Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NOBELI PËR BREZAT QË NUK VIJNË

Me gëzim të papërshkruar – siç thuhet në këto raste – mësova që Nobeli i këtij viti në letërsi i shkoi shkrimtares/publicistes bjelloruse Svjatlana Aleksieviç.

E cila me siguri është grua zonjë dhe që ka ditur, në jetën e saj, të zgjedhë drejt midis së mirës dhe së keqes, virtytit dhe vesit, nderit dhe mëkatit.

Sikurse me siguri është një autore që shkruan me profesionalizëm dhe përkushtim, për çështje me interes dhe impakt politik dhe social.

Ky vendim i parashikuar i komitetit të Nobelit i hap rrugën një vendimi tjetër, që ka gjasë të merret vitin e ardhshëm, sepse kushtet tashmë janë pjekur.

Publiku është mësuar tashmë me çmimin që i jepet një autori përgjithësisht të panjohur, meqë synimi i Nobelit letrar ka ndërruar – nga mirënjohje dhe nderim për veprën, në promovim dhe bamirësi.

Tek e fundit, artistë si Murakami, Roth, DeLillo, Le Guin, Eco, Kadareja dhe të tjerë të mëdhenj që na zbukurojnë bibliotekat nuk kanë nevojë për vlerësime të tilla.

Përkundrazi, të tjerë si Svjatlana do të kapitalizojnë mbi të dhe do t’i japin botës kontributet deri më tash të munguara: mjaft të shohësh lulëzimin e talentit dhe të suksesit në autorë premtues si Tranströmer, Kobayashi, Jelinek, Modiano, Müller dhe të tjerë laureatë të këtyre viteve të fundit, që u kanë ndryshuar jetën miliona lexuesve anembanë planetit.*

avatarJanë pjekur kushtet, pra, që vitin e ardhshëm Nobeli t’i jepet një autori që jo vetëm është relativisht i panjohur dhe operon në një gjuhë mundësisht ende pa alfabet ose që është në zhdukje e sipër, por edhe që – kujdes – ende të mos ketë nxjerrë nga pena asnjë rresht.

Një autori potencial, që pikërisht ngaqë ende nuk ka shkruar asgjë, është i lirë të shkruajë gjithçka, sepse përmban në vetvete krejt pasurinë letrare të Bibliotekës së Babelit, në trajta ende të pakombinuara, edhe pse jo, aspak jo të pakombinueshme.

A mund të ketë vallë synim më fisnik, se t’i jepet Nobeli një autori që ende nuk ekziston si i tillë, si autor; çka do të thotë edhe që ky çmim prestigjioz të shërbejë ai vetë si motor dhe frymëzim për letërsinë që do të vijë?

Me kohë, ky kriter eksperimental le të shndërrohet në kushtin normal për të fituar Nobelin letrar: ose që laureatët të mos e kenë ndyrë dorën me tekste as reputacionin me lexues, por të ekzistojnë në trajtën e shkrimtarit të kulluar, jokalimtar dhe vetë-referencial; ose, alternativisht, të militantit flokëpërzhitur nga predhat dhe fishekzjarret a të OJQ-istit model.

Një zgjidhje e tillë do të ishte, pa diskutim, e preferuar ndaj lotarisë dhe/ose oportunitetit politik.

(*) Nuk di sa prej lexuesve e vunë re se Kobayashi nuk i përket kësaj liste. Ky autor, që mund të ekzistojë por nuk është e thënë, ende nuk e ka fituar Nobelin, pa çka se ka shumë shpresa.

Pa Komente

  1. Nja tri “anonime” – Vishllava Shymborska, Elfride Jelinek e Herta Myller – personalisht mi ka “zbuluar” Nobeli, per c’gje i jam shume mirenjohes. Madheshtia e letersise nganjehere s’eshte prozaike e epike, por mund te jete “vetem” e holle e eksploruese. Keto te triat se paku jane shkendija te vogla qe me kane prekur e prandaj me kane ndryshuar. Vetem mua, natyrisht, jo boten.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin