Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

RRUGËTIMI I NIETZSCHE-S: NGA BESIMTAR NË ANTIKRISHT (ii)

Pjesa II: Nga jobesimtar në Antikrisht

Studiuesit janë të një mendjeje se midis viteve 1875 dhe 1879, Nietzsche kaloi nga një qëndrim pasiv ndaj besimit te krishterë në një antikrishterizëm aktiv. Gjatë kësaj periudhe, ai ndryshoi “heronjtë” e tij. Deri atëherë, një nga figurat që kishte admiruar më shumë kishte qenë, natyrisht, Arthur Schopenhauer.

Profesori i filozofisë dhe autori i A History of Western Philosophy: From the Pre-Socratics to Postmodernism (2018), C. Stephen Evans, thekson sa më poshtë lidhur me ndikimin e Schopenhauer-it te Nietzsche:

“I riu Nietzsche ra nën ndikimin e thellë të Schopenhauer-it, dhe ky ndikim la një gjurmë të përhershme në mendimin e tij. Megjithatë, siç kishte prirjen të bënte me figurat që e kishin ndikuar thellësisht, ai përfundimisht u shkëput prej tij, veçanërisht në raport me vlerën e dhembshurisë. Nietzsche i pjekur e sheh Schopenhauer-in si një shprehje të asaj që ai e quan “dekadenca evropiane”, një shpirt i rrënuar që ka humbur lidhjen me forcat jetësore. Megjithatë, disa elemente të mendimit të Schopenhauer-it mbeten të pranishme te Nietzsche. Ai përvetëson një qasje ateiste, duke mohuar çdo qëllim ose kuptim kozmik të universit dhe jetës njerëzore. Po ashtu, ai trashëgon nga Schopenhauer-i bindjen se realiteti, në thelb, formësohet nga vullneti, i kuptuar si një forcë e verbër dhe instinktive. Së fundi, veçanërisht në veprat e tij të hershme, Nietzsche i jep artit një vend qendror në jetën njerëzore.”[1]

Pohimi i Evans-it përputhet me atë të Thomas Mann-it, i cili vuri në dukje se Nietzsche mbeti ndjekës i Schopenhauer-it “edhe pasi e kishte mohuar prej kohësh mjeshtrin.”[2]

Deri në vitin 1879, Nietzsche kishte braktisur edhe Wagner-in edhe Kant-in, duke i zëvendësuar me Epikurin, Descartes-in, Voltaire-in, Diderot-in, Montaigne-in, Chamfort-in, La Bruère-in dhe Comte-in. Megjithatë, në fund të fundit, ai e shihte veten si nxënësin e perëndisë greke Dionis. Në librin e tij Perëndimi i Idhujve, Nietzsche shkroi: “Unë, dishepulli i fundit i filozofit Dionis – unë, mësuesi i rikthimit të përjetshëm.”[3]

Thomas H. Brobjer ka argumentuar se,

 “Rreth vitit 1880, vihet re një ndryshim i dukshëm në interesin dhe qëndrimin e Nietzsche-s ndaj krishterimit… [Ai] fillon ta shohë krishterimin dhe moralin si thellësisht të ndërthurur dhe e ashpërson kritikën e tij, duke shtuar argumente të reja kundër krishterimit – morale, psikologjike, antropologjike, sociologjike dhe vlerësuese.”[4]

Megjithatë, pavarësisht evolucionit të filozofisë së Nietzsches me kalimin e kohës, mund të argumentohet se nga libri i tij i parë deri te i fundit, ai mbajti në mënyrë të qëndrueshme një qëndrim anti-Kristian, qoftë në mënyrë të nënkuptuar apo të shprehur hapur.

Për shembull, ndonëse në veprën e tij të parë, Lindja e Tragjedisë, Nietzsche nuk e sulmoi drejtpërdrejt krishterimin, ai gjithsesi e paraqiti perëndinë greke Dionisin si një figurë kundër-Krishtit. Brobjer vëren se “në veprën e tij të fundit, Ecce Homo, ku krishterimi ishte kundërshtari kryesor, [Nietzsche] pohon se, në thelb, Lindja e Tragjedisë ishte ‘anti-kristiane.’”[5] Po ashtu, Nietzsche e titulloi librin e tij të parafundit të botuar sa ishte gjallë, Antikrishti, për të cilin studiuesi Alan D. Schrift e konsideron si “kritikën më të ashpër të Nietzsche-s ndaj krishterimit.”[6] Për më tepër, në autobiografinë e tij, Nietzsche pohon me krenari se e gjithë vepra e tij filozofike ishte një “fushatë kundër moralit [të krishterë]” (Ecce Homo, f. 746).

Në shënime të tjera, ai shkroi: “Ne besojmë në Olimpin—dhe jo në ‘Të Kryqëzuarin’” (WP 1034, f. 533). Për të, “Zoti mbi kryq është një mallkim për jetën” (WP 1052, f. 543). Dhe sërish, ai pyet: “A jam kuptuar?—Dionisi kundër të Kryqëzuarit…”[7]

Qëndrimi i Nietzsche-s ndaj krishterimit shtrihej përtej veprave të tij të shkruara; ai madje shkonte deri aty sa i zgjidhte me kujdes miqtë bazuar në qëndrimet e tyre ndaj këtij besimi. Ndër të tjera, ai shkroi: “Nëse dikush nuk i qaset në mënyrë kritike (besimit të krishterë), atëherë i kthejmë shpinën, sepse ai na sjell ajër të ndotur dhe mot të keq.”[8]

Nietzsche nuk bënte asnjë përjashtim nga ky parim. Meqenëse krishterimi ishte boshti qendror i gjithë filozofisë së tij, mund të thuhet pa asnjë hezitim se, pa të, ai nuk do të ishte bërë filozofi që njohim sot.

Megjithatë, pavarësisht kundërshtimit të tij të palëkundur, ai nuk mundi t’i shpëtonte një tensioni të brendshëm që e mundonte vazhdimisht. Ky konflikt i brendshëm përvijohet më qartë ndoshta në një letër që i shkroi mikut të tij Peter Gast në vitin 1881: “Sido që të flas për krishterimin, nuk mund të harroj se i detyrohem atij përvojën më të vyer të jetës sime shpirtërore; dhe shpresoj të mos jem kurrë mosmirënjohës ndaj tij në thellësitë e shpirtit tim.”[9]

Vetmia, Dhimbja dhe Vuajtja

Walter Kaufmann ka vërejtur se “Pak njerëz e kanë përjetuar vetminë si Nietzsche.”[10] Duket se ka pasur të drejt. Pas një dekade si profesor, Nietzsche u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore, duke u larguar përfundimisht nga jeta akademike. Megjithatë, dy ngjarje të rëndësishme e thelluan edhe më shumë ndjenjën e tij të izolimit, duke çuar në prishjen e disa prej marrëdhënieve më të rëndësishme të jetës së tij.

E para ndodhi kur Nietzsche i dha fund miqësisë me kompozitorin gjerman Richard Wagner. Siç u përmend më herët, marrëdhënia e tij me Wagnerin (dhe Cosimën) pati një ndikim të thellë si në jetën personale ashtu edhe në atë intelektuale. Miqësia e tyre ishte e ndërsjellë, siç dëshmohet nga fjalët e Wagnerit drejtuar Nietzsche-s: “Tani nuk kam askënd me të cilin mund të bisedoj kaq seriozisht si me ty, përveç të Vetmes [Cosima].”[11]

Nietzsche e sakrifikoi miqësinë me Wagnerin kur ky, sipas tij, u kthye ne besimin e krishterë.[12] Kjo u bë e qartë me vënien në skenë të operës Parsifal në vitin 1882, të cilën Nietzsche e pa si një pohim të idealit të krishterë mbi seksualitetin (GM, f. 75). Ai e përshkroi këtë si “braktisje të bindjeve dhe rikthim te idealet e krishtera të sëmura dhe errësuese” (GM, f. 74).

Sipas Coplestonit, Nietzsche mund të ishte përpjekur ta ruante miqësinë, “nëse nuk do të kishte filluar të kuptonte se ishte gabuar kur mendonte se arti i Wagnerit përfaqësonte rilindjen e Greqisë madhështore. Ai e kuptoi se ideali që kishte ndërtuar për Wagnerin nuk përputhej me realitetin, dhe botimi i Parsifal e vulosi përfundimisht ndarjen e tyre.”[13]

Nietzsche e shprehu qartë në shkrimet e tij se nuk mund të ndante miqtë nga arti i tyre (GM, f. 76). Kjo përputhej me filozofinë e tij, sipas së cilës mënyra se si dikush e interpreton botën pasqyron se kush është ai në të vërtetë. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndarjeje, ai vazhdoi ta konsideronte Wagnerin si një nga mendjet më të mëdha që Gjermania kishte njohur ndonjëherë (BGE, f. 386).

Duke reflektuar mbi jetën e tij në vitin 1888, Nietzsche e cilësonte ende këtë miqësi si një nga “momentet më të thella” të jetës së tij dhe e konsideronte “bamirësin më të madh” të jetës së tij (EH, f. 701). Sipas Copleston-it, “Me ndarjen e Nietzsche-s nga Wagneri fillon faza e dytë e mendimit të tij, ku ai bëhet më pak poet dhe më shumë filozof.”[14]

Një tjetër ngjarje që e thelloi edhe më shumë vetminë e Nietzsche-s ishte ndarja nga mikesha e tij, Louise von Salomé (1861 – 1937). E lindur në Rusi, por me prejardhje franceze-hugenote dhe gjermane, Salomé ishte një grua me mendje të jashtëzakonshme. Më vonë u bë e njohur si psikoanaliste, shkrimtare dhe eseiste. Nietzsche krijoi me të një miqësi të shkurtër, por të thellë, pasi u prezantua nga miku i tij, Paul Rée. Në atë kohë, Salomé studionte filozofi dhe teologji në Universitetin e Zyrihut. Të tre kishin planifikuar të jetonin së bashku në një lloj komuniteti intelektual, por kjo ide nuk u realizua.[15]

Lidhja e tij me Salomén ishte aq e fortë, saqë Nietzsche i besoi asaj leximin e disa dorëshkrimeve të librave të tij para se të botoheshin. Me kalimin e kohës, ai zhvilloi ndjenja romantike për të dhe i kërkoi mikut të tij, Paul Rée, t’i propozon­te martesë në emrin e tij. Salomé e refuzoi, por shprehu dëshirën për të ruajtur miqësinë. Pavarësisht propozimeve të tij të vazhdueshme, përfshirë një tjetër më 13 maj 1882 në Lucernë, gjatë një momenti privat me të, ajo i dha të njëjtën përgjigje. Kur mësoi për situatën, motra e Nietzsche-s, Elisabeth, ndërhyri me vendosmëri për ta larguar atë nga Salomé-ja, të cilën e konsideronte imorale.[16]

Më pas, Salomé dhe Rée u vendosën në Berlin, ku jetuan së bashku deri disa vite para martesës së saj me studiuesin e gjuhësisë, Friedrich Carl Andreas (1846–1930). Pas refuzimit nga Salomé-ja, Nietzsche u tërhoq në Alpet Zvicerane, ku nisi të shkruante librin që më vonë e konsideroi kryeveprën e tij: Kështu foli Zarathustra, të cilin e botoi në vitin 1883.

Disa sugjerojnë se Nietzsche nuk e tejkaloi kurrë plotësisht dhimbjen emocionale që i shkaktoi përfundimi i kësaj marrëdhënieje. Në vitin 1894, Salomé botoi një libër mbi filozofinë dhe personalitetin e tij, të titulluar Friedrich Nietzsche in seinen Werken (Friedrich Nietzsche në Veprat e Tij).[17]

Letrat e Nietzsche-s ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi përvojën e tij të izolimit dhe luftën me mungesën e miqësisë dhe dashurisë gjatë gjithë jetës së tij. Disa muaj pas ndarjes me Salomé-në, më 11 shkurt 1883, ai i shkroi mikut të tij, Franz Overbeck: “Të gjitha marrëdhëniet e mia njerëzore lidhen me një maskë timen, dhe jam i dënuar të jetoj vazhdimisht një jetë të fshehur” (SLFN, fq. 207).

Ai iu ankua motrës së tij, Elisabetës, më 20 maj 1884:

“Që nga fëmijëria e hershme, nuk kam gjetur askënd me të njëjtat nevoja të zemrës dhe ndërgjegjes si unë… [Bindja] se njeriu mund të rritet vërtet vetëm mes njerëzve me mendje dhe vullnet të ngjashëm është për mua një aksiomë e pamohueshme. Fakti që unë nuk kam një person të tillë është fatkeqësia ime… Pothuajse të gjitha marrëdhëniet e mia njerëzore kanë lindur si përgjigje ndaj ndjenjës sime të thellë të izolimit.” (SLFN, fq. 241).

Një vit më vonë, në maj 1885, ai i shkroi nënës së tij: “Do të ishte një ngushëllim i madh për mua sikur të ishe pranë meje.” (SLFN, fq. 243). Më 18 tetor 1887, ai i shkroi sërish: “Meqë ra fjala, letra jote dhe urimet për ditëlindje ishin të vetmet që mora, gjë që më dha një ide mjaft të qartë për ‘pavarësinë’ që kam arritur.” (SLFN, fq. 271).

Dhe sërish, drejt fundit të jetës, Nietzsche i shkroi motrës së tij: “Një njeri i thellë ka nevojë për miq—përveç nëse ka një Zot. Por unë nuk kam as Zot, as mik! Ah, motra ime, ata që ti i quan miq, dikur vërtet ishin… por tani?”[18]

Vepra e tij më e rëndësishme, Kështu foli Zarathustra, të cilën Nietzsche pretendonte se e kishte shkruar brenda dhjetë ditëve rresht në janar 1883—dhe frymëzimin për të cilën ia atribuonte Lou von Salomés—përshkruhet nga Kaufmann si “vepra e një njeriu të zhytur në vetmi.”[19] Duket se, përmes shkrimeve të tij, Nietzsche përpiqej t’i jepte “kuptim një vuajtjeje që, në vetvete, ishte pa kuptim.”[20] Nuk është e vështirë të gjesh te vetmia dhe izolimi i Zarathustrës një pasqyrim të jetës së Nietzsche-s. Në shumë mënyra, veprat e tij përfaqësonin një shprehje të mundimeve të tij të brendshme.

Ndoshta nuk është ekzagjerim të thuhet se Nietzsche vuajti pandërprerë nga fëmijëria deri në vdekjen e tij. Ai e përjetoi dhimbjen për herë të parë në moshën katërvjeçare, kur i ati ndërroi jetë. Përveç mungesës së miqësive të ngushta dhe të sinqerta, siç u përshkrua më lart, ai u përball si me vuajtje fizike, ashtu edhe me plagë të thella emocionale. Vuante nga një sëmundje e syve dhe ishte tepër i shqetësuar për përkeqësimin e shikimit. Në maj 1885, nga Venecia, ai i shkroi nënës së tij: “Sytë e mi po përkeqësohen çdo ditë e më shumë dhe, nëse askush nuk më ndihmon, me shumë gjasë do jem verbuar deri në fund të vitit.” (SLFN, fq. 242).

Krahas kësaj dhimbjeje fizike, plagët e tij emocionale shfaqen qartë kur i rrëfeu Franz Overbeckut se nuk kishte mundur ta harronte momentin kur e ëma e kishte quajtur “një turp për babanë e tij të ndjerë.” (SLFN, fq. 206).

Veprat

Sipas Alan D. Schrift, redaktorit të përgjithshëm të The Complete Works of Friedrich Nietzsche dhe kontributorit në Encyclopedia of Philosophy, Nietzsche “shkroi 18 libra, përveçse la një korrespondencë të gjerë dhe mijëra faqe shkrimesh të pabotuara.”[21] Shkrimet e tij mund të ndahen në tre periudha kryesore:

  1. Veprat filologjike – të shkruara gjatë kohës kur ai jepte mësim në Bazel (1872-1876).
  2. Veprat aforistike – të shkruara midis viteve 1878-1882.
  3. Veprat e mëvonshme dhe më të pjekura – që fillojnë me Kështu foli Zarathustra (1883) dhe përfundojnë me autobiografinë e tij Ecce Homo (1888).

Disa nga veprat e Nietzsche-s mbajnë tituj të pazakontë, si Shkenca e gëzueshme (ang. The Gay Science), e botuar në 1882. (Titulli nuk ka asnjë lidhje me homoseksualitetin. Ai i referohet shkencës së hareshme ose të gëzueshme, një filozofi që feston jetën, krijimtarinë dhe afirmimin e ekzistencës.  Lidhja e fjalës “gay” me homoseksualitetin u shfaq vetëm pas vitit 1969). Sipas Kaufmann-it, Shkenca e gëzueshme mund të përkthehet edhe si “arti i poezisë”, por ndoshta më saktë do të nënkuptonte “Filozofia që këndon dhe shpërthen”.[22] Pikërisht në këtë libër, Nietzsche formuloi dhe prezantoi për herë të parë për lexuesit frazën e tij të famshme: “Zoti vdiq” (ose “Zoti ka vdekur”).

Libri i tij më i rëndësishëm, Kështu foli Zarathustra, u botua në katër vëllime midis viteve 1883 dhe 1885. Personazhi kryesor, Zarathustra, është i frymëzuar nga profeti iranian dhe themeluesi i Zoroastrizmit me të njëjtin emër, i njohur edhe si Zoroastri, i cili besohet se ka jetuar në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Zarathustra shfaqet fillimisht te Shkenca e gëzueshme, ku paraqitet si një mësues që ofron “një alternativë ndaj mësimeve morale të Sokratit, Kantit dhe Krishtërimit” – veçanërisht këtij të fundit.[23]

Kështu foli Zarathustra përbëhet nga fjalime të Zarathustrës mbi një gamë të gjerë temash, shpesh të shoqëruara me refrenin: “Kështu foli Zarathustra.” Vepra eksploron koncepte kyçe të filozofisë së Niçes, si Übermensch (Mbinjeriu), vdekja e Zotit, vullneti për pushtet dhe rikthimi i përjetshëm. Ndryshe nga nga veprat e tij të tjera, Kështu foli Zarathustra “është poezi dhe jo një përmbledhje aforizmash” (SLFN, f. 207).[24]

Të kuptuarit e simboleve dhe ideve të librit nga ana e lexuesit mund të lehtësohet nëse ai është i njohur më parë me Biblën dhe doktrinat kryesore të krishtera. Për shembull, interpretimi i referencës së autorit për “qytetin e madh” (Z, fq. 290) bëhet më i qartë kur dihet se ajo i referohet homologut të tij biblik në Zbulesën 17:18. Po ashtu, kuptimi i elementeve si “buka dhe vera” (Z, fq. 134) pasurohet kur merret parasysh rëndësia e tyre në narrativën biblike.

Gjatë jetës së tij, librat e Nietzsche-s hasën vështirësi në gjetjen e një audience të gjerë. Pas botimit të Kështu foli Zarathustra, një vepër për të cilën ai kishte shpresa të mëdha, u shitën vetëm 40 kopje, ndërsa 7 të tjera u dhuruan miqve të tij, çka i shkaktoi edhe një tjetër zhgënjim të thellë.

Nietzsche la pas mijëra faqe shkrimesh të pabotuara. Antikrishti ishte menduar si libri hyrës i një vëllimi më të madh, të titulluar Rivlerësimi i të gjitha vlerave ose Përmbysja e të gjitha vlerave (gjermanisht: Umwertung aller Werte), një projekt që ai nuk arriti ta përfundonte.[25] Këto shënime të pabotuara mund të përmbanin ide që ai synonte t’i zhvillonte më tej për veprën e tij të fundit.

Schrift vëren për këto shkrime se:

“Ndërsa disa pasazhe janë të papërpunuara, thjesht shënime për veten e tij për punë të ardhshme, ose ide dhe eksperimente mendore me të cilat ai u angazhua, por zgjodhi me vetëdije të mos i botonte, të tjerat mund të jenë ide mbi të cilat ai po punonte ende aktivisht kur jeta e tij krijuese u ndërpre.”[26]

Filozofi Martin Heidegger ka pohuar se e gjithë trashëgimia e pabotuar e Nietzsche-s, e njohur si Nachlass, “përmbante thelbin e filozofimit të tij.”[27] Ndërkohë, disa studiues e kanë cilësuar Vullnetin për pushtet si “magnum opus-in” e tij, e botuar nga motra e tij në vitin 1901, pas vdekjes së Nietzsche-s. Kjo ka ngritur pyetje mbi arsyen pse ai zgjodhi të mos i botonte vetë këto shkrime. A kishte ai hequr dorë nga këto ide? Apo ndoshta i kishte përmbledhur tashmë konceptet thelbësore në veprat e tij të mëparshme? Ose mund të ketë pasur ndërmend t’i zhvillonte më tej? Përgjigja përfundimtare mbetet e paqartë.

Vetëperceptimi

Për të kuptuar më mirë mënyrën se si Nietzsche e shihte veten, mund të mjaftojë vetëm leximi i autobiografisë së tij, Ecce Homo. Titulli rrjedh nga fjalët e Pontius Pilatit në përkthimin latin të Ungjillit sipas Gjonit (Vulgata), kur ai e paraqiti Jezu Krishtin para turmës përpara kryqëzimit: “Ja njeriu” (Gjoni 19:5). Nietzsche, në njëfarë mënyre, e shihte veten si një Krisht të ri. Nëntitujt e Ecce Homo, si “Pse jam kaq i urtë,” “Pse jam kaq i zgjuar,” “Pse shkruaj libra kaq të mirë,” dhe “Pse jam një fat i pashmangshëm,” ofrojnë një pasqyrë më të thellë mbi mënyrën si e perceptonte veten dhe si e vlerësonte veprën e tij.

Për më tepër, megjithëse vetëm dy muaj pas përfundimit të Kështu foli Zarathustra shprehu dyshime mbi vlerën e tij, më vonë Nietzsche shpalli me bindje: “I kam dhënë njerëzimit librin më të thellë që ka pasur ndonjëherë, Zarathustrën time” (TTI, fq. 556). Në vitet e mëvonshme si shkrimtar, ai mbeti i bindur se veprat e tij përmbanin mësime me vlerë për lexuesit.

Sa i përket mjeshtërisë së tij në të shkruar, ai deklaron te Perëndimi i Idhujve: “Jam gjermani i parë që ka zotëruar artin e aforizmit, dhe aforizmat janë një formë e përjetësisë. Ambicia ime është të them në dhjetë fjali atë që të tjerët thonë në një libër të tërë – ose atë që nuk e thonë fare” (TI, Seksioni 51). Dhe sërish, shkroi: “Kushdo që shkruan në… aforizma nuk dëshiron të lexohet, por të mësohet përmendësh.”.[28]

Në një rast tjetër, pasi u përball me kritika të ashpra për shkrimet e tij, Nietzsche i shkroi nënës së tij, duke parashikuar se, pas pesëdhjetë vitesh, këto gjykime do të përmbyseshin dhe “emri im atëherë do të shkëlqejë” (SLFN, fq. 271). Parashikimi i tij rezultoi i saktë. Lista e filozofëve të ndikuar prej tij është e gjatë dhe përfshin figura të shquara si Martin Heidegger (1889–1976), Michel Foucault (1926–1984), Jacques Derrida (1930–2004) dhe Richard Rorty (1931–2007), mes shumë të tjerëve.

Nietzsche i cituar

Nietzsche ka shkruar disa nga frazat më të paharrueshme. Ja disa prej tyre: “Për mua është më e rrezikshme të jem mes njerëzve sesa mes kafshëve.” (Z, fq. 295) “Duhet më shumë guxim për t’i dhënë fund diçkaje sesa për të shkruar një varg të ri; këtë e dinë të gjithë mjekët dhe poetët.” (Z, fq. 319) “Dikush kërkon një mami për mendimet e tij, një tjetër dikë që mund ta ndihmojë; kështu lind një bisedë e mirë.” (Z, fq. 278) “B: ‘Pse shkruan?’ A: ‘Epo, miku im, të jem krejt i sinqertë: deri tani, nuk kam zbuluar ndonjë mënyrë tjetër për t’u çliruar nga mendimet e mia.’ (GS, fq. 146) “Nëse kemi një pse në jetë, mund të përballojmë pothuajse çdo si.” (TTI, fq. 468) Dhe, ndoshta thënia e tij më e famshme: “Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë.” (TTI, 8), një frazë e përhapur gjerësisht në kulturën bashkëkohore, duke u shfaqur në muzikë, filma dhe shpesh edhe në fjalorin e përditshëm.

Ndërsa citimet e mësipërme janë frymëzuese, disa nga thëniet e tjera të Nietzsche-s kanë bërë që ai të etiketohet si mizogjinist. Në librin e tij Antikrishti, ai shkroi: “Gruaja ishte gabimi i dytë i Zotit. ‘Gruaja është nga natyra një gjarpër, Evë’ – çdo prift e di këtë; ‘Nga gruaja vjen e gjithë fatkeqësia e botës’” (A, f. 628). Por ky nuk është një citim i izoluar; librat e tij të tjerë zbulojnë mendime të ngjashme për gruan.

Kështu foli Zarathustra, ai shkroi:

 “Gruaja ende nuk është e aftë për miqësi: ajo ka njohur vetëm dashurinë. Dashuria e gruas është e padrejtë dhe e verbër ndaj gjithçkaje që ajo nuk e do. Madje, edhe në dashurinë më të vetëdijshme të një gruaje ka ende sulme, vetëtima dhe natë përkrah dritës. Gratë ende nuk janë të afta për miqësi: ato janë ende mace dhe zogj. Ose, në rastin më të mirë, lopë.” (Z, f. 169).

Po ashtu, në Përtej së mirës dhe së keqes, ai shkroi: “Gruaja nuk kërkon të vërtetën: çfarë është e vërteta për gruan? Që nga fillimi, asgjë nuk ka qenë më e huaj, më e neveritshme dhe më armiqësore ndaj grave sesa e vërteta. Arti i saj më i madh është gënjeshtra, shqetësimi i saj më i lartë është thjesht dukja dhe bukuria.” (BGE, f. 353). Dhe po aty, “Gruaja nuk e kupton se çfarë është ushqimi, por dëshiron të jetë kuzhiniere.” (BGE, f. 354); “Një fustan i zi dhe një rol i heshtur e bëjnë çdo grua të duket e zgjuar.” (BGE, f. 355).

Duket se deri në fund ai e mbajti të njëjtin mendim për gruan, siç dëshmohet edhe në autobiografinë e tij, ku shkroi: “Gruaja është pamasë më e ligë se burri; gjithashtu më e zgjuar: natyra e mirë tek gruaja është një formë degjenerimi.” (EH, f. 722).

Ironitë e jetës

Pavarësisht humbjes së miqësive, dhimbjes së vazhdueshme fizike dhe kritikave ndaj ideve dhe shkrimeve të tij, Nietzsche nuk iu dorëzua pesimizmit. Ndryshe nga Schopenhauer-i, ai e konsideronte veten një filozof anti-pesimist. Lufta e tij për jetën – një temë qendrore në filozofinë e tij mbi vullnetin për jetë – mund të ketë qenë e nxitur nga betejat e tij me sëmundjen dhe trazirat emocionale.

Ai e përshkruan këtë në autobiografinë e tij, ku shkroi:

Tani ajo periudhë e gjatë sëmundjeje më duket si një rizbulim i jetës, përfshirë edhe vetveten; shijova çdo gjë të mirë, madje edhe ato më të voglat, në një mënyrë që të tjerët nuk mund ta përjetojnë lehtë – e ktheva vullnetin tim për shëndet, për jetë, në një filozofi.” (EH, f. 680).

Megjithatë, filozofia e vullnetit për jetë e Nietzsche-s nuk e shoqëroi atë deri në fund të jetës. Vitet e tij të fundit nuk u zhvilluan ashtu siç mund të kishte shpresuar apo parashikuar; përkundrazi, u shënuan nga tragjedia. Më 3 janar 1889, ndërsa ecte në Torino, Nietzsche pa një karrocier duke rrahur një kalë. I tronditur nga skena, ai iu afrua, e përqafoi kafshën dhe më pas u shemb në një gjendje çmendurie, nga e cila nuk u shërua kurrë deri në vdekjen e tij në vitin 1900.

Edhe pse janë propozuar shpjegime të ndryshme për rrënimit të tij mendor, hipoteza më bindëse sugjeron se ajo erdhi si pasojë e dementias sifilitike. Ai mund ta kishte trashëguar sifilizin nga i ati ose ta kishte marrë në Lajpcig gjatë viteve të tij studentore, ndoshta nga kontakti me prostitutat.

Episodi në Torino përbën një nga ironitë më të mëdha të jetës së Nietzsche-s: filozofi që kritikonte ashpër vlerat e krishtera të dhembshurisë dhe mëshirës, u përfshi nga një dhembshuri e thellë për një kafshë. Megjithëse argumentonte se dhembshuria ishte një virtyt i “dekadentëve” dhe se fisnikëria e vërtetë qëndronte në kapërcimin e saj, veprimet e Nietzsche-s ndaj kalit në Torino pasqyruan pikërisht dhembshurinë që ai kishte përbuzur.

Kur Nietzsche nuk ishte më në gjendje të funksiononte mendërisht i pavarur, e ëma, Franziska, e mori në shtëpi në mars të vitit 1890 dhe e kujdesi me përkushtim për shtatë vjet, deri në ndarjen e saj nga jeta në 1897. Korespondenca e Franziskës me mikun besnik të Nietzsche-s, Franz Overbeck, ku përshkruan përpjekjet e saj të palodhura për t’u kujdesur për të birin e sëmurë, mbetet një dëshmi prekëse e dhembshurisë së vërtetë të krishterë.[29]

Këtu duhet theksuar edhe një ironi tjetër: Nietzsche, i cili për një kohë të gjatë u përpoq të rrëzonte besimin e krishterë – diçka që me gjasë i theu zemrën së ëmës – në fund gjeti strehë në dhembshurinë e saj të krishterë.

Pas vdekjes së Franziskës, kujdestare e Nietzsche-s u bë motra e tij, Elisabeth, e cila ishte kthyer nga Paraguai në vitin 1893. Ajo u kujdes për të deri në vdekjen e tij më 25 gusht 1900, që duket se ishte pasojë e pneumonisë e përkeqësuar nga një goditje në tru.[30]

Tani që kemi shqyrtuar rrugëtimin shpirtëror të Nietzsche-s dhe tensionet e tij të brendshme, mund të fillojme të bëjmë një analizë më të detajuar të ideve të tij filozofike. Në shkrimin vijues, do të të eksploroj natyrën dhe karakteristikat e ateizmit të tij.

(fund)

© 2025 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Evans, A History of Western Philosophy, 540.

[2] Thomas Mann, “Nietzsche’s Philosophy in the Light of Contemporary Events,” in Nietzsche: a Collection of CriticalEssays, ed. Robert C. Solomon (Notre Dame: University of Notre Dame Press, 1980), 359.

[3] Friedrich Nietzsche, “The Twilight of the Idols,” in Portable Nietzsche, Trans. and Ed. by Walter Kaufmann, (The Viking Press: New York, 1954), 563. Që nga ky moment, ky burim do të citohet me shkurtesën TTI, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi të Portable Nietzsche.

[4] Brobjer, “Nietzsche’s Changing Relation with Christianity”, 152.

[5] Po aty, 143.

[6] Alan D. Schrift, “Nietzsche, Friedrich,” in Encyclopedia of Philosophy: Volume 6, 2nd ed. Ed. Donald M. Borchert (Detroit: Thomson Gale/Macmillan Reference USA, 2006), 613.

[7] Friedrich Nietzsche, Ecce Homo (London: Penguin, 1979), 134. Siç citohet nga Stephen N. Williams in “Dionysus Against the Crucified: Nietzsche Contra Christianity, Part 1,” Tyndale Bulletin 48, no. 2 (1997), f. 220, https://www.tyndalebulletin.org/article/30365-dionysus-against-the-crucified-nietzsche-contra-christianity-part-1.pdf.

[8] Friedrich Nietzsche, “The Wanderer and his Shadow”, in Human, All Too Human, trans. R J. Hollingdale Cambridge Texts in the History of Philosophy (Cambridge: Cambridge University Press, 1996), Seksioni 182, “Signs of Cultural Weather,” f. 354. Që nga ky moment, Human, All Too Human do të citohet me shkurtesën HH, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi.

[9] Friedrich Nietzsche, Letter to Peter Gast (1881). As cited by Copleston, Friedrich Nietzsche,  6.

[10] Walter Kaufman, “Translator’s Note,” in  “Beyond Good and Evil”, in Basic Writings of Nietzsche, Trans. and Edit. by Walter Kaufmann (Random House: New York, 1968). Section “From The High Mountains – Aftersong.” Që nga ky moment, Beyond Good and Evil do të citohet me shkurtesën BGE, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi të Basic Writings of Nietzsche.

[11] Wagner to Nietzsche, 7 February 1870. Siç citohet nga Prideaux, I Am Dynamite!, 93.

[12] Friedrich Wilhelm Nietzsche, On the Genealogy of Morality, Cambridge Texts in the History of Political Thought (New York: Cambridge University Press, 1994), 74. Që nga ky moment, On the Genealogy of Morality do të citohet me shkurtesën GM, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi.

[13] Copleston, Friedrich Nietzsche, 12.

[14] Po aty.

[15] Wicks, “Nietzsche’s Life and Works”.

[16] R.J. Hollingdale, Nietzsche: The Man and his Philosophy, (Cambridge University Press 1999),f. 149-152.

[17] Wicks, “Nietzsche’s Life and Works”.

[18] Copleston, Friedrich Nietzsche, 4.

[19] Kaufman, “Editor’s Preface on Thus Spoke Zarathustra,” in The Portable Nietzsche, 105.

[20] Po aty, 111.

[21] Schrift, “Nietzsche, Friedrich,” 609.

[22] Walter Kaufmann, “Translator’s Introduction,” in Friedrich Nietzsche’s The Gay Science: with a Prelude in Rhymes and an Appendix of Songs, trans. Walter Kaufmann (New York: Vintage Books, 1974), 4, 6, 13. Që nga ky moment, The Gay Science do të citohet me shkurtesën GS, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi.

[23] Alan D. Schrift, “Nietzsche, Friedrich,” 610.

[24] Letë drejtuar Franz Overbeck-ut, e shkruar më 11 Shkurt 1983.

[25] Shih Nietzsche, Portable Nietzsche, 568.

[26] Alan D. Schrift, “Nietzsche, Friedrich”, 613.

[27] Po aty.

[28] Friedrich Nietzsche, “Thus Spoke Zarathustra,” in Portable Nietzsche, Trans. by Walter Kaufmann, The Viking Press: New York, 1954), 152. Që nga ky moment, ky burim do të citohet me shkurtesën Z, e ndjekur nga numrat e faqeve përkatës sipas këtij botimi të Portable Nietzsche.

[29] “Franziska Nietzsche” in Fembio (April 20, 2022), aksesuar më 3 mars 2025, https://www.fembio.org/biographie.php/frau/biographie/franziska-nietzsche/#zitate.

[30] Wicks, “Nietzsche’s Life and Works”.

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Nuk mund të thuhet se “episodi në Torino përbën një nga ironitë më të mëdha të jetës së Nietzsche-s” sepse nga ky moment e tutje ai, “u shemb në një gjendje çmendurie, nga e cila nuk u shërua kurrë deri në vdekjen e tij në vitin 1990”. Ai mund të konsiderohej një xhest çmendurie e kurrsesi xhest ironie!

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin