(Nga F. Niçe te M. Kundera)
Ka filozofë që janë të vështirë për t’u kuptuar që në leximin e parë, madje edhe në të dytin apo të tretin. Por gjithnjë e më shpesh, më të pakuptueshëm më duken ata që përpiqen t’i shpjegojnë filozofët përmes bindjeve të tyre të forta personale. Edhe pse shmangin kritikat e drejtpërdrejta, shpesh harrojnë se filozofi nuk është fallxhor, se ai duhet gjykuar për atë që sjell në raport me kohën e tij.
Në raste të tilla, më pëlqen të përmend Talesin e Miletit, i cili, duke pohuar se gjithçka në univers përbëhej nga uji, gaboi në të gjithë linjën e tij filozofike. E megjithatë, ai mbahet si i pari filozof i traditës perëndimore, ishte ai që shkëputi mendimin nga besimet mitologjike dhe teologjike, duke na lënë mësimin e vyer se ndonjëherë, dikush ka të drejtë edhe kur gabon.
Filozofia evoluon në një mjedis të veçantë, madje të çuditshëm. Ndryshe nga shkencëtarët, të cilët i rimarrin idetë aty ku i kanë lënë të tjerët, filozofia shpesh nis nga e para. Filozofët kanë prirje të shkelin me këmbë paraardhësit, ndonjëherë edhe me sharje të forta. Mjafton të kujtojmë çfarë thoshte Shopenhaueri për Hegelin, edhe pse që të dy hodhën aq shumë dritë në botë.
Ndryshe nga sa duket, kjo nuk është domosdoshmërisht e keqe, pasi vërtet që disa filozofë janë potencialisht të rrezikshëm. Ka ndodhur që ide filozofike janë marrë si të mirëqena dhe janë zbatuar në praktikë, duke shkaktuar katastrofa për njerëzimin. Ne shqiptarët e njohim një histori të tillë, por zakonisht e gjykojmë në nivel politik e ekonomik, duke harruar se në origjinë ishte një sistem i tërë filozofik.
Marrëdhëniet e vështira të filozofëve shtrihen edhe me fqinjët e tyre, shkrimtarët, poetët, artistët. Platoni, për shembull, kërkonte që në shtetin e tij ideal të ndalohej vepra e të gjithë poetëve, duke filluar me Homerin e Sofokliun.
Megjithatë, nuk kanë munguar terrenet e mirëkuptimit. Filozofët gjithnjë kanë lakmuar format letrare, siç dëshmohet edhe nga dialogët e Platonit, të huazuar nga dramaturgët që ai do të donte t’i internonte. Edhe shkrimtarët nga ana e tyre janë intriguar nga mendimi filozofik.
Duke parë se F. Niçe është vënë në një farë mënyre në rrotën e torturave këtu midis nesh, po ndalem edhe unë tek ai, në marrëdhëniet e tij me letërsinë, një fushë me të cilën ndihem më afër. Më ka ndodhur që nuk arrija të kuptoja thelbin e një romani – më saktë, e kisha kuptuar aq sa shumica, jo më shumë – sepse thjesht nuk njihja mjaftueshëm disa ide të F. Niçes. (Ende nuk pretendoj se njoh tërësinë e veprës së tij.)
Kam parasysh romanin e shkëlqyer të Milan Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
Është interpretuar shpesh si histori marrëdhëniesh të ndërlikuara mes dy burrave dhe dy grave (Tomashit, Terezës, Sabinës, Francit), fati i të cilëve lidhet nga një zinxhir rastësish në sfondin e periudhës dramatike të Pranverës së Pragës. Është përmendur se trajton probleme të ekzistencës, por rrallë është thelluar analiza mbi këtë dimension.
Në të vërtetë, është një roman filozofik. Kundera shtron një nga pyetjet më të rëndësishme të filozofisë: atë të natyrës së ekzistencës sonë. A është ajo pafundësisht e lehtë apo pafundësisht e rëndë për t’u përballuar?
“Po çfarë vlere ka jeta, kur përsëritja e parë e saj është vetë jeta?” – pyet autori, duke shtyrë Tomashin të përsiasë se si do të ishte jeta nëse do të përsëritej një herë të dytë, të tretë, apo më shumë, qoftë edhe në një planet tjetër.
Shihet se këtu, nuk kemi të bëjmë me ndonjë ide origjinale të Kunderës. Jemi përballë mitit të “Kthimit të përjetshëm” të F. Niçes. Vetë Kundera, na e bën të qartë këtë që në rreshtat e parë të romanit duke thënë: “Kthimi i përjetshëm është një ide misterioze dhe F. Niçe me këtë ide ka vënë në siklet mjaft filozofë…”
Natyrisht, në veprën e tij ai nuk synon të sistematizojë idetë e Niçes, por t’i përdorë ato si instrument narrativ. Kthimi i përjetshëm është një ide e vjetër, që haset në besimtarinë primitive dhe lidhet me rilindjen (jo me ringjalljen që është tjetër gjë) e individit për të jetuar pafundësisht jetë të tjera.
Në gusht 1881 F. Niçe gjendej buzë një liqeni ta alpeve zvicerane kur ajo ide iu shfaq si vegim që e shtyu në një gjendje transi. Realisht ai duhet ta ketë njohur mirë edhe më parë, thonë biografët e tij, sepse ajo është formuluar nga një parasokratik si Herakliti, që Niçja e njeh si mentor të tijin, pa folur se është zhvilluar më pas edhe nga stoikët si ide e një cikli kozmik që përsëritet pa fund.
Por për të qëndruar në salcën e ndonjë diskutimi të mëparshëm, Niçe i orientuar thellësisht kundër vlerave të krishterimit, gjë që harrohet shpesh, me këtë “rikthim” merr në gjykim (midis të tjerash) edhe idenë e “lirisë së mendimit”. Është fjala për një koncept kristian të zhvilluar nga Shën Agustini me qëllimin e vetëm që të tregojë se Zoti nuk është përgjegjës i të këqijave që ndodhin në botë. Se ai u ka dhënë njerëzve lirinë e mendimit (nënkupto, edhe atë të veprimit), dhe me këtë ua faturon atyre vetë përgjegjësinë kur ata pyesin se përse Zoti lejon që në botë të ndodhë kjo apo ajo e keqe. Niçe përkundrazi propozon një përvojë tjetër, atë ku secili vlerëson e çmon çdo çast të jetës duke hedhur tutje peshën e vetëfajësimin të rrënjosur nga mëkati i origjinës, idenë se njeriu lind mëkatar…
Në “Dituria e hareshme”, aforizmi 314, Niçe shkruan: “ Ç’do të thoje ti nëse një ditë ose një natë një demon do të qasej tinëzisht në vetminë tënde dhe do të thoshte: kjo jetë siç e ke parë dhe siç e ke jetuar do të të duhet ta jetosh edhe një herë dhe shumë herë dhe ajo nuk do të të sjellë asgjë të re. Përkundrazi, çdo dhimbje, çdo kënaqësi, çdo mendim, çdo psherëtimë e gjithçka e vogël apo e madhe në jetën tënde do të përsëritet … Sa do të duhej ta doje veten tënde dhe jetën për të mos aspiruar asgjë tjetër përveçse t’i jepje miratimin tënd këtij kthimi të përjetshëm…”
Me këtë ai e sfidon lexuesin e tij të jetojë në mënyrë të tillë që të vlerësojë çdo çast të asaj që ka jetuar, sido qofshin ato. Për të jeta duhet jetuar dhe vlerësuar ashtu siç është, me çastet e mira e të këqija. Dhe mbi të gjitha pa ndjesinë e viktimizimit për shkak të mëkatit të origjinës.
Gjithsesi, nuk më del se Kundera është i interesuar për disa derivate që lë të nënkuptohet eseja në fjalë. Ai bën prerjen e tij diku më parë. Shkurt: nëse funksionon miti i kthimit të përjetshëm dhe gjithçka përsëritet pafundësisht atëherë veprimet e gjithkujt bëhen të një rëndese ekstreme. Ne do të mbajmë në pafundësi përgjegjësi për aktet tona. Në të kundërt, nëse ekzistenca jonë është një dhe e vetme dhe ne nuk kemi asnjë shans për ta rifilluar dhe korrigjuar gabimet atëherë jeta është krejt e lehtë, nuk ia vlen të merret seriozisht, asgjë në të nuk ka rëndësi. Siç thotë autori: A mund të dënojmë atë që është kalimtare?
Por nuk është kaq e thjeshtë. Dhe është përsëri F. Niçe që i shërben për të eksploruar tensionin e brendshëm midis lirisë dhe përgjegjësisë. Veçanërisht në linjën e një prej të dashurave të Tomashit, Sabinës. Në një çast të caktuar të jetës së saj ajo që ka mishëruar lehtësinë absolute të ekzistencës, dikur do të ndeshet me një boshllëk ekzistencial. E shtyrë pareshtur nga një dëshirë e thellë për të qenë e lirë ajo deri atë çast duket sikur e ka realizuar veten e saj duke joshur pareshtur burrat që has në jetë, të cilëve pastaj u largohet ashtu siç u qe afruar. Kështu ka ndodhur edhe me Francin që ka rënë në dashuri me të e që për të njëjtën arsye braktis gruan e fëmijët, për të zbuluar pastaj se Sabina e ka braktisur edhe atë vetë ashtu siç ka bënë me mjaft të tjerë.
Puna është se kjo tradhti e fundit nuk e kënaq shumë Sabinën sikundër ato të tjerat më parë. Këndej e tutje barra që peshon në jetën e saj e saj nuk vjen më si pasojë e të qëndruarit me një burrë të vetëm por nga ajo e një ekzistence të lehtë që është bërë e padurueshme, që tashmë i përqaset një jete bosh.
Duhet thënë se F. Niçe e propozon idenë e “kthimit të përjetshëm” si eksperiment mendimi dhe eksplorimi të qenies njerëzore (E quan edhe “Mendimi i kthimit të përjetshëm” dhe premton t’i kushtojë dhjetë vjet për të kuptuar nëse është e mundur të provohet nga ana shkencore.) M. Kundera nga ana e tij e analizon në laboratorin e tij letrar, por me të drejtë thuhet se vetë Niçe nuk do ta deshte një rikthim të tillë, në mos për gjë tjetër, të paktën për të mos parë më me sy motrën dhe nënën e tij, me të cilat shkonte shumë keq sidomos pas ngatërrimit të tyre në marrëdheniet e tij me Lou Salomenë.
E megjithatë, personazhet e Kunderës i vijnë rrotull një ideje të tillë, janë të tunduar prej saj e madje, sikur ia ndjejnë mungesën. E shohim një gjë të tillë në trajtën e dilemave të Tomashit, në një çast kur atij i kërkojnë të firmosë një dokument që shprehej kundër regjimit: “ Kemi një jetë të vetme dhe ne kurrë nuk mund të verifikojmë cili ishte vendimi i mirë a i keq sepse sido që të jetë ne nuk mund të vendosim veçse një herë. Nuk na jepet një jetë e dytë, një e tretë, një e katërt që të mund të krahasojmë vendimet e ndryshme. Edhe historia është sikundër jeta e një njeriu…
Pra shihet mirë se në origjinë të përsiatjeve të Kunderës janë variacione të ndryshme të ideve të F. Niçes. Por shpesh për Kunderën ato janë veç një pretekst për të shkuar më tutje. Ndërsa Tomashi kishte besuar se gjithçka e kishte ndërtuar siç kishte dashur vetë, se çdo gjë e shtrenjtë një jetë, ishte fryt refleksionesh të shëndosha, befas tek e sheh Terezën e tij duke kërcyer në krahët e një tjetri, kujtohet se ajo fare mirë mund të kishte rënë në dashuri me të, pra me një tjetër. Kupton se jeta që kishte ndërtuar ishte vetëm një nga mundësitë e shumta që ekzistonin, se asgjë nuk e predestinonte të ishte ashtu siç ishte. Dhe pushtohet nga ankthi se ajo lidhje që ai cilësonte si gjënë më të rëndësishme të jetës së tij, ishte një lodër e lehtë e rastësisë.
Më duhet të them se përgjithësisht nuk besoj se mund të nxirren mësime jete nga shkrimtarët, as nga filozofët. Por duhet pranuar se ata kanë aftësi të veçanta për të eksploruar realitetin sado që një realitet hipotetik, një realitet të tyrin. Edhe te një roman si ky, ku një filozof dhe një shkrimtar kanë përveshur mëngët për të na bërë më të kapshme natyrën e tensioneve të ekzistencës sonë e të kuptojmë se ajo përplaset pareshtur midis “lehtësisë së të qenit” dhe “rëndesës pa peshë të ekzistencës”, në një farë mënyrë nuk ka asgjë të re. Por tek vë në dukje në mënyrë të përsëritur rolin dhe praninë e gjithanshme të rastësisë, Kundera e shtyn arsyetimin e tij duke na thënë se barra më e madhe e njeriut është që ta paraqesë (dhe maskojë) rastësinë si fat të tijin, si predestinim, si diçka e llogaritur nga ai vetë se përndryshe është e vështirë ta jetosh jetën si një shumë rastësish që mund të mos ekzistonin apo që mund të shfaqeshin në mijëra mënyra të tjera.
Pa shkuar më tej, do të mjaftonte vetëm sjellja në kujtesën tonë të kësaj ideje për ta bërë këtë roman sa tërheqës aq edhe turbullues.
(c) 2025 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.