Vepra e Kadaresë mbetet e pametabolizuar nga kultura shqip
Përvjetori i vdekjes së Kadaresë, që erdhi dhe shkoi pa bujë, më bëri të pyes në heshtje edhe se sa i pëlqen vepra e atij autori brezi të ri të shqiptarëve, të gjithë atyre që kanë lindur nga vitet 1980 e këtej. Nuk pres që këta lexues të tregojnë të njëjtin interes që kemi treguar ne, të viteve 1960-1970, që e përjetuam drejtpërdrejt rritjen e tij eksponenciale si shkrimtar i shquar jo vetëm shqiptar, por edhe europian; por njëfarësoj dua që, tek interesi i më të rinjve, të gjej një konfirmim që interesi ynë nuk vinte thjesht nga fukarallëku kulturor, ose ngaqë nuk njihnim gjë tjetër dhe ishim kapur pas veprës së K. si i mbyturi pas fijes së barit. Në kuptimin që ai na jepte një produkt të dorës së dytë, një surrogato, një imitim të letërsisë bashkëkohore dhe ne, të paditurit, ia lejonim vetes mahnitjen. Njëlloj sikurse nuk dua që distanca mes brezave, mes shqiptarëve, të jetë e ngjashme me atë që kërcënon të jetë krijuar mes brezit më të ri dhe veprës së Kadaresë.
Rreziku këtu është që ajo vepër të shihet si e vjetruar, po aq e vjetruar sa, të themi, poezia e Fishtës apo Nolit; në kuptimin që të mos u përgjigjet më sensibiliteteve të reja. Këtu do të ishte gabim të ngatërrohej mosha me vjetrimin; aq më tepër që veprën e Kadaresë nuk e ka zëvendësuar asgjë, në vetëdijen letrare shqip – dhe efektet e viteve ndaj saj i detyrohen njëlloj edhe vjetrimit të letërsisë, si instrument për të mbushur veten dhe botën. Nëse kjo nuk ka ndodhur, faji do t’i mbetet kulturës vetë, e cila po mësohet të procedojë në mënyrë të tillë, që ta mumifikojë atë vepër dhe ta integrojë – çfarë është edhe më e rëndë – në muzeun (turistik) të kombëtarizmit.
Ka qenë dhe mbetet efekt fatal i ideologjisë kombëtariste, që kulturën ta vlerësojë sipas “shërbimit” që i bën avancimit të çështjes kombëtare dhe të imazhit shqiptar; një efekt që, në kontekstin kadarejan, përthyhet si vlerësim i rolit të veprës së Kadaresë (dhe i aktivitetit publik të atij shkrimtari dhe intelektuali) për të çuar përpara shqiptarizmin. Por ky është uzurpim. Që ka shumë prej nesh që literalisht mburren me veprën në fjalë, kjo nuk ngre peshë në kulturë, sa kohë që vepra vetë trajtohet si monument dhe nuk metabolizohet më në jetën kulturore të përditshme. Ashtu është shfrytëzuar – dhe jo vetëm nga politika – suksesi i veprës kadarejane jashtë Shqipërisë, që nga vitet 1970 e këtej; deri në të shkallë sa lavdërimet që ka marrë ajo vepër nga kritika e përtejdetit janë shfrytëzuar jo vetëm si provë e vlerës së saj mirëfilli artistike, por edhe si shembull e mishërim i suksesit të shqiptarisë në botë.
Disa kultura në botë e kanë çmuar veprën në fjalë jo vetëm si manifestim ekzotik i Tjetërsisë, por edhe për artin e saj, filozofinë dhe interpretimin unik të historisë – por vlerësime të tilla, në vetvete legjitime, nuk do të zëvendësojnë dot kurrë rolin që duhet të ketë ajo vepër në riprodhimin dhe pasurimin e kulturës bashkëkohore shqip. Prandaj pritja e letërsisë kadarejane nga brezi i ri i shqiptarëve ka rëndësi unike, për fatin e asaj letërsie në kulturën tonë bashkëkohore – meqë do të provojë nëse Kadareja, si emërues i përbashkët i një vepre të shtrirë gati gjysmë shekulli, do të arrijë t’i mbijetojë rrethanave historike aq specifike, që e përftuan si autor.
Shumë lexues të rinj gjejnë – dhe janë stërvitur mendërisht të gjejnë – në veprën e Kadaresë elemente të spikatura të orientalizmit, të supremacisë të bardhë dhe racizmit, të adhurimit për Europën e krishterë mesjetare, të antifeminizmit, të fallocentrizmit e të homofobisë dhe të tjera shfaqje që sot janë shënjestruar nga lëvizja woke dhe jo vetëm dhe që mund të shërbejnë si arsye për ta klasifikuar atë vepër si të vjetruar. Fakt është që vepra në fjalë ka qenë gjithnjë e ideologjizuar, dhe ka lëvizur nga proletkultizmi te kombëtarizmi kitsch dhe pastaj orientalizmi ndonjëherë i skajshëm, dhe jo gjithnjë është e lehtë – për lexuesin dhe kritikun – që (të stërvitet) ta interpretojë elementin ideologjik si metaforë ose pjesë të strukturës artistike të këtij apo atij teksti fiction. Pyetja këtu nuk është nëse vepra e Kadaresë ka qenë apo jo ideologjikisht e angazhuar, por nëse ajo që mbetet, pas vjetrimit të angazhimit përkatës, mjafton për t’ia ruajtur veprës statusin artistik dhe social. Për fat të keq, kritika letrare këtu ka dështuar, madje vazhdon t’ia rëndojë fatin veprës, duke i mëshuar aspekteve mirëfilli kombëtariste të saj: shqiptari në shekuj, qëndresa, heroizmi, e kështu me radhë. Janë këto aspekte që po e largojnë brezin e ri që lexon (dhe nuk janë aq shumë) nga vepra e Kadaresë; në një kohë që brezi i ri që nuk lexon, por që e ka përqafuar fort kombëtarizmin, nuk interesohet për letërsinë, por për monumentin (idhullin).
Sa e integruar mbetet vepra e Kadaresë në kulturën bashkëkohore shqip? Natyrisht, këtu nuk e kam fjalën për simpoziumet, kumtesat, numrat specialë të revistave, varri që do t’i ngrihet, shtëpitë muze dhe të gjitha ato teknika që, në thelb, duan ta ndajnë veprën nga autori dhe ta shndërrojnë e ta trajtojnë këtë të fundit në shenjtorin mbrojtës të politikave kulturore të pushtetit. Tek e fundit, e dimë që ka njerëz – elita kulturore dhe jo vetëm – që e përdorin kultin e Kadaresë ideolog (“të madhit Kadare”) për të konsoliduar statusin e vet si elita, zakonisht nëpërmjet identifikimit me elementet më të pavlera të trashëgimisë kadarejane. Por kultura është diçka më tepër, më e pasur dhe më e pabujshme, se festivalet dhe argalisjet publike, madje edhe se meshat laike që duam aq fort t’i mbajmë, sidomos kur ka edhe kamera televizive në afërsi. Prandaj traditën kadarejane do ta kërkojmë edhe te produktiviteti i saj i pavarur, brenda kulturës shqipe; ose te trajektorja e lëvizjes nga kulti te kultura.
Nuk mund të pritet nga debatet televizive, as nga grantet që jep Ministria e Kulturës, dhe as nga kumtesa të tipit “Lufta e Kosovës në letërsinë e I.K.” Pavarësisht nga dëshirat e mira, politika nuk mundet veçse t’i shfrytëzojë vlerat kulturore duke i plaçkitur për interesat e veta. Sikurse është e vështirë që të pritet ndonjë kontribut real, në vijueshmërinë e traditës kadarejane, nga të gjitha ato grupime kulturore, që në thelb duan ta rrëzojnë veprën e Kadaresë nga piedestali, për të vendosur atje tekstet e tyre të shenjta (good luck). Korpusi i asaj vepre, nëse do të mbahet gjallë si kulturë në veprim dhe jo relike e ruajtur në katedralen e kombëtarizmit shqip, ka nevojë për kontributin e të gjithë atyre që veprës në fjalë i detyrohen deri edhe për identitetin e tyre kulturor unik, ose për atë çfarë çmojnë ende tek vetja.
(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Ky shkrim është botuar më parë në substack-un Menditime.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Koha eshte e pameshirmshme me letersine .Mbijetojne vetem ato vepra qe krijojne arketipe universale njerezore ne te cilat edhe brezat e ardhshem shohin dicka nga vetja apo realiteti i tyre .Kam frike se pjesa me e madhe e vepres se Kadarese ndonese e shkruar ne menyre brilante ka per tu harruar si pasqyre e nje periudhe e cila per shqiptaret tashme perben vetem nje kujtim te larget e s’do te thote shume per ta .Vetem nje pjese e vogel e vepres se tij do te rezonoje ende me brezin e ri, qe eshte nje arritje e madhe pasi shkrimtaret e brezit te tij tashme jane harruar te gjithe.