MBI TRANSPLANTIMIN E ORGANEVE (NË SHQIPËRI)

nga Arben Dedja

Transplantimi i organeve në Shqipëri rregullohet me Ligjin Nr. 10454 të datës 21.7.2011: “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”. E keni parasysh kur niseni me makinë dhe harroni të ulni frenin e dorës? Ka një krikëllimë që ju vjen në veshë dhe një sforcim të motorit tek rrekeni të bëni përpara. Kjo është përshtypja që më lë ligji. Jo vetëm letërsia duhet të jetë e kthjellët, qelibar në ato që thotë; akoma më shumë kjo vlen për legjislacionin.[1]

Freni i dorës është Neni 3 (Fusha e zbatimit) që përcakton kuadrin ku duhet të zbatohet ligji: dhurimi i organeve midis individëve që kanë lidhje gjaku, si edhe individëve që nuk kanë lidhje gjaku. Dhe këtu – pika 2c – përmend: “vjehrri, vjehrra, bashkëshorti, bashkëshortja, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj”. Kaq. Kësisoj dhurimi i organeve nga “individë jo në jetë” (për të cilin shpenzohen nene të tëra më poshtë në ligj) ngjan edhe ky i kufizuar brenda familjes. Dhe, po ta shohim konkretisht, ligji ka prodhuar deri më tash dy transplantime veshke dhe një transplantim mëlçie (me “split technique” – dhurohet një pjesë e mëlçisë; kjo e kryer në Spitalin Amerikan, më thonë), të gjithë nga dhurues të gjallë. Si rezultat, në ka lëmë të mjekësisë shqiptare që është i prapambetur sot, ajo është transplantimi i organeve.

Transplantimi nuk është teknikisht (shumë) i vështirë, se është standardizuar në detaj. Kirurgji e vështirë është ajo onkologjike e organeve vitalë, ose kirurgjia e esofagut që, si gyp i hollë e i gjatë, përshkon tre rajone të trupit: qafën, gjoksin dhe barkun. Tumoret janë të vështirë pse të larmishëm në përhapje dhe nuk mund ta standardizosh kollaj interventin. Shqipëria ka kirurgë të zot, ama, një program për transplantimin e organeve jo. Sepse organizimi i transplantimit të çfarëdolloj organi është tejet kompleks: vihet në provë i gjithë sistemi shëndetësor. Në një transplantim mëlçie (me organ “nga dhurues jo në jetë” thotë ligji shqiptar – “nga dhurues kadavër” thonë kirurgët, gjindje e ashpër dhe pragmatike) angazhohen, nga kryekirurgu deri te shoferi i ambulancës që sjell në spital organin e eksplantuar (ky intervent kryhet nga një tjetër ekip kirurgjik, natën dhe, shpesh, në një spital tjetër), rreth 100-120 persona: sa një orkestër simfonike. Dhe, si në një orkestër simfonike, askush nuk duhet të stonojë.

Në parkun e saj të makinave policia italiane ka disa Lamborghini Huracán LP-610 me kast për transportimin e organeve (kur moti është i keq dhe helikopteri nuk fluturon dot). Për të rezistuar sa më gjatë, sapo eksplantohen (hiqen nga organizmi “mëmë”) organet mbahen në tretësira ruajtëse në temperaturë 4°C (periudha e iskemisë së ftohtë). Gjithsesi koha është e kufizuar. Koha e iskemisë së ftohtë të lejuar për çdo organ: zemra 4-6 orë; mushkëritë 4-6 orë; mëlçia 12-18 orë; pankreasi 8-12 orë; veshkat 24-36 orë; zorrët 8-10 orë… “Driving the Heart“, një tregim nga Jason Brown, i seleksionuar në antologjinë “The Best American Short Stories 1996” dhe i botuar qysh në vitet nëntëdhjetë edhe te revista jonë “Mehr Licht!”, e tregon bukur një situatë transportimi organesh. Uni rrëfimtar është shofer që ka për detyrë të çojë një zemër nga një spital në tjetrin. Janë vetë i dytë në makinë, zemra është brenda frigoriferit portativ (nga ato të piknikëve). Mot i keq, furtunë, madje pësojnë edhe një tentativë vjedhjeje të armatosur. Kur, më në fund, mbërrijnë në spital – tepër vonë: pacientja ka vdekur. Në Ligjin 10454 përmenden shpesh bankat e organeve. Por s’ka përse: siç mund të vihet re nga kohët e iskemisë, organet nuk kalojnë dot nga bankat. Bankat vlejnë vetëm për indet. Banka të indeve në Itali: banka të kornesë 16; të lëkurës 5; të kockave 6; të vazave të gjakut dhe valvulave 5; banka të organeve 0.

Përbërja e ekipit kirurgjik gjatë një transplantimi mëlçie: kirurgë dy, anestezistë-reanimatorë dy, mjekë në formim (specializantë) tre, infermierë katër, personel teknik-sanitar tre, kirurgë për rast nevoje (reperibël) dy, infermierë reperibël dy. Në transplantimin e zemrës këtu shtohen edhe perfuzionistët, që merren me funksionimin e makinës zemër-mushkëri.

Makina zemër-mushkëri. Pa këtë makinë, që kryen qarkullimin jashtëtrupor të gjakut dhe oksigjenimin e tij në vend të mushkërive, është e pamundur të bësh ndërhyrje të mëdha në zemër e aq më pak transplantim. Një makinë e tillë u realizua vetëm në mesin e viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Dy vite më përpara, në Minnesota, Dr. Walton Lillehei pati një ide: cross circulation. Thonë kishte pak gjak indian në deje përderisa mori guximin e çmendur: të operojë fëmijë me kardiopati kongjenitale ku funksionin e makinës zemër-mushkëri ta kryente… njëri nga prindërit (në varësi të grupit të gjakut). Ditën e ndërhyrjes kirurgjike dy tryeza operatore vendoseshin paralel dhe pak të sfazuara: në nivel të gjoksit të fëmijës vendosej barku i prindit. Si fillim aorta dhe vena kava e prindit lidheshin me aortën dhe venën pulmonare të fëmijës. Vetëm pas kësaj fillonte operacioni i vërtetë. Dr. Lillehei operoi kësisoj dyzet e katër fëmijë dhe, kur herën e dyzet e pestë ndodhi fataliteti, spitali ia ndërpreu programin. Pak muaj më vonë, në Filadelfia, prototipi i makinës zemër-mushkëri u përdor për herë të parë me sukses te njeriu. Nga ai çast kardiokirurgjia u shndërrua në një nga disiplinat më të mahnitshme të njerëzimit. Sa për Lillehei-in, dyzet vjet më vonë (ishte në pension, i kish kaluar të tetëdhjetat) u kujtua për ato pacientët e tij të dikurshëm dhe deshi të dinte ç’bëheshin. Kështu ngriti receptorin dhe i telefonoi vetë një për një. Tridhjetë e dy ishin gjallë.

Transplantimi i organeve u bë i mundur në shekullin e XX vetëm pasi Alexis Carrel dhe Charles Claude Guthrie standardizuan teknikën e qepjes së vazave të gjakut (çdo organ ka pedunkulin e tij vazal). Mbrëmjen e 24 qershorit 1894 studenti i mjekësisë Alexis Carrel ndodhej për praktikë në urgjencën e spitalit të Lionit kur sollën aty presidentin francez François Sadi Carnot, të plagosur nga një anarkist italian. Pak pas mesnate pacienti vdiq dhe ajo që e tronditi më shumë studentin e ri ishte fakti që vdekja erdhi ngaqë kirurgët nuk kishin qenë dot në gjendje të qepin venën kava, të shqyer nga thika. Pak ironike që kjo tragjedi u luajt në Lion, qytet i famshëm për mëndafshin (fijet e mëndafshit përdoreshin – dhe deri diku përdoren ende – për qepjet në kirurgji). Ishte ndoshta atëbotë që Carrel vendosi të studiojë me themel mënyrën si duhen qepur vazat e gjakut. Eksperimentoi, përsosi teknikën, rriti shkathtësinë e duarve (për këtë nuk i erdhi turp të marrë mësime edhe nga një Mme Leroudier, grua e thjeshtë, analfabete, por qëndistare e përkryer, e njohur në mbarë Lionin), u ballafaqua me kolegë nga bota, derisa fati e pruri të shkojë në Chicago, te klinika e Guthrie-t. Ndejti aty gjashtë muaj, pa, mësoi, punoi falas si asistent i paregjistruar; u kthye në Francë dhe i mjaftoi një artikull shtatë faqe i gjatë i botuar (në frëngjisht) në revistën mjekësore të Lionit që, disa vite më pas, t’i jepej Nobeli në mjekësi (1912).

Guthrie nuk përmendej gjëkundi. Në fakt, kontributi i Guthrie-it ishte thelbësor, por Akademia Suedeze e la jashtë, thonë, kur mësoi që ky eksperimentonte transplantimin e kokës. Gjatë viteve të terrorit stalinist, kirurgu sovietik Vladimir Demihov, eksperimentonte në Moskë transplantimin e kokës te qeni (i shtonte qenit një kokë të dytë). Ishte i pari kirurg që pati sukses në këtë lëmë. Imunosupresioni, conditio sine qua non që çdo transplant të mbijetojë,[2] nuk ekzistonte, por, gjithsesi, Demihov ka raportuar jetëgjatësi qensh me dy kokë deri në një muaj. Në Youtube gjenden filmimet: doktori shëtit me qenin me dy kokë në oborrin e spitalit, për një moment kokat fillojnë të kacafyten; vjen ushqimi, safa me ujë, gjërat qetësohen. Sot transplantimi i kokës është i ndaluar. Çështja është edhe filozofike. Në qoftë se transplantimi i kokës do të realizohej, a nuk do të ishte më me vend të pohohej se, në fakt, kemi të bëjmë me transplantim të trupit te koka dhe jo e kundërta? Gjithsesi, në Kinë eksperimentet për transplatimin e kokës (të trupit?) vazhdojnë fshehurisht.

Miratimi i një ligji shembullor mund të jetë një nga ato raste kur legjislatori rreket, me vetë aktin e tij, ta çojë shoqërinë përpara. Kush është vendi i parë në botë për dhurime organesh? Spanja, me 36 dhurues për milion banorë. Atëherë unë do të merrja një laps kopiativ dhe atë ligj do ta sillja në Shqipëri. Le që edhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë prej vitesh u rekomandon shteteve të adoptojnë ligjin spanjoll të dhurimit të organeve.[3] Pastaj është e qartë që duhet të kemi një kulturë të dhurimit dhe kjo do të vijë gradualisht. Në kuptimin më të gjerë të fjalës shqiptarët i njoh për njerëz bujarë. Këtu mund të ketë një shtrembërim të gjykimit ngaqë jam vetë shqiptar, por, duke qenë kthjelltësisht i arsyeshëm, nuk mendoj se jam larg të vërtetës. Gjithashtu, të gjitha fetë që besojnë shqiptarët e nxisin dhurimin e organeve. Ka vetëm një vend shumë të zhvilluar në botë që është në fund të klasifikimeve për dhurim organesh: Japonia. Kjo për arsye se pjesa më e madhe e popullsisë atje është shintoiste. Shintoizmi jo se e pengon dhurimin e organeve; puna është se e lejon atë vetëm pasi zemra të ketë pushuar së rrahuri. Ky është problem i madh.[4] Marrja e organeve teksa zemra e “personit jo më në jetë” rreh ende është diçka thelbësore. Këtu hapet kapitulli i madh i përkufizimit dhe, i ndjekur në rrotë, i përcaktimit të vdekjes. Në Itali kjo rregullohet me një ligj të miratuar nga Parlamenti dhe të nënshkruar nga Presidenti i Republikës. Në Shqipëri, kuptova që ka vetëm një rregullore të Këshillit të Ministrave (për të mos thënë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe aq). Kriteret do të jenë njëlloj, nuk kam dyshim, por përcaktimi i vdekjes është çështje aq delikate sa do të ishte mirë që ligjvënia të ngrihej në nivel presidencial edhe te ne. Imagjinoni që njerëzit janë mësuar të quajnë të vdekur një individ që nuk i rreh më zemra (dhe nuk merr frymë). Dhe befas u themi (duke i tundur para syve një rregullore) që nuk është tamam ashtu; nuk është vetëm ashtu. Megjithëse i dashuri i tyre e ka zemrën që i rreh, merr frymë (i intubuar, me respiratorin që i jep oksigjen) dhe e ka lëkurën rozë e faqet kuqëlane, ai është (medet!) i vdekur. Nëse atë çast do t’i bëhej një angiografi (me lëndë kontrasti) e trurit, do të shihej qartë që gjaku në tru nuk qarkullon. E pra, vdekja është ndërprerja e pakthyeshme e të gjitha funksioneve të encefàlit.[5] Përcaktimi bëhet me anë të tri provave të thjeshta: elektroencefalografi e rrafshët,[6] testi i apnesë negativ dhe mungesa e plotë e reflekseve të nervave kranialë. Sapo personi deklarohet i vdekur bëhet e mundur – brenda një dritareje kohore të kufizuar – t’i merren organet (po qenë në gjendje të mirë funksionale), me qëllim transplantimin te një pacient me insuficiencë terminale të një organi. Kjo ndodh në një numër shumë të vogël vdekjesh (më pak se një për qind e totalit), vdekje që ndodhin në repartin e terapisë intensive dhe nga disa patologji specifike  (traumë, hemorragji cerebrale, iktus, arrest i zgjatur kardiak, disa tumore të rrallë “primitivë” të trurit), patologji që nuk i dëmtojnë organet e tjera. Për këtë duhet që i ndjeri të ketë dhënë konsensusin (me gojë ose me shkrim). Me kalimin e kohës u pa që kjo puna e konsensusit nuk ishte e mjaftueshme. Atëherë në legjislacion u fut “parimi i pranimit të heshtur të informuar” (silenzio-assenso informato). Kjo do të thotë që, në mungesë të një kundërshtimi të hapur bërë në jetë (me shkrim ose me gojë) nga i ndjeri, mosprononcimi nënkupton që je dakord të të merren organet kur të kesh vdekur. Vendet në pararojë për transplantim organesh (domethënë vendet më të zhvilluara perëndimore) këtë ligj kanë. Bën përjashtim Gjermania, ligji i së cilës kërkon që të prononcohesh nga e para çdo vit. Kësisoj, Gjermania (edhe Japonia, saje problemeve me shintoizmin) janë të vetmet vende të zhvilluara që kanë numra të ulët transplantimi organesh. Kam pasur rast të bisedoj me Prof. Haverich, shef i Departamentit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Torakale në Hannover dhe përgjegjës i programit të transplantimit të zemrës dhe mushkërive në një nga qendrat mjekësore më në përparuara të botës, që ankohej se ai vetë i pari thjesht harronte ta rinovonte në kohë konsensusin e vet për dhurim të organeve. Por them (mendimi im ky) që Gjermania vepron kështu si pasojë e historisë së saj. Po të kesh nxjerrë si komb figura si Joseph Mengele do t’i frysh edhe kosit, për ta thënë ballkançe. Për lavdi dhe për çudi, edhe ligji ynë e njeh parimin e pranimit të heshtur të informuar (“nëse […] nuk kanë shprehur hapur mosmiratimin”, thuhet në Nenin 21, pika 1).[7]

Megjithatë, pavarësisht parimit të pranimit të heshtur, në Itali (por edhe gjetkë) mjekët pyesin gjithmonë familjarët. Kam punuar mbi dhjetë vjet i atashuar në njësinë operative të transplantimit të veshkës dhe pankreasit në Padovë (unë isha në degën eksperimentale – merresha me ksenotransplantime, kapitull më vete i transplantimeve, petë të tjera lakrori) dhe, mbaj mend që, njëherë, me naivitet pyeta se përse duhet t’u merrej leje familjarëve për sa kohë që ligji e lejonte eksplantimin e organeve të dashurve të tyre (sepse kishin dhënë aprovimin ose saje parimit të silenzio-assenso). “Po pse, sherr me njerëzit do të bëjmë ne?” më tha mjeku që pyeta. Dhe kish të drejtë. Kësisoj në Itali ka njëzet për qind më pak dhurim organesh ngaqë familjarët vihen kundër.

Në vendet e zhvilluara tetëdhjetë për qind e organeve të transplantuara vijnë nga dhurues jo në jetë. Në vendet më pak të zhvilluara tetëdhjetë për qind e organeve të transplantuara vijnë nga dhurues në jetë. Nga organet çifte mund të dhurohet njëri. Mëlçia është i vetmi organ tek që, saje aftësisë së lartë rigjeneruese, mund të dhurohet pjesërisht (pas pak kohe rigjenerohet, duke u rritur madje edhe si vëllim – Prometeu docet). Ngaqë gjërat peshohen mjaft mirë nga ana mjekësore, dhurimi i organeve nga dhurues në jetë nuk i rrezikon aspak këta të fundit. Në Shtetet e Bashkuara, vend ku kanë edukatën të monetizojnë gjithçka, në qoftë se je duke paguar një sigurim për jetën dhe vendos të dhurosh veshkën, kompania siguruese nuk ta rrit kuotën mujore të pagesës.

Kjo është situata (jonë) sot, anno domini 2023. Desha edhe të përmend shkarazi që mjafton të kesh vetëm një ide minimale për sfidën e organizimit të një transplantimi organesh që të ngelesh i pataksur nga lajmi absurd (jehonën e të cilit e dëgjoj të përsëritet ende) i “Shtëpisë së Verdhë” në Mat, ku gjoja në fund të viteve nëntëdhjetë UÇK u merrte serbëve organe për t’i transplantuar. Që ta besosh këtë duhet të jesh eksiq ose dashakeq në shkallën më sipërore. Për më tepër që nga kjo panoramë e shkurtër e transplantimeve lamë jashtë çështjen tejet teknike të përputhshmërisë që duhet të ketë organi i transplantuar me përfituesin (i famshmi “tipizim lindor”).

 

(c) 2023 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Si autor, Arben Dedja është i vetmi person që mund të lejojë riprodhimin e plotë ose të pjesshëm të kësaj eseje.


[1] Pa zënë ngoje gabimet në të shkruar. Tekstin e ligjit e kam marrë nga Fletorja Zyrtare. Më falni për pedantizmin, por, për shembull, Neni 10, pika 1d, flet për “tipizim lindor”. Natyrisht, tipizimi është indor (tissue).

[2] Natyra njeh vetëm një përjashtim: binjakët homozigotë. Jo më kot, transplantimi i parë i suksesshëm i veshkës te njeriu, realizuar nga Joseph E. Murray në Boston më 1954, u bë i mundur saje një dhurimi veshke mes binjakësh (Ronald dhe Richard Herrick).

[3] Rasti i Kroacisë që, kësisoj, në pak vite ka mbërritur shifra të tilla sa t’ia kalojë edhe mjaft vendeve të zhvilluara.

[4] Dhe kështu, nga halli, japonezët kanë zhvilluar një teknikë të mahnitshme të marrjes së organeve nga dhurues me zemër të pushuar (non-heart-beating donors). Realizohet vetëm në pak qendra të specializuara, por prapë këto organe kanë cilësi më të ulët, për sa kohë që gjaku i oksigjenuar u ka munguar (deri më momentin e iskemisë së ftohtë).

[5] Sugjerimi që jepet nga profesorë të etikës mjekësore është që termi “vdekje cerebrale” të mos përdoret, sepse mund të lerë vend për dualizëm. Individi është i vdekur. Pikë.

[6] Për çdo rast, individët në “gjendje vegjetariane” janë të përjashtuar nga dhurimi i organeve.

[7] Por tashmë jam i idesë që ligji shqiptar është i tipit “mbaj e fut”. Mungon kohezioni, logjika e brendshme. Nene të tëra që “normojnë” rastet – krejt hipotetike – të marrjes së organeve nga “dhurues në jetë” dhe dhurimit të tyre personave të tretë (sepse nuk është e mundur t’i dhurohen familjarit). Është absurde të kallësh dyshime që një organ dhurohet dhe… mund të mos i shkojë familjarit. Punët planifikohen që përpara. Ose duhet futur koncepti i të ashtuquajturave “transplantime domino”, por kjo duhet të eksplicitohet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin