Një kullë 85 metra e lartë, në formën e një busti të heroit kombëtar, po përfundon së ndërtuari në qendër të kryeqytetit; e projektuar nga studioja holandeze MVRDV, ndërtesa “e Skënderbeut”, e njohur edhe me emrin “Tirana’s ROCK”, po tërheq vëmendjen e publikut që pa u përuruar, për shkak të modifikimit dramatik – dhe për disa brutal – që ia bën pamjes së sheshit qëndror dhe sidomos për ikonizmin e saj të pazakontë.
Ndërtesa të tilla, që riprodhojnë të gjigantizuara trajtat e një koke a të një busti ndeshen relativisht rrallë, të paktën në kontekste të denja për vëmendje. Pa u ndalur këtu në konstruksione me synime publicitare ose për të tërhequr fëmijët dhe turistët, burimet enciklopedike përmendin ndonjë projekt të papërfunduar ose të braktisur, të ndërtesave në formë statujash a bustesh të Leninit, dhe ndërtesa të tjera eksperimentale (Robot Building, Bangkok dhe Dancing House në Pragë, e mbiquajtur “Fred and Ginger”, ngaqë u ngjan këtyre dy valltarëve). Më të shumta janë ndërtesat që u ngjajnë kafshëve, bimëve dhe sendeve – elefantëve, bretkosave, shportave, e kështu me radhë[1].
Natyra ikonike, reprezentacionale ose simbolike e këtyre projekteve nuk mjafton, për t’i klasifikuar së bashku; një pjesë e tyre funksionojnë si lodra ose shaka, për të tërhequr vëmendjen, duke i mëshuar aspektit spektakular të arkitekturës; një etiketë e përdorur nga kritika për kësi marifetesh është “billboard architecture”, sa kohë që ndërtesat vendosen në zona qendrore ose me qarkullim të lartë dhe përdoren për të përcjellë një mesazh. Në çdo rast, le të vërejmë një obsesion jo dhe aq të pafajshëm, për ta identifikuar arkitekturën e një ndërtese të rëndësishme me fasadën e saj, ose reduktimin e urbanistikës në skenografi.
Për nga impostimi ikonik, “Tirana’s ROCK” me gjasë i ndan disa ngjashmëri dhe ndjeshmëri me një projekt nga ARM Architecture në Melbourn të Australisë, të njohur edhe si “The William Barak Building”, një rrokaqiell rezidencial 31-34 katesh, që spikat për portretin kolosal të William Barak-ut, një personalitet kulturor aborigjinal i shekullit XIX. Ndryshe nga paraqitja skulpturore e kokës së Skënderbeut te kulla përkatëse në Tiranë, fytyra e Barak-ut te projekti i ARM-it është realizuar nëpërmjet modelimit 3D dhe pastaj riprodhimit në 406-411 panele të lakuara, të një fotoje të tij portret. Arkitektët kanë përdorur hijet e krijuara nga hapësirat negative të gdhendura në ballone, për të krijuar portretin. Ky efekt realizohet më mirë kur ndërtesa soditet nga një farë distance, si për t’i mëshuar natyrës “skenografike” të fasadës; përndryshe, konfigurimi i ballkoneve nuk luan ndonjë rol në funksionin e ndërtesës si kompleks rezidencial dhe mund të interpretohet edhe ai si ornamental. Ngjashëm me Skënderbeun, edhe ndërtesa në Melbourn i referohet një personaliteti historik; por trashëgimia e Barak-ut është më komplekse dhe i përket një konteksti më problematik, meqë atje hyjnë në lojë dinamika koloniale dhe post-koloniale.
Një kritikë që mund t’i bëhet projektit “Tirana’s ROCK” – dhe që ndoshta i është bërë – është se kulla nuk komunikon mirë as me kullat e tjera që ka (dhe që do të ketë rrotull), dhe as me traditën urbane të Tiranës – si qytet dhe si kryeqytet. Nuk ka asgjë, në dizajnin e saj, që të sugjerojë se ky objekt duhej të vendosej në Tiranë dhe, të themi, në Kuala-Lumpur, me përjashtim të ikonizmit skënderbeas, që nuk ka natyrë arkitektonike (sepse atë lloj përkatësie mund ta shprehë njeriu edhe duke varur një flamur shqiptar, ose duke vendosur një poster të tipit “mirë se erdhët në Tiranë!”). Tirana si qytet ka një traditë të vetën, sado e padëshiruar të jetë kjo për disa segmenteve të elitave të sotme; pjesë e kësaj tradite është edhe bashkëjetesa e ndikimeve kulturore të ndryshme, por jo fshirja (erasure) reciproke, qoftë kjo edhe në emër të nation-branding.
Kam folur edhe gjetiu për mospërputhjen, ndonjëherë dramatike, të identitetit urban të Tiranës qytet, me identitetin urban të Tiranës kryeqytet – këtë të fundit e kanë modifikuar elitat në pushtet sipas dëshirës, duke e mbrujtur me elemente më parë të arkitekturës neoklasiciste racionaliste italiane (që e quajnë ndonjëherë, jo dhe aq saktë, “arkitekturë fashiste”), pastaj me elemente të kulturës sovjetike dhe më në fund me produkte sinkretike të shkollës arkitektonike autarkike shqiptare të viteve 1970-1980, shpesh të llojit brutalist. Kullat e reja që po i shtohen Tiranës këto dekada nuk duan të komunikojnë me këto tradita; ato synojnë edhe të krijojnë me arrogancë kontekstin e tyre individual, edhe të projektojnë me po aq arrogancë estetikën e tyre, nëpërmjet një qasjeje që do ta quaja solipsiste. Ashtu mund të fitojnë çmime ndërkombëtare dhe të lëvdohen në forumet e arkitektëve, por e pështjellojnë përjetimin e Tiranës qytet nga banorët e vet. E kotë të shtoj që raporti i tyre me historinë dhe traditën kulturore kombëtare është zero, megjithë pretendimin për të tërhequr turistët dhe për t’u imponuar si fytyra e re që i tregon Shqipëria botës; dëshira e tyre nuk është ta pasurojnë përjetimin kolektiv të Tiranës me elemente të reja, por të zëvendësojnë një përjetim me një tjetër, duke u konstituuar si një lloj ambicieje utopike, me ngjyrim sovjetik. Vendësit e ndiejnë dhe e kuptojnë se ndërtesa të tilla nuk plotësojnë nevojat e tyre dhe as ndihmojnë për ta bërë më organike dhe funksionale Tiranën e së ardhmes; synimi i tyre, përfshi këtu edhe “Tirana’s ROCK” dhe “Downtown One” është të shërbejnë si sfond për selfie-t e turistëve, duke ua refuzuar banorëve të paktën disa zona të qendrës, për t’i shndërruar në atraksione të konsumueshme nga turistët.[2]
Për “ndërtesën e Skënderbeut” mund të thuhet se ikonizmi i saj nuk ka lidhje as me funksionimin e saj si makinë për t’u banuar (“machine-à-habiter”, Le Corbusier); në kuptimin që, nga pikëpamja mirëfilli arkitektonike-funksionale, forma e ndërtesës në trajtë të kokës së Skënderbeut nuk luan asnjë rol; prandaj edhe është e homologueshme me ornamentin. Duke i dhënë përparësi figurativitetit, “Shkëmbi i Tiranës” përmbush një funksion simbolik të paktën të dyfishtë – duke përfaqësuar heroin kombëtar në përmasa gjigande dhe në zemër të Tiranës, por edhe, njëherazi, për të tërhequr vëmendjen e turistëve, veçanërisht në kontekstin e vëmendjes institucionale publike për këtë lloj aktiviteti ekonomik dhe kulturor.
Vlejnë për të kritikat që janë bërë për projekte arkitektonike të ngjashme – që nga mungesa e harmonizimit në kontekst, përfshi këtu kulturën lokale dhe indin urban të sheshit, dje dhe sot; te kitsch-i kulturor në kufi të infantilizimit të publikut, që nuk ka nevojë të shohë ndërtesa-skulpturore gjigande të Skënderbeut në qendër të qytetit, me gjasë edhe te kostot e larta të mirëmbajtjes. Qartazi kjo prani do t’u shërbejë kulturorisht më shumë turistëve se banorëve të kryeqytetit, duke e shndërruar qendrën në një version të një parku tematik të “Shqipërisë”, nëpërmjet spektakularizimit të historisë; duke pasur këtu parasysh edhe përdorimin që pritet t’i bëhet ndërtesës në selfie dhe materiale të tjera komerciale.
Përveçse rimerr në trajta infantile një simbol kulturor jo vetëm tejet të njohur, por edhe të konsumuar rëndë nga qytetarët, “ndërtesa e Skënderbeut” krijon edhe një problem të natyrës simbolike, meqë ngrihet në një hapësirë e cila i ishte referuar tashmë heroit kombëtar dy herë: nëpërmjet emrit të sheshit (“Skënderbeg”) dikur në vitet 1930 dhe statujës ekuestre që ngrihet në atë shesh që prej vitit 1968. Kjo dendësi e papërligjur e referencave simbolike ndaj Skënderbeut – një lideri politik dhe ushtarak me rëndësi të madhe për idenë kombëtare, por pa ndonjë lidhje historike të drejtpërdrejtë me Tiranën – sjell një efekt paradoksal, duke e anonimizuar impaktin total. Edhe forma e ndërtesës, sado e plazmuar me elegancë dhe hijeshi, i ngjan jo aq Skënderbeut siç mund të ketë qenë, sa paraqitjeve të tij në skulpturën shqiptare realiste, tejet deklarative, të shekullit XX, duke filluar nga busti i Skënderbeut i Odhise Paskalit, që u vendos në Kukës në vitin 1939; çfarë i hap rrugën interpretimit logjik se kjo ndërtesë, “Shkëmbi i Tiranës”, sjell me vete krejt narrativën historike dhe ideologjike të Skënderbeut siç u përpunua nga historiografia më parë kombëtariste (Noli) dhe pastaj totalitare. Mos më lini të gaboj, por ikonizimi i Skënderbeut, brenda këtij arti në thelb kremtues dhe populist, nuk ka shumë lidhje figurative as me portretet e Skënderbeut që janë trashëguar nga periudha e Rilindjes Europiane; prandaj edhe koka e heroit, e riprodhuar nga ndërtesa, përfaqëson drejtpërdrejt mitin e Skënderbeut.
Nëse ky interpretim qëndron, atëherë ndërtesa i referohet, në mënyrë simbolike, edhe vetë statujës ekuestre të Skënderbeut në afërsi, duke i dhënë kësaj më shumë autenticitet se ç’ka pasur deri dje.
Studioja MVRDV ka ndërtuar edhe një landmark tjetër në Tiranë – kullën e njohur si Downtown One, ku spikat një reliev në fasadë, që paraqet një hartë të pikseluar të Shqipërisë, të cilën bashkë-themeluesi i studios, Winy Maas, ka sugjeruar që të këqyret si një “vertical country”. Ideja pas kësaj zgjidhjeje të pazakontë është se forma e hartës së një shteti, produkt aksidental padrejtësish e bullizmash politike, dhe negociatash mes ushtarakëve, demografëve dhe kartografëve, të shërbejë si suport vizual simbolik për ndjenjën komëbëtare; çfarë edhe mbase pajtohet me një vizion territorial të kombit, të njësuar me shtrirjen e vet hapësinore. Silueta e hartës së Shqipërisë kërkon të ri-territoralizojë një ide kombëtare tashmë të virtualizuar në rrjetet sociale dhe në Internet, duke i shkelur syrin edhe një versioni të pasaktë të autoktonisë[3]. Efekti i kësaj ndërtese është edhe ai kitsch, sepse imazhi i hartës së Shqipërisë nuk e ka dhe as mund ta ketë thellësinë që i lypet një simboli kombëtar; dhe nuk është aq ikonë e idesë së Shqipërisë, sa ç’është simbol i fjalës “Shqipëri”, si emër i një territori dy-përmasor.
Nga ana tjetër, të dy ndërtesat – “Downtown One” dhe “Tirana’s ROCK” – falë pretendimeve të tyre skulpturore-figurative, risjellin në urbanistikën e Tiranës temën e gjigantizmit skulpturor (në kuadrin e gjigantomanisë), karakteristike për artin dhe propagandën totalitare, veçanërisht në vende të pazhvilluara dhe me kulturë estetike infantile. Natyrisht, një skulpturë nuk ka nevojë të jetë e madhe, për të qenë madhështore a për t’iu referuar një personi a ngjajeje historikisht të rëndësishme. Në Bashkimin Sovjetik, por edhe në Italinë e Mussolini-t, Gjermaninë Naziste dhe Kinën e Mao-s, gjigantizmi dhe monumentalizmi në veprat e artit publike lidhej drejtpërdrejt me ambiciet utopike të liderëve dhe megalomaninë ideologjike. Mund të supozohet – në këtë rast – se projekte të tilla arkitektonike funksionojnë sipas një kodimi të dyfishtë (double coding, term i Charles Jenck), duke tërhequr sipërfaqësisht vëmendjen e turistëve me fasadën e pazakonshme dhe, njëherazi, duke mishëruar madhështinë kombëtariste, tashmë të shndërruar në megalomani.[4] Le të themi se kjo lloj arkitekture e rekruton kombëtarizmin shqiptar për ta vënë në shërbim të turizmit – komercial, por i lidhur ngushtë me imazhin e Shqipërisë në botë. Edhe pse tre referencat ndaj Skënderbeut, në hapësirën relativisht të vogël të sheshit qendror të Tiranës, nuk u ngjajnë zgjidhjeve arkitektonike ikoniste (mimetike) të Las Vegas-it – sa për të sjellë një shembull – meqë duan t’i rrinë larg vulgaritetit të këtij të fundit, sërish efekti kakofonik në kontekstin urban nuk mund të shmanget, dhe as kitsch-i.
Një pyetje me rëndësi për argumentin është si do të reagojë publiku ndaj këtij eksperimenti edhe arkitektonik, edhe urbanistik – as i pari dhe as i fundit që ndodh në Tiranë, gjithë duke pasur parasysh se nuk ka vetëm një publik por disa, sepse qytetarët janë njëra palë, por pastaj janë edhe pushtetarët dhe banorët ekskluzivë të Tiranës “kryeqytet”, të cilët duan të nxitin me forcë turizmin kudo në Shqipëri, dhe më në fund vizitorët dhe turistët vetë, të cilët pritet që të tërhiqen pas ndërtesës dhe ta përdorin këtë për të ndërtuar eksperiencat dhe selfie-t e tyre. Mund të merret me mend se tiranasit (pa shkuar deri te tironsit) nuk do ta pëlqejnë këtë shtesë kaq dramatike në skenën teatrale të qendrës, edhe pse te ne nuk ekziston ndonjë traditë e këshillimit të pushtetarëve qendrorë dhe lokalë me vendësit, për projekte të tilla, siç u dëshmua edhe me rastin e prishjes së selisë së Teatrit Kombëtar para pak vjetësh; dhe se nuk pritej që rezistenca, kritika ose edhe revolta e qytetarëve ta pengonte projektin, sikundër nuk ka penguar projekte të ngjashme. Duket sikur ka segmente të pushtetit që nuk pyesin njeri, kur vjen puna për modifikime urbane të kësaj mase dhe amplitude.
Nga ana tjetër, siç e kanë provuar edhe reagimet qytetare ndaj projekteve të ngjashme, p.sh. atij të Shkupit (“Skopje 2014”), qytetarët mund ta mirëpresin një kullë me fytyrën e Skënderbeut, në qendër të Tiranës; dhe kitsch-i që preokupon elitat kulturore mund të mirëpritet nga “masa”. E kam shkruar edhe gjetiu, që brezi i ri që tani rritet në Tiranën e kullave dhe të eksperimenteve arkitektonike e përjeton qytetin e vet ndryshe nga, të them, brezi im, i cili gjithnjë do ta krahasojë me Tiranën e, të themi, 40-50 vjetëve më parë; dhe do të ambientohet menjëherë me konfigurimin e ri të qendrës, aq më tepër në mungesë të një diskursi kritik, në mediat dhe në shtypin e specializuar, që e problematizon këtë lloj vizioni që po i imponohet qytetit.
Prandaj edhe shqetësimi i vërtetë nuk është reagimi real i qytetarëve ose refuzimi potencial prej tyre; por efekti që ndërtesa dhe vizione të tilla kanë në psikologjinë e banorëve të qytetit dhe që lidhet, në analizë të fundit, me përdorimin që këta do t’u bëjnë ndërtesave të reja dhe marrëdhëniet që këto vendosin mes tyre dhe pjesën tjetër të qytetit. Dhe pikërisht, pyetja se cila do të jetë vetëdija qytetare e komuniteteve në një Tiranë të sunduar nga kjo lloj estetike dhe filozofie arkitektonike dhe urbane. Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet përgjigje këtu; e shumta, le të pranojmë që ajo përgjigje do të materializohet herët a vonë në realitetin social të Tiranës, edhe sikur të shpërfillet nga diskurset dhe debatet publike.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Disa prej këtyre mund të shihen këtu dhe këtu. Falënderoj Mamica Burdën dhe Marson Korbin, të cilët më orientuan në këtë fushë kryesisht kuriozitetesh të arkitekturës anembanë botës dhe më këshilluan literaturë.
[2] Lexuesit të informuar nuk do t’i kenë shpëtuar disa paralele dhe ngjashmëri mes këtyre “zhvillimeve” në Tiranë dhe projektit “Skopje 2014”, që – sipas gazetës The Guardian, e bëri Shkupin “kryeqytetin e ri europian të kitsch-it”ose, sipas CNN-it, e shndërroi në një “park tematik”. Për uebsajtin “Failed architecture”, plastika urbane në Shkup i ka alienuar qytetarët vendës, të cilët ose nuk i frekuentojnë më zonat e prekura nga ky furor kulturor kaq ambicioz, ose i këqyrin si “të huaja”, dhe i vizitojnë si të ishin edhe ata një lloj turisti.
[3] Paradoksalisht, konturet e hartës aktuale të Shqipërisë, siç riprodhohen në gjithfarë posterësh dhe produktesh të dizajnit grafik, mund të shërbejnë vetëm për të risjellë në vëmendje arbitraritetin e vizatimit të kufijve dhe dhunës që iu bë territoreve të banuara kryesisht nga shqiptarë etnikë, kur këta kufij u vendosën dhe u miratuan nga fuqitë e mëdha. Mjaft të kujtoj këtu se qytetet kryesore të Veriut, me përjashtim të Shkodrës, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë “londineze”, një lëndim nga i cili vetëdija historike dhe kulturore kombëtare nuk e mori dot veten dhe nuk e ka marrë ende.
[4] Ky interpretim imi nuk përkon me shpjegimin konvencional të “double coding”, edhe pse projektet e studios MVRDV në Tiranë mund të shquhen edhe për virtytet e tyre mirëfilli arkitektonike dhe inxhinierike, të dallueshme nga profesionistët e fushës, por jo për mua.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Koka në beton e Skënderbeut më ngjan me ato kokat gjigante të gurit në Ishullin e Pashkëve, tutje në Pacifik. Vetulla të trasha, pamje e ngrysët, hije të rëndë – vetëm dimensionet na e prishin pak analogjinë: kjo koka jonë është më vigane. Megakokë in Tirana City.
Ndërsa me numra na e kalojnë paq ato të ishullit. Me dhjetra e qindra kokë aty, një të vetme ne këtu. Prandaj, çka nisëm me Skënderbeun, le ta vazhdojmë me të tjerët: Ismail Qemalin, Ali Vezirin, Nolin, Boletinin, Ramën, Salën, Metën – kaq sa për të hapur tenderin e kokave, se propozimet nuk janë kurrsesi shteruese dhe lista është e hapur (si listat e zgjdhjeve).
Një ansambël kokash betoni për qendrën e Tiranës – an open air heads gallery – ja një ide për turizmin shqiptar!
[Ishulli i Pashkëve është i njohur edhe për diçka tjetër, por le të mos prishim humorin tani…]
Diskutimet per arkitetkturen jane pergjithesisht elitare ,perqendrohen rreth qendres se Tiranes ne aksin urbanistik qe na lane itslianet .Askund nuk lexoj ne shtypin shqiptar se c’behet me zonat ku jeton mileti i thjeshte ,psh Ali Demin,Varrin e Bamit ,Kombinatin etj te cilat mesa shikoj ne google earth jane te njejtat sketerra betoni te kohes se Dulles,qe jane thjesht fjetore gjigande ne pallate shumica te amortizuara qe Zoti e di se si qendrojne hala ne kembe e pa ambientet e nevojshme urbanistike qe e bejne qytetin qytet .
Për të kuptuar shkatërrimin urban të Tiranës, ju lutem shikoni në të njëjtën shkallë në Google Maps hartën satelitore të Tiranës dhe pastaj të kryeqyteteve të rajonit (Shkupin, Beogradin deri tek Kishinau, po të doni)
Harta e Tiranës është e gjitha në ngjyrë kafe dhe gjelberimi i vetëm duket Parku i Liqenit (që po zvogëlohet dita ditës).