Problemet e statistikave në Shqipëri i kemi ngritur prej kohësh në këtë hapësirë, duke e trajtuar çështjen nga pikëpamja e sasisë, cilësisë dhe e besueshmërisë. Të dhënat statistikore, që të jenë të vyeshme për publikun dhe politikën, duhet të jenë të shumta, cilësisht të vlefshme e, së fundi, të jenë të besueshme.
Në shkrimet e botuara në “Peizazhe të Fjalës” kohë më parë (Gishti i statistikës, Numërim me gishta dhe Lost in Statistics) u trajtuan jo vetëm aspektet e mësipërme, por u shkua edhe më tej. Përsiatjet e mësipërme lindën pas debatit që pasoi rezultatet e censusit të fundit të popullsisë në Shqipëri. Megjithatë, u prekën disa çështje strukturore të statistikës shqiptare, që shkojnë përtej regjistrimit të popullsisë ose të dhënave të tjera specifike.
Shkrimi i Ermelinda Meksit, “Statistikat, si matës i zhvillimit”, me të drejtë vë theksin mbi rëndësinë e statistikave në Shqipëri:
Statistikat zyrtare janë të një rëndësie të veçantë, sepse u paraprijnë ndërtimit të strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Kjo ka ndodhur dhe ndodh rëndom në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Pa njohje të saktë të situatës aktuale, nuk mund të ndërtosh të ardhmen afatmesme dhe aq më tepër atë afatgjatë. Ka një gjykim, i cili merr vlerën e një “aksiome”: “Niveli i statistikave zyrtare tregon masën e zhvillimit të një vendi!”.
Më tej, prof. Ermelinda Meksi vë re se zhvillimi i sistemit statistikor nuk ka shkuar siç duhet në vendin tonë dhe se kritika na janë bërë edhe nga Bashkimi Europian:
Në këtë këndvështrim, zhvillimi i sistemit statistikor në Shqipëri, nuk ka ecur me shpejtësinë që kërkonin ritmet e zhvillimit të një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Kritika të drejtpërdrejta janë bërë në raportet e BE-së për sistemin statistikor në vend. Në çdo raport-progresi për Shqipërinë është theksuar: Nevoja për ndërtimin e një sistemi statistikor kombëtar të mbështetur në parimet themelore të statistikave të besueshme dhe cilësore, ndër të cilët i pari dhe më i rëndësishmi është ai i pavarësisë institucionale dhe profesionale të agjencive statistikore.
Në shkrimin e politikanes shqiptare kërkohet që instituti i statistikave të ketë pavarësi të garantuar me ligj e të respektuar në praktikë. Meksi e pranon se mungesën e të dhënave statistikore e ndjejnë të gjithë dhe ankohet për cilësinë e metodologjinë e statistikave të tregut të punës, të cilat “më shumë çorientojnë sesa japin një vlerësim të saktë”. Statistikat e çmimeve të konsumit, statistikat e ndërmarrjeve, statistikat monetare, janë për artikullshkruesen problematike. “Në tërësi – nënvizon Meksi – sistemi statistikor, kryesisht ai që lidhet me INSTAT-in, është i avashtë dhe pak aktiv”.
Diagnostikimet që i bën Ermelinda Meksi sëmundjeve të statistikave zyrtare shqiptare janë të sakta. Në cilësinë e ekonomistes dhe të politikanes në nivele të larta, madje me poste të rëndësishme qeveritare, Meksi e ka edhe më të lehtë për t’ia dalluar të metat sistemit statistikor. Megjithatë, lexuesi pret diçka më konkrete jo vetëm përsa i përket metodologjisë, ose aspekteve të tjera teknike të të dhënave, por për mënyrën se si duhet rritur besueshmëria e sistemit që përpunon të dhënat. Është e vërtetë se besueshmëria buron nga cilësia e të dhënave që i ofrohen publikut, por nuk duhet harruar se besueshmëria varet në thelb nga shkalla e pavarësisë që institutet e statistikës gëzojnë nga politika.
Aspekti sasior, cilësor dhe i besueshmërisë duhet të ecin përpara krah për krah, përndryshe të dhënat statistikore do të jenë gjithnjë të mangëta. Statistikat e shumta nuk kanë vlerë sikur të kenë cene nga ana cilësore, por edhe të dhënat e pakta, metodologjikisht të sakta, nuk është se hyjnë shumë në punë për realitetin kompleks të ekonomive dhe shoqërive moderne; sikurse të dhënat e vlefshme nga pikëpamja sasiore e cilësore nuk kanë vlerë në rast se nuk besohen fare nga qytetarët dhe përdoruesit e ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për sa kohë perceptohen si mbështetëse të versionin zyrtar të partisë së radhës.
E kështu, kthehemi tek domosdoshmëria e krijimit të institucioneve edhe në kuadrin e sistemit statistikor, ku besimi përbën pa dyshim një nga shtyllat kryesore.
Pishak, teme thelbesore. Edhe po ta reduktoj temen vetem per disa gjera me vijne ne mend disa hapa qe do te ishin te domosdoshem per saktesine dhe besueshmerine e statistikave, sidomos te atyre qe kane lidhje me te ardhurat, me pasurine dhe pasurimin e qytetareve te RSh, me sherbimet qe i garantohen çdo individi. Sepse i shoh statistikat si termometrin e matjes se jetes demokratike te nje vendi. Psh.1. pajisja me kod personal te çdo personi e aktiviteti. Pra kodi fiskal duhet te ishte pike e referimit per nisje, 2.berja ne menyre periodike e kontrolleve “te kryeqezuara”, dmth mundesia e ballafaqimit te te dhenave te deklaruara dhe te nxjerra nga kontrollet e mundshme, 3.berja publike e disa te dhenave per te cilat te behet vleresimi i veprimtarise politike: dmth premtimet ne fushate elektorale dhe sa mbahen keto premtime, duke dhene shifrat; dhe kjo gje te ishte kusht per jeten politike: a kemi menduar ndonje here nje ligj qe te perjashtoje nga jeta politike ate force politike qe moshtron zgjedhesin jo vetem me premtimet per zhvillim e angazhim por edhe per aelancen politike ku do te beje pjese?; 4.dhe do te kishim keshtu: sa perqind te me te pasurve shqiptare jane politikane? 5. dikush thoshte seper te njohur shoqerine duhet te ndjekesh rrugen nga e se si ecin parate. Pra le te perdorim statistikat per te gjetur prejardhjen e parave te atyre qe komandojne politikisht dhe ekonomikisht ne Shqiperi sot per ta ditur se me cilet kemi te bejme, nga i nxjerrin leket dhe se kush i paguan. Duke filluar nga gazetat, televizionet, institucionet fetare,,,