GËZUAR VITIN E RI 2022

Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

E kaluam edhe një vit tjetër, nën shenjën e COVID-it dhe të pellgëzimit të përgjithshëm, përfshi atë të ideve; paçka se duam të besojmë që, si revistë, kemi vijuar të prodhojmë cilësi dhe të ofrojmë alternativa për të gjithë ata që nuk duan, dhe as do të jenë kurrë gati ta hanë sapunin për djathë. Kemi arritur, aq sa kemi arritur, me ndihmën tuaj, me mbështetjen tuaj edhe materiale, me solidaritetin tuaj. E fundit që na shkon në mendje është se drita në “Peizazhe të fjalës” ka mbetur ndezur thjesht për inerci; dhe se përpjekja jonë shumëvjeçare tashmë e ka më të lehtë të përsëritë veten. Përkundrazi, e ndiejmë se ka një nevojë specifike për ne, por edhe e krijojmë atë nevojë, duke stimuluar mendjet.

Megjithë vështirësitë nga pandemia, këtë vit ia dolëm të qëndrojmë relativisht gjatë në Tiranë dhe të angazhohemi në aktivitete kulturore të valencës së lartë, siç ishte biseda për “Muzetë e Sirtarëve” në mjediset e Akademisë së Shkencave, që u përcoll pastaj  dhe në emisionin Artes ne RTSH; dhe biseda për “Tekstet si harta të qytetit”, në BERK, në kuadrin e Jane Jacobs’ Walk Tirana, që shërbeu si shkas për të nisur debate të reja dhe vazhduar të tjera që i kemi hapur tashmë në revistë.

Ndërkohë, debate të gjera për historinë dhe albanologjinë, me pjesëmarrjen edhe të autoriteteve akademike dhe universitare më në zë të fushës, konfirmuan se “Peizazhe të fjalës” i përshtatet këtij misioni, duke zënë një vend strategjikisht të ndërmjetëm mes mediave divulgative dhe atyre mirëfilli shkencore, të tillë që edhe të afrojë lexuesin e vet me dijen solide, përballë edhe rrezikut që vjen nga sharlatanët, demagogët dhe fallxhorët e ekraneve e të rrjeteve sociale; por edhe nga skllevërit e statu quo-së dhe rojtarët e hierarkive të fosilizuara.

Teksa disa shkrime për historinë e muzikës si pjesë e historisë së kulturës rezultuan nga më të lexuarit e vitit, hapësirë të gjerë vendosëm t’i japim kritikës për kritikën, në rrethanat kur kultura shqip pa kritikë po bën në vend numëro dhe i është dorëzuar performativit të qokave; por edhe librit shqip, madje edhe duke rrezikuar një lloj zhbalancimi tematik të revistës.

Në 2022 duam të festojmë 15-vjetorin e revistës me miqtë dhe dashamirësit në Tiranë, duke bërë bashkë lexuesit dhe bashkëpunëtorët; por edhe duke planëzuar për të ardhmen, gjithnjë me shpresë se më shumë nga ju do të ndihen pjesë e projektit tonë. Tek e fundit, pesëmbëdhjetë vjet për ne nuk janë pak, sidomos ngaqë revista ka kërkuar dhe kërkon vëmendje të përditshme, për t’ia ruajtur cilësinë dhe prestigjin dhe për ta mbajtur po aq të freskët sa ç’ishte në verën e 2007-ës, kur e hapëm si blog.

Kemi ndërmend t’ju ftojmë edhe ju, për t’i përshkuar mendërisht këta vjet dhe për të reflektuar rreth rrugëtimit tonë të përbashkët. Që “Peizazhe të fjalës” është ende aktive dhe gëzon shëndet, kjo nuk mund të merret si e mirëqenë, por as edhe duhet parë revista si një mur që u ka qëndruar dallgëve të kohës. Në këtë perspektivë, 375 shkrimet e botuara gjatë vitit 2021 janë vetëm një pjesë e vogël e pasurisë që kujdesemi të vëmë çdo ditë në dispozicionin tuaj. Në vazhdim do të gjeni një listë të titujve më të lexuar gjatë këtij viti, që nuk janë detyrimisht më të mirët.

Deri më sot, Peizazhe të fjalës nuk ka marrë fonde dhe mbështetje institucionale, por ka mbijetuar me përpjekjet e grupit të përkushtuar editorial, sikurse edhe falë ndihmës bujare të një numri miqsh e dashamirës, të cilët janë po aq bashkudhëtarë me ne sa edhe autorët. Me këtë rast duam t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuuar bujarisht, duke mbajtur gjallë modelin e dhurimit.

Gëzuar Vitin e Ri 2022: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që e urojmë të jetë produktiv, i lirë, i shëndetshëm dhe i mbarë.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Peizazhe të fjalës

 

 

NJË ZË PËRTEJ EULOGJISË – Mikaela Minga
GORANI NË KORÇË – Ardian Vehbiu
FEMRAT E PAMORALSHME TË KADARESË – Eda Derhemi
ZONJAT E VOGLA TË LETËRSISË SHQIPE (II) – Eda Derhemi
ZHGËNJIMI I PELLAZGËVE – Ardian Vehbiu
GEGNISHTJA: SI TA SHKRUASH – Ardian Vehbiu
TË PATHËNAT E DROPULLIT– Tannhäuser
VENDBANIMET SHQIPTARE NË MESJETËN E HERSHME – Bardhyl Demiraj
PËRSE HABIA PËR EMISIONIN E MARIN MEMËS – Kriton Kuçi
KUR KANOÇJA NUK ËSHTË MË KANOÇE – Ardian Vehbiu
VILA – Ardian Vehbiu
IRONIA E HISTORISË – Arber Zaimi
NJË EMËR PËR NJË RRUGË – Ardian Vehbiu
MBI [GRATË] QË KRIJOJNË DRAMAT – Irma C.
TRUMP – GANGSTERI NUMËR NJË I AMERIKËS – Eda Derhemi
VDIS, PA TË TË DUA – Sokol Çunga
EFEKTE TË FABRIKIMIT NË KULTURË – Ardian Vehbiu
PREZANTIM ME TË PAFILOZOFUARËN – Adri Kalaja
GREQISHTJA NË SHQIPËRINË E JUGUT – Dhori Qiriazi
KU ‘FLE LEPURI’ NË LIBRIN E LEA YPIT? – Kaon Serjani

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin