Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

MENYJA ALBANOLOGJIKE (I)

Një nga indoeuropianistët e shquar të shekullit XX, Antoine Meillet, pat shkruar për shqipen se tipari mbizotërues i historisë së saj është që “nuk duket të ketë ushtruar ndonjëherë ndonjë ndikim të shënueshëm mbi një gjuhë tjetër, teksa ajo vetë ka huazuar nga të gjitha anët. Shqipja, për Meillet-në, sillej nga ky vështrim njëlloj si baskishtja, që u pat depërtuar e gjitha nga fjalë gjuhësh fqinje, por që megjithatë e ruajti, në mes të së folmeve romane që e rrethojnë, karakterin e vet të vecantë, edhe pse nuk u dha këtyre të folmeve elemente të leksikut të vet”.[1] Për Meillet-në thonë se nuk e njihte shqipen – çfarë lë të kuptosh se këto që thotë i ka marrë nga burime të treta. Nuk do të ketë pasur interes që të thellohet në gjuhën tonë, edhe pse një Gustav Meyer mund ta kish konsultuar. Nëse e solla këtu citimin, e bëra për të vënë në dukje se jo çdo gjuhëtar komparativist që e zë shqipen në gojë, qoftë ky edhe i madh fare, mund të quhet albanolog.

Një indoeuropianisti si Meillet-së të dhënat nga shqipja mund t’i kishin hyrë në punë për të plotësuar dhe pasuruar njohjen e objektit të punës së vet, që janë zakonisht marrëdhëniet mes gjuhëve të familjes indoeuropiane. Si rregull, indoeuropianisti atëherë dhe tani, mbështetet në rezultatet e punimeve të së tjerëve, të cilët kanë pasur kohë dhe pasion t’u futen gjërave të shqipes me themel dhe të përshkruajnë ato karakteristika, të cilat ai i përdor për synimet e veta gjeneraliste.

Ka pastaj specialistë të grupeve të gjuhëve indoeuropiane, për shembull romanistë ose sllavistë, që interesohen për shqipen edhe ata jo drejtpërdrejt, por në kontekstin e studimeve të tyre – për shembull një sllavist mund të kërkojë gjurmët që kanë lënë gjuhët sllave në shqipe (ose e kundërta, shqipja në gjuhët sllave), ndërsa një romanist a latinist ta përdorë shqipen – më saktë ndërfaqen e kontakteve mes shqipes dhe latinishtes – për hulumtimet e veta në latinishten ballkanike.

Shqipja u intereson edhe specialistëve të gjuhëve në kontakt, për shkak të pjesëmarrjes së saj në lidhjen gjuhësore ballkanike – por edhe puna e këtyre, në thelb, varet nga rezultatet e të gjithë atyre që janë marrë ballazi me studimin e shqipes.

Më në fund, vijnë studiuesit e përkushtuar të shqipes, të gjithë ata që e kanë shqipen – dhe historinë e saj – objekt kryesor të punës së tyre. Këta mund ta kenë shqipen gjuhë amtare, por mund të jenë edhe të huaj; si Meyer-i dhe Jokli, të cilët u kushtuan studimeve shqiptare një pjesë të madhe të mundit dhe të karrierës së tyre akademike; gjithë duke qenë specialistë edhe në fusha të tjera, si Meyer-i në greqistikë dhe Jokli në sllavistikë; Pedersen-i dhe Hamp-i vlejnë të përmenden këtu gjithashtu, edhe pse këta janë marrë me shumë gjëra të tjera, përtej shqipes. Përndryshe, sot ka një numër gjuhëtarësh ekspertë në universitetet e Europës, duke filluar nga vende të tilla si Austria dhe Gjermania, që merren me shqipen jo sepse kjo u duhet për studimet e tyre me objekt një gjuhë ose dukuri tjetër, por në vetvete. Këtyre u duhen shtuar specialistët e historisë së shqipes që e kanë këtë gjuhë amtare, dhe që punojnë në Shqipëri, në Kosovë ose edhe ata gjetiu në Europë.

Tani, për arsye të njohura, një studiues i historisë së gjuhëve nuk mund të bëjë emër të madh, në qarqet akademike të Europës a të Perëndimit, duke u marrë vetëm me shqipen. Nëse qëllon që ndonjë “i madh” t’i ketë kushtuar ndonjë faqe studimi ose paragraf gjuhës sonë, gjasat janë që ky të jetë indoeuropianist, dhe ta ketë përdorur shqipen për qëllime të tjera, për shembull për të sjellë prova të një hipoteze që ai mund të ketë për indoeuropianishten dhe evoluimin e saj e kështu me radhë. Rëndësia e këtyre përmendjeve është se ato e vendosin shqipen në hartën e indoeuropianistikës ose e sjellin në vëmendje të specialistëve anembanë botës – por ato më shumë certifikojnë rezultatet e punës të së tjerëve, atyre që kanë pasur kohë dhe pasion për t’i qëmtuar punët e shqipes në hollësi.

Përkundrazi, këta të tjerët, që e kemi zakon t’i quajmë “albanologë” kur janë të huaj, kanë më pak shanse të fitojnë emër dhe famë, duke u specializuar në një gjuhë minore si shqipja. Më shumë ndodh që punët e këtyre të gjykohen dhe të vlejnë, në atë masë që përdoren prej “patriarkëve” të indoeuropianistikës.

Dhe këtu na del përpara paradoksi: të mëdhenjtë që e përmendin shqipen shkarazi, ose përfshijnë ndonjë kapitull(th) për shqipen në traktatet e tyre gjithë-përfshirëse, zënë në tribunat albanologjike një vend në përpjesëtim të zhdrejtë me kontributin e tyre të mirëfilltë, në njohjen e historisë së kësaj gjuhe. Për shembull, Orelin – këtë komparativist kompetent dhe njohës të mirë të gjuhëve sllave dhe autor të një Fjalori etimologjik të shqipes dhe i një Gramatike historike të shqipes – e gjen të përmendur anembanë, dhe pakrahasimisht më shpesh se studiues si Matzinger dhe Schumacher, ose B. Demiraj, pa shkuar pastaj te punët themelvënëse të Çabejt në leksikologjinë historike, të Sh. Demirajt në gramatikën historike dhe të vazhduesit të tyre K. Topallit, në të gjitha këto fusha. Kjo, edhe pse puna e Orelit, në atë masë që qëndron, mbështetet e gjitha në rezultatet e studiuesve paraprijës; ndërsa kontributet e vetë Orelit mbeten të diskutueshme.

Jo gjithnjë është e mundshme që studiuesit analitikë, që zhyten në detajet e gjuhës, të hartojnë pastaj edhe vepra përmbledhëse ose sinoptike; albanologjia nëse përparon, e bën këtë falë bashkëpunimit mes qasjeve të ndryshme. Pa punën e Çabejt dhe të B. Demirajt, edhe fjalori i Orelit nuk do të ishte ai që është. Çfarë mungon, është një raport më i balancuar mes kontributeve. Tek e fundit, njohja e pamjaftueshme e sistematizimit, që i është bërë historisë së gjuhës shqipe, nga autorë si Çabej dhe Sh. Demiraj, ka bërë edhe që shqipja ende të pasqyrohet me mangësi serioze, në vepra që përndryshe synojnë të trajtohen si bibla të indoeuropianistikës anembanë botës.[2]

Këtu shqetëson perceptimi. Edhe unë e nisa këtë shkrim me një citim nga Meillet-ja, edhe pse kontributi i këtij i mirëfilltë, në albanologji, nuk ngre peshë dhe problematika e shqipes, për të, nuk do të ketë qenë më shumë se një shënim në fund të faqes. Meillet-ja, gjithsesi, ka emrin e madh dhe autoritetin, dhe punëtorët e dijes gjithnjë i japin përparësi autoritetit. Por mbështetja tek autoriteti kompenson për pasigurinë tonë, që të krijojmë gjykime në mënyrë të pavarur; dhe në vetvete nuk mjafton, po të mos shoqërohet nga të menduarit kritik.

Nga ana tjetër, universitetet në Shqipëri nuk i kanë mundësitë, dhe as synojnë, që të formojnë specialistë të historisë së gjuhës, komparativistë dhe aq më pak indoeuropianistë; çfarë do të thotë se të gjithë ata specialistë të huaj, që fillojnë të interesohen për shqipen, kanë një avantazh jo të vogël profesional, në krahasim me studiuesit vendës; pa llogaritur pastaj edhe rrjetin e kontakteve dhe praktikat e botimeve. Kur filluan diskutimet për artikullin e revistës “Science” dhe u kërkua, në forume të ndryshme, që në diskutime të përfshiheshin edhe indoeuropianistët “tanë”, u kujtuam edhe që indoeuropianistë në universitetet tona nuk kemi… Dhe, në të vërtetë, një katedër e studimeve indoeuropiane, në Shqipëri a në Kosovë, nuk do të përligjej nga asnjë pikëpamje. E shumta, në qarqet akademike dhe universitare shqiptare, ka specialistë të tillë që të kuptojnë se çfarë thuhet në indoeuropianistikë, përfshi këtu edhe çfarë thuhet lidhur me shqipen.

Albanologjia mbase nuk është në krizë, por një mënyrë e sigurt për ta futur në krizë do të ishte që të synohej rikthimi në paradigmën e dikurshme, të hendekut të pakapërcyeshëm mes “nesh” dhe “atyre” (të huajve) dhe idesë që vetëm “ata” (të huajt) janë në gjendje të certifikojnë arritjet “tona”. Dhe, sado paradoksalisht të tingëllojë kjo, një rrezik i tillë mund të shmanget duke kërkuar dhe siguruar një prani më të gjerë të studimeve “tona” në arenën europiane dhe botërore – në mënyrë të pavarur nga interesat që mund të kenë studiues të huaj, për shqipen dhe historinë e saj. Pjesëmarrja e një studiuesi shqiptar, në një projekt të gjuhësisë indoeuropiane është po aq e rëndësishme (po aq e parëndësishme) sa edhe pjesëmarrja e një studiuesi të huaj, në një projekt të gjuhësisë shqipe (për shembull, në një studim dialektologjik ose sociolinguistik). Synimi – sado ideal – këtu do të ishte që mendjet të flisnin të njëjtën gjuhë, atë të dijes.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] MEILLET Antoine, 1915: «La langue albanaise», in La revue hebdomadaire, 1915, 24ème année, t. VIII (août 1915), p. 5-12.

[2] Këtë e kam trajtuar në serinë MANGËSI DHE MËKATE TË NJË MANUALI, (pjesa e dytë këtu, pjesa e tretë këtu) ku jam ndalur në paraqitjen e dobët të shqipes, te Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics, De Gruyter Mouton, 2018.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin