Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

FJALËT PLASTIKE (APO MAGJIKE?) DHE KAHU I PROGRESIT

 Këtë verë shumë shqiptarë, e jo pak të huaj, janë dëshmitarë të protestave të vazhdueshme kundër qeverisë shqiptare, shkas për të cilat u bënë planet e punimet për të “zhvilluar” lagunën e Nartës, e jo vetëm, në zonë luksoze turistike. Disa nga fjalët e shprehjet që përdoren dhe prapë vihen në mbrojtje të kësaj nisme të qeverisë janë “investimi strategjik”, “zhvillimi” i zonës e vendit, e të ngjashme me këto. Do të ndalemi t’i shqyrtojmë këto fjalë e shprehje me shpresën për të hedhur dritë se çka vërtet do të thonë ato.

Ka fjalë, si “zjarr” apo “bombë”, që nuk mund të thuhen në vende publike pa thyer ligjin. Arsyeja është e qartë; fjalët kanë peshë dhe mund vënë njerëzit në lëvizje. Në rastin e “zjarrit” apo “bombës” lëvizja kthehet lehtë në panik, potere e rrëmujë, jo rrallë me pasoja tragjike. Nga ana tjetër, ka fjalë që qarkullojnë jo vetëm lirisht, por edhe imponojnë njëfarë bindjeje sa herë që shqiptohen. Fjalët “zhvillim”, “investim strategjik” bëjnë pjesë në këtë kategori, dhe sipas historianit dhe gjuhëtarit gjerman, Uwe Pörksen, ato nuk janë më pak të rrezikshme se “zjarri” e “bomba” e lartpërmendur. Ai përpilon një listë prej 30 fjalësh si “zhvillim”, “progres”, “informacion”, “standard jetese”, “seksualitet”, “strategji”, “energji”…, të cilat në vështrim të parë duken krejt të padëmshme, asnjanëse dhe jo doemos me lidhje me njëra tjetrën. Por, ato ndajnë veçori të përbashkëta dhe njëra nga këto është papërcaktueshmëria e tyre; ato nuk janë të përkufizueshme. Ndërkohë, ato mbartin një aureolë tejet ndikuese sugjestionimi; dmth, ato kanë shumë konotacion, ngarkesë apo ngjyrim emocional, por aspak denotacion. Në librin e tij, Pörksen i quan ato “plastike”; Fjalë Plastike: tirania e një gjuhe modulare (1995).[1] Fuqia dhe prestigji i tyre rrjedh nga fakti që ato janë terma të marrë nga sfera shkencore, një tjetër veçori e përbashkët, ku kanë një kuptim të përpiktë, por që mjegullohet sapo zbatohet në sferën shoqërore, politike apo arsimore. Është pikërisht ky ambiguitet, kjo paqartësi, e ndërthurur me autoritetin që u është veshur, që, siç do ta shohim më poshtë, i bën ato tejet të rrezikshme.

Pörksen nuk është i pari që ka vënë në pah këtë mjegullim dhe, si pasojë, varfërim të gjuhës. George Orwell, në esenë e tij Politika dhe Gjuha Angleze (1946), mes të tjerash, shkruan:

…Abuzohet me shumë fjalë politike… Fjalë si demokraci, socializëm, liri, patriotik, realist, drejtësi kanë kuptime të ndry­shme që nuk mund të pajtohen me njëra-tjetrën. Në rastin e një fjale si demokracia, jo vetëm që nuk ka një përkufizim të përbashkët, por të gjitha palët, ndërkohë, i rezistojnë çdo orvatjeje për të gjetur një. Kur një vend e quajmë demokratik, pothuajse nga të gjithë mendohet që po e lëvdojmë atë. Si rrjedhojë, mbrojtësit e çdo lloj regjimi deklarojnë se është demokraci, dhe druhen se mund të detyrohen mos ta përdorin më atë fjalë nëse do të ishte e kufizuar në një kuptim të vetëm.[2]

Duke veçuar demokraci-në, një nga fjalët më të lakuara sot, mendimtari dhe historiani francez Alexis de Tocqueville, në veprën e tij të njohur, Demokracia në Amerikë (1840), i kushton një kapitull të veçantë ndikimit të kësaj forme qeverisjeje mbi gjuhën angleze, dhe vëren se është pasuar nga një rritje e përdorimit të termave abstraktë, personifikues dhe mjegullues:

Popujt demokratikë janë të apasionuar pas termave gjenerike dhe shprehjeve abstrakte, sepse këto mënyra ligjërimi shtrijnë mendimin dhe ndihmojnë mendjen të përfshijë shumë objekte në një hapësirë të vogël… Këto terma abstraktë, që ngopin gjuhët demokratike dhe që përdoren vend e pa vend, pa lidhje me ndonjë fakt të veçantë, fryjnë dhe mjegullojnë mendimin. Ato e përshpejtojnë të shprehurin, ndërsa e paqartësojnë idenë… Një term abstrakt është si një kuti pa taban; mund të vendosësh brenda idetë që të pëlqejnë, dhe mund t’i nxjerrësh prapë jashtë pa u vënë re nga askush.[3]

Duhet të theksohet se fjalët plastike nuk ndeshen vetëm në vende demokratike, por praktikisht kudo ku hyri epoka moderne, dhe tani me përhapjen e kompjuterëve e internetit mund të zgjerohet lista me një sërë termash digjitalë. Jo pa të drejtë ato janë krahasuar edhe me blloqe lego, pikërisht se njerëzit, si fëmijët, mund t’i përdorin këto blloqe për të ndërtuar fjali nga më të ndryshmet në çfarëdo lloj situate. Sipas rastit, komunisti, socialisti, demokrati, liberali, konservatori, biznesmeni apo burokrati, perëndimor, lindor, verior apo jugor, mund të përdorin njëjtat fjalë e shprehje. Pavarësisht se qeverisja shqiptare, të paktën që nga mesi i shekullit të kaluar, nuk ka qenë demokratike në kuptimin që ka ndërmend Tocqueville, edhe gjuha shqipe u dynd nga një morí fjalësh plastike si “plan”, “përparim”, “prapambetje”, “detyrë”, “nivel jetese”, “zhvillim”. Më poshtë është një fragment nga dokumentacioni i kongresit VII të PPSH-së:

Në bazë të vijës së drejtë të Partisë, ne kemi një ekonomi të fortë, të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme e të aftë që të ecë me këmbët e veta. Shqipëria socialiste, siguronte ai [Plenumi i KQ], me forcat e veta, është e zonja të ecë përpara duke vazhduar ritmet e shpejta të zhvillimit socialist, pa ulur nivelin e jetesës së popullit, duke pasur njëkohësisht edhe një mbrojtje të fuqishme.[4]

Megjithëse edhe politikanë të tjerë nuk mbesin shumë pas, fjalimet e ish-kryeministrit Fatos Nano përbëjnë një shembull tipik të dyndjes së fjalëve plastike në gjuhën shqipe:

Vendi ka arritur në një nivel të caktuar, një stad të caktuar dhe ka parametra që e shprehin këtë gjendje të vendit, atë që drejtues vendesh normale – përfundimisht Shqipëria është një vend normal – e cilësojnë si gjendja e kombit apo e shtetit… Duket se në 2004 vendi ka shënuar një progres të dukshëm, i cili po konsolidon parametrat kryesorë të funksionimit të institucioneve, të administratës, të ekonomisë, të shoqërisë dhe të marrëdhënieve gjithnjë e më nxitëse, pra problemore me botën, duke filluar që nga rajoni… Ne kemi arritur që këtë dinamike ekonomike ta administrojmë në mënyrë më racionale, sepse ka rënë pesha e borxhit te brendshëm apo e borxhit ndërkombëtar që mban ekonomia, që shlyen ekonomia dhe për pasojë që u transmetohet vit pas viti taksapaguesve.[5]

Shembujt mund të shumëfishohen lehtësisht, megjithëse do të shtojmë edhe një për të treguar se kjo është dukuri ndërkombëtare. Gazetari kanadez Andrew Nikiforuk duke fshikulluar përdorimin e shprehjes “zhvillim të qëndrueshëm” (sustainable development) si pa kuptim, nuk kursen as Justin Trudeau-n, kryeministrin e Kanadasë në atë kohë, dhe e quan “politikan plastik” që “përdor një fjalor blloqesh Lego” ndërsa u premtonte “një vend edhe më të bukur, të qëndrueshëm (sustainable) dhe të begatë sesa ai që kemi tani”.[6]

Është e vështirë të kuptohet saktë se çdo të thonë shprehje si “ritme të shpejta zhvillimi”, “nivel i jetesës”, “nivel të caktuar”, “stad të caktuar”, “progres i dukshëm”… Për shembull, edhe pse zhvillimi apo progresi na duken vetvetiu të dëshirueshme, nuk është asnjëherë e qartë se drejt çkaje është ky progres. A na ndihmon një “ristrukturim” apo një “investim strategjik” në bregdet e në mal  të zhvillohemi, të kemi progres, përsa i përket bujarisë, miqësisë, apo lumturisë? A na ndihmon të përparojmë, në kuptimin që të bëhemi njerëz më të mirë? Nëse s’mund t’i përgjigjemi saktë një pyetjeje të tillë, se për çfarë progresi bëhet fjalë, atëherë të paktën duhet të ketë një orvajtje për t’i përkufizuar këto fjalë të paqarta. I njëjti problem qëndron edhe me fjalë të tjera plastike.[7]

Pse kjo paqartësi?

Humbja e përpikmërisë dhe qartësisë shprehëse të gjuhës nuk mund të jetë veçse varfërim i saj, dhe pavarësisht se në çfarë sfere bëhet fjalë, ky varfërim komunikimi doemos ndiqet nga pasoja serioze. Duke përdorur një fjalë plastike, si “zhvillim”, mund të shkretohet një krahinë e tërë pa i hyrë kujt ferrë në këmbë.

Për shembull, afër Freiburg-ut gjendet Kaiserstuhl-i, një vargmal vullkanik në të cilin janë kultivuar vreshta që nga koha e Romës së Lashtë. Krejt haptazi, në sy të publikut gjerman, pa pasur pothuajse asnjë kundërshtim, në emër të “zhvillimit” të zonës, qeveria e Shtutgartit vendosi ta kthente në tarracë artificiale për të rritur prodhimin. Si përfundim i zbatimit të këtij “programi zhillimi” u shkatërrua tradita dy mijë vjeçare e kultivimit të vreshtave dhe vera që prodhohet prej vreshtave të reja, “moderne”, del e thartë.[8] Askush nuk mori përgjegjësi. Pörksen jep shumë shembuj si ky, dhe nuk është vështirë të gjenden paralele nëpër Europë e botë. Kujtojmë se një nga katastrofat më të mëdha ekologjike të shekullit të kaluar, tharjen e detit Aral – faktikisht, ishte liqeni i tretë më i madh në botë, dhe gjendet mes Kazakistanit e Uzbekistanit të sotëm – falë “projekteve” modernizuese sovjetike të ujitjes e bujqësisë. Por, ky nuk është vetëm një “mëkat” i vendeve komuniste apo ish-komuniste, dhe të qenit ekologjist apo historian arti nuk është parakusht për të qenë i vetëdijshëm për pasojat që ndjekin e shoqërojnë fjalët plastike. Dekada më parë, në këngët e tij Adriano Celentano dënonte “industrinë anonime të ndërtimit që ka masakruar Italinë,” hapësirën natyrore dhe historike të saj, në emër të biznesit.[9] Përsa i përket Shqipërisë, mjafton të kujtojmë shprehje si “plani 5-vjeçar” në çdo kongres partie, apo i “ka rënë plani shtëpisë” së filanit, për të kuptuar se sa lehtë mund të shkatërroheshin shtëpitë, faltoret e lagjet shekullore, të trashëguara brez pas brezi, në emër të “planit”, që trajtohej si të ishte një nga rrasat me urdhëresa të Moisiut, zbritur në mal të Sinait.

Nëse ka një sferë ku progresi merret si i mirëqenë, i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm është ajo e shkencës. Megjithatë, sipas biologes amerikane Lynn Margulis, edhe këtu, ku akumulimi dhe zbatimi i njohurive për të mirën e njerëzimit shpesh barasvlerësohet me progresin vetë, “paqartësia gëlon” dhe, sipas saj, duket sikur qëllimi i këtij progresi s’është aq i fisëm sa na shitet:

E ashtuquajtura shkencë e aplikuar (applied science) – që nga mrekullitë e mjekësisë molekulare deri te shpërthimet e bombave me hidrogjen – është thjesht pjesë e të njëjtit petk llafollogjik që thuret për të maskuar lakminë: lakmi akademike, lakmi shkencëtarësh, lakmi korporatash, lakmi qeveritare. Shkenca justifikohet, paqartësia gëlon, përshkrimet mjegullohen, kërdia bëhet e plotë. Hipokrit për nga natyra, antropocentrizmi i papandehur shumëzohet me vetveten duke reduktuar punën kërkimore në vetë-justifikim banal. Përveç kësaj, ka edhe viktima, gjithmonë ka viktima, të dobëtit e të pashpresët – shkrimtarët e propagandës së shkencës, studentët që mësojnë përmendësh, teknicienët part-time, minjtë e kaviet e laboratorit, me një fjalë të gjithë të margjinalizuarit.[10]

“Petku llafologjik” i Margulis-it s’është tjetër veçse “fjalët plastike”. Kështu, sipas saj, nën petkun e progresit mbështeten me fonde publike e lulëzojnë ambiciet për karrierë akademike, synimet për zgjerim, përfitim e ndikim të korporatave e qeverive. Pra, jemi e mbesim prapë te pushteti.

Kushdo që flet duke u bërë thirrje këtyre fjalëve plastike – apo mbase magjike – vendoset vetvetiu në pozitë pushteti dhe prestigji. Këto fjalë të mjegullta janë shndërruar në “tiranë”, siç i quan Pörksen, kushtrimit të të cilëve u dashka t’u përgjigjemi pa mëdyshje. Ndërkohë, kushdo që kundërshton, apo edhe vë në pyetje, “zhvillimin”, “progresin”, “standardin”, “mirëqenien” e të tjera si këto, rrezikon të shpërfillet ose të mos merret seriozisht. Arsyeja është (apo na duket) e thjeshtë: vetëm dikujt që i ka marrë koka erë mund të hedhë dyshime mbi domosdoshmërinë e pashmangshmërinë e progresit, zhvillimit, përparimit… William C. Chittick shkon një hap më tej dhe i cilëson këto fjalë si “zota të modernitetit”, dhe ekspertët që flasin në emër të tyre si ulema – termi islam për dijetarët, teologët e interpretuesit e ligjit dhe teksteve hyjnore:

Çdonjëra nga fjalët plastike ngre një ideal dhe na inkurajon të mendojmë se vetëm ekspertët mund të na tregojnë si ta arrijmë atë, kështu që duhet t’ua besojmë jetët atyre. Duhet të imitojmë ‘ulemānë shkencore, që na parashtron sherī‘ate për shëndetin, mirëqenien dhe arsimin. Njerëzit i trajtojnë shqiptimet e ekspertëve si fetva. Nëse ekspertët arrijnë konsensus (ixhmā’) se duhet ta shkatërrojmë një bashkësi, si kurban për zhvillimin, atëherë nuk kemi zgjedhje tjetër pos ndjekjes së autoritetit të tyre. ‘Ulemāja e di më mirë.[11]

Sipas Chittick-ut, kjo është pasojë e “kohëve moderne dhe mendimit modern” që “u mungon një qendër e vetme, një orientim i vetëm, një synim i vetëm e çfarëdolloj qëllimi i vetëm.” Në kohët paramoderne, e shprehur me larminë rrethanore të qytetërimeve, vendeve e kulturave përkatëse, Zoti ishte qendra, orientimi, synimi apo qëllimi i tyre. Duke mos pasur një Zot, pra atë që i jep kuptim dhe drejtim jetës, “bota moderne e nxjerr kuptimin nga tejet shumë zota,” thotë ai, sepse “askush s’mund të mbijetojë në boshllëk absolut… pa domethënie.” [12] Kjo valë shpërhapjeje e shumësie e ka zanafillën tek zhvendosja e botëkuptimit që filloi të ngjizej gjatë Rilindjes Europiane, çështje që është trajtuar tjetërkund. [13]

Çfarëdo qofshin shkaqet, ky mjegullim e pështjellim i komunikimit e dialogut është shenjë tipike e një shoqërie të nënshtruar, thotë John Ralston Saul:

Farkëtarët, që i shërbejnë imagjinatës sonë, janë gjithmonë të përkushtuar ndaj komunikimit. Metoda e tyre është gjithmonë qartësia. Qëllimi i tyre universaliteti. Nga ana tjetër, farkëtarët, që i shërbejnë pushtetit sundues, janë gjithmonë të përkushtuar ndaj paqartësisë. Ata tredhin imagjinatën publike duke ia nënshtruar gjuhën një ndërlikimi që e bën atë private. Qëllimi i tyre është gjithmonë elitizmi… Veçoria e padyshimtë e një shoqërie që është krejtësisht nën kontroll ose në rënie, është se gjuha ka reshtur së qëni një mjet komunikimi dhe është kthyer në një mburojë për ata që e zotërojnë atë.[14]

Siç e pamë, pyetjes “nëse fjalët plastike janë të papërkufizueshme, atëherë pse përdoren kaq gjerësisht?” Chittick do t’i përgjigjej duke thënë se është humbja e boshtit parimor, apo Zotit, e cila e zbraz jetën nga kuptimi, e kësisoj çon në sajimin e “zotave” të modernitetit si progresi, zhvillimi, etj, për ta mbushur këta zgavër kuptimi. Saul do të thotë se shkaktarët janë “farkëtarët” e gjuhës, që i shërbejnë strukturave sunduese, duke mjegulluar qëllimisht gjuhën, e kështu duke justifikuar akumulimin e shfrytëzimin e mëtejshëm të burimeve materiale dhe njerëzore prej tyre. Ia lëmë lexuesit të gjykojë nëse ky varfërim i gjuhës është pasojë e mungesës së Zotit apo prirjes për përqendrimin e përforcimin e pushtetit në forma të ndryshme. Mbase është një ndërthurje e të dyjave.

Po progres a kemi? Po, patjetër, por në drejtim të interesit financiar e politik të grupeve të caktuara, e jo doemos popullatës, me taksat e në emër të së cilës mbahen e mbështeten programet, institucionet e projektet. Ka një hendek në zgjerim e sipër mes veprave, që fjalët plastike sugjerojnë se bëhen në dobí të bashkësive e popujve kudo që të jenë, dhe asaj se çfarë ato shpesh janë në të vërtetë. Përsa i përket progresit moral e të ndërgjegjes – duke pranuar se ekziston një realitet i tillë – ai duket se është në kahun e kundërt. Me një fjalë, regres. Të zotohesh për një gjë e të bësh diçka krejt tjetër është e padrejtë; të paktën kështu e kanë parë njerëzit, dhe shumë ende e shohin, realitetin e veprimeve të tyre. Dhe veprat e padrejta duhen shmangur jo vetëm se dëmtojnë të tjerët, por sepse janë gurë që rëndojnë e përfundimisht fundosin anijen e ndërgjegjes sonë, ato janë “një mllef që përçmon pavdekësinë, e nuk na lejon të njohim atë çka ndër ne është hyjnore.” (Hermetika, Asklepi, I.12b)[15]

Dikush mund të thotë se çështja është e thjeshtë: “është ekonomia, mor budalla” (“it’s the economy, stupid”). Kjo e fundit ishte një nga parullat kryesore të fushatës elektorale të Bill Klintonit në vitin 1992, dhe pasqyron idenë se ekonomia është faktori vendimtar në çdo shoqëri njerëzore. Shkrimin e ardhshëm do të trajtojmë këtë temë duke pasur si prapavijë protestat e qytetarëve shqiptarë ndaj vendimeve të qeverisë së tyre, shkas për të cilat, siç e thamë, u bënë projektet për investim në zona të mbrojtura natyrore.

(vijon)

(c) 2026 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


[1] Uwe Pöerksen, Plastic Words: The Tyranny of a Modular Language, trans. Jutta Mason, David Cayley (University Park, PA: Pennsylvania State University Press, 1995). Sipas Pöerksen-it, një fjalë plastike, “a) Buron nga shkenca dhe i ngjasojnë një blloku ndërtimi. Është një stereotip. b) Ka një funksion përfshirës dhe është “çelës për çdo gjë”. c) Është një koncept reduktues, e varfëruar në përmbajtje. d) I qaset historisë si dukuri natyrore. e) Mbizotëron ngarkesa emocionale dhe funksioni. f) Sajon nevojë dhe uniformitet. g) E bën ligjërimin hierarkik dhe e kolonizon atë, duke krijuar një elitë ekspertësh dhe shërben si “pikë referimi” për ta. h) I përket një kodi ndërkombëtar bashkëkohor. i) Ligjërimin e thjeshton në fjalë, duke mbullur hapësirën e gjesteve shprehëse.” f. 23.

[2] George Orwell, ‘Politics and the English Language’ (1946).

[3] Alexis de Tocqueville, Democracy in America (IN: Liberty Fund Inc., 2010[1840]), vol. 2, kreu. 16, ff. 827-9.

[4] Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë (Tiranë: Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, 1981), f. 552.

[5] Pjesë nga fjalimi në forumin ‘Shqipëria: Sfidat 2005’ të datës 12 janar 2005.

[6] Andrew Nikiforuk, Against ‘Sustainability’ and Other Plastic Words, TheTyee.ca, 2 May 2019.

[7] Për shembull, Pöerksen i kushton një kapitull fjalës së mjegullt, “seksualitet”, e cila para Luftës së Dytë Botëore, nuk ekzistonte në asnjë fjalor.

[8] Pöerksen, Plastic Words, ff. XIV-XV.

[9] ‘Tutti quanti i mangioni/Dell’anonima edilizia/Che in nome del profitto/Hanno maciullato l’Italia…Shih tekstin e këngës ‘La terza guerra mondiale’ në albumin Il Re degli Ignoranti (1991).

[10] Margulis & Sagan, op. cit., f. 20.

[11] William C. Chittick, Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit: përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne, shqip.&parath. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2011), f. 51.

[12] Ibid. f. 49.

[13] Shih Fatos A. Kopliku, ‘Nga dielli te hijet e shpellës së Platonit’ në Shkenca moderne si shprehje kulturore (Tiranë: Pika pa sipërfaqe, 2025); përsa i përket shtjellimit të idesë qendrore në qytetërimin perëndimor dhe zhvendosjen e saj shih Arthur O. Lovejoy, The Great Chain of Being: a study of the history of an idea (Harvard University, 1936); René Guénon, The Multiple States of Being, trans. Henry D. Fohr, ed. Samuel D. Fohr (Sophia Perennis, 2001[1932]).

[14] John Ralston Saul, Voltaire’s Bastards: The Dictatorship of Reason in the West (Simon&Schuster, 2013[1993]), f. 9.

[15] Asclepius: The Perfect Discourse of Hermes Trismegistus, ed. & trans. Clement Salaman (Bloomsbury Academic, 2007).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading