nga Adri Kalaja
PREZANTIM ME TË PAFILOZOFUARËN
Botuar në 2011, E pafilozofuara e H. Ferajt nuk dihet saktësisht se çfarë është. Me pretendime të larta filozofike libri parashtron një shumëllojshmëri hipotezash dhe mbart një larmi synimesh, herë të fshehura dhe herë të qarta. Shpalosur me bujë të madhe në tregun shqiptar, me evente përurimore dhe prezantime mediatike të shpeshta, ca si tepër të shpeshta, nga një autor shumë publik, ca si tepër publik, ka shumë mundësi të jetë prej veprave më të shitura. Me referenca nga historia e filozofisë, politologjia, sociologjia, psikologjia, e deri tek Buda (historiani i vdekur në 1993, jo profeti i rimishërimit), libri ndjek një linjë hulumtimi, le të themi, disi të rrallë për një vepër të këtij lloji. Me një mungesë metode, që për një asnjë moment nuk teorizohet si e tillë, ka meritën megjithatë të shpluhurosë një numër të madh burimesh informacioni që për kohën duhej të ishin shumë pak të njohur ose dhe të panjohur. Nga Marksi te Administrata e George Bushit, nga Heidegger te K.Frashëri, prej Hobbesit te E.Hoxha, nga Hegeli te Konfuci, trajektorja e arsyes mbetet një spektakël i sinqertë, diçka prej karuseli ku mbajnë radhë fëmijët. Prej kohësh i kullandrisur në dhiatën e re të nacionalizmit, objekt adhurimi i aktivistëve të një partie politike, një prej manualeve filozofalë më të përfolur, ndoshta edhe prej ekzotizmit që ofron një autor kosovar, megjithatë mbetet sfidë reale për çdo lexues. Ndoshta prej natyrës tradicionale (prej dijetarëve të referuar, pikëpamjes së skaduar teorike që mbron) dhe shkrimit shumë modern (kryeradhë të shpeshta, nënkapituj që janë njëherësh pjesë fjalie, përdorime ekstravagante të poezisë) është emblema e një filozofie të shartuar, një filozofi e cila mbetet, në vetvete, thelbësisht shqiptare. Marrë parasysh të gjitha këto, dhe duke shpresuar që autori të mos ta marrë personalisht për ters, gjej rastin të zgjeroj shpresën dhe në faktin e rastësisë sublime të një ribotimi (i cili merr parasysh kritikat) që H.Feraj të mos vendosë në karrigen e hetuesisë, me stilin e E.Hoxhës, këtë herë, pellazgët…
Hysamedin Feraj dhe mendimi filozofal
ose…-ose… një reagim armiqësor
Radha ime tani. Historia e një prej çmendive të mia.
Rimbaud
T’i japë dikush një licencë! Ai po kërkon një licencë. E ka të nevojshme. I duhet për të filozofuar. Nuk po e lënë. Ia kanë lidhur duart pas shpine. Ky vend që nuk e kupton, ky vend që po ia merr shpirtin. Kjo Shqipëri që nuk filozofon, ky vend i nëpërkëmbur i cili nuk ka terren për filozofi, ky vend johistorik që nuk u ngjan të tjerëve. Ka një këngë në gojë. “Lasciatemi cantare” quhet. Do të marrë kitarën e nuk e lënë. Ka marrë lahutën. Është gati. Do të shkruajë. Është njeri me halle. Mbart mbi supe të gjithë hallin. Kërkon një faj, kërkon një armik, ka filluar të bëhet paranojak. Nuk kupton nga ku po i vjen e keqja. E kanë pushuar nga puna. Mirë kanë bërë. Edhe ai e di që mirë kanë bërë. Është mendimtar i lirë. Këtë shkruan në fletëthirrje konferencash kur e thërrasin. Ka profesion, po po, është stërvitur për atë gjë. Nuk e lënë ta ushtrojë. Ndihet i keqkuptuar, i keqlexuar, i nëpërkëmbur e i shtypur. Mendon për bukën e gojës. Kombi që ai e desh aq shumë nuk po i përgjigjet, nuk bashkohet dot. Ka një shpresë megjithatë, një dritë të vogël revolucionare, një mundësi për një Shqipëri të madhe, Shqipëri të rritur si me thënë, vend me përmasa më të mëdha, Shqipëri të shëndoshë, të majmur, të kamur e të begatë. Ndoshta Kreshnik Spahiu? Një vend të bymyer, që zgjeron territore, vend okupues ndaj vetes. Një blob. Një vend që do gëlojë me subjekte, ku do plasin njerëzit së menduari. Mendimi. Po. Ai ka rëndësi.
E pafilozofuara e Hysamedin Ferajt na mëson se për çfarë duhet të shqetësohemi. Faktin “se pse kemi mbetur ilirë edhe sot”, iliralitetin që nuk po i çrrënjoset dot këtyre trojeve. Të copëtuar. Të prerë me gërshërë. Si Romeoja dhe Zhuljeta e tij e dashur. Rrugëtimi përsiatës nis padyshim me një krahasim me filozofinë e lashtë greke (e nuk kish si ndodhte ndryshe/ të ndodhte ndryshe s’kish sesi), një hulumtim në djepin e qytetërimit, aty ku flinin bashkë e bashkë, rrokur e ngrohtë, nga gjeometria deri tek astronomia, dhe, zonja e preferuar e profesorit, filozofia, ose më saktë teoria politike, ajo me të cilën shkon në shtëpi kur s’ta var e preferuara. Pasi, në fund të fundit, faktin që shqiptarët nuk hanë pykë nga filozofia e kemi në xhep.
Me drita të fikura na përsëritet dalëngadalë se në Ilirinë e lashtë gratë kanë pasur të drejta dhe mbretërit kanë pasur funksione më tepër honorifike, na përsëritet me një ton deri diku të çuditshëm, a thua autori është i pasigurtë nëse gratë duhet të kenë të drejta dhe mbretërit funksione honorifike. Këtë, gjithsesi nuk mundet ta dimë, veç ta dyshojmë. Mungon argumentimi në filozofinë shqiptare të sup(ë)ozuar. Fakti nuk i përgjigjet arsyes. Ilirët nuk na japin dot llogari për këto fenomene, edhe sikur t’i torturosh me orë të tëra, si te fundfilmi i Rossellinit. Janë pagojca. Të heshtur. Të vdekur. Të cofur. Të kalbur. Nuk i zhvarros dot. Po kjo nuk do thotë se nuk do përpiqemi. Në mënyrë ushtarake. Do përdorim edhe fjalimet e Sali Berishës po qe nevoja.
Gjëja që shqiptarët kanë trashëguar nga ilirët – dhe kjo është ndoshta gjëja kryesore e cila dëshmon vijimësinë fisnore mes popullatave, jo popujve, kujdes, duhet ta themi si me stil, ose, në këtë rast, pa stil, t’i ulim e t’i denoncojmë ata njerëz aty, ato plebenjtë, budallenjtë që nuk marrin vesh nga filozofia, kjo nënë pjellore e të gjitha shkencave. Dije sublime, e cila është përçmuar e ofenduar dhe e cila u kthye për t’u hakmarrë gjatë socializmit shtetëror, jo komunizmit, as diktaturës, por socializmit. Nuk mund ta themi gjënë si ka qenë. Komandanti mund të jetë i vdekur por gjithsesi vazhdon të na mungojë. Për komandantin do hakmerremi. I përvishemi historiografisë e cila nga ana e saj dihet që është tepër e sofistikuar, ka pasur bagazh të gjerë, material të bollshëm, dekadat e shekujt e granitshkëmbit buzë Adriatikut gëlojnë me ngjarje dhe data të rëndësishme, ditën e dasmës së Gjin Bue Shpatës për shembull. (O syNoizy lum lala për ty, opaaa, hajdeee, për sy e vetlla ishalla vjen adet…)
Kjo dije i kanë zënë vendin mendimit të kulluar filozofik, ose filozofal, si të doni, mjaft që të jetë mendim (Mendimi, Demkë, mendimi, kur gjëmon e fryn veriu, është përjashta fatziu, e rreh breshëri dhe shiu, Medinë, shokë, Medinë, mos e harroni të zinë, se lë gruan dhe shtëpinë, t’u kullosë bagëtinë). Kuptojmë, nga një dozë ironie shumë e trashë, se ku fle lepuri, lepur me pikëçuditëse në këtë rast. Historianët dhe njerëzit që ankohen se na kanë lënë prapa perandoritë pushtuese, ajo osmane sidomos, aty na qan zemra, me atë kishim një marrëdhënie të çuditshme, tërhiq e mos këput, një amour fou kur i thuhet. Marrëdhënie megjithatë toksike. Shyqyr që shpëtoi nga ne, mendon profesori, në traditën e profesorëve që kërkojnë një bombë.
Shqipëria është e mbushur në probleme, e megjithatë ky nuk është problem filozofik, është imazhi i problemit, është ai që prodhon pa të drejtë ligjërime false dhe justifikuese për politika të vjetruara e disi të mbrapshta. Në asnjë moment përgjatë teorizimit të ashtuquajtur nuk ka krijim dhe as tentativë për krijim. Akuzat janë të shpejta dhe likuiduese kur vjen rasti për mungesën e qëllimësisë në ekzistencë, mendim sa racist e ksenofob ndaj vetvetes aq sa edhe një racionalizëm kallp i dorës së dytë (Në emër të proshutës do të ma pulëzosh atë vezë/A të gëlltis vallë fantazma shpellash?), i cili përkumbon me një kërkim të njeriut me libra në dorë. Normalisht fantazmë e njeriut të ri “në socializmin shtetëror”. Por çfarë e diferencon njeriun nga “shtaza”? Sipas Aristotelit të Hysamedinit njeriu është çfarë mbetet dhe jo një qenie me arsye, të folur etj.
Ky Aristotel i ri është një zbulim, një gjetje, mes shumë të tjerash, është një Aristotel shqiptar pa dyshim, por që nuk na pengon ne “me mendu filozofikisht” (përemër veta e parë shumës, krijon deri diku iluzionin e fuqisë dhe shumësisë). Kolektivitetin e mendimtarëve filozofalë shqiptarë, pub(l)iken shqiptare, atë lloj agoraje shumë afër me kërmën e ish-teatrit tashmë të varrosur kombëtar. (jemi katër shokë dhe çdo ditë në fushë neve lozim tok/pastaj vjen edhe Luli/ qeni ynë besnik/ keci laramani/ i miri i mirë…) Jemi të sigurt megjithatë se autori e njeh konceptin e dialektikës negative, të paktën mund të ketë lexuar për të diku mes manualeve filozofalë që patën zbarkuar pas ‘90. Në entuziazmin e të hyrit në filozofi në moshë të thyer nuk ngurron të përdorë autorë që edhe më të shkëlqyerit do mendoheshin dy herë përpara sesa të shkonin aty, sidomos për tekste politiko-sociologjike të kësaj natyre e kësisoj na vjen nëpër duar një supë filozofike e gatuar me merak (o mor i vogël ç’më mëson/ në shkollë të natës kur më shkon…).
Kur citon G.Agamben, për shembull, e citon për qejfin e të zbuluarit të një mendimtari të ri, jo se ky mendimtar është ndopak në linjën e tij. Në linjën e gjenealogjistëve dhe ndoshta atyre që, po të abuzonim pak, do ishin “historianë të konceptit”, Agamben nuk ngre pyetje të mëdha apo merr sëpatën të ndajë: çelja e ngushtë e dosjes së humanizmit dhe thurjet fine që bën mes disiplinave nuk kanë të bëjnë aspak me faktin e thjeshtë nëse njeriu është më i zgjuar nga kafsha e vet shtëpiake, nëse ai e “meriton” të qenit në krye të zinxhirit ushqimor e të tjera me radhë. I pyetësojmë të drejtat e njeriut si me takt, të themi edhe në mënyrë transversale se ai që e di mirë se çfarë është njeriu (filozofi i ndriçuar, filozofi mbret, mbreti filozofik) ka edhe të drejtë t’i heqë e t’i përcaktojë sipas qejfit: unë, i dënuari që po e marr përsipër këtë mision të shpjegoj e t’ju shpjegoj, megjithatë duhet të kem një përfitim, kur të vij në pushtet…
Jo rastësisht ndoshta “autori” na kandidon për deputet në zgjedhjet në Kosovë. Ambiciet politiko-filozofale të tij nuk kanë kufij. (Po të isha kosovar, unë personalisht do t’ia jepja votën, vetëm për të parë fytyrën e Mimoza Kusarit tek mbahet në parlament një fjalim mbi Kantin). Si thuhet në biblën e komb’tarizmit: “E para ishte kafsha”. (Ty Flamur të duam shumë/Ti për ne je nan’ e bab, për ty gjakun derdhim lumë, o Flamur i kuq me shkab’, Kënga e re jehon mbi det, Mbi qytete, fush’ e mal, për Flamurin e vërtet’, për të shtrenjtin ideal, Ylli i ri na prin o shok’, do të bëhet qielli mir’…)
Të tjerët në radhë janë Darwini dhe Hobbesi. A thua se në një vend me shumicë myslimane, ku në xhamia përditë organizohen orgji fjalimesh, u ezaurua teoria e evolucionit. Për profesor Ferajn, ashtu si për reperin kosovar Gold Ag, të thuhet se “njeriu dhe majmuni kanë një paraardhës të përbashkët” dhe “njeriu vjen nga majmuni” është e njëjta gjë. As njëri as tjetri nuk kuptojnë pamundësinë, më së paku shkencore, të reduktimit në një qenie thelbësisht biologjike, kjo për shkak të hallkës së munguar, domethënë të zhdukjes, të një hiçi historik i cili do një ndërtim të tërë fenomenologjik që të kapet, nëse është kjo linja e cila duhet të ndiqet. I gjori Darwin, po e krahasojnë me kontin De Gobineau. (Shqiptarë të të gjitha trojeve, mos u përshtatni !) Nuk është asfare gjallesa që përshtatet por natyra që e përshtat gjallesën. Ose, në këtë rast, mendimi filozofal që përshtat referencën për punët e veta.
Më pas, akuzat zhvillohen të shumëllojshme, për mungesë arsyeje, për ateorizim, për instinkte të tepruara, për instrumentalizim, shajmë Enver Hoxhën si me stil pa stil, për Hobsianizëm të tepruar, për tretje të lirisë, për traditë ilirike, për individualizëm, shajmë prapë si me stil pa stil Enver Hoxhën, për fatalizëm historik. Shqiptarët e shkretë janë në gjyq, sikur të kishte shqiptarë që lexojnë, ose, të paktën shqiptarë që lexojnë kësisoj librash, kushedi çfarë protestash spontane do organizoheshin, si ato protestat e lezetshme me lisharëse policore kundër vizitave diplomatike, sepse, në epokën e shtet-kombeve, nuk lejohet komunikimi mes vendeve.
Tretja e lirisë është fenomen interesant, i parë nga prizëm shumë keq i ndërtuar kantian, megjithatë i bën Shqipërisë një nder të padyshimtë filozofal. Ndërtuar figurativisht si një përkundërshti me instrumentalizimin, dhe psikologjikisht ndoshta nga pasion rinor alla Mrs. Robinson për Liri Belishovën, autori ynë na akuzon shqiptarët si popull me stomak të fortë ndaj tiranisë së arsyes. Shqiptarë që nuk veprojnë, që nuk ndjekin rrugë të transcendencës, shqiptarë që edhe kur tradhtojnë “nuk tradhtojnë për arsyet e duhura” (në këtë pjesë nuk akuzohet si me stil pa stil Enver Hoxha).
M’i gjeni këta njerëz të lirë!- bërtet në këto momente profesor Feraj . Mi gjeni! Mi gjeni ! Mi gjeni! Mi gjeni! Jemi të mbushur me materializëm, po na vrasin shpirtin, nuk ka justifikim për realitetin faktik të imanencës si kusht antropologjik formues të trupave si viktima të shoqërive të kontrollit. Dakord. Këtë të fundit nuk e thotë dot. Ndoshta po e teproj. Gjithsesi një qiri e merr. Si te Nostalghia i Tarkovskijt. Dhe ky qiri e çon drejt e tek një frazë e tillë si “për shqiptarët pyetja kthehet brenda tyre sa kohë që arsyeja e historisë për t’i “zgjedhur” popujt mbetet mister, si misteri i Zotit për “popujt e zgjedhur”. Frazë e bukur. Ironike.
E këndshme. Pak nacionalsocialiste. Nuk ka problem. Ecim përpara. Pavarësisht të lehurave të qenve. As këtu nuk e shajmë si me stil pa stil Enver Hoxhën. Në vend të saj denoncojmë “plogësimin” e ndërgjegjeve, atë squllje të vullnetit shtetformues dhe aktivist, atë çoroditje të molotovizmit, atë pjesëmarrje të bekuar të njeriut të thjeshtë në politikë, si qytetar i mirë dhe i sjellshëm, si qytetar protestues, ose protestant, po ç’na qenkan vallë këto njerëz që nuk ngulin as një gozhdë për be, nuk shpallin as një urdhëresë, nuk bëjnë kërkesa. Shtazë. Padyshim. Hysamedin Feraj. Ky kryqtar i vetmuar i kombit. (I le dhen’t e dole nga stani, Lule Velo partizani, more pushkën dole malit, Lule Velo partizani…)
Pjesa e tretë hapet me pështymën e Azem Shkrelit, pështymë që fik zjarrin e qiririt. “Shenja e njeriut: Liria”. Personazhi ynë është i dyfishtë. “ Bëhet ” strukturalist me zor, e detyron rrethana, urgjenca pra, si ato mbledhjet e shpejta nëpër kafene për ndonjë ngjasi në jetën politike. Si ai autoviktimizimi i shpeshtë i pamundësisë së ngjarjeve kulturore e filozofike, i artikujve për botim, i tekstit që duhet të prodhohet, edhe me zor. Këtu autori ynë nuk është kaps, përkundrazi, rrjedh në këngë e ligjërime. Është në të njëjtën kohë kantian, lakanian, antideterminist, vullnetolog. E pafilozofuara shqiptare, çfarë hidre mbresëlënëse. Gjejmë nëpër të togfjalësha sexy si “dinjitet moral”, “njeriu është vullnet”, “esencë e njeriut” dhe pas ca faqeve ku ngrihet pretendimi për një “terminologji disi lakaniane” – gjithmonë i persekutuar Frojdi dhe ndoshta gjithmonë për të njëjtën arsye -, shpaloset një problem si mungesa e sociopatëve në historinë shqiptare, mënjanë faktit që Mici i Sokolve i doli përpara topit (hajde gjyle, eja gjyle, e vogël, e madhe, terroriste, vetëvendosëse, dëshmore, o heeeej) për punë atdhedashurie e më the të thashë, nuk kuptojmë asgjë mbi natyrën e formimit të një kategorie thelbësisht psikiatrike si ajo e sociopatisë, si manifakturohen ato nga rrjeta ligjërimore pushtetore pjesë e të cilës është edhe shkrojtësi i filozofales shqiptare, si ndryshojnë ato nga figura e delinkuentit, më e hershme dhe që padyshim shfaqet më tepër në histori, pse janë të nevojshëm për t’u fabrikuar si armiq popullorë, pse sociopatët kanë mungesë të theksuar imagjinate dhe vullneti për të ndryshuar, pse ata nuk duhet të marrin pushtetin për një kohë të gjatë dhe, sidomos, pse autori i këtyre radhëve nuk ka as më të voglën dëshirë për t’u ushtruar në gjimnastikë mëngjesi me bori nga kujdestari i lagjes, si ajo çështja badiuziane e rojtarëve të qytetit të cilëve u ndalohet rreptë salca, por jo salsa, pasi, siç dihet botërisht, salsa është vallëzim latin, dhe latinët kanë traditë të thekur kur bëhet fjalë për shtetpërmbysje dhe shtetformim të shpejtë.
Guri filozofal merr shpesh edhe trajtë matematike, si punë shkrimi automatik me një frymë këtë herë vërtet lakaniane që i rri nga pas, hyn në debat me matematicienët për çështje teorike dhe shmangie metaforike nga origjina e përbashkët. Hysamedin Feraj mendon se “në kaleidoskopin e pasqyrave filozofike, njeriu i lirë marksist është një mundësi dhe ftesë për themelimin dhe vetëkonceptimin e shqiptarëve si qenie e lirë, estetike, krijuese dhe universale, si dallori i njeriut nga shtaza që përshtatet e mbijeton, edhe pse prodhon nga domosdoshmëria.” Matematicienët mendojnë se dallori është ushtrim i thjeshtë matematik që u mësohet fëmijëve andej nga klasa e pestë dhe nuk ka të bëjë shumë me flamurin.
Gjuha shqipe, e ëmbël dhe e gjerë siç është, të lë mundësi improvizimi. Athinaja, Athena në këtë rast bëhet Ethëna, ndonjë mendje e ligë mund ta çojë edhe një hap më tutje, ta paraqesë si Antena, Antena Nord, televizion që jep lajmet e dijes, dije patriotike që vjen, si përherë, nga veriu. Shqiptarët nuk na e paskan lënë shqipen rehat në shekuj “me qenë” sepse nuk kanë lënë logosin të jetë aty, ta banojë, ta drejtpeshojë e ta nguci përmasën e mendimit për të themeluar, për të ndërtuar, për me konstruktivu filozofi përsëmbari që do e kënaqte njeriun që nuk e lënë të filozofojë. Logosi, ndërtesë e vjetër në hyrje të Tiranës, thuhet se merr fonde nga Greqia, teorikisht e politikisht kundër linjës së tespiheve që ndjek e pafilozofuara por, si çdo gjë, për këtë linjë konceptuale është e përpunueshme dhe e rekrutueshme, në mos në sipërfaqe, underground, si ai repi karakteristik që shpreh tragjedinë e Kosovës me këngëtarë që ka dhjetë e ca vjet që nuk u ka prekur gjuha qiellzën prej dufit të padalë, si ato poezitë varglira me kryeradhë njëfjalore, si ai arti konceptual që proteston edhe ekzistencën e vet, si ato ekspozitat me rrobat e fëmijëve kosovarë të vrarë apo të humbur gjatë luftës ku thuhet se në piedestal janë një palë këpucët me etiketë “Made in China. 2018” që kuratorja e ekspozitës ia ka vjedhur mbesës së vet.
Ky lloj nacionalsocializmi kërkon dëshmi dhe dëshmorë, çuditet pse ndër shqiptarë nuk ka njerëz të gatshëm të vdesin për kauzat e veta “ndërkohë që njerëz vdesin kotsëkoti përditë”. Parullë proteste: “Nën shkopinjtë e flamurit, njeriu i padukshëm që të shtyn nga kati i pestë!”.
Fundi i kapitullit të katërt është pjesa e filmit ku profesori egërsohet, bëhet irracional, ndryshe prej në fillim ku po mundohej të tregohej i arsyeshëm me ata që kundërshtonin bashkimin kombëtar. Tanimë gjen një artificë me rroba strukturaliste (xhinse) Levi-Strauss dhe i akuzon për serbofilë. “Shenja që i bashkon me racionalistët dhe realistët (pa thonjëza) serbë dhe të tjerë që kundërshtojnë bashkimin kombëtar është: për aq sa gjithnjë kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë, së bashku, kanë “gjetur” dhe vazhdojnë të gjejnë argumente se pse bashkimi i shqiptarëve në një shtet është i pamundur sot.”
Më tutje, në kapitullin e fundit bëhet niçean, si për t’i hedhur ca vaj supës, vaj që rri sipër natyrisht, nuk përzihet dot. Bëhet niçean si Çim Kulla dhe përkthimet e tij të botuara në vite. Bëhet kasap filozofal. Bëhet si ajo legjenda e ushtarëve nacionalsocialistë gjatë Luftës së dytë Botërore që mbanin në çanta në mënyrë të detyrueshme kopje të Der Wille zur Macht. Fillon e hedh akuza për skllevër gjithandej, gjithmonë me një moral autoviktimizues prej skllavi, fajin e kanë ata që nuk sakrifikohen, frikacakët, ata “që nuk kanë turp të shihen në mënyrë joautentike në pasqyrën e tjetrit”, shprehje e dëgjuar kjo në ato tavolinat pas mbledhjeve politike nën tingujt epshndjellës të himnit, diçka prej Wagneri me patjetër.
E pafilozofuara mbyllet me një epilog misterioz po tashmë nuk ka asgjë misterioze tek ajo, thjesht një fletushkë e stërholluar e dhunës, argumentuar filozofalikisht. Arkivoli i E.Hoxhës, këtë herë, duhet mbyllur vërtet, me thumba.
© 2020, Adri Kalaja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim redaksional: E vetëdijshme për natyrën ashpër polemike të këtij shkrimi, “Peizazhe të fjalës” i fton palët e prekura dhe palët e treta të dërgojnë replikat dhe reagimet e tyre për botim tek ne, duke mbetur e hapur për ta vazhduar dialogun.