Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

RRUGA IME E QUMËSHTIT

Brezit tim i ka ndodhur që të përjetojë – brenda 5-6 dekadash, ndryshime politike, ekonomike, kulturore dhe teknologjike të tilla të cilave u duheshin më parë shekuj për t’u realizuar. Fat i mirë apo i keq?

Ndonjëherë këtë e shoh edhe në fusha që, me hamendje, do të ishin më rezistente ndaj përmbysjeve, si ajo e ekonomisë dhe e kulturës ushqimore.

Më kanë treguar që, kur isha ende foshnjë pak-muajshe, ushqimi në gji kish filluar të këqyrej si kulturalisht i vjetruar nga nutricionistët e kohës në Tiranë; sipas një metode të eksperimentuar me sukses në Bashkimin Sovjetik dhe të adoptuar sakaq edhe nga avangarda pediatrike në Tiranë, rezultonte më e shëndetshme që të përdorej kosi në vend të qumështit.

Qumështin na e sillte rregullisht një fshatar, me bidon: qumësht deleje. Të mitë e zienin, pastaj e zinin kos. Kosin pastaj e futnin në shishe, me gjasë e tundnin, dhe ma jepnin me biberon. Nuk po dua të hyj në analizat freudiane të refuzimit të shijes së kosit – tek e fundit, ka një arsye bindëse pse qumështi është i ëmbël (“tambli”).

Edhe më pas, në shtëpi – te gjyshja – qumështin do ta zienin ritualisht, me ta blerë, meqë fshatarët e shisnin të papasterizuar. Më kujtohet që herë pas here ndodhte që qumështi “pritej”. Edhe stërgjyshja edhe gjyshja, të cilat e mbikëqyrnin këtë proces, e përjetonin “prerjen” e qumështit si fatkeqësi që shkonte përtej humbjes ekonomike. E trajtonin qumështin si të ishte gjë e gjallë e çmuar, që u kish vdekur aksidentalisht në tenxhere.

Përndryshe, të gjitha ëmbëlsirat e thjeshta me qumësht që më jepnin, si muhalebia, kishin shijen e qumështit të ciknosur.

Më pas, kur qumështin filluam ta blejmë “në shtet”, prerja do të ndodhte më rrallë – meqë vinte i pasterizuar. Por plakat e shtëpisë gjithnjë e zienin, edhe atë të shtetit.

E ruanin të fortë kujtesën instinktive të qumështit të infektuar me tuberkuloz; jo atë të mushkërive, por forma të tjera. Tuberkulozi, i të gjitha llojeve, kish lënë shenja plagësh në historinë shëndetësore të familjes – gjyshja ime u mjekua gjithë jetën madje edhe u operua në moshë relativisht të madhe për një “kavernë”, ndërsa stërgjyshes i kish mbetur një lezion tuberkular i pashërueshëm në faqe (të cilin im atë bënte sikur ia mjekonte, me injeksione vitaminash).

Në Tiranën e fëmijërisë sime shenjat e “luftës” kundër tuberkulozit i gjeje poshtë e lart: që nga sanatoriumi pak misterioz në Sauk, te tabelat “mos pështyni për tokë” që të dilnin ndonjëherë përpara në trotuar.

Pa folur për provën “Mantoux”, nikotibinat që ua jepnin me grushta disave prej kalamajve në shkollë dhe vaksinën antituberkulare, që janë histori për t’u treguar tjetërkund.

Kur nisa të shkoj në shkollë, qumështin ma bënin gati ndonjëherë të prekur me pak kafe, por nuk është se më pëlqente. Duhej ta pija dhe kaq.

Rritesha në një mjedis ku qumështi venerohej si të ishte ushqim perëndish. Më bënte përshtypje që ua jepnin falas minatorëve në minierë, “për t’i pastruar”; si antidot ndaj helmit të punës së rëndë. Sikurse mbaj mend që e kërkonin ata që vuanin nga stomaku. Dhe që ishin të panumërt. Nuk kam ndonjë shpjegim, pse ishin aq të përhapura, aso kohe, shqetësimet e stomakut – duke filluar nga ulçera (zakonisht e duodenit).

Kisha shokë që përtypnin rregullisht tableta “Roter”, një formë e karbonatit të bismuthit.

Ulçera ndonjëherë degradonte në kancer – dy shokë të afërt, Teodor Kekoja dhe Arjan Çela, më kanë vdekur pothuajse në të njëjtën kohë nga kjo sëmundje; dhe të dy i mbaj mend që më parë ankoheshin gjithnjë për dhimbje dhe trazira me tretjen.

Kish edhe një lloj tjetër qumështi, që m’i ka shoqëruar vitet e fëmijërisë deri vonë në shkollë të mesme: qumështi i kondensuar, ose, siç e quanim ne, qumështi “MILK”. Që shitej në konserva metalike, të cilave ndonjëherë thjesht mjaftoheshim t’u hapnim dy vrima simetrikisht me gozhdë, për ta thithur lëngun e trashë drejtpërdrejt.

Ishte shumë i sheqertë dhe adiktiv – kënaqësi për gjuhën, qiellzën dhe fytin. Jo dhe aq për stomakun. Në fillim e importonin nga Kina – më kujtohet turbullt etiketa e kutisë, me hieroglife dhe imazhin e një pande. Më pas filloi të prodhohej edhe në vend.

Në Tiranën “time” të viteve 1970-1980 fjala “qumësht” asociohej – më parë edhe se me fëmijët që rriteshin e kalciumin për kockat dhe ulçerat – me radhën e qumështit. Kjo vinte ngaqë qumështi shpërndahej herët, që në katër a në pesë të mëngjesit, dhe duhej shkuar në atë orë në dyqan, për ta gjetur.

Radha e qumështit, fantazmagoria e mëngjeseve herët në kryeqytet, ishte njëherazi lutje dhe pelegrinazh për “ushqimin tonë të përditshëm”. Në dimër e në verë. Shkalla zero e jetës sociale. Në mos edhe e shoqërisë civile. Shumë nga ata që rrinin në radhë ishin pensionistë – që ndihmonin familjet. Duke pritur në radhë, bënin edhe biseda ndonjëherë politikisht jo-korrekte dhe fillonin ta urrenin njëri-tjetrin. Pritësit në radhë njiheshin mes tyre, se ishin komshinj, por dinamika e pritjes ishte çdo ditë e ndryshme, sepse renditja varej nga ora kur mbërrije në radhë. Kur ndonjëri nuk shfaqej më, mund të ishte sëmurë, të kish vdekur, ose thjesht ta kishin rrasur brenda, pas një denoncimi specifik.

Atje do t’i jetë përpunuar sime gjysheje edhe përçmimi aq visceral që ndiente për burrat e lagjes.

Ky ishte brezi i vjetër që shtihej në punë për të çuar në familjet lëngun e jetës. Sepse qumështi, në vetëdijen kolektive, nuk e humbte kurrë këtë funksion simbolik – si një lloj gjaku i zbutur, i purifikuar, i çegërsuar, që nëna ia jepte nga trupi i vet fëmijës.

Nuk kam pritur ndonjëherë natën përjashta për qumësht; fati im, që e kanë bërë të tjerët për mua. Më shpesh gjyshja. Më kujtohet kur më dilte ndonjëherë gjumi, dhe e dëgjoja që bëhej gati për të dalë. Në mes të dimrit, në mes të shiut. Në vitet 1980, edhe në errësirë, sepse rrugëve nuk kishte më drita. Edhe bareshë të kish qenë, nuk do të dilte aq herët për të mjelë bagëtinë.

Im atë, që vuante edhe ai nga stomaku (urth), por prej stresit, pinte qumësht edhe në mëngjes, edhe në mbrëmje: e përdorte si “ilaç”. Njëlloj konsumonte edhe kosin.

Dikur u shfaq në Tiranë edhe ligësia e qumështit pluhur – që në krye e reklamuan si mrekulli nutricionale. Por me kalimin e kohës u kuptua se ky produkt kaq i mefshtë, që përpiqej të maskonte deri edhe ngjyrën e vet të mirëfilltë, mund të përzihej me ujë dhe t’i shtohej qumështit tjetër, atij të lopës.

(Le të mos flasim për ujin.)

Kushedi çfarë vinte në atë pluhur: mbresa biologjike lopësh të torturuara në stalla agorafobike, proteina të shtrembra që flisnin zhargone antibiotikësh primitivë dhe steroidësh për mushka ushtrie, kimikate dherash e tagjish të spërkatura me helme industriale e pesticide të ndaluara me ligj, atome ende aktivisht rrezatuese nga Çernobyli. Një e keqe që mbërrinte te ne me ritme pothuajse gjeologjike dhe që kushedi e mbartim akoma në trup.[1]

Në fund të viteve 1980 lindi vajza ime; ishim edhe në Tiranë, dhe befas nuk patëm se çfarë t’i japim për të ngrënë. Qumështi i dyqanit, i holluar me ujë, i skremuar, i kombinuar me kushedi ç’aditivë të tjerë, nuk i bënte mirë.

U gjendëm në një situatë për të cilën deri atëherë kishim lexuar veç në libra. Personazhe të një romani të pashkruar të Remarque-ut.

Te nevoja e foshnjës për qumësht ka diçka primordiale, që shkon edhe më thellë se argumenti biologjik; qumështi është aq i pafajshëm, sa paralizon.

Vjen si një nga perceptimet rrënjore që ia bën fëmija botës (nënës), krahas prekjes, rrahjeve të zemrës, ngrohtësisë dhe zërit qetësues. Nuk është vetëm diçka që i duhet trupit për t’u rritur; por edhe vetë bota, brenda së cilës ndodh rritja.

Fati im që m’u gjend pranë një çift italian, me të cilët isha njohur e miqësuar në Romë: Elsa Musacchio, një mësuese arbëreshe dhe i shoqi Stefano Renzi, mësues edhe ai, të cilët siguruan për ne një sasi të madhe të “formulës” – me dhjetëra e dhjetëra racione të vogla, në trajtë mostrash, që farmacitë atje ua jepnin klientëve për t’i provuar.[2]

Këto i solli në Tiranë Rando Devole, që ende studionte në La Sapienza.

Vajzës i ndryshoi shëndeti që ditën e dytë, pasi e zëvendësoi qumështin socialist me formulën kapitaliste.

Atë periudhë qëlloi që edhe e rifillova cigaren; sepse nuk e përballoja dot absurditetin e jetës. Pa ndihmat “italiane” vajza do të rritej e kequshqyer, me mangësi dhe jo vetëm fizike.

Në të njëjtën kohë, m’u krijua edhe mundësia për të shkuar sërish në Itali – këtë herë për të dhënë mësim në Napoli. Dhe kur e lashë Tiranën familjarisht, e lashë me bindjen që nuk do të kthehesha më. Për të vetmen arsye që nuk kishim arritur dot, pa një deus ex machina, t’i jepnim ushqimin e duhur fëmijës – detyra elementare e një prindi. Dhe kjo jo nga mungesa e përkushtimit ose budallallëku, por thjesht ngaqë na e kish kthyer shpinën shteti (të paktën të na kishin lënë të mbanim një dele a dhi në bahçe!).

Ishte qumështi – ose nevoja aq minimale për t’i dhënë fëmijës qumësht të mirë – që më bindi për të bërë diçka që nuk do ta kisha bërë dot ndryshe: ikjen përfundimtare nga Shqipëria.

Si të mos ikje nga një vend që nuk arrinte dot të ushqente foshnjat e veta?

Deri atëherë kisha arritur, me një mënyrë a me një tjetër, që të mbijetoja mendërisht, pa u korruptuar shumë nga ideologjia dhe indoktrinimi (edhe pse dëmet do të më shfaqeshin dora-dorës dhe i vuaj edhe sot); kisha mundur të gjej ushqim intelektual, për t’u formuar kënaqshëm në profesion; dhe ushqim shpirtëror, një libër këtu një film atje, një këngë këtu një album atje, sado pop (madje trash) apo të vjetruar, për të dalë nga shpella. Ishin vitet kur në parties më hot në Tiranë rinia kërcente me muzikën e grupit Boney M.

Por qumësht për fëmijën time nuk kishte.

Ai që na jepte dyqani, me shishe të ricikluara, kish një si nuancë të hirtë si prej finje, armike për shijen. Kish filluar të më prishej gjaku edhe mua, si stërgjyshes dikur, kur qumështi pritej gjatë zjerjes. Edhe pse i blerë nga të mitë me një mijë sakrifica, në llogoren e radhës në dimër, gjithnjë më dukej sikur me atë shishe na hynte në shtëpi një alkimi e mbrapshtë e regjimit, të cilin pafajësia e fëmijës e refuzonte.

Rozafa e ushqimit socialist për masat po nxirrte tani nga gjiri vetëm lëng të athët gëlqereje.

Aq sa unë isha bërë me hije dhe kish nisur të më bëhej sikur, kur i vinim vajzës biberonin te goja, i jepnim jo jetën që duhej t’i shkonte në trup me qumështin, por doza të së keqes.

Kjo ishte një lloj varfërie ndryshe – e një bote që po jepte shpirt, paçka se portofolët i kishim me lekë. Dhe të gjithë e donim atë botë të rrëzohej, paçka se Rozafa nuk lodhej së helmuari, pikë-pikë, të vegjëlit të sëmurët dhe të pafajshmit.

Si në poemën e Paul Celan-it, qumështi i atyre ditëve finale kish marrë ngjyrë të zezë.[3]

(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Kur u sëmur im atë nga një formë veçanërisht agresive e miosarkomës, nuk e hiqja dot mendsh përfytyrimin e një atomi ceziumi radioaktiv (Cs-137), të ardhur me shiun nga Bashkimi Sovjetik i viteve të tij studentore, për të ngecur pastaj fatalisht në muskulin e kofshës. Edhe pse i vetëdijshëm për absurditetin, gjithnjë ia lija fajin, për kancerin, pasionit të tij për qumështin dhe kosin.

[2] Kur isha në Romë për specializim, në vitet 1987-1988, mbaj mend që shokun tim të dhomës, B.T., me profesion zooteknik, e patën thirrur në ambasadë për t’i komunikuar një urdhër që vinte drejtpërdrejt nga Ramiz Alia: të informohej urgjentisht rreth përdorimit të qumështit të sojës për ushqimin e viçave në Itali. Me gjasë, po diskutohej që të përdorej qumështi i sojës edhe me viçat në Shqipëri, meqë qumështi i lopës u shkonte viçave të një lloji tjetër. Tani që mendoj, do të kish qenë më mirë që t’u jepej fëmijëve (jo bebeve) qumësht soje, në vend të atij pisllëkut alkimik që shitej në dyqan. Por unë atëherë nuk kisha dëgjuar kurrë për qumështin e sojës. Madje sojën e lidhja mendërisht me disa mrekulli ekonomike kineze, të cilave kisha vendosur t’i rrija larg. Do të kisha zgjedhur qumësht buallice, pele ose gomarice – edhe pse nuk them dot gjë për preferencat e viçave të Ramiz Alisë.

[3] Schwarze Milch der Frühe wir trinken sie abends
wir trinken sie mittags und morgens wir trinken sie nachts.

Nga Todesfuge. Kjo poemë e Celanit më sjell në mendje qumështin që u jepnin falas minatorëve në minierat e qymyrit. Përndryshe, edhe Jacques Audiberti ka shkruar për la secrète noirceur du lait.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading