Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

AJSBERGU I PROTESTËS

Kam shkruar dhe thënë në publik, se masa e protestuesve që na tregojnë mediat – tradicionale dhe sociale – në fotot dhe videot (1) nuk është veçse pjesa e dukshme e një dukurie dhe procesi që artikulohet, në masë të madhe, në virtualitetin e rrjeteve sociale dhe (2) kërkesat e protestuesve (demands) nuk mund të kuptohen, jashtë dinamikave ndërvepruese të brezit më të ri, që përbën shumicën e tyre. Nga padija, ose ngaqë kanë axhendat e tyre, shumë media zgjedhin të përcjellin – si logos të protestës – diskursin e vjetruar, stereotipik dhe konceptualisht të rrafshët të disa forcave që thjesht po parazitojnë mbi protestën, duke përfituar nga natyra e saj e hapur.

Mbase ia vlen që protesta të përfytyrohet si një ajsberg, të cilit maja i merr më shumë vizibilitet se ç’duhet, por që përndryshe jeton në thellësinë e kontakteve dhe të komunikimit në rrjetet sociale, nëpërmjet grupimeve, likes-eve, emotikonave, memeve që ndahen, bashkëndahen e ribashkëndahen, produkteve fake, shqipes në urdhërore, performativit të pranisë aktive dhe objektifikimit të metaforave, si ajo e flamingos, ku shënjuesi nuk ka më nevojë për lidhjet me të shënjuarin, për ta komunikuar mesazhin.

Që në 2004, Patrick West, duke iu referuar medias televizive, pat folur për një conspicuous compassion, duke vërejtur: “të shprehësh në publik ndjenja rreth ngjarjeve dhe figurave publike provon një epërsi shpirtërore.” Andrey Mir[1] shton se, brenda logjikës së këtij conspicuous compassion, manifestimi i duhur i ngashërimit (compassion) u bë shenjë e virtytit moral, dhe ky identifikim i virtytit, i shoqëruar me policimin moral përkatës, bëri që mediat digjitale ta kërkojnë edhe më fort shprehjen e empatisë, deri atje sa të arrihet komodifikimi i angazhimit empatik.

Në kontekstin tonë, do të thoja se kjo e ka normalizuar empatinë për protestën, madje duke e transferuar këtë empati në disa nga kërkesat e shprehura prej protestës dhe “në anë protestës”, përfshi këtu edhe vetë shqetësimin për fatin e rrezikuar të habitatit shqiptar një shpendi, flamingos, të cilin shqetësim disa e përjetojnë realisht madje si dhimbje, teksa për të tjerë mbetet metaforik ose edhe thjesht pretekstual. Për ta thënë sërish me Mir, në mjedise të agjituara, kërkesat për empati (konformim me empatinë) shumë lehtë mund të degradojnë në ultimatume të besnikërisë ideologjike dhe të policimit të vetë empatisë, çfarë i hap rrugën zemërimit masiv dhe polarizimit.

A mund të ketë empati pa unitet? Rrjetet sociale mundësojnë, thotë Mir, angazhimin emocional pa ndonjë lidhje personale reale; dhe kjo tepricë empatie rrezikon të zhvlerësojë meritën kundrejt identitetit dhe të izolojë minoritetet.

Vetëm sot, në komentet te një e përditshme me qarkullim të madh online, komentet (anonime) ku politikat e Ramës shpjegoheshin me atë që ai është “vllah” rreshtohen përbri komenteve të tjera ku Marjana Koçeku cilësohej si “maloke”.

Problemi nuk është tek empatia në vetvete, por te fakti që, në mediat digjitale, gati i gjithë kapitali social ndërtohet mbi të. Ky kapitalizim social i ka hapur rrugën, shkruan Mir, një forme të vonë të kapitalizmit: kapitalizmit të empatisë. Teprica e empatisë çon tek ajo empati toksike të cilën Gad Saad e ka quajtur “empati vetëvrasëse” – ngashërim i ekzagjeruar që minon kohezionin social, gërryen besimin, përçudnon politikat dhe nxit, tërthorazi, rritjen e krimit dhe terrorizmit.

Liberalizimi i blogosferës dhe i mediave sociale në vitet 2009 dhe 2014, shkruan Mir, çoi te një krizë autoriteti, ose tek ajo që Martin Gurri e quajti pastaj “revolta e publikut”. Por tani situata ka ndryshuar – institucionet, përfshi këtu pushtetin, kanë mësuar si ta neutralizojnë fuqinë disruptive të Internetit dhe t’i vënë rrjetet dhe mediat sociale në kontroll.

Mir shkruan se mediat sociale sot po përdoren edhe nga një demografi më e moshuar, më pak urbane, më pak e arsimuar dhe më konservatore – siç është provuar edhe nga politikat që sollën në fuqi Trump-in dhe Bolsonaro-n, dhe mundësuan Brexit-in. Brezat e rinj gjithnjë do të gjejnë mënyra dhe media të reja për të çrregulluar normën (TikTok), por konfliktet tash e tutje do të jenë më shumë gjeneracionale, pa arritur te një tranzicion mediatik demografik global.

Veç kësaj, sot shumë shtresa të arsimuara dhe rebele janë kooptuar nga elitat, duke krijuar një hibrid të establishmentit dhe aktivizmit, dhe kjo pikërisht kur u shfaq një klasë abuzuesish profesionistë të Internetit, të cilët përdorën argumentin e frustrimit në rritje të publikut për të kërkuar më shumë kontroll ndaj informacionit. Andej nga fundi i viteve 2010, shkruan Mir, botët, trollët dhe vjelja e të dhënave e shndërroi Internetin në një mjedis të helmuar.

Ashtu lindën edhe algoritmet, brenda platformave të mediave sociale – të cilat janë në thelb korporata. Algoritmet ishin përgjigjja e korporatave ndaj kërkesave të elitave për censurë ndaj përdoruesve (Mir). Mediat digjitale sot po i hapin rrugën kontrollit institucional ndaj shoqërisë. Mediat digjitale e ngritën publikun kundër institucioneve, por frytet e këtij aktiviteti u përvetësuan nga elitat.

Platformat digjitale tani mundësojnë – shkruan Mir – survejimin dhe kundërgoditjen e subversionit të djeshëm nga ana e pushtetit. Ashtu po i afrohemi momentit kur platformat ushtrojnë kontroll të plotë ndaj përdoruesve, në emër të shtetit dhe të korporatave.

Nga kjo perspektivë, protesta e tanishme në Tiranë – si dukuri sociale offline dhe online – ka disa vështirësi për t’i sinkronizuar dy pjesët e saj: ajo që riprodhohet çdo ditë në bulevard dhe ajo që riprodhohet çdo ditë online, dhe që nuk janë (ende) në harmoni mes tyre. Solidariteti dhe empatia nuk kanë çuar lirisht dhe rrjedhshëm në një diskurs të artikuluar qartë; dhe kjo vështirësi është shfrytëzuar nga diskurse dytësore për të gjetur rrugën në sipërfaqe – nga ai i folkut nacionalist, tek ai fashist-ksenofobik dhe, alternativisht, komunist (marksist) dhe, më në fund, ai konspirativ, novax dhe brutalisht anti-semit. Nuk kanë munguar as përpjekjet për ta kornizuar protestën në interseksionalitet – ose për ta parë si produkt të sinergjive të bashkërenditura të identiteteve sociale të shumëfishta, mbi një bazë të përbashkët diskriminimi.

E përkthyer në ligjërimin e përditshëm, kjo do të thotë që protesta të mbledhë bashkë të papunët, emigrantët, imigrantët, lëvizjet feministe, lëvizjet LGBTQIA+, pakicat fetare, seksuale dhe raciale, viktimat e diskriminimit fetar, viktimat e diskriminimit dialektor, viktimat e neokolonializmit, viktimat e shëndetësisë publike, pensionistët me pensione të ulëta e kështu me radhë. Interseksionaliteti është politikisht i rëndësishëm në SHBA dhe gjetiu, por ende nuk e kam parë të artikuluar haptazi në Shqipëri. Por më shumë rëndësi ka që predisponimi interseksional të mos lejohet të shërbejë si maskë morale nga çdo humbës kronik, në kërkim oportunist të privilegjeve.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Ky shkrim u botua më parë në substack-un Menditime.


[1] Këtu e më poshtë i referohem veprës Andrey Mir, The Digital Reversal, Popular Media Ecology, Toronto 2025.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading