Mes thirrjeve për drejtësi dhe vetëgjyqësisë
nga Gjergj Bakallbashi
Nuk i kuptoj thirrjet apo gjestet makabre të protestuesve.
I kuptoj kërkesat e tyre dhe indinjimin për si kanë shkuar punët në Shqipëri.
Shoh për shembull Lanën që kutërbon ditë e natë në zemër të Tiranës dhe dua edhe unë të protestoj, se pse nuk pastrohet dhe pse ujërat e zeza të asaj pjese të Tiranës që i derdh në Lanë, nuk janë futur në kanalet e ujrave të zeza e dërguar në Yrshek për t’u pastruar. Po bëhen gati 16 vjet që impianti i ujërave të zeza të Tiranës ka filluar të ndërtohet e nuk është mbaruar.
Dihet se punë të tilla janë të kushtueshme dhe kërkojnë kohë. Të paktën të ishin ndërmarrë disa hapa.
Dhe për këtë dua t’iu bashkohem protestuesve dhe të kërkoj që ujërat e Lanës të pastrohen.
Ka diçka shumë shqetësuese te fenomeni Lana: duam ta pastrojmë por nuk e pastrojmë dot. Duam që aty të rrjedhë ujë i pastër, por vetë e ndotim. Dhe më bën sens që t’i kërkoj Kryeministrit Rama të pastrojë Lanën. Dhe dua ta dëgjoj se çfarë do të më thotë për pse nuk pastrohet dhe për projektet që ka për ta pastruar.
Dua të ketë drejtësi dhe Lana të pastrohet për të mirën e Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve. Por nuk mund ta gjykoj KM-në, e aq më tepër të kërkoj dënim për të. Dua ta dëgjoj se cfarë ka për të thënë.
Ai apo qeveritarët e tij.
Vras mendjen pse flitet për kulla e resorte por nuk flitet për pastrimin e Lanës. Natyrisht asnjë arkitekt, sado i famshëm, nuk do mund të bëjë i vetëm apo e vetme një projekt për të pastruar Lanën. Është një projekt shume më kompleks që kërkon financa dhe miradministrim pa qenë e varur nga kjo apo ajo forcë politike, përfshi dhe forcën apo forcat e reja të cilat mund të lindin nga protestat ne bulevard.
Te njëjtën gjë, nëse vijnë në pushtet, do t’u kërkoja edhe anëtarëve të një qeverie të re: Si do ta pastroni Lanën? Por kurrsesi nuk do ta kërkoja këtë apo atë fat makabër për administratorët dhe politikanët. Do të doja t’i dëgjoja cfarë planesh kanë. Lana nuk pastrohet me vetëgjyqësi!
Dhe duke patur parasysh momentin kaotik shqiptar dhe europian, në vend të memeve makabre, do t’i uroja Edi Ramës për ditëlindje forcë dhe energji per të na shpjeguar si do ta pastrohet Lana. Apo si do të transformohet. Që Tirana të ketë më në fund një park dhe një lumë të pastër në zemër të qytetit.
Dhe nëse nuk ka projekte, do t’u drejtohesha të gjitha universiteteve në Tiranë me lutjen që të uleshin dhe të studionin e propozonin zgjidhje per Lanën. Studime të cilat do t’i botoja në një libër qe do ta quaja “Lana Files” !
(c) 2026 Gjergj Bakallbashi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
Rama nuk ka më tagër për Lanën, as për ndonjë gjë tjetër si kryeministër, përveçse të jap dorëheqjen. Ai kishte 13 vite kohë për t’i bërë ato që duhej apo që donte të bënte, tani afati skadoi. Me zgjedhjet e vjedhura Rama humbi legjitimitetin; me ligjin për mbrojtjen e Ballukut – dhe vetes! – prej SPAK-ut, Rama humbi edhe legalitetin si kryeministër. Ai nuk është mbret, as e ka atë karrige prej Zotit, as nga i ati i vet. Pushtetin populli ta jep, populli edhe ta merr – në demokraci. Kur zgjedhjet vidhen, kur drejtësia pengohet, populli del në rrugë dhe, me hir a me pahir, të tregon vendin. Rama tani është uzurpator.
Nuk di të them nëse shkrimi është vetëm naiv, siç duket në lexim të parë, apo tendencioz dhe manipulativ. Pretendon normalitet, aty ku nuk ka (42 ditë protesta masive, populllore – jo populiste!); e redukton konfliktin te probleme thjesht administrative, aty ku çështja është politikisht akute; akuzon rininë e protestës si të egër dhe makabre, ndërkohë që është lëvizja demokratike më paqësore dhe më dinjitoze që kanë bërë shqiptarët që nga protestat për mbrojtjen e Teatrit. Nuk ka demokraci kur zgjedhjet vidhen, nuk ka drejtësi kur bëhen ligje speciale nga kryeministri për të mbrojtur zëvendësen – dhe veten – nga hetimi.
Mes thirrjeve për drejtësi dhe vetëgjyqësisë, është nëntitulli i shkrimit. Por autori nuk thotë se kujt i drejtohet kështu, protestuesve apo Ramës? Kush bëri njëherësh edhe prokurorin, edhe avokatin, edhe gjykatësin për BB-në?
Rama për Financial Times:
Është detyrë e akuzuesve, pra, të provojnë që Rama është kumbari i krimit, përndryshe “fuck you* “, kështu tha Rama i indinjuar. Vetëm se “harroi” të shtonte që hetimet dhe provimet mund të bëhen vetëm kur ai heq dorë nga imuniteti parlamentar dhe kryeministror, përndryshe, nga kjo pseudo-indinjatë, mbetet vetëm ajo “fuck you“…
[ * Ps. Kush është këtu vulgar dhe makabër?]