Tre shkrime të njëpasnjëshme janë shfaqë këto ditë tek Peizazhet e Fjalës të shkrueme nga Elsa Demo (pjesa e parë, pjesa e dytë, pjesa e tretë). Shkrimet trajtojnë elemente te dosjes Velijaj-Xoxa në raport me skenën e kulturës duke e shoqnue me deduksione, reflektime, komente e akuza që Demo formulon. Emna, shifra, biseda, përgjime, citime, metafora, emna të tjerë, gjykime, numra, aludime, pikëpyetje, prap emra, akuza dhe përfundime, të gjitha te rendituna me një ritëm te fortë prej penës së një prej gazetareve ma të randësishme të artit e kulturës në Shqipni. Por Elsa Demo në fakt asht ma shumë se një gazetare. Ajo asht një analizuese aktive dhe e angazhueme. Në këtë angazhim që kërkon pasion e kurajo ajo nuk asht e paanshme por merr pozicione të forta e nganjëherë duket se pasioni me dalë në konkluzione kapërcen skrupolozitetin e kërkimit të së vërtetës.
Mendoj se gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhë skenës së artit sot në Shqipni asht me i ba gjygjin artistëve duke i pa si një kategori lëpirësish apo pelivanësh të padinjitet. “Follow the artist” mund të përkthehet shumë lehtë në “Përndiqe artistin” duke na kujtue kohë shumë të errëta për njerëzit e artit. Nganjëherë zelli për t’a vërvitë shpatën sa andej këndej prodhon të pavërteta e teprime që, për Demon mund të mos jenë të randësishme, por për të interesuemit janë, me të drejtë, acaruese.
…“Edhe të huajt lëshojnë fatura, me përshkrime për persona të cilët nuk janë në realitet pjesë e projekteve. Domenico de Chirico, i cili kishte kuruar një ekspozitë për një OJF të Xoxës, lëshon faturën 1.000 euro. Me kërkesën për të bërë “gjasme”, emri i de Chiricos figuron krahas përshkrimit “production/coordination curator for Spa: Re project”, për ekspozitën “Rear-view mirror” të Idlir Kokës, të cilën italiani nuk e ka kuruar. Si ndihet piktori Koka, vallë, kur dëgjon si përdoret emri dhe puna e tij?” [i]
Përmendet Domenico de Chirico, një kurator italian për të cilin Demo thotë se “nuk e ka kuruar” ekspozitën e Kokës. Në fakt rezulton se Domenico de Chirico e ka kurue ekspozitën e Idlir Kokës. Ka ardhë në Tiranë, ka punue për instalimin e ekspozitës, ka një tekst të shkruem prej tij, ka një poster ku emni i tij dhe i artistit rezultojnë bashkë, ka një dialog publik mes kuratorit e artistit, ka foto e ka artikuj në portale ndërkombëtare si Art Viewer apo Artribune ku flitet për ekspozitën e Idlir Kokës të kurueme nga Domenico de Chirico.
Duke folë për artistin Driant Zeneli, Elsa Demo insiston se, edhe nëse nuk ka përfitue nga ana financiare, ai ka përfitue nga Harabeli karrierë artistike.
“Nuk e korruptoi “Harabeli” Driantin. Xoxa e gjeti gati. Që në krye të herës, premisa korruptive njerëzore ka qenë aty dhe e hodhi nga Bienalja e Venecias në Manifesta, pa garë, me atë art frikacak.” [ii]
Asht në të drejtën e kujdo të ketë opinionin mbi veprën apo simpatitë e antipatitë e veta mbi karakterin e dikujt, por e vërteta asht se nuk ishte Harabeli që i ndërtoi karrierën Driant Zenelit. Angazhimi i Zenelit në Tiranë vjen mbasi kishte nisë me sukses karrierën e vet artistike në Itali, kishte fitue Young European Artist Trieste Contemporanea Award, kishte fitue çmim në International Film Festival, Pesaro, kishte fitue çmimin Onufri në Tiranë, kishte pasë disa ekspozita personale e kolektive në muze e institucione të randësishme arti nëpër botë. Këto janë fakte e nuk janë opinione të miat. Mandej si e hidhka kjo “premisa korruptive” artistin nga Bienalja e Venecias në Manifesta sikur po hedh një top futbolli mbi lumin e Lanës? Mirë Pavjoni shqiptar i Bienales (ku Zeneli nuk ka qenë i vetmi i zgjedhun pa konkurs) por Manifesta që kurohej nga Catherine Nichols, një figurë me integritet në botën artit, si e merrka këtë “artin frikacak” mbasi kishte hedhur lumin hipur mbi krahët e Harabelit? Por le t’i lamë shkrimet e Demos me gjithë të vërtetat e mirëartikulueme apo lajthitjet e të përpiqemi të ofrojmë një pikëshikimi tjetër.
Pak Histori
E dalë nga një diktaturë që kontrollonte, por edhe mbështeste fort produktin artistik, skena shqiptare e viteve 90 shfaqej si një gërmadhë ku institucionet shtetnore të kulturës lëshonin grahmat e tyne të fundit. Në mungesën totale të një ekonomie tregu për kulturën, gjithçka varej nga ato pak financime publike që u vinin këtyne institucioneve sa me i mbajtë gjallë frymën. Ndërkohë që pluralizmi politik artikulohej në beteja për jetë a vdekje mes partive, formula e dikurshme “Artistët janë ndihmës të partisë në edukimin komunist të njerëzve” kishte dalë jashtë përdorimi duke i lanë artistët të hapnin dyqane e kioska andej këndej për të shitë në tregun e lirë krijimet e tyne. Galeria Kombëtare e Arteve ishte e vetmja kala që herë merrej nga një grupim politik e herë nga një tjetër ndërkohë që galeritë e qyteteve ishin mbyllë pothuajse të gjitha ose funksiononin sa me i dhanë rrogën përgjegjësve kulturorë që ishin organikë e bashkive.
Eventet e dimensioneve të mëdha si Bienalja e Tiranës rezultuen sfilitëse për organizatorët, të cilët mbas përpjekjesh të stërmundimshme “u dorëzuen”.
Nevoja për një skenë të pavarun që operon jashtë strukturave shtetnore ishte evidente e pikërisht për këtë hapsina ma të vogla si galeria “ZETA”, “MIZA”, organizata si TIKA apo evente si “Insurgent Spaces” nisën të shfaqen në skenën shqiptare si momente shprese se diçka mund të levizte përtej dinamikave shtetnore. Por skena e pavarun nuk mundet të mbijetojë pa mbështetje. Rrogëtarët e institucioneve që mbaheshin gjallë me fondet e shtetit apo artistët që prisnin që veprat e tyne të bliheshin nga institucionet qeveritare, filluen të zëvendësoheshin me njerëz që shkruenin aplikime, që kontaktonin ambasada apo fondacione të huaja, që rrinin mbas dyerve të ministrive apo bashkive për mbështetje të ideve apo projekteve të tyne kulturore. Ambasadorët e huej u banë klientët e parë të studiove të artistave. Nevojave për projekte ma të artikulueme si instalacione apo performanca nuk u mjaftonte vullneti i mirë individual i një ambasadori për të koleksionue vepra arti, por duhej mbështetje ma e strukturueme.
E gjithë kjo situatë e vuni skenën e pavarun të artit shqiptar në kërkim të fondeve për ekspozita, festivale, çmime, rezidenca, evente, publikime që vit mbas viti bahej ma e madhe e që ndeshej me mungesën e një sistemi të mirëpercaktuem vlerësimi për këto projekte. Ndërkohë artistët luftonin me mbijetue dhe herë herë shfrenin ndër kafene mllefet ndaj dikujt që kishte mbërritë me gjetë një fond ma shumë, me ba një ekspozitë ma shumë, me shitë një vepër ma shumë. Mes artistëve nisi të mos diskutohej ma për art por se kush i rrinte ma afër e kush ma larg pushtetit.
Pusht, pusht, pusht, pushteti
Duket sikur liria dhe pushteti jane dy kategori në konflikt të papajtueshëm me njeni-tjetrin. Në pamje të parë pavarësia nga pushteti shfaqet si kushti themelor i çdo lirie. Por pushteti nuk asht kategori absolute, ka pushtet politik, ka pushtet ekonomik, ka pushtet mediatik, ka pushtet moral, pushtet lokal e pushtet ndërkombëtar. Mandej ka pushtet që të mbyll gojën ashtu siç ka pushtet që të shtyn me folë, që të thyen turinjtë ashtu siç të merr me të mirë. Pavarësia e të pavarunve vihet vazhdimisht në provë nga nevoja për mbështetje finaciare, për hapsinë fizike, materiale apo mediatike. Në Shqipni mbështetja për skenën e pavarun herë vjen nga instutucionet publike, rrallë nga sponsor privat e shpesh herë nga ambasada, institute kulture apo fondacione të hueja. Këto të fundit megjithëse në debatin e mbrendshëm nuk etiketohen si pjesë e pushtetit, sigurisht janë edhe ato një formë e randësishme pushteti. Pa mbështetjen e tyne nuk do të realizoheshin shumë nga eventet, ekspozitat apo publikimet e aktorëve të skenës së pavarur. Asht abuzimi e jo marrëdhania me pushtetin ose me pushtetet që të ban pis e megjithatë, mendoj se nuk asht kurrë e tepërt një farë ndroje, një distancë e shëndetshme ndaj pushtetit. A ka njoftë skena kulturore shqiptare abuzimin me pushtetin? A ka pasë abuzim me fonde publike në funksion të axhendave private? Sot ka një proces penal që ka marrë përsipër t’i japë përgjigje disave prej këtyne akuzave, por mendoj se ky diskutim nuk ezaurohet në salla gjygjesh, por kërkon një reflektim ma të gjanë e ma të thellë. Ky reflektim nuk bahet duke i futë të gjithë në një thes e as duke lujtë luftash mes “puritanëve” e “të korruptueshmëve” si dikur në rrëfimet e socializmit kur luftohej mes “debatikasve” dhe “ballistëve”, por duke pastrue ajrin nga atmosfera toksike dhe duke synue një horizont të përbashkët diskutimi në funksion të ndreqjes së asaj që nuk shkon.
Reflektim mbi sistemin dhe frymën
Nëse në vitet 2000, dalja nga muret e institucioneve shtetnore në kërkim të hapsinave të pavaruna ishte nevojë emancipuese për skenën, sot mendoj se duhet të konsiderohet seriozisht raporti mes institucioneve publike dhe inisiativave private në favor të të parave. Në këtë pikë jam shumë dakord me Elsa Demon që shtron nevojën urgjente të rritjes së fondeve dhe mbështetjes së gjithanshme për institucionet publike.
Sistemi duhet të dalë nga kultura e eventit për t’u futë në rrugën e ndërtimit të institucioneve ku vlerat trajtohen me kujdesin, seriozitetin e dinjitetin që meritojnë.
Ndërkohë sistemi i artit nuk mund të mbahet vetëm me organizata jo fitimprumëse prandaj asht e nevojshme krijimi i një tregu cilësor arti, i cili sigurisht që as nuk prodhohet me urdhën nga nalt e as mbahet me asistencë shtetnore, por mund të incentivohet falë politikave të caktueme kulturore. Zhvillimi i galerive private apo e koleksionizmit privat nuk ka pse të shihet me dyshim, por duhet inkurajue e stimulue. Koleksionimi i veprave të artit mund të stimulohet edhe për institucione publike duke krijue fonde të veçanta që nuk kanë si destinacion vetëm Galerinë Kombëtare të Arteve por çdo institucion publik. Nga ana tjetër edhe skena e pavarun ka nevojë të organizohet e të bashkëpunojë në mënyrë që të fitojë peshë e kredibilitet. Një riorganizim i kohëve të fundit i strukturave si UNNA apo AVAN që po kërkojnë t’i japin formë dialogut mes aktorëve të skenës kulturore jep shpresë se diçka do të ndryshojë për mirë. Por le të jemi të vërtetë; nuk ka sistem në botë apo formulë të suksesshme që i kuron plagët tona nëse nuk mendojmë seriozisht për një frymë tjetër që duhet me qarkullue në ambjentin tonë kulturor. E futja e kësaj fryme kërkon domosdo edhe një shfrymje nga tonet spektakolare, megalomanitë e panevojshme, shkëlqimet e rrejshme të dritave që vezullojnë për me mshehë mbrapaskena të errëta. Kjo frymë e re kërkon reflektim por edhe mirëbesim, principe të qarta por edhe dashamirësi e respekt për punën dhe dinjitetin e njerëzve. Të mos harrojmë se artistët bashkëkohorë janë një kategori e margjinalizueme në Shqipni që luftojnë secili individualisht e në mënyrën e vet për mbijetesë intelektuale, shpirtnore dhe ekonomike dhe e fundit gja që do i ndihmonte do ishte një klimë linçimi, survejimi e përgojimi.
Meqë e nisa duke citue një paragraf ku përmendet emni i Idlir Kokës, nuk do të doja që në këtë tekst emni i një artisti si ai, me të cilin njihemi vetëm nga larg, të figuronte i shoqnuem nga hija e dyshimit bazue tek një e pavërtetë. Përtej debatit se kush asht kuratori i ekspozitës së tij, më lejoni të them se Idlir Koka asht ndër emnat ma të çmueshëm të pikturës shqiptare bashkëkohore. Punimet e tij mbarsin atmosfera vibruese që vetëm një sy i vëmendshëm e një shpirt i ndjeshëm mund t’i kapin. Tonet diskrete dhe strukturat e mirëmendueme të telajove të tij përgjithësisht të vogla ndërtohen mes penelatash të shkrifta duke na folë pa asnjë lloj retorike për pasuninë enigmatike dhe kompleksitetin e një bote që të tërheq me modestinë e saj.
Mendoj se pikërisht rekuperimi i një fryme modestie njerëzore asht sot shumë i nevojshëm për kulturën e një vendi të vogël e të varfën si Shqipnia, nëse për kulturë kuptojmë përkujdesjet ndaj dimensionve të thella e të rafinueme të shpirtit e të mëndjes e jo ushtrime muskuloze ku merr hov e zgërlaqet anarkia e pushtetit.
© 2025 Adrian Paci. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Kopertina © Adrian Paci, Home to go, 2001.
[i] “Rrruga e trëndafilave” të Elsa Demo, publikue tek Peizazhet e Fjalës
[ii] “ Follow the money? Nope, follow the artist” të Elsa Demo, publikue tek Peizazhet e Fjalës
Zotëria juaj me këtë shkrim të gjatë e plot sofizma anashkalon çka është thelbi i problemit dhe kritikës që ka shkruar znj. Demo, artistët kanë mashtruar, janë përdorur si instrument për grabitje parash publike për t’u përdorur për aktivitetet e tyre, duke i bërë edhe një shëbërim tjetër znj. Xoxa dhe të shoqit, shpëlarjen e imazhit. Duhet të dini që lëshimi i fatura fiktive është krim në Republikën e Shqipërisë dhe dënohet nga me gjobë e deri me burgim.
Nje shkrim plot me fjale te bukura qe nuk thone asgje. Znj. Demo ka bere kerkim dhe denoncon nje fenomen konkret te cilin ju e anashkaloni totalisht. Si artist pjesmarres ne nje prej projekteve te tyre as e prekni fare si teme… Asgje nuk thoni edhe mbi Veliajn apo Xoxen… . Keto artikuj pseudointelektual nuk maten asfare me nje artikull (tre ne kete rast) realist dhe faktik.
blendl …ziu
Z. Paci nuk është..”PROKUROR”, është ARTIST.