritur asnjëherë në lartësinë e qëllimit. Duke mos qenë e pajisur me njohuri të duhura në sintaksën e shqipes, AI prodhon tekste të cilat, ka të ngjarë, të mos i bëjnë shumë përshtypje syrit të hollë të kujt zotëron orientim të mirë në mbretërinë e terrtë sintaksore.

AI mund të korrigjojë dhe rregullojë një tekst i cili paraqet probleme drejtshkrimore dhe gramatikore pra. Më rrallë mund ta bëjë për nyjet sintaksore të një gjuhe si shqipja— të paktën për aq kohë sa ia lejon uebi (që është dhe pellgu në të cilin AI peshkon, gatuan dhe ushqehet me të dhëna, sipas një metodologjie përpunuese, me kufizime dhe liri, të diktuara këto të fundit nga inteligjenca njerëzore). Varet pra shumë nga komanda që merr, por edhe nga të dhënat që vjel në ueb për sintaksën e një gjuhë të vogël e me pak materiale online, si shqipja).

Në këtë pikë, duhet sqaruar se AI lihet i lirë të livadhisë në një terren që mund të jetë veçse virtual. Nëse mëngjesi im i sotëm ka nisur me një kafe të sheqerosur fort, e për këtë unë kam zgjedhur të mos e njoftoj botën përmes ueb por nëpërmjet teknikës së mouth-to-mouth—e ç’është më e rëndësishmja, bota e njerëzve ka vendosur që të mos e “spiunojë” këtë të dhënë në ueb—AI, i cili nuk e kalon dot kufirin e rrëpirtë mes realitetit dhe virtualitetit, nuk do ta dijë kurrë një zhvillim të tillë. AI nuk do ta dijë kurrë se unë, për një herë të vetme, e tradhëtova rregullin tim të rreptë të kafes pa sheqer.

E njëjta gjë vlen edhe për diçka më pak të rëndomtë—ishte një shembull pa ndonjë përpjekje të veçantë kreativiteti, e pranoj—siç mund të jetë një zbulim apo zhvillim i rëndësishëm në lëmin e qelizave staminale. Nëse për një çast, një dinamikë e tillë do të mbahet enkas nga dora e njeriut jashtë uebit, inteligjenca artificiale s’do ta (keq)përdorë dot kurrë këtë dije.

Porse, në këtë rast, problemi i vërtetë—i denjë për një traktat—është pikërisht brazda mes realitetit dhe virtualitetit; sesi kjo brazdë ka ardhur duke u mbushur me kalimin e dekadave, e sesi në një hark kohor gjithmonë e më të ngushtë dy territoret po humbasin identitetet përkatëse, identitetet si dallim mes tyre—po kthehen në një territor të vetëm—duke shkaktuar pasoja të paparashikueshme për vetë procesin e identifikimit. Por tjetër hesap ky.

Mundësia e dytë mund të jetë ajo e një filologjie të zgjeruar (philologia maxima). Çdokush nga ne, në njëfarë mënyre, është në pronësi të një biografie shkrimore. Kush më të çelët, e kush më të errët, e ka një si biçim “arkivi” të cilin e ka lënë atje, në harresë apo kujtesë, në vazhdën e përcjelljes jo-verbale të asaj ç’ka dashur të përcjellë. Në një mënyrë apo tjetër, çdokush nga ne ka arritur të kristalizojë një stil të të shkruarit—i cili është veçanërisht i hulumtueshëm, e për pasojë i dallueshëm—tek ata që shkrimin e kanë mjet komunikimi publik: pra duhet të prodhojnë tekste për në punë, shkollë, hapësira virtuale diskutimi, shkrimtari, etj.

Bon. Nëse biografia jonë shkrimore nuk përputhet me një tekst të ri, po tonin, rreth të cilit ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka ardhur në jetë si pasojë e AI-t, ka gjasa që të jetë vërtet kështu. Nëse një student/e më paraqitet me një tezë apo disertacion dhe stili i të shkruarit të kësaj/këtij të fundit nuk përputhet me mënyrën barbare me të cilën studenti/ja ka përpiluar, më parë, një provim të caktuar me shkrim dore, kam arsye të mjaftueshme për ta vënë në dyshim formën por dhe tharmin/sharmin e tezës apo dizertacionit të dorëzuar. Si të them? shkëlqen shumë për të qenë i vërtetë, njerëzor. Ia bën mu se është artificial.

Dhe ky është një shembull elementar, në mos banal, porse i mjaftueshëm për të ilustruar paraprakisht ndërlikimet e zbatimit të vëzhgimeve të ngjashme në situata më të ngakuara me frymën e kohës në të cilën jetojmë. Megjithatë, pavarësisht variablave—të cilat janë sfidë më vete, ashtu siç edhe durimi për t’i hyrë një shkrimi me lupë—sintaksa dhe stilistika na dhurojnë një mundësi njerëzore që ta peshojmë mirë fjalën para se të ngremë dyshimin (apo padinë morale) për përdorim të AI-t në prodhimin e një teksti që paraprakisht na ka shkaktuar ngrysje vetullash.

Ndërhyrja e AI-t, për sa i përket prodhimit të tekstit, na ka shoqëruar, dalëngadalë, në një terren të panjohur më parë. Një terren i cili shquhet për të paktën dy cilësi: së pari, nëpërmjet AI-t po përballemi me një proces të frikshëm homologimi—i diktuar ky i fundit, paçka se duket paradoksale, nga përsosmëria formale në të shkruar (askush nuk bën më gabime, ndaj çdokush është tashmë si gjithkush), sepse kurrkush nuk do të mësojë më si të shkruajë dhe të shprehet nëpërmjet shkrimit, por do të mjaftohet me kërkesën ndaj Inteligjencës artificiale; është kjo e fundit që ka “nxënë” mjaftueshëm për ne, e ne nuk do të çajmë shumë kryet për të kuptuar nëse shtrati i kësaj nxënieje është apo jo i saktë, paraqet apo jo lakuna strukturore apo gabime kuptimore.

Gjithmonë e më të paktë janë ata që sot kanë kohë të shkruajnë, apo dinë të shkruajnë. Por koha dhe dija, në këtë rast janë të lidhura organikisht, sepse të dish nënkupton formim përgjatë një procesi që të ka marrë kohë. Dhe durim; dhe nerva.

Problemi i vërtetë do të nisë, nëse ende s’ka nisur, në çastin kur gjenerimi artificial i shkrimit do të gllabërojë arkivin; kur ky i fundit të përmbajë vetëm—them vetëm, pa asnjë përjashtim—dëshmi shkrimore që e kanë burimin te përdorimi (i paskrupullt, më vjen të shtoj) i një inteligjence artificiale.

Çka nxjerr në pah cilësinë e dytë të këtij raporti: likuidimin e shkrimit—njerëzit nuk e shohin më të shkruarin si një mënyrë të shprehuri (aq më pak mund të vlerësojnë nyjet estetike a virtytet etike a terapeutike që të shkruarit përcjell), ata e gjykojnë të shkruarin një praktikë të domosdoshme e cila duhet “hequr qafe”, që të kushton kohë e për të cilën koha nuk premton. Shkrimi lyp nge, të cilën nuk mund ta kesh sevap në mesin e një kulturë të frazave të gatshme, e emoji-ve dhe reels-ave që nguten të rrokin në pak sekonda protokolle enciklopedike.

Sosja e ngesë duket se ka shtyre universitetet britanike që studentëve të letërsisë t’u ofrojnë lëndë të mirëfillta ku këtyre t’u mësohet sesi të ulen dhe të lexojnë tekste të gjata; tekste që kërkojnë përqëndrim, të cilin Gen-Z duket se nuk e ka. (Kuptoni?! lëndë të veçanta që studentët e letërsisë të ulen e të lexojnë “David Koperfildin”, fjala që bie, sepse tundimi i notifications-ve në smartphone është shumë i madh për ta, aq sa t’ua ndërpresë leximin dhe t’i bëjë të harrojnë librin.)

Në një epokë në të cilën shkruhet gjithmonë e më shumë, nga ana sasiore, marrëdhënia me gërmat, si prodhim vetjak, bëhet gjithmonë e më pak e përveçme. Duke u ngjeshur, në cilësi, kjo marrëdhënie s’i shmang dot paradokset; siç është fakti se një automat gjenerues shkrimi, i cili të thjeshton jetën (a së paku atë pjesë të jetës që ia kushtojmë shkrimit), mund të ta thjeshtojë në atë farë feje sa të ta likuidojë krejt atë, shkrimin.

Dhe këtu nuk po shtroj mundësinë e një skenari filmik me përmbajtje distopike. Shkrimi dhe librat kanë mbijetuar edhe në periudha kur fare pak ushtrues të tyre dinin t’i njihnin dhe ta përdornin atë që mund të diktohej si talent industrial i rrjedhur prej asaj njohjeje. Do të mbijetojë edhe në epokën e alfabetizmit masiv në të cilin gjithkush shkruan dhe këndon, por pa ditur të shkruajë, e së shpejti të lexojë. Përveç atyre të paktëve që do të kenë nge t’i zhvillojnë këto dy aftësi.

(c) 2025 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin