Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit, të thotë një dritare kërcyese mu në hyrje të uebsajtit të QSUT Nënë Tereza.
Shëndeti i gjirit varet nga ty, një gjest i thjeshtë të shpëton jetën!, të thotë faqja e Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë.
Kështu, në vështrim të parë, nisma duket fisnike për nga qëllimet dhe efektet. Madje edhe ecja simbolike, tradicionale kundër kancerit të gjirit, mund të interpretohet si diçka e mirë dhe e shëndetshme, edhe pse naive.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, me këtë rast promovoi sloganin “Një instagram më pak, një mamogram më shumë.”
Në fakt, shumë dhimbje shkakton ky lloj kanceri – tek viktimat, tek të afërmit, por edhe në planin simbolik, si një sëmundje që prek një imazh që e shoqërojmë gjithnjë me jetën, me nënën dhe fëmijën.
Kohë më parë kam humbur nga kanceri i gjirit njeriun më të dashur; dhe sot njerëzit më të afërt e më të shtrenjtë në jetën time janë gra dhe vajza që potencialisht i ekspozohen këtij kanceri.
Nuk di nëse mamografitë e vajzave dhe grave të shëndetshme, sidomos nën një moshë të caktuar, ndihmojnë apo jo për të ulur vdekshmërinë nga kanceri i gjirit.
Nuk di as nëse një rezultat negativ i mamografisë vërtet mund të garantojë mungesën e sëmundjes.
Një gjest i thjeshtë ndonjëherë mund të shpëtojë jetën; por kanceri i gjirit është sëmundje tepër serioze, për t’u likuiduar me slogane të tilla.
Edhe zotimi i kryebashkiut Veliaj (i përshtatur nga anglishtja), për të vënë përballë instagramin me mamogramin, më duket i pagoditur: nuk ka nevojë t’u bësh thirrje vajzave dhe grave që të sakrifikojnë, simbolikisht, gëzimin e jetës në emër të një parandalimi me efekt të dyshimtë, sidomos për grup-moshën e Instagramit.
Por pyetja që më mundon, kur dëgjoj për fushata të tilla sensibilizimi, është tjetër: nëse institucionet e shëndetësisë publike, në Shqipëri, do të jenë në gjendje të përballojnë rezultatet e këtyre përpjekjeve për t’i bindur vajzat dhe gratë të ekzaminojnë gjirin masivisht, përfshi këtu edhe kryerjen e mamografive.
Sa më shumë ekzaminime, aq më shumë diagnostikime të reja, aq më shumë pseudo-diagnostikime (false positives). Çdo diagnostikim, dyshim ose false positive duhet ndjekur më tej – me analiza të tjera, mamografi të tjera, ekografi.
Do të ketë nevojë për biopsi dhe ndërhyrje kirurgjikale, radioterapi dhe kemioterapi. Do të ketë nevojë për shërbime të ndihmës psikologjike dhe psikiatrike, për të gjitha gratë e traumatizuara, përfshi këtu edhe viktimat e pseudo-diagnostikimit.
A është në gjendje shëndetësia publike të përballojë, në vijueshmëri, suksesin e një fushate të tillë? A i ka mjekët, kirurgët, radiologët, infermierët e specializuar, shtretërit në spitale, qendrat ambulatore, barnat e kemioterapisë, teknologjinë e nevojshme dhe strukturat e ndërmjetësimit social dhe të komunikimit?
Nuk e kam përgjigjen e kësaj pyetjeje. Më kanë akuzuar më se një herë nuk informohem mirë, para se të kritikoj; prandaj do t’u lutesha lexuesve të më ndihmojnë, mua dhe lexuesit e tjerë: a i ka mundësitë shëndetësia publike në Shqipëri t’u përgjigjet pasojave të një fushate të tillë kaq dramatike?
Një gjest i thjeshtë nuk mjafton për të shpëtuar jetën: por mjafton për të krijuar një ankth, një alarm dhe një dramë. Që një gjest i thjeshtë të ndihmojë, duhet që shëndetësia publike të jetë e përgatitur për t’u dalë zot fushatave të veta.
Përndryshe, muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit mund të përfundojë në muaj të reklamës për shërbimet e shëndetësisë private; madje edhe po të mos përfundojë në tullumbace të shfryrë, si shumë fushata dhe koreografi të tjera spektakulare.
Xhaxha, fushata, sado “dramatike” apo e pambeshtetur ne infrastrukture publike (dhe per kete nuk di te te pergjigjem) eshte sidoqofte nje nisme pozitive. Edhe sikur grate e interesuara te mos kene mundesi te drejtohen te spitalet publike, edhe sikur kjo te jete fshehtesisht e drejtuar ndaj nje rritje pacientesh per privatin, perseri, diagnostikimi i hershem eshte e vetmja menyre per te luftuar me sukses kancerin e gjirit. Mentaliteti i prapambetur shqiptar perfshin variacione te ndryshme te kesaj teme: nuk di gje, nuk kam gje. Nje shembull qe me vjen ne mendje eshte i nje shoqes time e cila pothuajse 35 vjece, megjithese ka humbur dy teze nga kjo semundje, nuk ka shkuar kurre te kontrollohet (zakonisht me nje eko, si fillim) sepse “ka frike”.
Mund te duket absurde, por eshte e vertete dhe kjo lloj mendesie perben nje pengese po aq te madhe, ne mos me shume, sa edhe mungesa teresore (nese eshte keshtu)!e mbeshtetjes shteterore per ndjekje te vazhdueshme te situates.
Natyrisht, do te kishte qene e preferueshme qe, sic ndodh neper bote, ne kete dite shteti te ofronte vizita ose mamigrafi falas me nje sere pikash ne Shqiperi. Ky do te kishte qene nje hap perpara vertet i mire. E megjithate, sensibilizimi eshte nje “prerequisite” i rendesishem, ne cdo rast.
Shkrimi im më lart ngrihej – qëllimisht – mbi një premisë artificiale: dhe pikërisht se metodat e propozuara për parandalimin e kancerit të gjirit, mes tyre veçanërisht mamografia – janë vërtet efikase.
Në fakt nuk kisha arsye pse. Një nga studimet më masive që janë bërë kohët e fundit (randomized control study) me rreth 90,000 gra të moshave 40-59 vjeç të gjurmuara për 25 vjet rresht, ka treguar se
“mamografitë e përvitshme nuk kanë çuar në ndonjë ulje të vdekshmërisë specifike në gratë e moshave 40-59 në krahasim me ekzaminimin fizik vetëm ose kujdesin rutinë në komunitet.”
(http://thinkprogress.org/health/2014/02/12/3281871/massive-study-doubts-mammogram-effectiveness/)
(http://www.nytimes.com/2014/02/12/health/study-adds-new-doubts-about-value-of-mammograms.html?_r=0)
Studimi mund të shihet këtu:
http://www.bmj.com/content/348/bmj.g366
Megjithëse mamografitë nuk bënë pothuajse asgjë për të ulur vdekshmërinë, ato shkaktuan një tepri mbi-diagnozash. Pati një mbi-diagnozë për çdo 424 gra që bënë screening mamografik në studim.
Përkundrazi, screening-u mamografik, ose mamografitë që u bëhen grave pa simptoma të gjirit, nuk rekomandohen në moshat nën 40 vjeç – ose në grupmoshën e Instagramit.
Sipas një studimi të rëndësishëm të referuar në vijim, nëse 10,000 gra të moshave 35-39 vjeç do t’i nënshtroheshin një procedure të tillë, 1,266 do të kishin nevojë për procedura të tjera, prej të cilave 16 do të rezultonin me kancer dhe 1,250 me diagnozë false positive për kancer.
Kjo incidencë e false positives është e papranueshme për shoqërinë në tërësi, edhe pse dikujt që një mamografi rutinë në moshë të re ia ka diagnostikuar kancerin e gjirit herët argumenti mund t’i duket amoral. Unë kam përjetuar, në familje, edhe dramën e dikujt që vdes nga kjo sëmundje, edhe tmerrin e dikujt tjetër, që është pseudo-diagnostikuar, në moshë relativisht të re, me tumor të mundshëm në gji dhe pastaj i ka kaluar vitet më të bukura të jetës në ankth sa total, aq edhe totalisht të shmangshëm.
(http://ww5.komen.org/Breast-Cancer-News/Screening-Mammography-Performs-Poorly-in-Young-Women.html)
Duke pasur parasysh që (1) kanceri i gjirit është relativisht i rrallë në gratë nën 40 vjeç – për ShBA vetëm 4.5% e diagnozave për këtë sëmundje janë të këtij grupi-moshe; që (2) screening mamografik, ose mamografitë rutinë nuk janë efikase për këtë moshë për një numër arsyesh të njohura; që (3) veç kancerit të gjirit gratë vdesin edhe nga patologji të tjera; dhe që (4) kostot e parandalimit dhe të trajtimit të kancerit duhen përballuar në mënyrë racionale dhe jo mbi baza anekdotike, unë – me aq sa vlen opinioni im prej jo-mjeku, por prej qytetari të informuar – kam frikë se fushata e tanishme në Shqipëri dhe gjetiu krijon më shumë probleme se zgjidhje.
Madje për gratë e moshës 30-39 vjeç mendohet se ekografia (ultrasound) është një vegël diagnostike më e përshtatshme, pavarësisht nga rreziku i ulët i tumorit në këtë grup (rreth 1.9 për qind).
Çfarë më konfirmon, të paktën mua, se promovimi i ekzaminimit mamografik me grup-moshën e Instagramit ka qenë më shumë një gjest propagandistik sesa një orientim i menduar mirë; dhe se kjo fushatë, sikur të ketë sukses dhe të bindë moshat më të reja për nevojën e mamografive rutinë, do të përftojë një masë të papranueshme ankthi në mijëra vajza dhe gra të reja dhe kosto të panevojshme për shërbimin shëndetësor në shkallë kombëtare.
Por edhe një herë: a i ka sistemi shëndetësor publik në Shqipëri mjetet për të përballuar ekzaminimin ekografik të moshave më të reja, më të shumta në numër dhe me rrezik relativisht të ulët për t’u prekur nga sëmundja?
Me arsye, do të ishte më mirë që fushata e tanishme, për rrethanat specifike të shoqërisë në Shqipëri, duhej të ishte përqenduar me mjekët jo me publikun në përgjithësi; dhe të rriste ndjeshmërinë e mjekëve dhe infermiereve ndaj nevojës për të punuar me pacientet individualisht – duke i nxitur dhe instruktuar për ekzaminim fizik të gjoksit, duke studiuar historinë familjare të sëmundjes, duke informuar për sëmundjen vetë, etj.
Kanceri i gjirit nuk është “fun”, as mund të trajtohen përpjekjet për ta diagnostikuar herët si “fun”. Fakti që kjo sëmundje prek vetëm (ose pothuajse vetëm) njërin seks, nuk e shndërron atë në fatalitet për gruan, as e shndërron gjë në tipar specifik të femërsisë si të tillë.
Sistemet shëndetësore në Perëndim, sado të sofistikuara, ushtrojnë trysni të tmerrshme mbi trupin e gruas – duke e medikalizuar dhe shndërruar në makinë që prodhon patologji. Ky nuk është problem në Shqipëri; por nuk ka kuptim që problemet e mirëfillta shëndetësore publike atje të zgjidhen me metoda të përpunuara për shoqëri të tjera.
Gruaja sot në Shqipëri ka më shumë nevojë për mjeke dhe infermiere që të jenë të pranishme në jetën e saj, t’ia dëgjojnë hallet dhe të ndërveprojnë me trupin dhe mendjen e saj (shpresoj që të jetë punuar ndërkohë seriozisht edhe në këtë drejtim, ose për ta sjellë mjekun më afër qytetarit edhe në përmasën thjesht njerëzore), sesa për një mikrobus të rrethuar me fjongo dhe flamurka rozë dhe veprimtarë OJQ-sh, që ofron mamografi falas te sheshi i lagjes, dhe ku të japin edhe një t-shirt ngjyrë rozë me parullën e ditës të stampuar në perm press.
Pyejtes tende, eshte apo jo ne gjendje t’u dale zot shendetesia ne Shqiperi a Tirane këtyre nismave fishekzjarrë, une i pergjigjem me jo. Arsyet flenë pikërisht aty ku qeveria ben sehir:
Spitalet private, klinikat private, mosndarja e sektorit privat nga ai shteteror ne shendetesi po e roberon kete milet, po ja zbraz xhepat. Ti nuk e merr me mend se cfare ndodh me barnat ne spital. Mbas ores tre ne mbasdite, kur kane ikur mjeket, vijne furnizimet ne pavjon, pra mjeku ka shkruajtur, por nuk di se a do te vij ose nuk do te vije preparati. Nje pacient që mjekohet gjate, p. sh. me antibiotike, fillon me nje qe zgjat tre dite, vazhdon me nje tjeter per dy dite te tjera, pastaj nje tjeter vetem nje dite e keshtu me radhe. Sepse mbaron antibiotiku në mes të trajtimit. E njejta gje me insulinat, ne fillim ka dy tipe insulinash, pastaj ka vetem nje tip p.sh. insuline qe behet cdo 24 ore, por nuk ka tipin tjeter qe behet para ushqimit. Mungojnë që nga ilacet e thjeshta deri tek ato të skemes se kimioterapise. Papritur nuk ka, te semurët mbeten ne mes të ciklit. Me mik duhet te sigurosh qese gjaku. Ç’bëhet me ata të semurë që s’kane mik? S’ do t’ia dijë njeri.
Spitalet private, të ashtuquajturin Amerikan dhe Hygeian, i paguan Ministria e Shendetesise. Ne spitalet private punojne mjeket qe nuk kane fituar nje vend pune ne shtet, pra, krundet. Po eshte e tmershme, mjeket nuk vijne te shteti, sepse ikin gjatë orarit të shtetit ne punen private. E përdorin pavionin si pellg per te peshkuar klientelën për te privati.
Qeveria kerkon te testoje infermieret dhe mjeket, por nuk kerkon te forcoje mesimdhenien ne keto shkolla. Ke degjuar ndonje fakultet mjekesie qe te hyjne 250 student dhe te daline 300 ne vit? Sepse ata qe kane dale dobet ne gjimnaz shkojne te “Zoja e Keshillit te Mire” ose ne ndonje fakultet jashte shtetit dhe sikur asnje provim te mos kene marre hidhen direkt te viti i dyte ne Fakultetin e Mjekesise dhe keta quhen te transferuarit ose bylmezat.
Dekanati i Fakultetit te Mjekesise organizon nje konference per pedagogjine, ne nje kohe qe trecereku i leksioneve nuk zhvillohen fare, dhe ne kete konference Ministria e Arsimit dhe e Shendetesise e hapin konferencen dhe krisin e ikin, pa ditur cfare u tha, SHOW. Turp, qeveria e Show-it.