Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Lexim

NJË FËMIJËRI ME FANTASHKENCË

Gjithë fëmijërinë dhe rininë e hershme e kam kaluar i dashuruar pas fantashkencës – në një kulturë ku atë zhanër e gjeje me pikatore. Vërtet, ish përkthyer gjerësisht dhe bukur Jules Verne-i, nga më të mirët përkthyes të shqipes së atëhershme; dhe mbaj mend të kem kaluar shumë ditë dhe net në shoqërinë e kapitenit Nemo, kapitenit Hatteras, Phileas Fog-ut, kapitenit 15-vjeçar Dick Sand-it dhe bijve të kapitenit Grant (kaq shumë kapitenë!), por shumë nga këto vepra nuk ishin “tamam” fantashkencë, për ne që ëndërronim kozmosin dhe ushqeheshim përditë me lajme për astronautët dhe bëheshim gati për të zbarkuar në Hënë. Një roman që na “fliste” me gjuhë tjetër ishte Mjegullnaja e Andromedës, i Ivan Efremovit, ku e ardhmja rrëfehej me nota poetike dhe futuriste – dhe që do t’i kthehesha aq shpesh vit pas viti; mbaj mend edhe një antologji me tregime, Lulja magjike, të përkthyer nga rusishtja; dhe Shitësi i ajrit, një roman të çuditshëm, gati steampunk, të Aleksandër Beljajevit (një tjetër roman të shqipëruar të këtij autori, Njeriu amfib, e kam hedhur në dorë shumë vonë).

Romani i Ivan Efremovit Mjegullnaja e Andromedës, i përkthyer hatashëm nga Petro Zheji, dallonte nga të gjithë librat e tjerë në bibliotekën time, për shkak të një ekzaltimi në stil dhe në imagjinatë[1], që më bindte mua, lexuesin, se personazhet në atë botë të së ardhmes jo vetëm gëzonin epërsi teknologjike ndaj nesh të sotmëve, por edhe ishin superiorë ndaj nesh: më të ndjeshëm, më të zotët, më të ndriçuar, më të përsosur; mbinjeriu i Nietzsche-s vërtet, por i kthyer kokëposhtë, sepse ky ishte një mbinjeri me fytyrë njerëzore, pa gjë të përbashkët me “bishën bjonde” të Gjenealogjisë së moralitetit; njeriu i së ardhmes, i Efremovit nuk është zot (master) i ndonjë race skllave, por thjesht i galatikës mbarë, ose i vetvetes. Ai autor shpenzon shumë kohë duke përshkruar shkëlqimin dhe sqimën e së ardhmes “komuniste”, të populluar nga heronj që më pas do t’i gjeja – çuditërisht – te Fountainhead (shqip Burimi i jetës) e Ayn Rand-it; burra dhe gra të shëndetshëm, të bukur dhe me ambicie të pakufishme, të gatshëm për të mposhtur hapësirën dhe kohën, dhe aq larg prej nesh, sa ta kemi të vështirë edhe t’ua kuptojmë motivet. Ka diçka në ato personazhe nga ideali grek i njeriut atletik, absolutisht apollonian, që jeton vetvetiu në mënyrë estetike duke e gjetur bukurinë pashmangshëm në marrëdhëniet që vendos me botën; dhe nuk është rastësi që e keqja, të cilën lexuesi e përjeton kur ekipazhi i anijes ndëryjore Tantra përballet me të panjohurën, në një nga planetët e Yllit të Hekurt, i shfaqet lexuesit si e shëmtuar.

Nga një roman kaq i ndritshëm për të ardhmen komuniste të njerëzimit do të pritej ndoshta më shumë optimizëm; por nuk është kështu. Përpjekjet e astronautëve të Tantra-s për të depërtuar në anijen kozmike aliene, që gjejnë në planetin ku u detyruan të ulen, dështojnë madje një nga personazhet kryesore (Niza) mbetet e plagosur rëndë dhe në koma; më pas, projekti ambicioz i dy dijetarëve nga më të shquarit, për të vendosur komunikim me shpejtësi më të madhe se e dritës me një planet të largët, përfundojnë me një katastrofë kolosale, përfshi edhe shkatërrimin e një sateliti rele në orbitë; dhe në fund, arkeologët që zbulojnë nën dhé një muze deri atëherë të panjohur të teknologjisë njerëzore para-komuniste nuk arrijnë të depërtojnë përtej një porte të hekurt në shkëmb, dhe detyrohen ta braktisin punën, për shkak të një tërmeti.

Mbaj mend që librin u kandis ta lexonte edhe im atë, që zakonisht nuk lexonte fiction; edhe ai e vuri re këtë rregullsi të disfatës, këtë mallkim a fatalitet që i rëndonte mbi shpatulla heroit në kërkim të së vërtetës; që tek e fundit i kujtonte këtij caqet, limitet, pafuqitë, brenda një filozofie të së përditshmes që ushqente bindje të tipit the sky is the limit. Pse, thoshte im atë, të ndalet rrëfimi në momentet kulminante – kur kozmonautët ishin gati për të hyrë për eksplorim në një anije që të ardhur ana tjetër e universit; kur Toka po vendoste një lidhje të çastit me një planet 400 vite dritë larg; kur arkeologët i ndante vetëm një mur, nga misteri i teknologjive të harruara të “botës së copëtuar” para-komuniste? Pse kjo torturë? Vetë Mjegullnaja e Andromedës, që i jepte titullin romanit, do të rezultonte në fund të romanit si vendi nga ku e kish origjinën disku gjigand mbetur i paeksploruar, në planetin e Yllit të Hekurt; një galaktikë tjetër dhe një artifakt që kish udhëtuar në hapësirë për miliona e miliona vjet, për t’u kapur pastaj aksidentalisht në grackën gravitacionale të atij ylli të padukshëm. Një roman që, në dukje, përshëndeste triumfin e komunizmit dhe njeriun e ri të realizuar në plotësinë dhe përsosmërinë e tij, e prezantonte lexuesin – në të vërtetë – me një subjekt të rrethuar nga ankthi ekzistencial i së panjohurës.

Të njëjtin ekzaltim të rrëfimit dhe portretizim të njeriut të epërm kam gjetur, shumë vjet më pas, te romani We i Zamjatin-it, vepra që pararendi romanet Brave New World të Huxley-t dhe 1984 të Orwell-it. Atë magji që ato vjet të largëta vetëm e ndieja, më pas do ta deshifroja si efekt të kozmizmit rus[2], në thelb një lëvizje filozofike dhe kulturore që ndërthurte bio-etikën me historinë dhe filozofinë e origjinës së njeriut, evolucionin dhe ekzistencën e kozmosit dhe njerëzimit në të ardhmen; dhe që la gjurmë të pashlyera në kulturën në fillim ruse dhe pastaj sovjetike, të shekullit XX.

I apasionuar pas aventurës kozmike, që rrëfente Mjegullnaja e Andromedës, pata lexuar me kërshëri të madhe një roman tjetër, Gjahtarët e asteroideve, që nuk e klasifikoja dot menjëherë, nga një Carlos Rasch, autor edhe me emër gjysmë spanjoll e gjysmë gjerman. Tani mësoj se romani ish përkthyer shqip nga gjermanishtja në 1962, nga Zef Simoni; dhe se autori ishte një brazilian i emigruar në Gjermani që para Luftës II dhe që jetonte, në atë kohë, në Gjermaninë Lindore. I kish botuar Gjahtarët në 1961, me titullin Asteroidenjäger, dhe një vit më vonë ky ishte përkthyer edhe në rusisht, me titullin Охотники за астероидами. E vetmja gjë me interes, në këtë reminishencë krejt personale, është rruga që ka ndjekur vepra, për të mbërritur në brigjet tona: nga dora e një autori edhe ai “i përkthyer” nga Brazili në Gjermani, do të ketë ardhur në shqip me miratimin “e heshtur” (tacit) të ndonjë liste librash të përkthyeshëm, të bërë publike nga sovjetikët. Kam pasur rast ta verifikoj në mënyrë empirike, se shumë nga titujt e letërsisë perëndimore që vinin në shqip në vitet 1950-1970, përzgjidheshin sipas botimeve sovjetike – në kuptimin që një roman amerikan do të botohej në shqip, po të kish pasur miratim botimi dhe sukses në Bashkimin Sovjetik (më shkon mendja në tituj si “Gjeniu”, “Një tragjedi amerikane”, “Zekthi”, “Martin Eden”, “Thundra e Hekurt”).

Përndryshe, në vitet 1960-1970 kishim dëgjuar për time travel, si teknologji fantashkencore dhe si vegël narrative, por nuk mbaj mend të kemi pasur në dorë – në shqip – romanin klasik të H.G. Wells-it, The Time Machine. Por në romanet me aventura edhe kontakti me qytetërime të tjera mund të trajtohet – dhe është trajtuar – si ndonjë lloj udhëtimi në kohë, veçanërisht në të shkuarën; duke u përfytyruar primitivja, arkaikja, e pazhvilluara si një formë “e ngrirë” e qytetërimit, që përndryshe ka evoluuar normalisht.

Hiq ndonjë film të mbështetur në romanin e Wells-it që mund edhe ta kem parë, udhëtimin në kohë e kam ndeshur për herë të parë në romanin e Mark Twain-it Një amerikan në oborrin e mbretit Artur, përkthyer nga Klio Evangjeli, të botuar në vitin 1972; ku rrëfehen peripecitë e heroit, Hank Morgan-it, amerikan nga Connecticut-i, që pas një goditjeje në kokë përfundon i transportuar në Anglinë e mbretit Artur, të tryezës së rrumbullakët dhe të historive gjithfarësh me kalorës dhe magjistarë. Hank-u nuk vonon që ta kuptojë se ka udhëtuar mbrapsht në kohë dhe përpiqet ta përdorë ekspertizën e vet teknike për të forcuar pozitën e vet në oborrin mbretëror. Merr rolin e një magjistari dhe hyn në konkurrencë me famëkeqin Merlin, dhe pastaj ndërmerr reforma të mëdha në ekonomi dhe në teknologji, duke “shpikur” barutin dhe rrufepritësen dhe dinamitin dhe armët e zjarrit.

Twain-i e pat shkruar romanin si satirë, por mua – lexuesit 13-vjeçar, më pëlqente aspekti fantastik dhe aventuroz i rrëfimit; dhe identifikohesha rëndom me heroin Hank, që ishte aq superior ndaj të tjerëve, por edhe njëherazi i rrezikuar keqas, për shkak të gjërave që dinte. Madje dija që kish sjellë me vete i shërbente si një thesar i fshehtë, që e kish gjetur rastësisht, dhe tani e përdorte për të (mbi)jetuar.

Një tjetër roman fantashkencor që u pat botuar në Tiranë ato vite ishte Ngjarje në vitin 41042, nga rumuni Sergiu Fărcășan, përkthyer nga Aristidh Ristani (origjinali O iubire din anul 41.042, “Një dashuri e vitit 41042); kur njerëzimi tashmë jeton në një botë krejt të ndryshme nga jona, dhe njeriu vetë është transformuar, në pamje dhe në mendje, shfaqet në sistemin diellor një anije kozmike nga viti 9000, e lëshuar në galaktikë para 30 mijë vjetësh dhe tashmë e harruar; pjesë e një projekti të njohur si Arka e Noes (fantashkenca amerikane do ta shndërrojë në stereotip këtë ide, duke folur për generation ships, ose anije të mëdha ku ekipazhi është në gjendje të riprodhohet natyrshëm).

Vetë koncepti – jo detyrimisht fantashkencor – i “anijes së brezave” pat lindur herët në shekullin XX, si një zgjidhje e mundshme për ta mbrojtur njerëzimin nga katastrofa kozmike (p.sh. vdekja e Diellit); e patën formuluar disa nga projektuesit e parë të teknologjive për udhëtim në hapësirë, nga Robert H. Goddard te Konstantin Tsiolkovsky. Edhe përftesa narrative e një diference në zhvillim të shkaktuar thjesht nga efekti relativist është përdorur rëndom në fantashkencën amerikane; megjithatë, romani i Fărcășan-it është vlerësuar mjaft.

Për shkak të efektit relativist, teksa në Tokë kanë kaluar 30 mijë vjet, në anije kanë kaluar vetëm një mijë; pasardhësit e ekipazhit fillestar të anijes kanë mbetur relativisht prapa: vazhdojnë të kenë nevojë për gjumë, nuk jetojnë deri në 400 vjeç dhe nuk e kanë kapacitetin të përvetësojnë 40 deri 50 disiplina të dijes. Dashuria e titullit të romanit është mes Olsit, administrator i Tokës, dhe të ardhurës rishtas Lu – e vështirë, për shkak të hendekut gjeneracional mes tyre dhe jo vetëm.

Shumë vjet më pas do të lexoja romanin Return from the Stars, të polakut Stanislaw Lem, me temë dhe problematikë të ngjashme; por të botuar në 1961, ose një dekadë më herët se ai i Fărcășan-it; ndryshe nga kolegu i tij rumun, Lem-i mbetet skeptik ndaj përsosmërisë sociokulturore që mund të arrihet falë teknologjisë, sepse i druhet asaj që mund të ndodhë, po të zhduket krejt faktori rrezik në jetën “e realizuar”.

 

© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Ideogram.


[1] Romanin e Efremovit e kam marrë ta lexoj edhe anglisht – por pa e gjetur dot magjinë e dikurshme; përkundrazi, më ka bezdisur didaktizmi deri në pedantizëm. Ndoshta atëherë këtë nuk e kuptonim dot, ndoshta përkthimi në shqip e ka tejkaluar edhe origjinalin!

[2] Kozmizmin e kam trajtuar më gjerë në dy ese të miat: Lenini Statujë e gjallë dhe Trashëgimia e kadavrës, të botuara në janar-shkurt 2024.

7 Komente

  1. Ke harruar te permendesh librin “Nje udhetim ne Kozmos” te Alqi kristos ne mos gaboj. Libri me i madh fantastiko-shkencor shqiptar. :)Te mrekullueshme jane dhe tregimet e shkurtra te Isak Azimov dhe Tregimet Marsiane te Ray Bradbury.

    1. E kisha atë të A. Kristos – më i madhi dhe më i pari, por edhe që më dukej shumë naiv.

      Tregimet e Asimovit – nuk di nëse janë përkthyer – i kam blerë në Romë, në vitin 1987. E kam akoma “cofanetto-n”.

      Më lart tregoj për sa ishin përkthyer shqip në vitet 1960-1980. Me pasionin që kisha për fantashkencën, desh më ra damllaja kur hyra për herë të parë në seksionin e atyre librave, te “Feltrinelli” në Romë.

      Pasioni më ka mbetur. Shumica e letërsisë sci-fi që botohet janë gjepura, gjëra të palexueshme (tani i shkruajnë edhe me chatGPT); por pastaj ndesh edhe në kryevepra absolute. Duhet durim…

      1. Ju falemnderit per keto kujtime! Nder perkthimet me interesante do shtoja antologjine Efekti Barnhaus ( kryesisht autore amerikane) dhe Farenhait 451 te Bradbury. Nga autoret shqiptare Drejt Epsilonit te Eridanit nga Arion Hysenbegas, Ne korridoret e thella te Jonit nga Bedri Dedja, tregimet e Astrit Bishqemi. Dedja, me sa mbaj mend ishte nje miks fantazie dhe skematizmi, por me “letrari” nga autoret shqiptare.

        1. Për shumë kohë botuesit dhe redaktorët dhe përzgjedhësit e përkthimeve kishin bindjen se letërsia fantashkencore duhej t’i përkiste letërsisë për fëmijë dhe të rinj; më duket se edhe “Naim Frashëri” kështu e trajtonte. Në fakt ka fantashkencë për fëmijë – unë do të shtoja “Shpella e piratëve”, e Petro Markos, që më ngacmonte shumë fantazinë (ishte për mua siç është Harry Potter për fëmijët e sotëm), dhe sot e kësaj dite, sa herë që shkoj në brigjet e Jonit, më vjen e gjallë në mendje; dhe besoj se disa libra të tjerë nga autorë shqiptarë, që përmendni e kanë ruajtur naivitetin e atij nënzhanri. Por fantashkenca mund të arrijë edhe majat letrare të letërsisë filozofike; mjaft të kujtoj Stanislaw Lem-in (“Solaris”, “His Master’s Voice” dhe shumë të tjera), Philip Dick-un, Arthur Clarke-un dhe të tjerë autorë, disa edhe më të rinj. Në SHBA ka një traditë që nis që me Edgar Poe-n dhe pastaj me Lovecraft-in, dhe që në rrugë e sipër u kombinua me traditën britanike të H.G. Wells-it, për të dhënë diçka të ndryshme nga fantashkenca sovjetike; edhe pse në SHBA fantashkenca është lëvruar për një kohë të gjatë si “pulp fiction”, dhe ashtu mbetet në masë të madhe. Sot, në një botë të sunduar nga teknologjitë dhe teknokracitë, fantashkenca në letërsi dhe në film duket sikur ka marrë përsipër të përpunojë mitet dhe narrativat themeltare të epokës dhe sfidat filozofike që na vë përpara fizika, biologjia, kibernetika (AI).

          1. “Solaris” (filmi) eshte absolutisht filmi me i madh fantastiko shkencor i bere ndonjehere. I krijuar si kundervenie e rregullit te persosur hollivudian te Odisea 2001, ambienti postapokaliptik i raketes nderplanetare ruse u be modeli i nje aradhe te tere filmash amerikane fantastiko shkencore dhe urbano-futurists. “Matrix” i afrohet disi, po prape nuk shtyhet filmi pa vrare nje njeri cdo 1minute e gjysem. 🙂

          2. M’u kujtua edhe një autor tjetër shqiptar i fantashkencës për fëmijë, që e kam pasë lexuar me qejf kur isha fëmijë edhe unë: Flamur Topi. Gjetja e tij – nëse vërtet origjinale nuk di ta them – ishte që të dramatizonte proceset bilogjike, që nga inflamacioni, te lufta kundër infeksioneve bakteriale dhe mënyra si punonte muskuli i zemrës. Me librat e tij kam mësuar çfarë bënin rruazat e bardha dhe çfarë bënin të kuqet dhe trombocitet dhe të tjera magji të trupit të njeriut.

  2. Një libër goxha i mirë është edhe libri me tre vëllime ‘The Three-Body Problem’ nga shkrimtari kinez Liu Cixin. Nuk mund të them se është shkruar në mënyrë të shkëlqyer por është tepër i dendur me tema dhe ide që hedh. Në mos gaboj është bërë edhe serial në Netflix.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin