Shqipëria[i] herë si triko e shqepur e herë si gojë e shqyer për aq dekada të pas-Nëntëdhjetës më jepte një ndjesi vuajtjeje dhe trishtimi. Ishte dhimbshëm e varfër para atij viti shpotitës. Por ishte ende funksionale: fshati dhe qyteti, edhe pse zona gri që jepnin gëzime të vogla dhe halle të mëdha, punë të rënda e pa kuptim, jetonin pa çarje brenda natyrës së vet, shtëpitë mbaheshin, familjet mjerane funksiononin, thureshin ëndrra martesash të këqija a të ëmbla, pjelljesh e mbjelljesh të shëndetshme e dështake, uroheshin të sëmurët të shëroheshin, vdisnin ku e si e prisnin, gëzonin fëmijën deri dekikun e fundit, dihej ku qe kreu dhe bishti, nga rëndonte sëpata, si të ruheshe nga breshëri apo vapa, si t’i bëje derman mortit me varrezën jo aq larg pragut.
Pastaj lënda u shkërmoq me një shpejtësi që nuk dha kohë të mësoheshim me të renë. Jetonim në mjedisin material e social që e shquanim automatikisht, por që prodhonte skizofrenì, teksa trurin e kishim ende të shëndetshëm e që s’epej. Kjo ishte Shqipëria liminale, shumë përpara se gjithë bota të kthehej në këtë gjënë e sëmurë që shohim sot. Por liminaliteti ynë kish arsye krejt të ndryshme nga këto të përbotshmit sot, me një shpejtësi të marrë dhe sidomos pa as më të voglin shqetësim institucional për çfarë po përjetonin njerëzit. Humbëtira e Timo Fllokos ku do të vdisnim e s’do e merrte vesh njeri – në filmin “Ballë për ballë” – ishte një foshnje naive në shpërgënj mëndafshi, para asaj që u ra ta jetonin shqiptarëve në dekadën e pas 1990-ës. Unë isha larg, dhe sot përqendrohem në atë që përjetoja sa herë vija. Prekja jetët e shqiptarëve bërë thërrime lënë pas një darke që sakaq ish zhdukur si fantazmagorike. Njerëz të ikur, shtëpi të boshatisura, fshatra pa frymorë dy-a-katër-këmbësh, mendje ndarë 400-copash nga ankthet, pleq e plaka syçakërryer nga frikërat dhe uria, fëmijë të pasigurt që vinin në lëvizje funksione trunore që ende s’u ishin krijuar.
Shumë pak shokë të vjetër më kishin mbetur, shumica kishin ikur, njerëz e rrugë që ishin jeta ime ishin zhbërë, fëmijëria, rinia, shkolla, rritja, martesa, lindja, puna. Disa kishin vdekur… aq herët! Më shumë kishin ikur pa vdekur. Për ta kish vdekur ajo që patën lënë pas. Gjithçka ishte si e shqepur. Arnat e vjetra nuk mbanin më, e për to s’kujdesej kush. Ishin lënë të dukeshin pa dorën që i mbante dikur në vend. Ishin kthyer në shëmti pa funksion. Mënyra si e përjetoja Shqipërinë e boshatisur për aq vjet rresht, më bëhet në tru si rënie e lirë e qenies në një boshësi, atje ku në fakt prisje tokë të sigurt për të vënë këmbët.
Më krijonin hapësirë liminale shtëpitë e shumta dykatëshe të Tiranës së Vjetër që, si domino rreshtuar vertikalisht që të binin njëra pas tjetrës si për show që do prodhonte vota gënjeshtare, hapën barqet e tyre që ishim mësuar t’i ndienim të ngrohta, por që u shfaqën si zgavra të çmendura që na kallëzonin pa dert të përbrendshmet, javë pas jave, vit pas viti, derisa u tretën krejt. I kishim parë e ishim mësuar me ato të përbrendshme të shtëpive të vjetra – me qerpiç a me tulla – ishim rritur në vlagën e tyre të papastërt por të ngrohtë e të përditshme. I donim, se aty frymonim intimitetin tonë. Por, parë ajo brendësi nga jashtë, kur kalonim rrugëve të Tiranës dhe shihnim nga krisat gjigante të shembjeve të gjysma-shtëpive, lavamanë, bufe që ende kishin zbukurime nëpër xhama, portrete varur shtrembët nëpër mure të sajuara, shtresa boje rozë, ngjyrë bizel, blu të hapur, dhe ndonjë bojë pjepri – aq vjet e aq shtresa boje që amvisat e shtëpive (të dy palët, lodhur) patën zgjedhur me aq merak çdo pranverë, suva të rrënuara që vende vende ruanin ende gjurmë mataruar prej fëmijësh, njolla salce, soba të tipave të ndryshëm ende me tubat ku rrinin varëset rrezore ku thanim rrobat, abazhurë demode që ende mbulonin poça primitivë me dritë të verdhë tani pa jetë, karrige ku dikush ish ulur deri çastin e fundit kur shtëpia ish braktisur me gjithsej. Edhe një kalendar ende varur në mur kam parë një herë në atë rreze pamore mes trotuarit ku ecja dhe lejës së ndrojtur që më jepte të shihja, shtëpia e gjysma-shembur. Rrinte dhe priste pa shpresë aty, e patrazuar, si të mos kish pasur kurrë intensitetin krenar të eksperiencave e halleve tona që e banonim. Për t’u përdhunuar, kur t’i vinte radha, prej matrapikut a buldozerit banal; jo prej portokallit mekanik. Si u shpleksën e shfytyruan kaq paqëllimshëm e kaq pa rezistencë jetët që kujtonim se i kishim të qëndrueshme?! Si u bë gjithçka kaq e qulltë? Kaq pa trup? Kaq e ikshme? Nuk është thjesht një kalimtarì metaforike; ndihet thellë në kërthizë. Të ndryshon ditën.
***
Një tjetër Tiranë e Shqipëri kemi sot. Atdheu im është temë diskutimi me peshë të veçantë para çdo vere në Europë e Amerikë. Njerëzit shastisen; duan ta shohin. Aq e lirë, aq e virgjër! Ky duket si lajtmotiv burrash perversë, më shumë se urim dashamir turistësh. Një preditor mashkull do shtonte vetëm: “aq e njomë!” që të formonte triptikun seksist të traditës. Kur takoj grekë e serbë nëpër Ballkan, më thonë “Bravo, bravo ju shqiptarët! Po ecni përpara! Shumë e bukur, Tirana!”. Gazetarë të huaj, të paguar e të papaguar, diskutojnë me një lloj reverence entuziaste arkitekturën e Tiranës, duke përdorur shpesh shprehje fabrikuar e hedhur për konsum nga mjeshtër propagandistikë. Në palestër më qëllon stafeta dyshe (që e urrej, se dua të ushtrohem në qejfin tim) me një aziatike. Nuk e pata vënë re më parë. Kur mbaruam, po thoshim dy fjalë mirësjelljeje. “Je shqiptare? – u habit ajo. Kam qenë tri herë në Shqipëri, tha. Ka ca vjet ama, që kur isha në Taiwan, para se të nisja punën në Amerikë. Dua të shkoj prapë.” Po ato ditë, në një program radiofonik të quajtur “Democracy now”, një gazetar me emër dhe theks tipik amerikan raportonte për Shqipërinë dhe i shqiptonte toponimet Shëngjin dhe Gjadër ashtu si duhej (?!). Edi Rama argëton sqimtarët e Evropës politike me batuta e shaka tipike si ato të studentëve të fundit të viteve ’80, dhe ata gajasen me natyrën argëtuese “sui generis” që ofron kryeministri ynë, edhe pse Shqipërinë në klub s’e qasin. Në Itali, të thuash se je shqiptare, të respektojnë për më shumë se një arsye: kryesoret janë se kemi vende të bukura që i zunë në befasi italianët edhe pse i kishin pasur aty përherë, se këmbëhemi mes nesh kaq përzemërsisht për punëra e zbukurime dentare, se, më në fund, pas 100 vjetësh, italianët kuptuan se komunizmi shqiptar u krijoi atyre falas një kontigjent njerëzor krejt të dashuruar me Italinë dhe kulturën e saj, dhe se kemi një mafie për t’u respektuar. Dua Lipa njihet si shqiptare. Lea Ypi, po ashtu. Mira Murati pritet të njihet. Për pak thamë se fituam Eurovisionin 2025. Pra, gjërat kanë ndryshuar…
Por a janë dymbëdhjetë vjet qeveri socialiste, vërtet rilindja e atdheut tim? Pyetje e detyruar për hir të momentit politik të Shqipërisë këto ditë kur E. Rama sillet pak si Sulltan modern dhe bota e admiron në sulltanatin e vet. Për mua, jo. Tema që socialistët nuk durojnë dot t’ua prekësh është sidomos fakti që Shqipëria vazhdon të rrjedhë jashtë vendit, pa ia ditur hiç sa kate lartësohet Tirana e si do mbushet me banesa e resorte luksoze Sazani. Nuk do vazhdonin ende të iknin njerëzit pas 35 vjetësh rresht, nëse këta 13 të fundit do tregonin ndryshime sistemike, dhe jo thjesht patinimin masiv të sipërfaqeve të kombit. Shqiptari është mësuar të jetojë i tërhequr për hunde, edhe duke e ditur, por hunda i punon fort mirë dhe ikën kur nuhat që e mira s’ka sy për qabe. Për mua dy tipare të tjera themelore që dëshmojnë dështimin e një risie të vërtetë nisur këto, janë persistenca e korrupsionit që ka depërtuar në nivelet më të larta si edhe më të ulëta të shoqërisë, që socialistët ia dolën ta institucionalizojnë paq, dhe ta kanalizojnë në mënyrë të tillë që edhe të jetë veprues, edhe të jetë i mbrojtur. Nuk i ndan dot më kriminelët nga qeverisësit dhe biznesi në Shqipëri! Janë bërë një trup në riformësim të vazhdueshëm. Dëshmi janë qeverisësit dhe parlamentarët e korruptuar, që njerëzia e thjeshtë, çuditërisht, i njeh shumë më parë se sa kreu i qeverisë, dhe që para se të bien nga fiku, dhe që, edhe pas rënies nga fiku, vazhdojnë të bëjnë pjesë në një kategori të mbrojtur. Së dyti, janë shkollat dhe shkenca që në pjesë të konsiderueshme janë në nivel bashibozuk. Ku do përgatiten njerëzit që do i japin fund korrupsionit shqiptar?!
Nuk i them këto vetëm për ne – atë më-shumë-se-gjysmën që jemi përhapur si fara e lehtë që s’bie ku u poll, se e merr era. Por u referohem sidomos atyre që janë ende në Shqipëri. Tirana është bërë një qytet tipik i botës së katërt: luks e vertikalitet në qendrën si fasadë brutale, dhe fukarallëk përreth. As ekonomia as mentaliteti ynë s’kanë ndryshuar fort prej 1990. Shihini fragmentet dokumentare të videove prej asaj kohe, që të kujtoheni sa afër është. Shihni ata që enden jashtë Tiranës vitrinë, dhe nuk hapin dot asnjë derë e të hyjnë në brendësinë e Tiranës së huaj për ta. Tirana, pikërisht, e ka tëhuajëzuar të vetin. Elita, dhe e përdor termin në kuptim të zgjeruar, ka shanse të kontrolluara t’u kënaqet shijeve eklektike-postmoderne të konceptit arkitekturor dhe ekonomik të Tiranës së sotme. Një pjesë e emigrantëve, po ashtu, sepse fitojnë tjetërkund dhe vijnë të prishin për një kohë të shkurtër në Tiranë. Por kush tjetër? Prindërit e mi dhe motra ime, të gjithë me shkolla dhe me punë të mira e me idenë se “kanë lerë në qendër të Tiranës”, nuk kanë këllqe ekonomike t’i gëzohen dot asaj Tirane në të cilën kanë lindur. Nuk është as për ta, as për shumicën që s’ka kushte të jashtëzakonshme.
Më shumë mundet i huaji (sidomos ai i ftuar për arsye politike) të shijojë “qendrën”, zemrën e Tiranës, kullat e pakapshme të saj, se sa tiranasi vetë. Në këtë kuptim, emigranti përbën kontigjent perfekt zgjedhor për E. Ramën. Emigranti tipik sot e sheh Tiranën si resortin me të cilin jo vetëm ka një lidhje të veçantë, por edhe që e përballon më mirë se një tjetër, sepse edhe ia mban më mirë xhepi. Emigranti tipik vdes të vijë në Tiranë dhe të shohë si ka ndryshuar qendra që të gëzojë pikërisht të huajin dhe atë që hyn në Tiranë pasi e kyç trurin dhe do thjesht të argëtohet e të mos vrasë mendjen pasi hyn. Se minimalisht ta lësh trurin të lirë të mendojë, e kupton sa pa lidhje është ajo qendër futuriste me varfërinë e thellë të shqiptarit, kulturën e tij të djeshme e të sotme, sa tipike për botën e katërt (ku populli dhe parellinjtë funksionojnë të ndarë me thikë prej njëri-tjetrit) është qendra jonë, sa pa logjikë dashamire është projektuar, sa jo për njerëzit është ajo! Po ashtu, emigranti ka nevojë sedërlie të mburret nëpër botë me Shqipërinë. Atë lloj mburrjeje dhe sedre, E. Rama e ka përkëdhelur për bukuri e me sukses. Sidomos atje ku ka shumicë emigrantësh: Greqi, USA, Itali. Socialistët, nga një krah kanë “zbukuruar e lëmuar” gjithë sipërfaqet, nga tjetra kanë siguruar kontroll thuajse total të skenës politike dhe mediatike për ata që i shohin nga brenda (dhe ua numërojnë votat për kokë shtëpie, dhe atje ku s’ia dalin kështu, ua marrin me çmime të shkallëzuara sipas kokës dhe pazarit), si edhe nga jashtë Shqipërie.
Para pak ditësh, pas zgjedhjeve, unë u ankohesha gocave të mia, që Shqipëria duhet të kish ndryshuar për mirë në këto 12 vjet të socialistëve, dhe se forca të reja duhet të kishin dalë natyrshëm në skenë po të kish pasur ndryshim real. S’mundet ky vend të dalë prapë me Salën e mykur e të nxjerrë prej varri si Konstandin parodik, që të kryesojë opozitën! Por ka ndodhur e kundërta: socialistët thjesht kanë përforcuar kontrollin total në duart e veta, duke minimizuar e shuar me sukses çdo lloj opozite a force të lirë që mund t’u bëhej konkurruese në rrugën e pushtetit. Ime bijë më tha kështu pak a shumë: “Ajo që unë shoh e ndiej është se sot Shqipëria në botë është një vend që njerëzit e njohin, duan ta shohin, janë kuriozë, e identifikojnë me muzikë të mirë, natyrë të bukur, dhe një kryeministër sui generis sepse artist dhe të respektuar. Gjithë politikanët më të njohur të Evropës e adhurojnë dhe i vijnë vërdallë si ta kishin mik të vetin. Shqipëria për herë të parë është diçka joqesharake, mund të merret seriozisht, madje të admirohet. Kur ka qenë kështu më parë?! Të shkosh në Tiranë, ke qejf të shëtisësh në qendër, ke qejf të hash a pish diçka, të hapësh sytë përreth! A do ti që Shqipëria të hyjë në Europë?! Ajo hyn vetëm me socialistët, së paku sot për sot!” I thashë, i thashë, i thashë… sidomos se nuk janë këto të vetmet dy mundësi. Dhe se Europa është një klub politikanësh sipërfaqësorë që siç të begenisin edhe të hedhin në plehra, se është një spektakël pa bukë i gjithi, se asgjë e mirë dhe e qëndrueshme nuk u vjen shqiptarëve nga kjo farsë e organizuar jo pa mjeshtëri prej kryeministrit, ku si europianët si ata tanët luajnë pjesën. Se Shqipëria, ashtu siç është bërë, edhe mund të pëlqehet, por nuk është në dobi të shumicës së shqiptarëve që e jetojnë nga brenda, dhe se këtë lloj të hyre në Evropë, me hile e nga deriçka aspi-karalloi, me liderë që idhullizohen për karizma boshe dhe jo për sjellje racionale e ndryshim real, nuk e dua se s’ka bazë. Im shoq, në këtë pikë, është krejtësisht me time bijë, jo me mua. Vajza ime, tjetra, e vogla, kam idenë që e mendon pak si unë. Por s’më përkrah me zë. Familja më sheh si super-kritike dhe si njeri që do qiqra në hell. Unë besoj se e marrin më lehtshëm se unë, e njohin më pak situatën në Shqipëri, dhe preferojnë t’i rrinë Shqipërisë si turistë më shumë se si të vendit.
***
Unë vërtitem nëpër Tiranë si gjithnjë, gjej prapë ato vrima e zgëqe ku ka mbetur ndonjë kujtim i fshehur, pak plazhe e katunde ku era e marrisë politike s’i ka ndryshuar faqen ambientit me forma shfarosëse që pastaj janë betonizuar për të ngelur ashtu të prishura në përjetësi. Kam kërkesa reale dhe aspak të ekzagjeruara. Shoqe të miat, dikur të mënçura dhe rrebele, i shoh të bëjnë politikë partiake pesë-lekëshe. Duket sikur janë kthyer në pjesë të mjediseve dhe objekteve liminale të Tiranës perplekse, qenie mes njeriut dhe robotit militant, gruas së lirë krijuese dhe asaj zombeske që i shërben partisë pa kushte deri në pikën e fundit të gjakut. Janë të panjohshme kur punojnë, ç’u ka hyrë në bark, kush ua drejton trurin, duart, shpirtin agjitativ? Këndojnë në shesh jehona folklorike me pëllëmbë pas veshit, e thërrasin sa ngjirren për kryeministrin që na prin përpara me vizionin e vet perëndi-mor. Sa më shumë të bësh propagandë banale sy-xhamtë si Belinda Balluku, aq më shumë vota gjeneron, aq më shumë të do leaderi. Nuk u besoj dot syve e veshëve. E kuptoj që edhe kanë hall, sepse jetojnë në një vend ku fjala e lirë në politikën e lartë është thuajse po aq e pamundur sa qe dikur në kohë të Enverit. Po përse nuk gjetën mundësi ta shmangnin?! Mundeshin, kishin aftësi të tjera që të mos e shihnin politikën si fatalitet jete. Dhe prapë pyes veten: do doja më mirë vetëm Belindat dhe Elisat, apo tufën e burrave gdhë e kriminalë të Parlamentit tonë në politikën e këtij vendi?! Dhe prapë them se dëmi shoqëror i një njeriu të mençur e të ndershëm që hyn dhe përfaqëson një politikë të korruptuar ku droga dhe e ardhmja janë të pandashme, është më i madh se dëmi i politikanit injorant dhe kriminel. Sepse ky i fundit nuk e legjitimon dot politikën e krimit. I pari, po. I pari i jep kësaj politike pasaportën e normalizimit dhe e bën atë të zotërojë të ardhmen.
***
Ca nga brezi im i ikur e humbëm me dashje trenin që mori shqiptaria lokale. Kapëm një tren tjetër më të përgjegjshëm e reflektiv. Kur kthehet, endet në limbon e jo-rrugëve, jo-shtëpive, jo-dyqaneve, jo-parqeve, jo-prindërve, jo-teatrove. Qyteti im prej kohe është jo-qytet, një rruazë e re në vargun e ‘qyteteve të padukshme’ në imagjinatën time dhe disa të tjerëve. Qyteti real që tretet është njësh me qytetin që betonizohet. Që të ruajë këtë formë betoni përgjithnj! Ky shkrim u dedikohet atyre që e mendojnë (a më mirë e ndijojnë) si unë, brezit që A. Vehbiu në “Sende që nxirrte deti” e quan brez të cilit “rinia i qe mohuar” e që u identifikua “me gjakimin për të dalë nga kafazi”, një brez materialisht shumë i varfër dhe i pamundur, por që, “kushedi, moria e tabuve (ia) e ndezi flakë imagjinatën, për ta shndërruar në brezin më ëndërrimtar në historinë e shqiptarëve.”. Ende sot, e duam fort atdheun, dhe ashtu i rrimë ëndrrës: puthitur e puthur.
© 2025 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është sugjeruar nga autorja.
[i] Ky shkrim u nis para zgjedhjeve dhe përfundoi pas tyre. Sidoqoftë, autorja nuk kish asnjë dyshim as se cila forcë do fitonte zgjedhjet, as për rezultatin e thellë të fitores. Dhe nuk gjente arsye as pse të shpresonte në rezultate të caktuara. Fshati që duket!
Shkrim mallëngjyes.
Do të më pëlqente shumë të dija për ndjenjën e përgjegjësisë intelektuale duke analizuar shkaqet e kësaj gjendje që duket pa kthim.
Faleminderit shumë gjithsesi.
Opozita zgjedhjet i humbi (apo: “i humbi”?) edhe katër vite më parë, kur s’kishte në krye Salën e mykur, por Bashën tirons e hollandez njëherësh, modelin e liderit perëndimor, më Ramë se Rama për punë modernizmi, evropianizmi dhe amerikanizmi, për çka ne shqiptarët e sotëm vdesim që t’ia tregojmë Evropës dhe mbarë botës, ashtu si dje me marksizëm-leninizmin. Kompleksi i arrivistit ose i të fundmit të klasës.
Pastaj, Berishën zombi nuk ngriti ky vend, por amerikanët e Kimetes – militante në qëndrim, katundare në stil -, që e nxorrën nga varri dhe ua bën peshqesh shqiptarëve me non-grata-n e tyre. Shqiptarët Saliun e nxorrën në pension dhe e nisën në shtëpi, ku ai – për t’i dhënë hakun që i takon – i qëndroi larg politikës aktive për tetë vite rresht, derisa selia te Rruga e Elbasanit mori superxhiro dhe vendosi të bëjë tabula rassa me PD-në dhe Shqipërinë. (Tani Selia ka filluar të xhirojë në drejtimin e kundërt, prit kur t’i përvishën nesër trumpjanët Ramës sorosian…)
Megjithë respektin për zonjën Derhemi, shkrimi, që unë gjithsesi e vlerësoj për sinqeritetin dhe për gjuhën e gjallë, është politikisht në rrafshin e përshtypjeve të një turisti, edhe pse i shkruar nga një shqiptare.
Ps. Për Shqipërinë, ne të ikurit e viteve ’90, ndoshta jemi të gjithë turistë tani: turistë shqiptarë… (megjithë të drejtën e votës!)