Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Lexim / Media / Semiotikë

SHKRIM E KËNDIM

(Pjesa e parë e një eseje kushtuar tensionit mes shkrimit, leximit dhe ligjërimit të folur në epokën e uebit 2.0.)

“Di shkrim e këndim”, thoshin dikur, për të alfabetizuarin. Pyetja se kush vinte i pari, shkrimi apo këndimi, nuk e merrte përgjigjen vetvetiu – me mendjen që kam tani, do të gjykoja se këto dy arte apo teknika konverguan, meqë shkrim mund të quajmë edhe gërvishtjen në një trung peme, për të gjetur rrugën e kthimit; ndërsa lexim edhe interpretimin e gjetheve të çajit, hepatoskopinë dhe kiromancinë.

Një gjë duket se nuk lë vend për diskutim: shkrimi kërkon agjenci më të fortë se leximi. Është më e lehtë të lexosh një mbishkrim në mur, se ta shkruash një të tillë. Leximi, nga ana e vet, është njohje me sy, ndërsa shkrimi kërkon – ende kërkon – një angazhim fizik të trupit. Edukatorët shpjegojnë se leximi është më i rëndësishëm se shkrimi, meqë i pari e ushqen të dytin. Sociologët mbase do të shtonin se të shkruarit është aktivitet më profesional, më elitar, ndërsa leximi më i përhapur dhe popullor. Filozofët do të argumentonin se leximi është kognitiv, ndërsa të shkruarit ekspresiv. Semiologët se të shkruarit është kodim, ndërsa leximi dekodim.

Politikanët, nga ana e tyre, duken më të interesuar për leximin – prej të tjerëve; sepse nëpërmjet leximit përhapen idetë politike dhe bëhet propaganda. Kur regjimi i Hoxhës, që mori pushtetin në 1945, i dha përparësi “luftës kundër analfabetizmit”, e bëri këtë më shumë për t’u mësuar masave që të lexojnë – fjalën që vinte nga pushteti. Të shkruarit vlente kryesisht si portëkalim drejt leximit – ishte pjesë e domosdoshme e teknikës për të komunikuar me tekstin.

Këtë përparësi praktike të leximit ndaj shkrimit nuk e shpikën totalitarizmat e shekullit XX; sepse e gjen kudo ku fetë monoteiste mbështeten në shkrimet e shenjta ose skripturën: në Krishterim, leximi i Dhjatës së vjetër dhe Dhjatës së re janë një shteg parësor që çon te lutja dhe rritja shpirtërore. Por regjimet totalitare, veçanërisht ato të majta, e integruan alfabetizimin në kurrikulumin e edukimit të “njeriut të ri”; dhe veçanërisht të edukimit marksist-leninist të masave punonjëse.

Përndryshe, shumë njerëzve pasi mbaronin shkollën aftësia për të shkruar nuk është se u hynte shumë në punë – në kuptimin që ekuilibri mes shkrimit dhe të lexuarit, i respektuar aq rregullisht në shkollë, tashmë zëvendësohej nga mbizotërimi i leximit ndaj shkrimit, aq më tepër që i pari ishte shumë më publik, ndërsa i dyti më privat. Vetëm një shtresë relativisht e vogël profesionistësh, intelektualësh dhe kuadrosh drejtuese kishin nevojë të shkruanin, për të ruajtur dhe riprodhuar statusin e tyre social.

Këto janë gjëra të njohura; dhe i përsërit këtu vetëm për të vënë në dukje se raportet e sotme shkrim/lexim brenda komuniteteve dhe shoqërisë në përgjithësi kanë ndryshuar në mënyrë dramatike këto 20 vjetët e fundit, me konsolidimin e çfarë është quajtur Web 2.0 dhe përhapjen totale të telefonisë celulare. Nga njëra anë, përdoruesit e uebit nuk kanë më pengesa për të lënë tekste online, të cilat janë në dispozicion të së tjerëve; nga ana tjetër, një masë gjithnjë e më e madhe njerëzish po preferon të komunikojë me shkrim (mesazhim, chat) edhe në ato rrethana dhe kontekste ku deri pak kohë më parë komunikonte me zë.

Numri i atyre që shkruajnë është rritur eksponencialisht.

Tani, mund të arsyetojmë se të gjithë ata që komunikojnë online – me mesazhe, në dhoma chat-i, në grupe diskutimi, në forume, në komente në mediat sociale dhe kështu me radhë njëherazi edhe lexojnë njëri-tjetrin, prandaj kjo rritje eksponenciale nuk i ka prekur raportet mes shkrimit dhe leximit: ata që shkruajnë edhe lexojnë, paçka se mund të lexojnë vetëm njëri-tjetrin. Por nuk është tamam kështu.

Së pari, që ka një numër njerëzish në rritje, të të gjitha moshave, që shkruajnë më shumë se ç’shkruanin dje, kjo nuk do të përbënte shkas për shqetësim, sikur të mos shoqërohej me pakësimin e leximit – meqë, me shumë gjasë, po ata që e kalojnë kohën duke i shkruar njëri-tjetrit në chat-e dhe në mediat sociale, ia marrin këtë kohë leximit.

Së dyti, të përdorura për komunikime të çastit, edhe shkrimi edhe leximi vijnë dhe u largohen atyre funksioneve dhe vlerave, me të cilat kultura i ka bashkëlidhur tradicionalisht. Kush shkruan në këtë mënyrë, nuk e bën për të lënë një gjurmë komunikimi të tillë, që ta sfidojë efektin “fluturues” të fjalës së folur; kush lexon në këtë mënyrë nuk e bën për të fituar njohuri dhe për t’u ushqyer mendërisht. Në përqindje të madhe, komunikimet online – me shkrim dhe lexim – janë më shpesh surrogate të komunikimit të folur; duke mos e fituar dot atë cilësi të rezistencës kohore, që duhej pritur edhe prej shkrimit edhe prej leximit.

Për këto gjëra diskutohet shumë dhe shpesh; këtu po dua të shënoj, para së gjithash, se ajo çfarë ndodh me përdorimin e gjuhës në mediat dhe rrjetet sociale nuk i trashëgon virtytet dhe përfitimet as të shkrimit as të leximit; të shkruarit në një chat ose në një forum komentesh të pamoderuar i ngjan disi stenografisë, që është teknikë për regjistrimin e shpejtë të ligjërimit të folur; ndërsa leximi i kësaj stenografie – për ata që e marrin mundimin – nuk është shumë larg leximit të një procesverbali. Në rrethana të tilla, as të shkruarit, as të lexuarit nuk kryhen me synimin për të shfrytëzuar mundësitë specifike të këtyre dy praktikave semiotike.

Shprehitë e vjetra rezistojnë – por së shpejti do ta humbin davanë, krahas daljen nga skena të brezave më të vjetër. Ka hapësira si Facebook-u ku mes fotove të tryezave me pije e ushqime dhe lajmërimeve të ofiçinave të propagandës, gjen herë pas here përpjekje për komunikim mendimesh të arsyetuara, nëpërmjet “statuseve”, të cilat duan parë si forma që merr eseja në një media sociale. Por statuset sa vijnë e shkurtohen dhe autorët e tyre, shpesh njerëz të zotët jo vetëm të fjalës por edhe të penës, po e humbin aftësinë për t’u artikuluar me më shumë se 200-300 fjalë; ndoshta të dekurajuar edhe nga “lexuesit” e tyre, që nuk i duan tekstet e gjata, ngaqë – me gjasë – nuk i ndjekin dot më. Është vështirë të gjesh sot, në shqip, tekste të gjata origjinale online – ese, analiza, reportazhe; që nuk janë përkthime të kryera shkeleshko me AI. Është vështirë dhe do të jetë edhe më vështirë – sepse kemi tashmë hyrë në një rreth vicioz, ku gjatësia e një teksti i tremb lexuesit, dhe vetë autorët, edhe kur nuk vijnë nga radhët e lexuesve të tillë, preferojnë të shprehen ndryshe.

Por ka edhe më. Si botues që jam, i një reviste të specializuar në eseistikë, mbetem në kërkim të autorëve që mund të sjellin kontribute të vyera; teksa përpiqem t’i mirëmbaj ata autorë që tashmë e kanë provuar se mund të shkruajnë ese të cilësisë shumë të lartë. Prandaj pezmatohem, sa herë që shoh kolegë dhe miq të mi, që zgjedhin të dalin në Facebook me një status, i cili nuk është veçse embrioni – tashmë i cofur – i një eseje potencialisht të shkëlqyer. E bëjnë këtë ngaqë besojnë se ashtu, në formë statusi, mund ta përcjellin idenë e tyre më mirë, drejt një lexuesi të cilit gjithnjë e më tepër i mungon aftësia për t’u fokusuar në një tekst, përtej pak minutave. Por e bëjnë edhe ngaqë ata vetë e kanë bjerrë forcën mendore për të shkruar deri në fund një ese të formatit tradicional – duke e trajnuar tani mendimin e tyre që t’u përmbahet përmasave të një statusi.

Më në fund, këtu mbase vepron edhe një arsye e tretë, më e fshehtë, më tinzare, më alarmante – shumë nga kolegët e mi, dhe njëherazi shumë nga ata që deri dje artikuloheshin me analiza, opinione, ese dhe editoriale në faqet e mediave tradicionale dhe të revistave, tani nuk synojnë më të shfrytëzojnë atë që është virtyti kryesor i një teksti të shkuar: aftësia për t’i mbijetuar momentit. Madje ai virtyt sikur i tmerron.

Një tekst i shkruar dhe i botuar, në print ose në formatin digjital, dhe i vënë në dispozicion të lexuesit edhe për shumë kohë pas botimit u jep të gjithëve mundësinë për të komunikuar përtej kufijve dhe pengesave tradicionale të oralitetit, ose të një kulture që nuk e përdor shkrimin dhe leximin. Edhe për revistën që botoj, “Peizazhe të fjalës”, gjithnjë e më tepër mendoj se vlera e saj kulturore, në rrjedhë të viteve, vjen e zhvendoset nga aktualiteti tek arkivi; dhe se kjo vlerë tani shërben edhe si frymëzim dhe incentiv për çdo kontribut të ri në perspektivë. Dhe është pikërisht kjo mundësi që të jep teksti i shkruar, prej së cilës duket sikur heqin dorë të apasionuarit pas statuseve – ata duan të jenë pjesë e komunikimit publik, madje me spunto dhe argumente të vyera, por sikur nuk duan që ky aktivitet i tyre publik ta mbijetojë momentin. Duan të shkruajnë, por nuk duan që mendimi i tyre të lërë gjurmë; duke vendosur të heqin dorë nga ajo që e dallon shkrimin, si akt semiotik, nga të folurit – gjurma materiale, fizike, që i reziston kohës.

Kjo mosdashje (reluktancë) pajtohet mirë me frymën e kohës: edhe pse përfshirja në kulturë e teknologjisë së Internetit premtoi shumë për aksesin e përdoruesve në tekstet dhe arkivat, fakti është që sot fletushka obskure shqip, të fillimshekullit XX, janë më lehtësisht të përdorshme nga lexuesit anembanë, se gazetat dhe revistat e viteve 1990-2020, për të mos folur për arkivat e institucioneve publike, duke filluar nga ato më të lartat. Që nga momenti kur u bë e mundshme që arkivat publike të përdoreshin prej të gjithëve, një “dorë e padukshme” u kujdes për t’i zhbërë e zhdukur këto arkiva nga uebi. Ashtu unë mund të gjej dhe të lexoj lirisht online një kryeartikull të De Radës në një gazetë të gjysmës së shekullit XIX, por jo një kryeartikull të Ismail Kadaresë a të Aurel Plasarit, në një gazetë të Tiranës të fundit të shekullit XX.

Ende më tingëllon pak konspiracist shpjegimi se ky sabotim i atij funksioni esencial të tekstit të shkruar që është arkivimi dhe disponueshmëria për ripërdorim i detyrohet përpjekjes së përgjithshme, nga ana e elitave të sotme, për t’i shpëtuar asaj lloj përgjegjësie edhe morale edhe intelektuale, që vjen nga ballafaqimi i së sotmes me të shkuarën. Por, pavarësisht nga teoria a hipoteza që zgjedhim për të shpjeguar çfarë ka ndodhur e po ndodh, kjo prirje e përgjithshme për t’i bërë arkivat – ose më mirë Arkivin, si institucion themelor – të papërdorshme lidhet në shumë mënyra me analfabetizmin e ri funksional që ka sjellë masivizimi i Internetit, mediave sociale, dhe celularit; meqë i çel rrugën një shoqërie ku e kaluara mund të ekzistojë vetëm në formë mitike (madje të rrëfyer ad hoc), dhe e tashmja thjesht zëvendësohet dora-dorës nga një e tashme tjetër.

(vijon)

© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin