Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

BLETËT E QYTETIT

Tmerri i qytetarëve në verë janë mushkonjat, ndaj ngujimin e banorëve të pallatit tim e shumë banesave përreth, që i mbyllnin hermetikisht dritaret kryesisht në mbrëmje e interpretova si taktikë mbrojtëse nga insektet e bezdisshme. Po kështu i pashë veprimet në muzg, kur fikeshin dritat e të gjitha dhomave, sikur të fillonte “shtetrrethimi” ose sikur jepej në të gjithë bllokun alarmi “ajri!”. Siç mësova, rreziku kësaj radhe nuk vinte nga mushkonjat, por nga bletët.

Bletë në qytet? E pazakontë. Në fakt, bletët i kemi hasur nëpër lëndina, mbi lule, në periferi ose brenda qyteteve, por jo në sulm kundër dritareve të pallatit; aq më tepër në një zonë të mbushur me ndërtesa, me pak e shumë kate, gjithsesi të ngjitura njëra me tjetrën në mëshirë të klaustrofobisë urbanistike, ku gjelbërimi reduktohet në disa pemë oborresh të lodhura nga ndotja. Nuk do ta kisha besuar, sikur të mos i kisha parë vetë bletët, që silleshin rreth dritave herë të hutuara dhe herë të azdisura.

Në rast se mbrëmja dhe nata kalonte pa ndonjë pickim të befasishëm, mëngjesi ishte si një kalim në fushë pas betejës, kur numërohen të rënët e luftës. Shkallët e mbushura më bletë të vdekura dhe abazhurët e shndërruar në varreza kolektive. Masakër e përditshme, të cilës i duheshin shtuar edhe skenat, sa groteske aq edhe të dhimbshme, të njerëzve që rendnin me mizavrasëse në duar për të vrarë bletët që ishin futur në shtëpi, ngaqë përbënin rrezik për njerëzit.

Që nuk e kam inatin me bletët e kam të dokumentuar jo vetëm një herë, por m’u desh t’i filloj hetimet për këtë dukuri të paparë deri më sot, pjesërisht për ta kuptuar e pjesërisht për të larë ndjenjën e fajit, që më kishte ngjallur “krimi” i konsumuar prej meje një natë më parë, kur e godita njërën prej tyre për ta trullosur pak, sepse po na rrotullohej përreth krejt e harbuar. Edhe pse krimi mbeti në tentativë, ngaqë e lashë të lirë më pas (e hodha nga ballkoni), ndjesinë e keqe e mbajta me vete gjithë natën. E nuk mund të ishte ndryshe për një insekt për të cilin thuhet se vdes dhe jo ngordh.

Hetimet nuk zgjatën shumë. Mes pallateve kaba të kryeqytetit, në një zonë me dendësi të lartë banimi, jo në qendër, por as në periferi, në një oborr të vogël, dikush kishte vënë rreth njëzetë koshere bletësh. Bonsensi më thoshte se vendosja e bletëve në qytet ishte zgjidhje e gabuar, për vetë bletët, para se të ishte për njerëzit. Megjithatë, duhet thënë se këta të fundit, rrezikojnë me gjithë mend, po të kujtojmë se ka njerëz që janë intolerantë ndaj pickimit të bletës dhe mund të pësojnë shok anafilaktik, që mund të përfundojë me vdekje. Pastaj ka shqetësime të tjera reale, siç mund të ndodhë në rast se qytetarët fqinjë gatuajnë në mjedise të jashtme, ose kur lënë gjëra të ëmbla që e tërheqin bletën. Pastaj, kur bletari ndërhyn në koshere ato nervozohen e mund të pickojnë njerëz që gjenden aty afër.

Pavarësisht se ka shumë njerëz që vuajnë nga apifobia, duhet të pranojmë se bletët nuk janë të rrezikshme, as në fshat, as në qytet. Siç thotë populli, po nuk e ngacmove nuk të ngacmon. Mirëpo sjellja e tyre e çuditshme, sidomos rendja drejt dritave elektrike, më bëri të mendohem.

Ngaqë kam dëgjuar për apikulturën urbane, thashë t’i drejtohem një eksperti, i cili më konfirmoi dyshimet e mia. Vendosja e bletëve në një qytet si Tirana është vendim vdekjeje për bletët, së pari për ndotjen e madhe, që i dëmton rëndë bletët. Këto qenkan shumë të ndjeshme nga ndotjet e ndryshme, por edhe nga largësia e madhe për të gjetur ushqim (nektar).

Mbështetësit e apikulturës urbane, që është përhapur disi vitet e fundit në qytete të vogla e të mëdha të botës, kryesisht si hobi, thonë se bletët janë roje të mjedisit, sepse janë indikatorë të cilësisë së ajrit e të gjelbërimit. Mirëpo, në Tiranë nuk është se duhet të vërtetojmë nëse ajri është i ndotur, apo nëse bimët janë trajtuar me pesticide. Për të provuar se ajri është i ndotur mjafton të fshish syzet në mesditë, ose të pastrosh hundët në mbrëmje, pasi ke shëtitur lart e poshtë qytetit. Për gjelbërimin nuk ke ç’të thuash, në rast se nuk banon afër liqenit artificial. Është e thjeshtë: gjelbërimi në pjesën më të madhe të qytetit nuk ekziston.

Me këtë rast, zbulova se legjislacioni i Shqipërisë, si kombëtar ashtu edhe vendor, në lëmin e bletarisë, qenka shumë i mangët. Pa folur për normat që rregullojnë sigurinë e tyre, të produkteve dhe të qytetarëve. Në fakt, pyes veten se çfarë mjalti prodhojnë këto koshere qyteti. E kam fjalën për cilësinë dhe përbërjen e tij.

Nuk besoj se shqetësimi për bletët do të tërheqë vëmendjen e institucioneve shqiptare, as të shoqatave të animalistëve, edhe për faktin se nuk dihet sa e përhapur është kjo dukuri. Ndryshe është rasti i qenve të rrugës (problem ende i pazgjidhur), që është më i dukshëm në sytë e qytetarëve dhe ka shkaktuar një farë mobilizimi. Megjithatë, ndërhyrje e rregullime mund të bëhen nga ana e pushtetit qendror e vendor, qoftë me qëllime parandaluese. Mos vallë bletët janë më pak të rëndësishme se sa qentë?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin