“Mbi të gjitha, mos më ngatërroni me dikë tjetër.”
(Friedrich Nietzsche, Ecce Homo)
Friedrich Nietzsche është një nga figurat më me ndikim në historinë e mendimit perëndimor. I njohur për kritikën e tij të ashpër ndaj krishterimit, e përmbledhur në shprehjen e famshme “Zoti vdiq”, rruga e tij nga besimi në mosbesim nuk ishte një mohim i menjëhershëm, por një proces gradual dhe kompleks. I rritur në një mjedis thellësisht fetar, ai fillimisht aspironte të ndiqte gjurmët e të atit si pastor luteran. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai u distancua nga kjo traditë dhe më vonë iu kundërvu ashpër. Përveç sfidave intelektuale, jeta e tij u shënjua nga humbje të hershme, izolim dhe probleme të vazhdueshme shëndetësore—të gjitha këto luajtën një rol kyç në formimin e tij. Për të kuptuar më thellë rrënjët e mendimit të tij, është e rëndësishme të shqyrtojmë rrugëtimin e tij jetësor dhe ndikimet që e formësuan, duke e çuar drejt zhvillimit të një prej kritikave më radikale ndaj moralit dhe fesë në historinë e filozofisë.
“Pastori i vogël”
Nietzsche lindi më 15 tetor 1844 në Röcken, një fshat i vogël në Saksoninë Prusiane, në jug të Leipzigut. Për shkak se ditëlindja e tij përkonte me atë të mbretit të Prusisë, Friedrich Wilhelm IV, ai u pagëzua me emrin Friedrich Wilhelm në nder të monarkut. Si pasojë, ditëlindja e tij festohej si një ditë feste kombëtare gjithë fëmijërisë së tij.[1]
Babai i Nietzsche-s, Karl Ludwig Nietzsche, ishte pastor luteran në të njëjtën famulli të Röcken-it, ku më parë kishte shërbyer edhe Johann Sebastian Bach si drejtor muzike për njëzet e shtatë vjet, deri në ndarjen e tij nga jeta. Karl Ludwig ishte i njohur për interpretimet e tij të veprave të Bach-ut, por ajo që e bënte vërtet të veçantë ishte aftësia e tij e jashtëzakonshme për improvizim—një talent që e trashëgoi edhe Nietzsche.Nëna e Nietzsche-s, Franziska, ishte gjithashtu e talentuar në muzikë.
Vlen të theksohet gjithashtu se të dy gjyshërit e Nietzsche-s kishin qenë pastorë, duke e rritur atë në një mjedis të thellësisht fetar dhe të orientuar drejt traditës kishtare. Në vitin 1849, kur Friedrich Nietzsche ishte vetëm 5 vjeç, babai i tij ndërroi jetë në moshën e re 36-vjeçare. Në biografinë e saj të vitit 2018, I Am Dynamite!: A Life of Nietzsche, Sue Prideaux përmend përfshirjen e neurologut të shquar, Dr. Paul Julius Möbius (1853 – 1907), në shqyrtimin e vdekjes së pastorit Nietzsche.
Dr. Möbius njihet si një pionier në studimin e çrregullimeve nervore të trashëguara dhe është vlerësuar nga Frojdi si një nga themeluesit e psikoterapisë. Shumë vite pas vdekjes së pastorit Nietzsche, duke u mbështetur në raportin e autopsisë së tij, Möbius zbuloi praninë e Gehirnerweichung (zbutje e trurit), një term i përdorur zakonisht në shekullin XIX për të përshkruar një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit.[2]
Prideaux shkruan,
“Möbius, duke parë më gjerë, zbuloi një prirje drejt problemeve mendore në anën amtare të familjes. Një dajë kishte bërë vetëvrasje, duke zgjedhur vdekjen për të shmangur mbylljen në Irrenhaus, azilin për të çmendur. Në anën atërore, disa nga vëllezërit e motrat e gjyshes së Nietzsche-s, Erdmuthe-s, përshkruheshin si ‘mendërisht anormalë’. Njëri kreu vetëvrasje dhe dy të tjerë zhvilluan një lloj sëmundjeje mendore, njëri prej të cilëve kërkonte kujdes psikiatrik… Nuk mund të arrihet në një përfundim të qartë, por nuk ka dyshim se familja Nietzsche ishte e prekur nga një prirje e fortë drejt paqëndrueshmërisë mendore ose neurologjike.”[3]
Në autobiografinë e tij, Ecce Homo (1888), Nietzsche reflekton mbi ndikimin e të atit, duke thënë: “E konsideroj një privilegj të madh që kam pasur një baba të tillë” (EH, fq. 682), dhe sërish: “Unë jam thjesht im atë edhe një herë, dhe, si të thuash, vazhdimi i jetës së tij pas një vdekjeje tepër të hershme” (EH, fq. 684). Megjithatë, pavarësisht këtij pranimi, siç do të shihet më poshtë, ai u largua nga rruga e të atit. Ndërsa i ati synoi të forconte besimin e krishterë, aspiratat e Nietzsche-s anuan jo thjesht drejt dobësimit të tij, por drejt shkatërrimit të plotë.
Një vit pas vdekjes së të atit, Nietzsche përjetoi edhe humbjen e vëllait të tij më të vogël. Me largimin e të atit dhe të vëllait, ai u gjend i rrethuar nga një mjedis kryesisht femëror, mes së ëmës, motrës më të vogël, gjyshes dhe dy hallave.
Disa kanë sugjeruar se Nietzsche mund të ketë qenë në spektrin e autizmit. Në librin e tij Friedrich Nietzsche (Reaktion Books, 2022), Ritchie Robertson përmend këtë ndodhi nga shkolla fillore e Nietzsche-s, e rrëfyer nga motra e tij: “Një pasdite, ndërsa shkolla po mbaronte, nisi një shi i rrëmbyer. Të gjithë djemtë e tjerë vrapuan për në shtëpi, por i riu Fritz [Nietzsche] eci i qetë. Kur e ëma e qortoi që ishte lagur, ai shpjegoi se rregullat e shkollës ndalonin vrapimin dhe kërcimin.”[4]
Komenti i vetë Robertsonit mbi këtë episod është me vlerë për t’u marrë në konsideratë. Ai shkruan:
“Duket qartë se shkëputja e tij nga të tjerët e tejkaloi instinktin imitues që drejton shumë sjellje shoqërore. Kjo, së bashku me bindjen e tij të ngurtë ndaj rregullave, sugjeron se ai mund t’i ketë përkitur spektrit të autizmit. Një shkëputje e tillë mund të jetë parakusht për çuditshmëri, origjinalitet ose të dyja.”[5]
Në mbështetje të tezës së tij se Nietzsche me shumë gjasa ishte në spektrin autik, Robertson shton:
“Nietzsche nuk krijoi asnjë shoqëri të re në shkollë: Wilhelm Pinder më vonë e kujtonte atë si një djalë të vetmuar, melankolik dhe punëtor, por gjithashtu si një udhëheqës në lojërat e tyre dhe mjaft i zgjuar në mënyrën se si i bënte ato më sfiduese.”[6]
Nëse Nietzsche ka qenë autik, megjithëse nuk ka asnjë dokumentacion mjekësor që ta mbështesë këtë, është e mundur që ai të ketë shfaqur tipare të ngjashme me atë që njihet si autizëm me funksionim të lartë, më parë i njohur si sindroma Asperger. (Terminologjia mjekësore bashkëkohore priret të shmangë dallimet midis autizmit me funksionim të lartë, Aspergerit dhe formave të tjera të autizmit.) Megjithatë, ky mbetet vetëm një supozim dhe nuk thotë asgjë për mprehtësinë e tij mendore apo fuqinë e tij krijuese. Pavarësisht këtyre hamendësimeve, Nietzsche padyshim shfaqi një gjenialitet të pamohueshëm.
Në prill të vitit 1850, familja e Nietzsche-s u shpërngul në Naumburg, një qytet me 15,000 banorë, dukshëm më i madh se vendbanimi i tyre i mëparshëm. Që në fëmijërinë e hershme, Nietzsche kishte aspirata për të ndjekur gjurmët e të atit si klerik. Edukimi i tij fetar e bëri të mësonte përmendësh shumë pasazhe nga Bibla, një praktikë që i dha nofka përkëdhelëse mes miqve, si “pastori i vogël” ose “Jezusi i vogël.”[7]
Muzikanti
Kur Nietzsche ishte i vogël, nëna e tij, Franziska, i bleu një piano dhe mori përsipër t’i përcillte njohuritë e saj muzikore. Kështu, në rininë e tij, ai u zhyt në muzikën romantike të kohës, e cila përkonte me periudhën kur kompozitori i njohur gjerman, Richard Wagner, po sfidonte normat tradicionale muzikore. Ndërsa Beethoven ishte idhulli i tij i parë muzikor, ishte George Frideric Handel ai që ndezi interesin e tij të parë për kompozimin.[8] Në moshën nëntë vjeçare, i frymëzuar nga Hallelujah Chorus i Handelit, Nietzsche kompozoi një oratorio.[9]
Duke reflektuar mbi këtë përvojë në “Aus meinem Leben”, një shënim autobiografik mbi vitet e tij të rinisë (1844-1858), ai shkroi:
“Në Ditën e Ngjitjes shkova në kishën e qytetit dhe dëgjova korin madhështor të Mesia: Hallelujah! M’u duk sikur duhej t’i bashkohesha, pasi më tingëllonte si kënga e gëzimit e engjëjve, me fuqinë e së cilës Jezu Krishti po ngjitej në qiell. Menjëherë vendosa me seriozitet të kompozoja diçka të ngjashme. Sapo dola nga kisha, u vura në punë dhe përjetoja një lumturi fëminore me çdo akord të ri që luaja.”[10]
Në të njëjtin fragment autobiografik, Nietzsche thellohet më tej në kuptimin e tij mbi qëllimin e muzikës kishtare në atë kohë. Ai shkruan:
“Perëndia na dha muzikën, para së gjithash, që të na drejtojë lart. Ajo përmbledh në vetvete të gjitha cilësitë: mund të na lartësojë, të na ngushëllojë, të na gëzojë, madje edhe të thyejë shpirtin më të ashpër me tonet e saj të buta dhe melankolike. Por qëllimi i saj më i lartë është të orientojë mendimet tona drejt së përtejshmes, të na ngrejë shpirtërisht dhe madje të na tronditë. Ky është, mbi të gjitha, qëllimi i muzikës kishtare. Për fat të keq, duhet të pranojmë se ky zhanër po largohet gjithnjë e më shumë nga misioni i tij i vërtetë.”[11]
Duke pasur parasysh imazhin që shumica e lexuesve kanë për Nietzsche-n, mund të duket e çuditshme ta shohim atë, në rininë e tij, të shqetësuar dhe të ankohet se muzika kishtare e kohës nuk ishte mjaftueshëm në përputhje me misionin e saj të vërtetë.
Sipas Prideaux, një pjesë e madhe e veprave muzikore të fëmijërisë së Nietzsche-s ka mbijetuar deri më sot, e ruajtur me përkushtim nga e ëma dhe motra e tij, të cilat çmonin çdo fragment të krijuar nga gjeniu i tyre i ri. Muzika e tij synonte të shprehte dashurinë e zjarrtë për Zotin, e cila përshkonte atmosferën emocionale të familjes së tij—një dashuri e pandashme nga kujtimi i trishtuar i të atit, shpirti i të cilit, siç besonin ata, vigjëlonte mbi ta.[12]
Duke reflektuar mbi marrëdhënien e tij me Zotin, kur ishte 13 vjeç [gusht-shtator 1858], Nietzsche shkroi:
“Kam përjetuar tashmë shumë gjëra, të gëzueshme dhe të trishtuara, të hareshme dhe të dhimbshme, por në të gjitha këto Zoti më ka udhëhequr ashtu si një baba e udhëzon fëmijën e tij të dobët… Brenda vetes kam vendosur me vendosmëri t’i përkushtohem shërbimit të Tij përgjithmonë. Zoti i dashur më dhëntë forcë dhe më mbështettë në qëllimet e mia, duke më mbrojtur në rrugëtimin tim përmes jetës. Si një fëmijë, mbështetem në hirin e Tij: Ai do të na mbrojë të gjithëve që asnjë fatkeqësi të mos na ndodhë. Por le të bëhet vullneti i Tij i shenjtë! Dua të pranoj me gëzim gjithçka që Ai më jep—lumturi dhe fatkeqësi, varfëri dhe pasuri—dhe të përballem me guxim edhe me vdekjen, e cila një ditë do të na bashkojë të gjithëve në gëzim dhe lumturi të përjetshme. Po, Zot i dashur, le të shkëlqejë fytyra jote mbi ne përgjithmonë! Amen!!”[13]
Në vitin 1858, Nietzsche fitoi një bursë për të studiuar në Gjimnazin e Pfortës, pesë milje larg Naumburgut. Kjo ishte një shkollë luterane, e themeluar në vitin 1528 nga reformatori gjerman Philipp Schwartzerdt, i cili kishte ndihmuar Martin Luterin në përkthimin e Dhiatës së Vjetër në gjermanisht. Pas zbutjes së konflikteve dhe zhvendosjes së katolicizmit roman, Princ-Elektor i Saksonisë, një mbështetës i zjarrtë i Luterit, e shpalli Pfortën një Prinzenschule, duke e shndërruar në një nga shkollat latine më të rëndësishme të kohës.[14] Në sistemin arsimor të sotëm, Pforta do të ishte e barasvlershme me një gjimnaz elitar, dhe Nietzsche kaloi aty gjashtë vite të jetës së tij.
Motra e tij, Elisabeta, e përshkruante Nietzsche-n si një student brilant në gjimnaz, por disa studiues e konsiderojnë këtë një ekzagjerim. Sipas Thomas H. Brobjer, një nga njohësit më të rëndësishëm të veprës së tij, “notat e tij më të mira në lëndët teorike ishin në religjion, ku varionin midis ‘mirë’ dhe ‘relativisht mirë’.”[15] Prideaux vëren gjithashtu se “mesatarja e tij pësonte rënie për shkak të rezultateve të dobëta në matematikë, për të cilën ai nuk shprehte ndonjë interes—me përjashtim të një periudhe të shkurtër kur u magjeps nga vetitë e rrethit.”[16]
Fara e Mosbesimit
Ka prova të forta që sugjerojnë se, gjatë dy viteve të tij të para në gjimnaz, Nietzsche ishte i vendosur të ndiqte rrugën e të atit drejt shërbesës fetare. Dita e tij e konfirmimit në vitin 1861, e cila përkoi me të Dielën Laetare (diku në mars), ishte e mbushur me një zjarr të thellë fetar. Ky moment gjithashtu forcoi lidhjen e tij me mikun e ngushtë, Paul Deussen.
Sipas Prideaux, ndërsa iu afruan altarit sëbashku për të marrë bekimin, Deussen dhe Nietzsche u gjunjëzuan krah për krah, të mbështjellë nga një aurë e shenjtë dhe përshpirtshmëri e thellë. “Të kapluar nga një përkushtim i zjarrtë dhe një ndjenjë hyjnore, ata shpallën se ishin plotësisht të gatshëm të vdisnin menjëherë për Krishtin.”[17]
Gjatë kësaj periudhe, Nietzsche dukej se frekuentonte rregullisht kishën dhe përpiqej të zbatonte mësimet e Biblës në jetën e tij, ashtu siç do të vepronte zakonisht një i krishterë i devotshëm. Duke përshkruar festimin e ditëlindjes së tij, ai shkroi: “Meqenëse përkon me ditëlindjen e Mbretit tonë të dashur, në mëngjes zgjohem nga muzika ushtarake. Pasi përfundon ceremonia e dhënies së dhuratave, i drejtohemi kishës. Edhe nëse predikimi nuk është shkruar posaçërisht për mua, unë gjithsesi marr më të mirën dhe e zbatoj për veten time.”[18]
Megjithatë, përkushtimi i tij ndaj Zotit dhe besimit të tij mund të ketë filluar të ndryshojë më vonë atë vit, kur ndodhi një ngjarje tragjike. Në gusht të vitit 1861, mësuesi i tij privat, pastori Buddensieg, me të cilin kishte pasur një marrëdhënie të ngrohtë, vdiq papritur në moshën dyzet e dy vjeçare. Nietzsche e ndjeu thellë këtë humbje. Ka shumë gjasa që ishte pas vdekjes së Buddensieg-ut që Nietzsche filloi të vinte në dyshim besimin e tij të krishterë.[19]
Dy muaj pas vdekjes së pastorit të tij, në tetor 1861, Nietzsche kërkoi si dhuratë për ditëlindje dy vepra të Ludwig Feuerbach-ut, njëra prej tyre ishte Das Wesen des Christentums (Thelbi i Krishterimit), një libër thellësisht antifetar. Është e mundur që, pasi u zhyt në shkrimet e Feuerbach-ut, Nietzsche të ketë shkruar fjalët e mëposhtme në një letër drejtuar Pindar-it dhe Krug-ut më 27 prill 1862:
“Që Zoti u bë njeri tregon vetëm se njerëzit nuk duhet ta kërkojnë lumturinë e tyre në përjetësi, por duhet ta gjejnë parajsën e tyre në tokë; iluzioni i një bote tjetër e ka vendosur shpirtin njerëzor në një marrëdhënie të gabuar me këtë botë: ai ishte produkt i fëmijërisë së një populli. Njerëzimi e njeh në vetvete ‘fillimin, mesin dhe fundin e fesë’.[20]
Disa kohë më vonë, në një shënim të vitit 1863, Nietzsche shkroi: “Krishterimi duhet kuptuar si një fe, dhe jo si feja.”[21] Megjithëse më vonë ai pohoi se kishte përqafuar ateizmin gjatë kohës së tij në gjimnazin e Pfortës, besohet gjerësisht se ai ende ruante një formë besimi në Zot gjatë atyre viteve, ndonëse me një qasje më të nuancuar.
Kur u diplomua nga Pforta në vitin 1864, në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Nietzsche shkroi poezinë “Dem unbekannten Gott” (Për Zotin e panjohur). Këtu mund të vihet re një ndryshim teologjik; tani Zoti i duket më i fshehur. Ai shkroi:
…Ngre duart drejt teje në vetmi,
ty, tek i cili gjej strehë,
tek i cili, në thellësitë më të fshehta të zemrës sime,
kam ngritur me solemnitet altarë,
që zëri yt
të më thërrasë sërish.
Mbi ta shkëlqen, gdhendur thellë,
fjala: Për Zotin e panjohur.
Unë jam i tij…
Dua të të njoh, o i Panjohur,
ti që ke depërtuar thellë në shpirtin tim,
në jetën time si një stuhi e rrëmbyeshme,
ti, i pakuptueshmi dhe megjithatë i afërti im!
Dua të të njoh, madje të të shërbej..[22]
Pas përfundimit të shkollës së mesme, në tetor të vitit 1864, Nietzsche u regjistrua në Universitetin e Bonit dhe u shpërngul atje për të ndjekur studimet në teologji dhe filologji klasike. Studiuesit sugjerojnë se gjatë semestrit të tij të parë në Bonn, ai ruajti ende një farë lidhjeje me traditën fetare të familjes së tij.[23]
Megjithatë, pasi u njoh me librat mbi kritikën historike të krishterimit nga teologë liberalë, Nietzsche përjetoi një ndryshim rrënjësor në raportin e tij me besimin. Prideaux vëren se:
“Ndërsa qëndronte në dhomën e tij të studimit, e cila ishte një lloj altari kushtuar babait të tij të ndjerë—fotografia e të cilit qëndronte mbi piano, nën një pikturë me vaj që paraqiste zbritjen e Krishtit nga kryqi—ai po lexonte librin e David Strauss-it, Jeta e Jezusit e Shqyrtuar në Mënyrë Kritike, dhe njëkohësisht po përpilonte një listë me njëzet e shtatë libra shkencorë që kishte ndër mend të lexonte.”[24]
Në një letër drejtuar motrës së tij, Elisabeta, më 11 qershor 1865, Nietzsche shkroi: “Vetëm besimi sjell bekim, jo objektivi që qëndron pas tij.” Dhe më tej: “Çdo besim, në fakt, është i pagabueshëm; ai realizon atë që besimtari shpreson të gjejë në të, por nuk ofron asnjë mbështetje për përcaktimin e një të vërtete objektive.” Ndaj, këshilla e tij për motrën ishte: “Nëse dëshiron qetësi shpirtërore dhe lumturi, beso; nëse dëshiron të jesh dishepull i së vërtetës, kërko.”[25]
Në përfundim të vitit të tij të parë, në moshën njëzet e një vjeçare, Nietzsche vendosi të braktiste studimet në teologji, duke u distancuar hapur nga pritshmëritë dhe tradita e familjes së tij.
Në vjeshtën e vitit 1865, Nietzsche u transferua nga Universiteti i Bonit në atë të Lajpcigut, me synimin kryesor për të studiuar filologji nën drejtimin e Friedrich Ritschl-it. Marrëdhënia e tij akademike me Ritschl-in rezultoi jashtëzakonisht e frytshme, pasi Nietzsche u bë i vetmi student që botoi në revistën e tij shkencore, “Rheinisches Museum”, një arritje e pazakontë për një student të asaj kohe.
Gjatë studimeve në Lajpcig, Nietzsche u njoh me Richard Wagner-in, një takim që shënoi fillimin e një miqësie të ngushtë. Pas zhvendosjes në Bazel, ai e vizitonte shpesh Wagner-in te Villa Tribschen, në Lucernë. Miqësia e tij me Richard dhe Cosima Wagner vazhdoi deri në mesin e viteve 1870, duke ndikuar thellësisht në mendimin dhe krijimtarinë e tij.
Në Lajpcig, Nietzsche krijoi gjithashtu një miqësi të ngushtë dhe të përjetshme me Erwin Rohde, një bashkëstudent i filologjisë. Ky raport intelektual e ndihmoi Nietzsche-n të thellonte më tej interesin e tij për kulturën dhe filozofinë e lashtë greke.
Gjatë kësaj periudhe, Nietzsche u njoh me ateizmin filozofik të Arthur Schopenhauer-it. Sipas Robert Wicks, “Vizioni ateist dhe i trazuar i Schopenhauer-it mbi botën, i kombinuar me vlerësimin e tij të lartë për muzikën si formë arti, e magjepsi Nietzsche-n.”[26] Në Pashkët e vitit 1866, ndërsa ndodhej në shtëpi, ndikimi i këtij ndryshimi intelektual u bë i dukshëm: ai refuzoi me vendosmëri të merrte pjesë në sakramentin e kungimit në kishë.
Profesori i Filologjisë
Jeta e qetë e Nietzsche-s mes studimeve dhe miqësive në Lajpcig u ndërpre në vitin 1867, kur ai u thirr për shërbimin ushtarak. Ai u caktua në një regjiment të artilerisë kalorësiake pranë Naumburgut dhe u rikthye të jetonte me të ëmën. Megjithatë, një rënie nga kali i shkaktoi një dëmtim serioz, i cili e detyroi të kalonte një periudhë rikuperimi. Kur e mori veten, Nietzsche rifilloi studimet në Lajpcig.[27]
Një ditë, ndërsa ndodhej në Lajpcig, për habinë e tij, profesori Friedrich Ritschl e pyeti Nietzsche-n nëse do të ishte i interesuar të jepte mësim në Universitetin e Bazelit në Zvicër. Kjo ishte një ofertë e jashtëzakonshme, pasi në atë kohë Nietzsche ende nuk kishte një diplomë universitare. Ai kishte ndjekur dy semestra në Universitetin e Bonit dhe dy në Lajpcig, pa marrë një diplomë nga asnjëri prej tyre.
Sipas historianit të filozofisë Frederick C. Copleston, autoritetet akademike në Bazel kishin lexuar një artikull të Nietzsche-s dhe kishin kërkuar një rekomandim nga profesori Ritschl, i cili u kishte thënë se “Nietzsche ishte një i ri me aftësinë për të bërë gjithçka që do të zgjidhte të bënte.”[28]
Më 13 shkurt 1869, Universiteti i Bazelit i ofroi Nietzsche-s një post profesorati. Sipas Prideaux, në mënyrë që Nietzsche të merrte postin akademik, Universiteti i Lajpcigut i dha Nietzsche-s titullin doktor, pa asnjë provim, më 23 mars 1869.[29] Kështu, në moshën njëzet e katër vjeç, ai u bë Profesor i Filologjisë Klasike në Universitetin e Bazelit, duke siguruar një pagë prej tre mijë frangash. Ky emërim jo vetëm që i dha atij një pozicion prestigjioz në botën akademike, por gjithashtu shënoi fillimin e një periudhe të re dhe sfiduese në jetën e tij intelektuale.
Në gusht të vitit 1870, pas shpërthimit të Luftës Franko-Gjermane, Nietzsche mori leje për të shërbyer si ndihmës mjek vullnetar. Fatkeqësisht, në muajin e parë të shërbimit, ndërsa ndihmonte në transportimin e të plagosurve, ai u infektua me dizenteri dhe difteri, çka i dëmtoi rëndë shëndetin. Në tetor, i dobësuar dhe i sfilitur, u rikthye në Bazel për të rifilluar një orar mësimdhënieje jashtëzakonisht të ngjeshur.
Universiteti i Bazelit i kërkoi Nietzsche-s të hiqte dorë nga shtetësia prusiane për të shmangur mundësinë e rikthimit në shërbimin ushtarak. Megjithëse iu sugjerua shtetësia zvicerane si alternativë, ai e braktisi shtetësinë prusiane, por nuk e përfundoi kurrë procesin për t’u bërë qytetar zviceran. Si pasojë, Nietzsche mbeti pa shtetësi për pjesën e mbetur të jetës.[30]
Shëndeti i tij në rënie e detyroi Nietzsche-n të kërkonte mënyra alternative për të përmbushur detyrimet si profesor i filologjisë klasike, si p.sh. duke u përpjekur t’i delegonte disa nga leksionet profesorëve të tjerë. Megjithatë, kjo strategji pati pak sukses, dhe ai vazhdoi të përballej me një ngarkesë të rëndë mësimore.
Vepra kryesore që shkroi gjatë viteve të tij si profesor ishte Lindja e Tragjedisë, e botuar në vitin 1872. Në vend të një studimi rigoroz akademik, siç kërkohej në fushën e filologjisë, Nietzsche prezantoi një polemikë provokuese, të ndërthurur me spekulime mbi rënien e kulturës tragjike athinase të shekullit V p.e.s. Ai argumentonte se drama muzikore wagneriane mund të sillte një rilindje të kulturës tragjike në Gjermaninë bashkëkohore.[31]
Siç pritej, libri tërhoqi vëmendjen e Richard Wagner-it, i cili e vlerësoi shumë. Në atë kohë, Wagner dhe bashkëshortja e tij, Cosima, jetonin në Tribschen, në Lucernë, jo larg Bazelit, gjë që i dha mundësi Nietzsche-s të krijonte një lidhje të ngushtë me kompozitorin. Ai e shihte muzikën e Wagner-it, të frymëzuar nga mitologjia parakristiane nordike, si një shpresë për ringjalljen e tragjedisë greke.
Sipas përkthyesit të veprave të Nietzsche-s në anglisht, Walter Kaufman, ky libër nuk ishte aq i arrirë sa shkrimet e tij të mëvonshme. [32] Edhe vetë Nietzsche, dhjetë vjet pas botimit, e përshkroi atë si “të shkruar keq, të rënduar dhe të sikletshëm.”[33]
Te Lindja e Tragjedisë, Nietzsche shpreh admirimin e tij për botën pagane greke pa sulmuar drejtpërdrejt krishterimin, një qasje që do ta bëjë më të hapur në veprat e tij të mëvonshme. Megjithatë, në këtë libër ai shpalos ide që zbulojnë shqetësimet e tij të thella mbi moralin, të cilat më pas do të ushqejnë kritikën e tij më të hapur ndaj krishterimit. Për shembull, ai pohon: “Kushdo që i afrohet perëndive të Olimpit me një fe tjetër në zemër, duke kërkuar ngritje morale, shenjtëri, shpirtshmëri, dashamirësi, do të zhgënjehet… Aty përballemi me një ekzistencë të harlisur, triumfuese, që hyjnizon njësoj të mirën dhe të keqen.”[34] Kjo ide është thelbësore për kritikën e tij të mëvonshme ndaj besimit të krishterë. Sidoqoftë, duhet theksuar se “Deri në vitin 1874, ai rrallë e trajtonte krishterimin në letrat, shkrimet apo veprat e tij të botuara.”[35]
Lufta e vazhdueshme e Nietzsche-s me shëndetin e brishtë e detyroi të shkëputej nga detyrat e tij të mësimdhënies në Bazel gjatë viteve 1876-1877. Gjatë kësaj periudhe, ai u zhyt në një eksplorim të thellë të kritikës natyraliste ndaj moralit dhe kulturës tradicionale, një qasje e ndikuar nga miku i tij i ngushtë, Paul Rée.[36]
Megjithatë, shëndeti i tij nuk tregoi asnjë përmirësim të dukshëm gjatë kësaj kohe, çka përfundimisht e çoi të jepte dorëheqjen nga posti i profesorit në vitin 1879. Ky vendim i dha mundësinë t’i përkushtohej plotësisht shkrimit dhe të zhvillonte një stil komunikimi që i përshtatej më së miri.[37]
(vijon)
© 2025 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Friedrich Nietzsche, “Ecce Homo,” in Basic Writings of Nietzsche, Trans. and Edit. by Walter Kaufmann (New York: Random House, 1968), “Why I am So Wise”, Seksioni 3, f. 682. Në vazhdim, ky burim do të citohet me shkurtesën EH, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi të Basic Writings of Nietzsche.
[2] Sue Prideaux, I Am Dynamite!: A Life of Nietzsche (New York: Tim Duggan Books, 2018), f, 29-30. (Versioni Kindle: Location 329, 336).
[3] Prideaux, I Am Dynamite!, f. 29-30.
[4] Ritchie Robertson, Friedrich Nietzsche (Reaktion Books, 2022), 24,
[5] Po aty.
[6] Po aty, 25.
[7] Frederick C. Copleston, Friedrich Nietzsche: Philosopher of Culture (London: Search Press, 1975), 2.
[8] Prideaux, I Am Dynamite!, 38.
[9] Oratorio konsiderohet “Një vepër e gjatë muzikore për këngëtarë dhe orkestër, zakonisht e bazuar në një histori nga Bibla.” Oxford Learner’s Dictionaries, s.v. “oratorio,” aksesuar më 3 Mars 2025, https://www.oxfordlearnersdictionaries.com/definition/american_english/oratorio.
[10] Friedrich Nietzsche. ‘Aus meinem Leben’, një shënim autobiografik mbi vitet e rinisë së tij (1844-1858). The Nietzsche Channel, “Letter to His Sister (October 11, 1858),” aksesuar më 15 maj 2024.
http://www.thenietzschechannel.com/works-unpub/youth/1858-fmlg.htm
[11] Po aty.
[12] Prideaux, I Am Dynamite!, 38.
[13] Friedrich Nietzsche, ‘Aus meinem Leben’. Gjithashtu, siç citohet nga Keith Ansell Pearson and Duncan Large, The Nietzsche Reader, Blackwell, 2006, pp. 18–21. Shih edhe Nietzsche, “Werke. Kristische Gesamtuasgabe, ed. G. Goli and M. Montinari (Berlin, 1967 ff). I cituar nga Thomas H. Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity: Nietzsche as Christian, Atheist and Antichrist,” in Nietzsche and the Gods, ed. Weaver Santaniello (Albany: State University of New York Press, 2001), 138.
[14] Prideaux, I Am Dynamite!, 45. Elektorati i Saksonisë, i njohur edhe si Saksonia Elektorale (Kurfürstentum Sachsen ose Kursachsen në gjermanisht), ishte një territor i Perandorisë së Shenjtë Romake nga viti 1356 deri në 1806. Fillimisht i përqendruar rreth Wittenbergut, ai më pas shtrihej edhe në rajonet përreth Dresdenit, Leipzigut dhe Chemnitzit. Si një nga shtetet më të rëndësishme të Perandorisë, Saksonia kishte statusin e një elektorati dhe për një kohë të gjatë luajti rolin e fuqisë mbrojtëse të principatave protestante. Ky rol më vonë iu kalua Brandenburg-Prusisë, fqinjit të saj në rritje.
[15] Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 138.
[16] Prideaux, I Am Dynamite!, 49.
[17] Po aty, 50.
[18] Nietzsche. ‘Aus meinem Leben’.
[19] Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 139.
[20] Friedrich Nietzsche, Sämtliche Briefe: Kritische Studienausgabe, vol. 1. (Berlin/New York: de Gruyter, 1986), 202. Fjalët e fundit janë fjalët e Feuerbach-ut nga Das Wesen Des Christenthum. Siç citohet nga Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 140.
[21] Shënim i pabotuar nga arkivi Goethe-Schiller në Weimar, 71/222 (Mp VI 22). Siç citohet nga Brobjer “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 140. Theksimi është i imi.
[22] Philip Grundlehner, The Poetry of Friedrich Nietzsche (New York: Oxford University Press, 1986), 25-26. Siç citohet nga Bruce Ellis Benson, Pious Nietzsche: Decadence and Dionysian Faith, Indiana Series in the Philosophy of Religion (Bloomington: Indiana University Press, 2008), 22.
[23] Copleston, Friedrich Nietzsche, 5.
[24] Prideaux, I Am Dynamite!, 65.
[25] Friedrich Nietzsche, Selected Letters of Friedrich Nietzsche, trans. and ed. Christopher Middleton (Chicago: University of Chicago Press, 1969), 7. Që nga ky moment, ky burim do të citohet me shkurtesën SLFN, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi.
[26] Robert Wicks, “Nietzsche’s Life and Works”, The Stanford Encyclopedia of Philosophy (Spring 2022 Edition), Edward N. Zalta (ed.), URL = <https://plato.stanford.edu/archives/spr2022/entries/nietzsche-life-works/>.
[27] Copleston, Friedrich Nietzsche, 7.
[28] Po aty.
[29] Prideaux, I Am Dynamite!, 69.
[30] Po aty, f. 69-70.
[31] Anderson, R. Lanier, “Friedrich Nietzsche”, in The Stanford Encyclopedia of Philosophy (Spring 2024 Edition), Edward N. Zalta & Uri Nodelman (eds.), URL = <https://plato.stanford.edu/archives/spr2024/entries/nietzsche/>.
[32] Walter Kaufman, “Translator’s Introduction” in Basic Writings of Nietzsche, 3-6.
[33] Nietzsche, “Attempt at self-criticism” in Basic Writings of Nietzsche, 19.
[34] Friedrich Nietzsche, “Birth of Tragedy” and “The Genealogy of Morals,” trans. Francis Golffing (Gar-
den City, NY: Doubleday, 1956), 29. Siç citohet nga C. Stephen Evans, A History of Western Philosophy: From the Pre-Socratics to Postmodernism (Downers Grove: IVP Academic, 2018), 541.
[35] Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 142.
[36] Lanier, “Friedrich Nietzsche”.
[37] Po aty.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.