Shënim: Kjo ese është pjesë e një serie studimore mbi mendimin filozofik të Friedrich Nietzsche-s. Për të ndjekur vijimësinë, mund të lexoni shkrimet paraardhëse në lidhjet 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, dhe 11.
Jo shumë kohë pasi Nietzsche hyri në arenën intelektuale gjermane të ideve më 1872, me librin e tij të parë Lindja e tragjedisë, ai u përball me akuza nga mendimtarët bashkëkohorë për “mungesë dashurie ndaj së vërtetës”.[1] Kjo frazë nuk duhet të merret si diçka që vë në dyshim inteligjencën e Nietzsche-s.[2] Gjenialiteti i tij është i mirënjohur dhe i pranuar. Për shembull, mund të kujtojmë këtu se çfarë tha profesori i tij, Friedrich Ritschl, në Universitetin e Leipzig-ut: “Ai [Nietzsche], me pak fjalë, do mund të bëjë gjithçka që do të dëshirojë ta bëjë.”[3] Aftësitë e tij intelektuale tregohen gjithashtu nga fakti që u bë profesor universiteti në moshën njëzetekatërvjeçare.[4]
Nëse Nietzsche qe ka brilant, si shpjegohet atëherë kjo “mungesë dashurie për të vërtetën”? Paçka se duhet të marrim parasysh edhe mundësinë që kjo mund të ketë qenë një akuzë e padrejtë, prapëseprapë nuk duket të ketë qenë e tillë. Kur e krahasojmë këtë sulm me atë që mendonte Nietzsche për shkrimet e veta, bëhet e qartë se kjo qe diçka themelore në mënyrën e tij të të menduarit rreth së vërtetës dhe dijes. Në librin e tij Vullneti për pushtet vetë Nietzsche e pranoi se, ideja që përshkonte veprat e tij, ishte “që vlerat e botës varen nga interpretimi që u bëjmë.”[5] Me fjalë të tjera, mungesa e dëshirës për të kërkuar të vërtetën siç është në vetvete nuk ishte rastësi, por një angazhim që buron nga epistemologjia e tij (teoria e tij e njohjes).
Një qasje nihiliste ndaj së vërtetës
Sipas profesorit të filozofisë Robert Solomon, teoria e njohjes e Nietzsche-s mund të kategorizohet si nihilizëm epistemologjik.[6] Për ta kuptuar siç duhet këtë, duhet së pari të përkufizojmë veçmas termat epistemologji dhe nihilizëm. Termi epistemologji “vjen nga fjala greke epistēmē, që do të thotë “të njohësh” ose “të dish”. Kështu, epistemologjia është studimi i njohurisë dhe i bindjes së përligjur.[7] Me fjalë të tjera, mënyra se si dikush e përligj si të vërtetë bindjen që mban është një çështje epistemologjike. Termi nihilizëm vjen nga fjala latine nihil, që do të thotë asgjë. Në Mesjetë ky term është përdorur për të cilësuar disa heretikë. Në përdorimin letrar, duket se fillimisht fjala ka hyrë në traditën ruse përmes Nikolai Ivanovich Nadezhdin-it, një studiues rus, i cili, në një artikull të vitit 1829 në revistën Mesazheri i Europës, e përdori këtë term për Aleksandr Pushkin-in.[8] Për Nadezhdin-in, dhe më vonë edhe për Vasily Vasilyevich Bervi-n, sociolog, ekonomist dhe shkrimtar radikal rus, nihilizmi lidhej kryesisht me një qëndrim skeptik ndaj autoriteteve dhe traditave të pranuara.
Termi u bë i njohur në letërsinë perëndimore përmes romancierit Ivan S. Turgenjev. Në romanin e tij Etër dhe Bij (1862), Turgenjevi vendos në gojën e Arkadit të ri fjalën “nihilist” kur përshkruan mikun e tij Bazarov. Sipas Arkadit, miku i tij ishte nga ata që nuk respektojnë asgjë – “një njeri që nuk përkulet përpara asnjë autoriteti dhe që nuk pranon asnjë parim besimi, sado i nderuar të jetë ai parim.”[9]
Nihilizmi epistemologjik është ideja se asgjë nuk mund të njihet “si e vërtetë në vetvete”, siç shprehet Nietzsche, sepse, sipas tij, një gjë e tillë nuk ekziston.[10] Me fjalë të tjera, nihilizmi epistemologjik është një formë skepticizmi që mohon mundësinë e njohjes të së vërtetës objektive.
Ndoshta, një vend i mirë prej nga ku duhet ta fillojmë shqyrtimin e konceptit të Nietzsche-s për të vërtetën, është ta vështrojmë marrëdhënien që ekziston, sipas tij, mes filozofëve dhe shkrimeve të tyre. Nietzsche thotë se gjithçka që filozofët kanë bërë deri tani nuk ka qenë një gjurmim i së vërtetës objektive, por vetëm një interpretim personal i botës.
Filozofia si interpretim personal
Për Nietzsche-n ekziston një lidhje shumë e fortë midis autorit dhe shkrimeve të tij. Këtë ai, sigurisht, e mendon edhe për veten. Një herë i shkroi mikut të tij Peter Gast: “Tani nuk shkruaj asnjë fjali në të cilën të mos jem i pranishëm i tëri.”[11] Në autobiografinë e tij ai shprehet: “Më duket e panevojshme të them kush jam. Në të vërtetë, duhet ta dinë, sepse nuk e kam lënë veten pa dëshmi.”[12] Përkthyesi i tij i parë në anglisht, Walter Kaufmann, pohon gjithashtu se librat e Nietzsche-s “nuk mund të kuptohen” të shkëputur nga vetë Nietzsche.[13] Nga sa duket, Nietzsche nuk priste nga lexuesit thjesht të kuptonin idetë e tij, por të njihnin edhe vetë autorin. Për të, nuk ka ndarje midis asaj që shkruante dhe asaj që ishte; përmes shkrimeve ai zbulonte veten.
Nietzsche e pozicionon veten në kundërshtim me mënyrën se si është kuptuar tradicionalisht detyra e filozofisë. Për shembull, ndryshe nga Platoni, i cili pohonte se filozofët e mirëfilltë janë ata që kanë për detyrë të dallojnë në mënyrë objektive të vërtetën nga e pavërteta,[14]për Nietzsche-n filozofët, në fakt, thjesht shfaqin interpretimet e tyre personale.
Ai shkruan: “Gradualisht më është bërë e qartë se çdo filozofi e madhe deri më tani ka qenë, në thelb, rrëfimi personal i autorit të saj dhe një lloj autobiografie e pavullnetshme dhe e pavetëdijshme.[15] Sipas tij, filozofët nuk udhëhiqen nga “një shtysë drejt njohjes”, por synojnë të jenë “shpirtra frymëzues.”[16]
Pjesës së parë të librit Përtej së mirës dhe së keqes Nietzsche i vuri nëntitullin “Mbi paragjykimet e filozofëve”gjë që është vetëshpjeguese rreth asaj që ai mendonte për filozofët.[17] Sipas tij, ata mburren se në përfundimet e veta arrijnë përmes “një dialektike të ftohtë e të pastër,” por, në fakt, në themelin e tyre ka një supozim ose “një dëshirë të brendshme që është filtruar dhe bërë abstrakte.”[18] (Përdorimi i fjalës dialektike nga ana e tij na sjell ndër mend Sokratin, i cili njihet për përdorimin e metodës dialektike që konsiston në dialogun me pyetje dhe përgjigje, derisa të dyja palët të arrijnë në një të vërtetë të kënaqshme).[19] Për Nietzsche-n, zakonisht, filozofët “pretendojnë me entuziazëm se janë duke lexuar kanunin” e ligjit të tyre në natyrë, ndërsa, faktikisht, ata thjesht duan që të na imponojnë idealet e veta të parapërcaktuara rreth realitetit. Në njëfarë kuptimi, argumenton ai, ata “do të donin që gjithë ekzistenca të ekzistonte vetëm sipas” shëmbëlltyrës së tyre.[20] Me fjalë të tjera, filozofët pretendojnë se këtu i ka shpënë kërkimi me sinqeritet i së vërtetës, por e vërteta është se ata e kanë nisur të filozofuarit me hamendësime. Në këtë drejtim, filozofët thjesht i pagëzojnë paragjykimet e veta si të vërteta. Kjo është arsyeja pse Nietzsche i quan të pandershëm dhe i përçmon.
Në dallim nga filozofët e pandershëm, ai vetë pranoi se e kishte të vërtetën përpara se t’i hynte filozofisë. Ai tha se kurrë nuk i kishte shqyrtuar me objektivitet konceptet dhe idetë me qëllim për të gjetur të vërtetën. Përkundrazi, në të gjitha tezat e tij filozofike, ai thjesht ka nxjerrë në pah interpretimin e vet.[21]Me këtë konstatim bie dakord edhe filozofi Frederick Copleston kur thotë se filozofia e Nietzsche-s është “një interpretim i universit, një mënyrë e të shikuarit dhe e përshkrimit të tij,” e jo një doktrinë metafizike rreth realitetit.[22] Nietzsche nuk mendonte se kjo qe diçka e jashtëzakonshme, por një ndershmëri për ta pranuar atë që mendimtarë të tjerë nuk kanë guxuar ta pranojnë.[23]
Po përse Nietzsche mendonte se filozofia është thjesht një interpretim vetjak dhe jo detyra e rendjes pas një njohurie objektive të së vërtetës? Kjo ndodh sepse koncepti i tij i së vërtetës është ndryshe nga ai i filozofëve të tjerë, si: Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Pikëpamja e këtyre filozofëve të Greqisë së lashtë mbi të vërtetën mund të ilustrohet me formulimin e Aristotelit: “të thuash se ç’është, që në fakt nuk është, apo se çfarë nuk është që faktikisht është, është e pavërtetë, ndërkohë që të thuash për atë që është se është, dhe që çfarë nuk është të thuash se nuk është, është e vërtetë.”[24]
Lidhur me statusin epistemik të së vërtetës, kjo pikëpamje njihet në filozofinë moderne si teoria e përkimit (ose e korrespondencës) të së vërtetës. Versioni më i thjeshtë i kësaj teorie është se “një pohim ose një fjali është e vërtetë kur i korrespondon një fakti të përshtatshëm, i cili është diçka në botë që e bën një pohim ose një fjali të vërtetë.”[25] Në kundërshtim me këtë nocion të së vërtetës dhe me statusin e saj epistemik, Nietzsche shkruan:
“Presupozimi i kësaj hipoteze është se nuk ka të vërtetë… nuk ka asnjë natyrë absolute të gjërave e as ‘gjë në vetvete’. Edhe kjo, gjithashtu, është thjesht nihilizëm shqeto–madje nihilizmi më i skajshëm. Ajo e vendos vlerën e gjërave pikërisht në mungesën e çdo realiteti që u korrespondon këtyre vlerave dhe në faktin që ato janë thjesht një simptomë e forcës nga ana e parashtruesve të vlerës, një thjeshtim për hir të jetës.”[26]
Këtu, epistemologjia e Nietzsche-s rrjedh qartësisht nga metafizika e tij.[27] Është premisa sipas së cilës “nuk ka natyrë absolute te gjërat, e as një ‘gjë në vetvete,’” ajo që e çon atë në nihilizëm epistemologjik. Nietzsche e mohon njohurinë e së vërtetës objektive, sepse, për të, diçka e tillë nuk ekziston. Askush nuk mund të pretendojë të njohë diçka objektivisht nëse ajo gjë nuk ekziston në vetvete. (Megjithatë, duhet vërejtur që ky është presupozimi i Nietzsche-s dhe jo diçka që ai ka kuptuar pas një shqyrtimi të kujdesshëm të realitetit. Sepse ai thotë: “Presupozimi i kësaj hipoteze është se nuk ka të vërtetë …”).
Nietzsche e konsideron të vërtetën si metaforë, si pikëpamje, ose si diçka që mund të bëhet, dhe jo si diçka që është. Këto koncepte do të shqyrtohen më poshtë.
E vërteta si metaforë
Nietzsche e shpjegon pikëpamjen e vet mbi të vërtetën në shumë prej shkrimeve të tij, por ndoshta në mënyrë më të plotë e bën këtë në artikullin e tij të titulluar “Mbi të vërtetën dhe gënjeshtrat në një kuptim amoral” (shkruar mes viteve 1870-1873, por faktikisht i botuar vetëm më 1896).[28] Sipas tij, e vërteta nuk është diçka që ekziston në vetvete, por një marrëveshje gjuhësore; ajo është një metaforë. Për shembull, çfarë është e vërtetë rreth cilësisë së ndershmërisë? Nietzsche përgjigjet kështu: “Ne e quajmë një person të ‘ndershëm,’ dhe pastaj pyesim ‘përse është sjellë kaq ndershmërisht ai (ose ajo) sot?’ Përgjigjja jonë e zakonshme është: ‘i shtyrë nga ndershmëria e tij (ose saj).’”[29] Por, për Nietzsche-n, ky duket një arsyetim qerthullor. A nuk është kjo njëlloj si të thuash “gjethja është shkaktuesi i gjetheve?” pyet ai. Për më tepër, ai shkruan: “Ne nuk dimë gjë prej gjëje rreth cilësisë esenciale të ‘ndershmërisë’; por dimë për veprime të panumërta të individualizuara … të cilat … i emërtojmë si veprime të ‘ndershme’.”[30] Jemi ne, njerëzit, thotë Nietzsche, ata që i kemi emërtuar këto veprime si të “ndershme.” Kështu, “cila është cilësia apo esenca e një gjëje?” A është thjesht një “tufë metaforash, metonimish dhe antropomorfizmash të lëvizshëm: me pak fjalë një përmbledhje e marrëdhënieve njerëzore, të cilat janë intensifikuar poetikisht dhe retorikisht, janë transferuar dhe zbukuruar, e të cilat pas një përdorimi të gjatë, një populli i duken të paluajtshme, kanunore e të detyrueshme?”[31]
Nëse dikush do të pyeste: duke qenë se cilësitë janë metafora të krijuara nga ne njerëzit, përse atëherë diskutohet nëse gjërat kanë një cilësi ose një esencë në vetvete? Nietzsche do të argumentonte se kjo ndodh për shkak se ne kemi harruar që ishim ne që ua dhamë fillimisht cilësive këto përcaktime. Me fjalë të tjera, njerëzit kanë harruar se ishim ne ata që i shpikën këto metafora. Në këtë kuptim, për Nietzsche-n: “Të vërtetat janë iluzione, të cilat ne kemi harruar që janë iluzione.”[32]
Një ilustrim që ai përdor për ta shpjeguar konceptin e së vërtetës si një metaforë, është analogjia e monedhave. Ne konsiderojmë monedha ca copa metali, thotë Nietzsche, sepse u kemi mbishkruar atyre një vlerë. Por, nëse e heqim mbishkrimin, ato do të jenë sërish thjesht metal. Ai argumenton se e vërteta është në të njëjtën kategori. Një ilustrim tjetër është ai i përkufizimit të një gjitari. Nietzsche shkruan:
Nëse unë sajoj përkufizimin e një gjitari dhe, pastaj, pas shqyrtimit mirë e mirë të një deveje deklaroj “ja, një gjitar”, me të vërtetë që kësisoj kam nxjerrë në dritë një të vërtetë, por kjo është një e vërtetë me vlerë të kufizuar. D.m.th., ajo është një e vërtetë tërësisht antropomorfike, e cila nuk përmban as një pikë të vetme që të ishte “e vërtetë në vetvete” ose universalisht e vlefshme në mënyrë të pavarur prej njerëzve.[33]
Me fjalë të tjera, nëse do ta ndryshonim përkufizimin e një gjitari, argumenton Nietzsche, atëherë deveja nuk do të binte më në atë përkufizim. Kështu, e vërteta rreth të qenit gjitar, nuk ekziston në vetvete. Jemi ne ata që e kemi formuluar atë përkufizim. Me pak fjalë, Nietzsche argumenton se e vërteta nuk ekziston veçmas subjekteve, të cilat shpikin metaforën. Çfarë do të thotë atëherë të jesh i vërtetë? Për Nietzsche-n, do të thotë të përdorësh metaforat e zakonshme. Dhe meqë përcaktimi ynë nuk përcjell ndonjë të vërtetë në vetvete, kjo do të thotë, për Nietzsche-n, se ne jemi duke “gënjyer sipas një konvente të fiksuar”, për të cilën të gjithë kemi rënë dakord.[34] Një mënyrë tjetër për ta përfytyruar konceptimin e Nietzsche-s për të vërtetën është ta mendojmë atë si një pikëpamje personale.
E vërteta si pikëpamje
Te Vullneti për pushtet Nietzsche shkruan se cilësia e një gjëje është një pikëpamje dhe jo një cilësi në vetvete. Për rrjedhojë, për të, kur dikush pretendon se thotë të vërtetën, ai në fakt po shpall “pikëpamjen e vet”, të cilën synon ta imponojë si normë.[35] Ky koncept e lejon Nietzsche-n të pretendojë se: “Ka shumë lloje të ‘vërtetash, por jo ‘një të vërtetë.’”[36] Tjetërkund ai përsërit: “Ajo që nevojitet është që diçka duhet të mbahet si e vërtetë, jo që diçka është e vërtetë.”[37] Çfarë nënkupton kjo? Sipas tij, kjo do të thotë se një pandehmë, një deklaratë apo një “fakt” nuk është i vërtetë në vetvete, si diçka objektive dhe e pavarur nga njeriu, por merr statusin e së vërtetës kur një person e beson si të tillë.
Me fjalë të tjera, ka “të vërteta” në shumës, sepse njerëzit i mbajnë ato për të tilla, por nuk ka një të Vërtetë absolute në njëjës, sepse një gjë e tillë nuk ekziston në vetvete. E thënë shkurt, për Nietzsche-n, e vërteta nuk zbulohet si diçka e pavarur prej nesh, por formohet dhe mbahet si e tillë përmes interpretimit njerëzor.
Për të kuptuar më tej pikëpamjen e Nietzsche-s, le të shohim edhe dallimin mes “të qenit” (angl. being) dhe “të bërit” (angl. becoming) në mendimin e tij për të vërtetën.
E vërteta si diçka që bëhet
Duke qenë se, për Nietzsche-n, esenca e diçkaje jepet përmes interpretimit, ajo është “një formë e vullnetit për pushtet; [ajo] ekziston (jo si një ‘qenie’, por si proces, si diçka që bëhet) si pasojë.”[38] Sipas tij, arsyeja pse ne nuk mund t’i konsiderojmë gjërat në gjendjen e të qenit është se “ne nuk kemi ide për të veçmas idesë së të jetuarit. Si mundet që diçka e vdekur të jetë?”[39] Me fjalë të tjera, gjithçka që nuk ka jetë, thotë Nietzsche, fillon të ekzistojë vetëm përmes atyre që janë qenie të gjalla. Nëse ato gjëra të cilat nuk kanë jetë ne do t’i etiketonim objekte, dhe qeniet e gjalla (njerëzit në këtë rast) subjekte, atëherë, për Nietzsche-n, “ekziston vetëm subjekti. . . [ndërkohë që] ‘objekti’ është vetëm një lloj pasoje e prodhuar nga subjekti. . . një modus e subjektit.”[40]
Për ta përmbledhur, ajo që nxjerr në pah analiza e koncepteve të së vërtetës si metaforë, si pikëpamje dhe si diçka që bëhet në mendimin eNietzsche-s është se e vërteta për të nuk është objektive. Përkundrazi, është një krijim i subjekteve. Me fjalë të tjera, ajo është diçka subjektive.
Në këtë pikë, një pyetje e mëtejshme lipset të trajtohet: nëse e vërteta është diçka e përcaktuar nga subjektet, atëherë si mundet ndokush të bëjë dallimin e së vërtetës nga e pavërteta?
Dallimi i të vërtetës
Sipas sistemit të të menduarit të Nietzsche-s, e vetmja provë e të vërtetës është të shtrosh pyetjen: “A e lartëson kjo personin?”Nëse një “mendim më lartëson,” thotë Nietzsche, “si mund të mos jetë i vërtetë?’ Ose: “Kjo punë më jep kënaqësi; si mund të mos jetë e bukur atëherë?’ Ose: ‘Vepra e këtij artisti më fuqizon; si mund të mos jetë ai një artist madhështor?’”[41] Siç vihet re, sipas Nietzsche-s, ajo që dikush beson të jetë e vërtetë, e bukur apo madhështore, nuk provohet duke pyetur nëse këto cilësime përkojnë me ndonjë realitet objektiv që ekziston jashtë subjektit; më konkretisht, me atë se çfarë është me të vërtetë e vërtetë, çfarë është e bukur, apo çfarë është madhështore. Përkundrazi, ajo që është e vërtetë, ajo që është estetikisht e bukur, si dhe ajo që është madhështore, matet nga efekti që ka mbi subjektin. Nëse ajo e pasuron jetën e subjektit, argumenton Nietzsche, atëherë duhet mbajtur si e vërtetë. Nëse nuk e ka këtë efekt, duhet të flaket tej si e pavërtetë. Me fjalë të tjera, vetëm nëse diçka është e dobishme për subjektin mund të mbahet si e vërtetë. Pikëpamja e Nietzsche-s për të vërtetën fare mirë mund të kategorizohet me atë që filozofët e quajnë sot teoria pragmatike e së vërtetës. Sipas kësaj teorie, një bindje konsiderohet e vërtetë vetëm për aq sa është e dobishme për atë që e mban.[42]
Tani na duhet të shtrojmë edhe një pyetje tjetër: cila është arsyeja themelore pse, sipas Nietzsche-s, e vërteta jashtë subjektit nuk ekziston?
“Vdekja e Zotit” si shkak i vdekjes të së vërtetës
Mohimi i së vërtetës absolute në mendimin e Nietzsche-s mbështetet mbi themelin: “Zoti ka vdekur.” E vërteta objektive ka kuptim vetëm nëse pranohet besimi se Zoti, mendja përfundimtare, ekziston realisht. Por, nëse besimi në Zot refuzohet, atëherë, në kuptimin më të mirëfilltë, nuk mbetet asgjë. Kur Nietzsche shpalli për herë të parë “vdekjen e Zotit” përmes gojës së të Çmendurit, ai pyeti: “A ka ende lart dhe poshtë? A nuk po endemi si nëpër një asgjë të pafundme? A nuk e ndiejmë frymën e hapësirës së zbrazët?”[43] Siç duket, Nietzsche e kuptoi qartë se mohimi i besimit në Zot do të sillte me vete edhe mohimin e gjithçkaje që qëndronte bashkë me Zotin: jo vetëm të së vërtetës objektive, por edhe të pikës së referimit për vlerat morale, si edhe të themelit mbi të cilin mbështetet kuptimi i ekzistencës njerëzore.
“Mohimi i një bote të vërtetë,” bëhet për Nietzsche-n “një mënyrë hyjnore e të menduarit.”[44] Është një mënyrë hyjnore e të menduarit sepse, tani, qeniet njerëzore janë më në fund të lira për të qenë krijuesit e së vërtetës.[45] Me fjalë të tjera, tani që “Zoti ka vdekur”, njerëzit mund të zënë vendin e tij hyjnor dhe të bëhen zota. Në këtë aspekt, Nietzsche ua jep vendin e zotit veçanërisht filozofëve të mirëfilltë. Ai shkruan se filozofët e mirëfilltë “janë urdhërues dhe ligjvënës: ata thonë, ‘kështu do të bëhet!’”[46] Gjuha që përdor Nietzsche këtu, duket që qëllimisht është e huazuar nga Bibla. Te “Zanafilla” Perëndia solli në ekzistencë gjithësinë duke deklaruar: “U bëftë . . .” dhe “U bë” (Zan. 1). Kështu, filozofët, në vendin e Perëndisë do të thonë: “Kështu do të bëhet” e ashtu do të bëhet. Pra, tani që “Perëndia ka vdekur,” filozofët e mirëfilltëmund t’i japin vetes një autoritet hyjnor për të krijuar të vërteta.
Para se të përfundojmë, konceptimi i Nietzsche-s për të vërtetën meriton disa vërejtje vlerësuese. A është e arsyeshme teoria e tij e njohjes?
Vlerësim
Gjykoj se koncepti që ka Nietzsche për të vërtetën përballet me një sërë problemesh.
Së pari, duke u nisur nga konstatimi i fundit, Nietzsche duket se e ndërton tezën e tij se nuk ekziston një botë e vërtetë mbi konceptin “Zoti ka vdekur”. Mirëpo, siç e kemi argumentuar tashmë, Nietzsche e përdor këtë shprehje kryesisht si një pohim mbi një fenomen kulturor: rënien e besimit në Zotin e krishterë. Por rënia e besimit në Zot nuk provon nëse Zoti ekziston apo jo. Edhe sikur askush të mos besonte në të, Zoti mund të ekzistonte ende. Po ashtu, edhe sikur të gjithë të besonin në të, kjo nuk do të provonte domosdoshmërisht ekzistencën e tij. Prandaj, përderisa rënia e besimit nuk mund të shërbejë si argument për mosekzistencën e Zotit, themeli mbi të cilin Nietzsche ngre nihilizmin e tij epistemologjik dobësohet ndjeshëm.
Së dyti, Nietzsche presupozon se e vërteta objektive nuk ekziston. Mirëpo, kjo është një pikënisje metafizike e hamendësuar, dhe jo një përfundim i arritur përmes argumentimit rigoroz. Ai nuk është përpjekur të na tregojë pse kjo duhet pranuar. Kështu, përderisa një hamendësim nuk mund të llogaritet si një argument i vlefshëm, koncepti që Nietzsche ka për të vërtetën vihet sërish në pikëpyetje.
Së treti, mund të thuhet se pikërisht ajo gjë që Nietzsche synon të mohojë, është njëkohësisht e presupozuar prej tij si e vërtetë. Ai thotë: “nuk ka të vërtetë në vetvete,” ndërsa nënkupton se ajo që sapo ka thënë duhet të jetë e vërtetë. Mirëpo, nëse nuk ka të vërtetë në vetvete, atëherë, për rrjedhojë, as kjo fjali nuk përmban ndonjë të vërtetë në vetvete. Me fjalë të tjera, koncepti i Nietzsche-s për të vërtetën e hedh poshtë vetveten. Thoma Akuini e shpreh në mënyrë elegante këtë logjikë kur shkruan: “Nëse e vërteta nuk ekziston, atëherë pandehma ‘E vërteta nuk ekziston’ është e vërtetë; dhe, nëse ka ndonjë gjë të vërtetë, atëherë e vërteta ekziston.”[47]
Natyra vetëkundërshtuese e konceptit të Nietzsche-s për të vërtetën mund të nxirret në pah edhe në këtë mënyrë. Nietzsche shkruan se nuk ekzistojnë as “arsyeja, as të menduarit . . . as e vërteta: të gjitha këto janë sajesa të padobishme.”[48] Po kjo fjali në vetvete? A përmban ajo ndonjë arsye apo ndonjë mendim? A ka ndonjë të vërtetë në të? Apo është thjesht një sajesë dhe diçka e padobishme? Nëse Nietzsche ka të drejtë, atëherë ne duhet ta shpërfillim atë që ai shkruan këtu. Ajo duhet të jetë e padobishme.
Së katërti, ideja e Nietzsche-s se e vërteta është thjesht një pikëpamje është gjithashtu një koncept kontradiktor. Duket sikur Nietzsche dëshiron që ne ta zëvendësojmë pohimin “ekziston një e vërtetë objektive” me pohimin se “ekzistojnë vetëm pikëpamje ose interpretime.” Me fjalë të tjera, ai mohon që e vërteta të jetë normative, ndërsa njëkohësisht dëshiron që perspektivizmi i tij të bëhet normë. Po pse duhet ta pranojmë konceptin e tij si normë, nëse ai është vetëm pikëpamja e Nietzsche-s? Os Guinness e shpreh kritikën e tij në këtë pikë kështu: “Nëse e vërteta është vetëm çështje pikëpamjeje, atëherë a nuk janë edhe vetë librat e tij asgjë më shumë se pikëpamja e tij? Nëse e vërteta është vetëm shprehje e një vullneti për pushtet…, atëherë a duhet t’i gjykojmë pretendimet e tij sipas vetë kritereve të tij?”[49] Me fjalë të tjera, nëse pretendimet e Nietzsche-s do të gjykoheshin sipas kritereve të tij, atëherë, duke ushtruar vullnetin tonë për pushtet, ne mund ta hedhim poshtë fare lehtë atë që ai parashtron, duke e konsideruar thjesht si një pikëpamje të tij.
Për më tepër, ashtu siç e pamë, Nietzsche i paragjykon filozofët si njerëz që nuk bëjnë gjë tjetër veçse parashtrojnë hamendësimet e tyre të paracaktuara. Duke pasur parasysh këtë vlerësim, si dhe faktin që ai vetë është filozof, a nuk duhet atëherë ta paragjykojmë edhe mendimin e Nietzsche-s si thjesht një presupozim, që nuk përmban asnjë të vërtetë objektive? A nuk duhet, për rrjedhojë, të parashtrojmë edhe ne interpretimin tonë për të vërtetën?
Përfundim
Nietzsche parashikoi se, në dy shekujt pasues, njerëzimi do të bëhej pashmangshmërisht dëshmitar i “ardhjes së nihilizmit”.[50] Nëse një nga tiparet e nihilizmit është mohimi i së vërtetës objektive dhe, për pasojë, lindja e relativizmit (diçka që po e dëshmojmë sot në kulturën pasmoderniste të Perëndimit) atëherë Nietzsche, ndoshta, mund të konsiderohet, në njëfarë mënyre, një profet kulturor.
Megjithatë, të thuash se Nietzsche ishte një profet kulturor nuk do të thotë se koncepti i tij për të vërtetën ishte i saktë dhe se, për rrjedhojë, duhet ta pranojmë atë. Kjo vetëm sa tregon nevojën për ta shqyrtuar seriozisht mendimin e tij, me qëllim që të kuptojmë më mirë kulturën tonë bashkëkohore. Në fakt, nëse e marrim seriozisht atë që ai mësoi rreth së vërtetës, atëherë duhet të bindemi të bëjmë pikërisht të kundërtën, domethënë, ta refuzojmë mësimin e tij. Sepse, siç kemi treguar në këtë shkrim, koncepti i tij për të vërtetën nuk është i qëndrueshëm, pasi nuk i qëndron analizës rigoroze logjike. Të thuash se nuk ka të vërtetë objektive do të thotë, në fund të fundit, se nuk ka asnjë arsye objektive pse koncepti i Nietzsche-s për të vërtetën duhet të pranohet si i vërtetë.
Nihilizmi i Nietzsche-s nuk kufizohet vetëm te pikëpamja e tij për të vërtetën. Në shkrimin vijues do të shqyrtojmë nihilizmin e tij moral.
(c) 2026 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit[51]. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Walter Kaufmann, “Hyrja nga përkthyesi,” te Basic Writings of Nietzsche, 5. Walter Kaufmann qe i pari që përktheu veprat e Nietzsche-s në anglisht. Ai ia atribuon këtë frazë një filologu të ri, të quajtur Ulrich Wilamowiz-Moellendorff, i cili e kritikoi librin e Nietzsche-s.
[2] Edhe pse, sipas Kaufmann, edhe Wilamowiz e akuzoi Nietzsche-n për padije rreth temës për të cilën kishte shkruar te The Birth of Tragedy.
[3] Walter Kaufmann, hyrje te The Portable Nietzsche, përk. dhe red. Walter Kaufmann (New York: The Viking Press, 1954),7-8. Shih: gjithashtu Frederick C. Copleston, Friedrich Nietzsche: Philosopher of Culture (London: Search Press, 1975), 5-7.
[4] Ai filloi mësimdhënien në Universitetin e Basel-it në Zvicër, më 1869, me rekomandim nga profesori i tij Friedrich Ritschl.
[5] Friedrich Nietzsche, The Will to Power, trans. and red. Walter Kaufmann (New York: Random House, 1967), 330.
[6] Robert C. Solomon, “Nietzsche, Nihilism, and Morality,” in Nietzsche: A Collection of Critical Essays, red. Robert C. Solomon (Notre Dame: University of Notre Dame Press, 1980), 205.
[7] James Porter Moreland with William Lane Craig, Philosophical Foundations for a Christian Worldview, 2-nd edition (Downers Grove: InterVarsity, 2017), 61.
[8] Britannica, The Editors of Encyclopedia. “nihilism”. Encyclopedia Britannica, 13 Mar. 2020, https://www.britannica.com/topic/nihilism. Aksesuar më 4 janar 2022. Për një përkufizim të plotë të nihilizmit dhe mënyrës si është përdorur në letërsi shih Robert G. Olson, “Nihilism,” në Encyclopedia of Philosophy: Volume 6, bot 2-të, red. Donald M. Borchert (Detroit: Thomson Gale/Macmillan Reference USA, 2006), 617-18. Shih edhe Martin Heidegger, “The Word of Nietzsche: ‘God is Dead,” në The Question Concerning Technology, and Other Essays, trans. William Lovitt, (New York: Harper & Row, 1977), 66.
[9] Ivan S. Turgenev, Fathers and Sons, trans.. Constance Garnett (New York: Grosset and Dunlap, 19??), 25.
[10] Nietzsche, The Will to Power, 304. Shih edhe Nietzsche, “On the Truth and Lies in a Nonmoral Sense,” in The Nietzsche Reader, Blackwell Readers, red. by Keith Ansell Pearson and Duncan Large (Malden, MA: Blackwell, 2006), 119.
[11] Friedrich Nietzsche, Selected Letters of Friedrich Nietzsche, trans. and red. Christopher Middleton (Chicago: University of Chicago Press, 1969), 334. Emri i vërtetë i Peter Gast-it ishte Johann Heinrich Köselitz.
[12] Friedrich Nietzsche, Ecce Homo, in Basic Writings of Nietzsche, 674. Theksimi i tekstit është i origjinalit.
[13] Kaufmann, “Introduction,”4.
[14] Shih Plato, The Republic, 2-nd ed. trans. by Allan Bloom (New York: Basic Books, 1991), 164, cituar në Guinness, Fool’s Talk, 79.
[15] Nietzsche, Beyond Good and Evil, in Basic Writings of Nietzsche, 203-4.
[16] Po aty, 204. Theksimi i tekstit është i origjinalit.
[17] Po aty, 197.
[18] Po aty, 202.
[19] Shih Douglas Groothuis, Philosophy in Seven Sentences: A Small Introduction to a Vast Topic (Downers Grove: IVP Academic, 2016), 38.
[20] Nietzsche, Beyond Good and Evil, 202.
[21] Nietzsche, The Will to Power, 330.
[22]Frederick Copleston, S.J., A History of Philosophy: Volume VII Fichte to Nietzsche (The Newman Press: Westminster, Great Britain, 1963), 407. Theksimi i shtuar.
[23] Për Nietzsche-n, jo vetëm filozofët, por edhe shkencëtarët nuk arrijnë në përfundime mbi bazën e fakteve, por mbi bazën e interpretimeve të tyre fiktive. Për shembull, sipas tij, “Të gjitha presupozimet e teorisë mekaniciste – materia, atomi, graviteti, presioni dhe tensioni – nuk janë ‘fakte në vetvete’, por interpretime me ndihmën e trillimeve psikike.” Nietzsche, The Will to Power, 368.
[24] Aristotle, Metaphysics, IV, 6, 1001b, 28, cituar në Michael P. Lynch, “Realism and The Correspondence Theory: Introduction,” in The Nature of Truth: Classic and Contemporary Perspectives, red. Michael P. Lynch (Cambridge, MA: A Bradford Book, 2001),9.
[25] Andrew Newman, The Correspondence Theory of Truth: An Essay on the Metaphysics of Predication, Cambridge Studies in Philosophy (Cambridge, UK: Cambridge University Press, 2007), 1.
[26] Nietzsche, The Will to Power, 14. Theksimi i shtuar.
[27] Shkurtimisht, metafizika merret me studimin e realitetit ose të qenies. E thënë ndryshe, ajo heton se si janë gjërat në vetvete (në dallim nga mënyra se si ne i njohim ato, që është çështje e epistemologjisë). Shih Graham Oddie, “Metaphysics,” in Encyclopedia of Philosophy, vol. 6, 2-nd ed. red. Donald M. Borchert (Detroit: Thomson Gale/Macmillan Reference USA, 2006), 169-83.
[28] Friedrich Nietzsche, “On the Truth and Lies in a Nonmoral Sense,” në The Nietzsche Reader, Blackwell Readers, red. Keith Ansell Pearson dhe Duncan Large (Malden, MA: Blackwell, 2006).
[29] Nietzsche, “On the Truth,” 117.
[30] Po aty.
[31] Po aty.
[32] Po aty.
[33] Nietzsche, “On the Truth,” 117.
[34] Po aty.
[35] Nietzsche, The Will to Power, 304, 267.
[36] Nietzsche, The Will to Power, 291, 276. Theksi origjinal.
[37] Nietzsche, The Will to Power, 291, 276. Theksi origjinal.
[38] Nietzsche, The Will to Power, 302.
[39] Po aty, 313.
[40] Po aty, 207. Theksi origjinal.
[41] Nietzsche, Beyond Good and Evil, 324.
[42] Shih William James, “Pragmatism’s Conception of Truth,” në The Nature of Truth: Classic and Contemporary Perspectives, red. Michael P. Lynch (Cambridge, MA: MIT Press, 2001), 211.
[43] Nietzsche, The Gay Science, 181.
[44] Nietzsche, The Will to Power, 15. Pjerrësia e shkronjave është e origjinalit.
[45] Nietzsche, Beyond Good and Evil, 325-26.
[46] Po aty, 326. Theksi origjinal.
[47] Thomas Aquinas, Summa Theologica, në Classics of Philosophy, 3rd edition, red. Luis P. Pojman dhe Lewis Vaughn (New York: Oxford University Press, 2011) 465.
[48] Nietzsche, The Will to Power, 266.
[49] Guinness, Fool’s Talk, 120.
[50] Nietzsche, The Will to Power, 3. Theksi origjinal.
[51] Një version i këtij shkrimi është botuar në librin tim Mbi të vërtetën, religjionin dhe moralin (Botimet Dudaj, 2020, Tiranë).
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.