Te një ese botuar në Tema (A do të na shpëtojnë intelektualët?), Altin Gjeta argumenton se nuk mund të presim shumë prej intelektualëve në politikë, meqë këta (1) kanë prirje siç duket profesionale për t’u bërë pjesë e strukturave sunduese dhe (2) kanë prirje të qëndrojnë larg risqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. Veçanërisht në Shqipëri, thotë ai, kërkimi i shpëtimit tek intelektualët u bazuaka në premisa të gabuara, meqë “Shqipëria nuk ka një shtresë intelektuale gjenuine”, sa kohë që ka trashëguar “inteligjencën e regjimit komunist”, dhe nga ana tjetër, “ata profesionistë që prodhojnë mendim art dhe shkencë kanë zgjedhur të ikin apo të mos flasin”. Prandaj “intelektualët tanë janë pjesë e problemit”.
Meritë e këtij shkrimi është problemi që ngre; por jo shumë më tepër. Autori e merr si të dhënë primare “intelektualin”, edhe pse ky nuk është se lind i tillë dhe as emërohet ashtu nga pushteti – por ka nevojë për kushte të caktuara që të ekzistojë dhe të riprodhojë veten. Prandaj edhe duhet dhe pastaj mbajtur me kujdes parasysh një përkufizim i intelektualit që ta dallojë këtë edhe nga politikani, edhe nga profesionisti i dijes.
Nëse pranojmë tani – me marrëveshje – se intelektual është ai njeri i mësuar që prodhon mendim kritik në publik dhe i bën pyetje pushtetit, atëherë do të pranojmë edhe se shoqëria sot i ka reduktuar rrethanat ku intelektuali mund të shfaqet – meqë edhe mendimi kritik edhe pyetjet për pushtetin kanë nevojë për platforma, të cilat sot po bëhen përditë e më pak relevante (platforma të tilla ku, për shembull, mendimi kritik të mos ngatërrohet me “kriticizmin”). Përndryshe, nuk mund të quash platforma të mendimit intelektual talk show-t argëtuese dhe kohë-vrasëse që organizohen përnatë nga televizionet komerciale, dhe as mediat sociale si Facebook-u.
Ideja se intelektualët duhet të vijnë/të ftohen në pushtet qarkullon prej kohësh, por më shumë ngaqë e ushqejnë pushtetarët vetë; përndryshe, intelektualët do të kënaqeshin me pushtetin intelektual, nëse këtë e arrijnë dhe e mbajnë. Natyrisht, një post ministri ose drejtori nuk i shërben intelektualit, përveçse për t’iu shmangur përgjegjësisë para publikut të vet, edhe kur nuk i shërben për të blerë një shtëpi në Palasë; meqë nga politikanët, në çdo rast, është gjithnjë e udhës të kërkosh profesionalizëm dhe integritet moral, por jo ndriçime të mendjes.
Epokën e sotme, të paktën në Shqipëri, unë madje do ta quaja si anti-intelektuale, sa kohë që autoriteti i institucioneve të dijes, i shkencës vetë dhe i traditës mund të nëpërkëmbet nga çdo fantazist ambicioz, me talent populist. Lulëzimi i anti-dijes, nën maskën komike të antikonformizmit, ka efekt të dyfishtë, meqë jo vetëm ua lëkund statusin intelektualëve, por edhe i detyron këta që të vihen në mbrojtje të traditës, në vend që ta çojnë këtë përpara duke e marrë edhe në pyetje; dhe vini re se kjo nuk lidhet me atë që vijnë apo nuk vijnë në pushtet “intelektualët”, sepse këta nuk e ushtrojnë dot më vokacionin e tyre edhe pa qenë në pushtet, dhe jo më nga kolltuku i autoritetit administrativ, ku mezi do të gjenin fuqinë për t’u zhvendosur nga një gosti me mish te gostia tjetër me peshk.
Një pjesë e publikut sot konsideron “intelektualë” disa individë që marrin përsipër të flasin shpesh dhe mbarë e mbrapsht për gjëra “kombëtare”, të frymëzuar nga paranoja, mania e persekutimit dhe deliri i madhështisë; njerëz që, zakonisht pa ndonjë kredencial akademik, merren me historinë e gjuhës, me historinë dhe parahistorinë e popullit shqiptar dhe të kulturës së tij, me mbishkrimet e lashta dhe origjinat e popujve të Ballkanit, me gjuhën që fliste Homeri, me origjinën e grekëve e kështu me radhë. Të gjithë i njohim këta individë, që kujtojnë se po i kundërvihen dijes së vjetruar dhe të korruptuar duke vënë në vend padrejtësi të panumërta në kacafytje me agjenturat serbe, greke dhe ndonjëherë edhe bullgare (ose të paktën hiqen sikur), paçka se në fakt kërkojnë të ndikojnë në publik dhe, ndonjëri prej tyre, edhe ndërrim të establishmentit akademik. I sheh në televizione mbrëmjeve, edhe duke artikuluar absurditete të fuqishme, të cilat konsumohen lirisht nga shikues tashmë dihatës.
Edhe pse duken sikur, për nga pasioni dhe qasja, këta duan të vazhdojnë traditën iluministe të të Rilindjes kombëtare, në të vërtetë nuk janë veçse zombie, që vazhdojnë – me fantazitë dhe halucinacionet e tyre – beteja të kamotshme (si ato kundër Perandorisë Osmane, mundësisht për të rimarrë Konstandinopojën), duke “u përleshur” me zombiet e anës përtej, me te cilët janë në marrëdhënie transfuzioni reciprok. Me këmbënguljen e tyre gati prej insekti, e kanë shndërruar historinë kombëtare në një përrallë që tani prodhon mërzi, kur nuk prodhon ekstremizëm.
Që të jetë i pranishëm në sferën publike, intelektuali – ai i mirëfillti – nuk mjafton që të artikulohet, me shkrim a me gojë; ka nevojë edhe për një ekosistem, të cilin nuk e krijon dot ai vetë; dhe këtu e kam fjalën sidomos për tekste, artikulime dhe pozicione të së tjerëve, të cilat ai do t’i çojë më tej, do t’i kritikojë a do t’i hedhë poshtë, gjithnjë në dialog me to dhe autorët e tyre. Me fjalë të tjera, ka nevojë për një atmosferë dialogu intelektual të pandërprerë, e cila mbahet në këmbë me vullnetin e mirë të publikut, të mass mediave, të pushtetit dhe të operatorëve të kulturës. Edhe sot, kur dëgjon shumë që të ankohen se “nuk ka intelektualë”, në fakt ajo që mungon është atmosfera e nevojshme për lulëzimin dhe riprodhimin e diskursit dhe dialogut intelektual.
Për këtë arsye, një mënyrë tashmë e sprovuar për ta zhvlerësuar këtë diskurs dhe për ta shtyrë në periferi të vëmendjes publike është përmbytja e mass mediave nga ligjërimi politik dhe ligjëruesit përkatës, të cilët i gjen çdo mbrëmje, në kanalet kryesore TV, duke i folur njëri-tjetrit për të argëtuar publikun (“unë të dëgjova ty dhe nuk të ndërpreva, tani mos më ndërpre ti mua”), por pa përftuar as dije as vetëdije. Një varfëri e tillë e mendimit dhe e fjalës nuk ka ekzistuar as në totalitarizëm, ku shpesh ndrydhja e lirisë së fjalës publike kompensohej me artikulimin ndonjëherë mbresëlënës të ligjërimit privat dhe gjysmë-privat. Përkundrazi, banalizimi i sotëm i debateve dhe personalizimi i kundërvënieve shënjojnë katastrofën e mendimit origjinal, fjalës që guxon dhe argumentit që të grish edhe kur të sfidon. Në një kohë që në politikë demokracia është degraduar në numërim mekanik votash dhe diktaturën monotone dhe kaba të një pakice brenda shumicës, në sferën e ideve dhe të kulturës po u njihet haptazi primati masave me celular në dorë, që popullojnë sheshet e zhurmshme të rrjeteve sociale, prej të cilave pritet që të vendosin me votë për çështje të historisë, të gjuhësisë, të dijes e ndonjëherë edhe të shkencës (si vaksinat).
Por shumë nga ata që ankohen se nuk ka (më) intelektualë si dikur, në fakt janë duke kërkuar pavetëdijshëm dy figura të tjera, që tradicionalisht kanë udhëhequr mendjet e shqiptarëve: klerikun dhe mësuesin, si mishërime tipike të njeriut të mësuar. Edhe atë ndikim tradicional që kishin klerikët në jetën sociale, e humbën dora-dorës, gjatë viteve të totalitarizmit, për t’i hapur vend dhunshëm ndikimit të komisarëve dhe të agjitatorëve; ndërsa fati i hidhur i mësuesit, si personazh publik, do të vendosej pas 1990-ës, kur profesioni dhe prestigji i tij u deklasuan. Humbja e klerikëve dhe e mësuesve e la shoqërinë shqiptare intelektualisht jetime; dhe injeksionet nga jashtë, në formë grantesh dhe idesh, nuk kanë mjaftuar as mund të mjaftonin për t’i mbajtur në këmbë intelektualët; pa folur pastaj për litanitë e vampirëve të kombëtarizmit, që një natë u ngrysën poetë dhe u gdhinë të nesërmen ideologë.
Sot në rrafshin e epërm të shoqërisë shqiptare gjen ata që kanë vërtet pushtetin dhe paranë e madhe, përfshi edhe oligarkët dhe personazhet me lidhje të forta me botën kriminale, që nuk duan t’ia dinë as për intelekt as për intelektualë; ndërsa në rrafshin poshtë tij mblidhen viktimat e folklorit kombëtarist, të organizuar rreth kulteve me natyrë historike. Duke pasur sot pushteti politik natyrë populiste, të paktën në marrëdhënie me konstituencën e vet, çdo lloj veprimtarie mirëfilli intelektuale do të shihet vetvetiu si armiqësore, sa kohë që vë në dyshim mitet simpliste, të reja dhe të vjetra, rreth të cilave organizohet arsyeja patriotike; në një kohë që opozita, e cila në fakt shërben si një nga kolonat ku mbështetet pushteti, vrapon të përqafojë çdo lloj kauze kritike ndaj realitetit, me shpresë se mund ta përdorë kundër “qeverisë”.
Të vjen të besosh që sot në Shqipëri intelektualë nuk ka më – edhe pse ka dhe me siguri do të ketë njerëz të dijshëm e të urtë, me integritet moral dhe të gatshëm për t’i shërbyer publikut, që në rrethana normale do të funksiononin si intelektualë. Periudha fill pas përmbysjeve të vitit 1990, kur u duk sikur mendimi i lirë, intelektual, po i jepte tonin ligjërimit publik dhe po mundësonte një gjykim kritik gjithëpërfshirës të vetëdijes kombëtare është zëvendësuar tashmë nga një aktivizëm i llojit performativ, kur mendimit ia ka lënë vendin veprimi dhe debatit të argumentuar eventi televiziv argëtues; çfarë edhe ia hap rrugën fashizmit. Prandaj më kumbon në mendje Migjeni kur thotë se “Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme… …dhe askush s’mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka te re.”
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Leonardo.ai
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Faleminderit shumë për shkrimin Ardian!
Besoj se intelektuali i vërtetë nuk është thjesht profesionisti i fushës. Para së gjithash ai është vizionari që për shkak të të menduarit kritik ravijëzon të ardhmen dhe pikëzon objektiva dhe strategji.
Do të pëlqeja një vlerësim tuajin lidhur me përgjegjësitë publike të intelektualëve.
Konstatimi juaj gati disfatist “çfarë edhe ia hap rrugën fashizmit” në fund të shkrimit bashkëfajson në një farë mënyre sidomos intelektualët. Përse kaq vonë?! Nëse nuk kemi patur mjaftueshëm aftësinë për të parashikuar të ardhmen, duket se vërtetë nuk këmi patur intelektualë dhe në këtë kuadër konstatimi juaj “Të vjen të besosh që sot në Shqipëri intelektualë nuk ka më” duket si një përpjekje për ti shpëtuar fajësisë.
Ju falënderoj për fjalët e mira! Kam përshtypjen se shumësi që përdorim, “intelektualët”, mund të na japë iluzionin se bëhet fjalë për një a disa grupe të bashkërenduara, ose të paktën për një shtresë që e ka edhe një vetëdije kolektive, por nuk më duket se është kështu. Ka individë që veç e veç i plotësojnë kushtet minimale për të qenë intelektual, por që kjo nuk i shndërron në ndonjë shtresë e aq më pak në ndonjë grup të organizuar. Dhe kjo ndodh, për mua, ngaqë ne nuk e kemi traditën e organizimit sipas ideve, ose – edhe kur e bëjmë – korruptohemi shumë shpejt nga ambiciet politike ose nga dëshira për të “bërë diçka”. Nuk na e mbush syrin organizimi me qëllimin për të prodhuar, rafinuar dhe çuar përpara mendimin.
Po a duan intelektualët që të shpëtohen? E thënë ndryshe: a janë ata gati të bëjnë atë nuk bën këto 35 vite, pra të marrin përsipër përgjegjësinë për vendin dhe popullin? Çka do të thotë që të heqin dorë nga karriera te privati brenda dhe jashtë vendit, të kthehen në Shqipëri dhe t’i rikthehen sferës publike direkt ose indirekt – t’i hyjnë politikës dhe të punësohen në administratën shtetërore, ose me publicistikë dhe angazhim intelektual – dhe të ringrejnë shtetin shqiptar? Dyshoj se shumica e intelektualëve shqiptarë nuk dëgjojnë hiç nga ai vesh, hiq ndonjë përjashtim që vërteton rregullin. (A.V. është një i tillë me angazhimin e tij publik, Lubonja po ashtu, Klosi (RIP) ishte intelektuali publik par excellence. Pra të bëjnë atë që bën intelektualët shqiptarë të viteve ’30… mendo Dhimitër Paskon, mes shumë të tjerëve…)
Është kollaj të tregojmë me gisht hajvanët turbologë apo politikanët dhe zyrtarët e korruptuar që gëlojnë në logun publik shqiptar, apo kombëtarizmin vulgar – një murtajë që infekton dhe helmon çdo gjë dhe çdo njeri që i afrohet – por le të mos harrojmë që ishin intelektualët të parët që e braktisën agoranë publike pas 1990-ës, kur morën rrugët e emigracionit dhe zgjodhën karrierën private, si rruga më e shkurtër drejt mirëqënies dhe suksesit personal.
Madje është më shumë se kaq, sepse përçmimi i shtetit dhe i publikes në favor të individit dhe privates është ideologjia e kohës, pra fenomen global (ose të paktën perëndimor) dhe jo vetëm shqiptar. Është mënyra se si bëhen gjërat sot në botë: shteti, kombi, patriotizmi janë demode; tregu, biznesi, kozmopolitizmi janë idhujt e kohës sonë.
Kaq sa për fillim sepse, edhe sikur intelektualët shqiptarë papritmas të kapërcenin ylber – atë ideologjik dhe atë monetar – dhe t’i riktheheshin publikes, kjo sferë – agoraja – duhet të mirret në antagonizëm me ata që e kanë zaptuar tash tridhjetë e kusur vjet dhe s’kanë ndërmend ta lëshojnë pa luftuar, dhe jo të presin tu serviret në tabaka, me ndonjë post ministri apo drejtori apo te Akademia. Përndryshe përfundon si anëtarët e kabinetit të Ramës: u rrofshin diplomat perëndimore bashkë me takat e larta dhe rrobat firmato – ushtarë të Partisë, lakenj të Ramës!
Në vazhdim të komentit më sipër:
Kur intelektualët, vullnetarisht ose të detyruar, i qëndrojnë larg publikes – shtetit, politikës, publicistikës – sistemi nis të degjenerojë, mbetet në duart e militantëve dhe kokëtrashëve, dhe i vjen shpejt fundi. Kjo vlen në diktaturë, por vlen sidomos edhe në demokracinë liberale, pasi këtu intelektuali është i lirë të ndjek alternativa të tjera profesionale dhe private, përtej asaj publike, ose edhe duke u larguar fare nga vendi i vet. Në diktaturë, si intelektual, doje ti apo s’doje, ose do punoje për shtetin, ose do i bije kazmës (distancimi këtu është së brendshmi, shpirtëror, siç ndodhi edhe në Shqipëri me një pjesë të intelektualëve në vitet ’80).
Nëse në diktaturë intelektualët kishin të bënin me arbitraritetin e regjimit, në demokracinë liberale atyre u duhet të përballen me tekat dhe huqet e demos-it, të bashkuar nëpërmjet mediave televizive dhe sociale në “opinionin publik” dhe të armatosur me votën çdo katër a pesë vjet. Prandaj nuk është çudi fare kur shumë intelektualë zgjedhin karrierën private, para asaj publike, përveç arsyeve monetare dhe ideologjike, të cilat janë, në fakt, të konsiderueshme.
Në origjinën e sistemit liberal-demokratik, ideatorët e tij liberalë të shekullit të XIX kishin idealin që, në sistemin e ardhshëm, drejtimin e vendit dhe të punëve do e kishte një elitë e ndriçuar e shtresës së mesme të edukuar, përfaqësuesit e së cilës do zgjidheshin nga populli, pasi këtij t’i jepej e drejta e votës. Këta përfaqësues pastaj – në parlament, në qeveri, në administratë – do të vendosnin me diskurs, mbi bazën e arsyes dhe pa dhunë për fatet e vendit dhe të botës. Kështu teoria.
Në praktikë, punët shkuan krejt ndryshe. Historia dhe realiteti tregojnë që ky ideal liberal ishte më tepër një fata morgana, një utopi që nuk hodhi dot rrënjë asnjëherë për kohë të gjatë, hiq ndoshta tre dekadat e pas 1945-ës (edhe atëherë në kushte shumë specifike, pas dy katastrofave globale). Ideologjitë, interesat partiake dhe klasore bashkë me entropinë sociale u treguan më të forta. Një vështrim përreth mjafton për të parë atë që po ndodh sot me sistemin, jo vetëm në Shqipëri, por anembanë Perëndimit… Në vend të bëhej Shqipëria si Evropa, po bëhet Evropa si Shqipëria. (Amerika po se po, nuk po na lë gjë mangut!)
Për tu kthyer te tema e shkrimit dhe aty ku filluam: intelektualët as janë shpëtimi, as ka kush t’i shpëtojë, as duan të shpëtohen, madje as nuk mund të shpëtohen, kështu siç është bërë shoqëria sot.
[Ndjesë për pesimizmin, por gjërat janë kështu siç janë.]
Kjo puna me “INTELEKTUALET” me eshte dukur gjithmone si nje lloj “thirrje per ndihme ne shkretetire”. Mundohem te ndermendsoj periudha historike, apo kombe qe kane lulezuar nen “udheheqjen” e intelektualeve te shquar ose qe kane prosperuar se intelektualet nuk i linin kusur fjalimeve dhe librave dhe me vjen Atila, Xhenghiz Khani, Ivani i Tmershem, Mussolini, Hitleri, Lenini, Stalini, uuuu edhe Enveri me Saliun, pa le Edvini (ky i fundit intelektual i njohur i nën-urave te Parisit) dhe them per Zotin, pa intelektualet nuk behet kjo bote.
Shembujt që ke sjellë tregojnë – në më të mirin e rasteve – se intelektualët janë përdorur dhe do të përdoren prej pushtetit. Kjo nuk e përjashton që të përdoren për mirë, sepse nuk ka asgjë në esencën e intelektualit, që ta orientojë drejt së keqes. Po të marrësh sisteme dhe regjime që edhe sot admirohen, do të shohësh sa afër kanë bashkëpunuar me intelektualët – po marr vetëm Francën dhe shembullin e presidencave të De Gaulle-it dhe Mitterand-it, që i mbanin intelektualët pranë, për t’u këshilluar.
Do ishte më mirë sikur të kishim përcaktuar termat që në fillim. “Intelektual publik” thuhet për dikë atë që merret me qarkullimin e ideve në trekëndëshin ekspertizë, publicistikë dhe politikë. Ka edhe një tjetër, i ashtëquajturi “intelektual universal”, që, sipas Foucault, është ai “i kundërvendos pushtetit, despotizmit, arbitraritetit dhe arrogancës së pasurisë idealin e barazisë dhe drejtësisë universale”.
Termi i intelektualit universal ka qenë – dhe ndoshta është ende – i përhapur në Francë; në vende të tjera sot përdoret gjerësisht termi i intelektualit publik. Në komentin më lartë unë i jam referuar këtij të fundit, pasi intelektuali universal është term i ngarkuar ideologjikisht dhe polarizues, pra politik. Si i tillë, termi është gjithmonë relativ, në varësi të vlerave dhe sistemeve që ndryshojnë vazhdueshëm, bashkë me shoqëritë dhe epokat.
Intelektual publik, në të kundërt, është një term neutral dhe një intelektual i tillë mund të jetë edhe ai që vihet në shërbim të një tirani apo despoti – me vullnet të lirë ose i detyruar nga rrethanat -, përsa kohë dhe në atë masë që atij i lejohet, përveç ushtrimit të profesionit, edhe publicistika dhe politika (mendo, p.sh. Kadarenë e para ’90-ës, bashkë me shumë intelektualë të tjerë që me bindje apo nga halli u vunë në shërbim të sistemit të atëhershëm. Kjo nuk i bën ata më pak intelektual…)
Pastaj, prania aktive e intelektualëve në drejtimin e një sistemi, e zhvillon dhe e stabilizon atë, të paktën përkohësisht, por nuk mund të jetë garanci që vendi dhe sistemi do lulëzojnë përjetë. Ka forca të tjera më të mëdha për këtë: ekonomike, politike, sociale, të brendshme, të jashtme… Përndryshe, për një regjim pa intelektualë, kemi Kmerin e Kuq dhe Pol Pot-in e kobshëm, intelektualin antiintelektual të edukuar në Francë…
Sigurisht, Pushteti perdor gjithëçka, ca per mire, e ca per keq. Une kujtoj se, megjithate intelektualet, nëse nuk perdoren per mire, ose shperdorohen prej pushtetit (gje qe ndodh rendom) a kane mundesi, dhe sidomos a mund te kene force per te ndryshuar gjerat, pa iu kushtuar kjo ndonje gje te madhe, psh jeten. Pastaj, pa dyshim qe perdorimi per mire i intelektualeve nga pushteti eshte per t’u lavderuar dhe pershendetur, po nuk me duket se kjo perben ndonje merite te ketyre intelektualeve. E kam fjalen “perdorimi” si i tille, jo te mirat qe sjellin intelektualet si derivat i ketij perdorimi.
Të mos harrojmë që pushteti në Shqipëri ka arritur jo vetëm të “përdorë”, por edhe të përdhosë figurat më të njohura kombëtare. Kujtoj këtu Kadarenë dhe trajtimin tërësisht jodinjitoz të ceremonialit gati gati në zhbërje të figurës por edhe të vetë Skënnderbeut (skulptura e të cilit në qendër të Tiranës përdhoset duke u mbuluar gati përditë me karusel dhe improvizime të të gjitha llojeve).
Mendoj se në këtë rast nuk jemi duke folur thjesht për “intelektualin” që plotëson kushtin e “a very educated person who is interested in complicated ideas and enjoys studying and careful thinking” dhe që sigurisht ka intelektin e mjaftueshëm “the faculty of reasoning and understanding objectively, especially with regard to abstract matters”, por edhe për atë grusht intelektualësh që kanë aftësinë apo fatin të jenë publikisht të njohur.
Janë këta nga të cilët udhëheqësit shtetërorë zakonisht përfitues të politikave populiste të mashtrimit dhe gjithë makineria shtetërore friksohet dhe që duke mbrojtur parimet themelore të bashkëjetësës janë opozita e përherëshme e qeverisjes. Qeverisja gjithmonë tenton ta zhvlerësojë dhe mundësisht zhbëjë këtë lloj eliteopozitare e cila asnjëherë nuk zhduket thjesht për faktin se popullit i duhen mitet si modele të adhurueshme.
Pres që kjo elitë të dëshmojë thyerjen e parimeve kryesore të vazhdimësisë, sidomos kur kemi të bëjmë me errësim të perspektivave që mund të çojnë deri në zhbërje të shtetit dhe kombit.