Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

TRADITA SHKRIMORE E SHQIPES

TRADITA SHKRIMORE E SHQIPES I PARAPRIU PËRCAKTIMIT TË ALFABETIT NË KONGRESIN E MANASTIRIT (1908)

Periudha e Rilindjes, nga ku fillojnë gjithë nismat punëmbara për shqiptarët, zgjidhi edhe problemin e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Zhvillimi kulturor që shënoi gjithë këtë lëvizje u shoqërua edhe me shtimin e alfabeteve të ndryshme, çka e vështirësoi së tepërmi unifikimin e një alfabeti. Po t’i shtohen këtu edhe përpjekjet antishqiptare nga pushteti i osmanlinjve dhe vendeve fqinje, si dhe qëndrimet separatiste e lokaliste të vetë shqiptarëve, zgjidhja e kësaj çështjeje u vështirësua edhe më shumë.

Po si shkruanin shqiptarët para kësaj periudhe? Duke hetuar morinë  e alfabeteve, ajo që bie menjëherë në sy është se shumica e atyre që shkruan para Kongresit të Manastirit, përdorën alfabetin latin. Një dëshmi e kësaj është një raport i vitit 1332, shkruar nga arqipeshkvi i Tivarit, Guliem Adae, prelat francez, në të cilin shkruhet në latinisht: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, megjithatë ata përdorin në të gjithë librat e tyre shkronjën latine).

Shqiptarët për një kohë të gjatë nën sundimin e perandorive të mëdha, duke e ndjerë veten si nënshtetas dhe qytetarë të këtyre perandorive dhe që ndanin të njëjtin besim me ta, nuk arritën të kultivonin sa duhet vetëdijen e të qenit kombësi e veçantë, për të krijuar kishën e tyre të pavarur dhe për të shkruar gjuhën e tyre. Ata si të thuash u mjaftuan që ruajtën gjuhën dhe zakonet e tyre që i dallonin nga të tjerët, por nuk u shtynë më tej për ta shkruar atë gjuhë. Kjo edhe për arsye se, siç është e kuptueshme, shkrimi i gjuhës është punë e një elite ose aristokracie kulturore vendase, një pjesë e së cilës nëpër qytete bregdetare ose qe asimiluar, ose shërbehej me latinishten, greqishten, rrallë herë edhe me sllavishten, që ishin gjuhë zyrtare të kishës dhe të administratës, prandaj nuk ndjente nevojën për të shkruar gjuhën shqipe[1]. Në këto gjuhë e mbanin korrespondencën princat shqiptarë: Aranitasit, Topiajt, Muzakët, Kastriotët etj. Mbishkrimi i Kishës së Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, ndërtuar më 1381 prej Karl Topisë, gdhendur në këto tri gjuhë, është dëshmi e kësaj gjendjeje[2]. Me pjesën tjetër të popullsisë vendase, që nuk dinte të shkruante e të lexonte, nuk mund të komunikohej me shqipen e shkruar. Prandaj u desh të pritej shekulli XV, shekulli i luftërave të mëdha kundër pushtuesve osmanë, por edhe shekulli i përhapjes së ideve humaniste që të shkundte dhe të zgjonte aristokracinë dhe inteligjencën kishtare shqiptare nga letargjia shekullore dhe t’i ballafaqonte me veprime e ide të reja për të ndërmarrë nisma të mëdha. E kësaj periudhe është (1462) Formula e Pagëzimit, shkruar nga Pal Engjëlli. Formula e Pagëzimit e transliteruar besnikërisht nga origjinali paraqitet kështu:

Vnte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.

Meqenëse shkrimi i kopjes është mjaft i qartë, leximi i fjalisë nuk ka pasur vështirësi nga botuesit, të cilët e kanë lexuar në të njëjtën mënyrë:

Unte paghesont premenit Atit
et birit et spertit senit

alternimi V ~ U është karakteristikë e grafisë latine: zakonisht në fillim të fjalës përdoret shkronja ‹v›, ndërsa në mes në fjalës përdoret shkronja ‹u›, pavarësisht nga vlera fonetike e secilit rast.

Alfabeti i Formulës është i tipit latin-italian, i cili është përdorur më vonë, me disa ndryshime e plotësime shenjash, edhe nga autorët e vjetër të Veriut. Në Formulë vihen re këto veçori në kodin alfabetik:

– përdorimi pa dallim i shkronjës lat. ‹e› për tingujt shqip /e/ dhe /ë/: premenit. Këta tinguj nuk janë dalluar as nga autorët e vjetër deri te Bogdani.

– përdorimi i ‹gh› për shqipen /g/ para zanores /e/, si në italishte, psh. paghesont.

– përdorimi i lat. ‹s› pa dallim për tingujt e shqipes /sh/ e /z/ si dhe për shqipen /s/, për të cilën në Formulë s’ka shembuj.

Megjithatë, siç vëren R. Memushaj,[3] vetë Formula e Pagëzimit nuk mund të merret si datë e krijimit të alfabetit të shqipes. Shenjat grafike që janë përdorur për shkrimin e saj nuk mund të shërbejnë si dëshmi e ekzistencës së një alfabeti të gjuhës sonë.

Dokumenti i dytë i gjendur brenda komedisë “Epirota” një tekst-njëfjali: <Drãburi te clofto goglie> (Epirota: skena 11 rr. 803), autori i së cilës është i huaj ashtu siç dhe pritej, është pasqyruar grafikisht duke u mbështetur në kodin alfabetik dhe rregullat e ortografisë italiane të kohës.

Përpjekjet shekullore të shqiptarëve për të shkruar shqip vijuan përsëri me përdorimin e alfabetit me bazë atë latin. Shkrimet me këtë alfabet edhe pse të largëta në kohë me atë të Formulës së Pagëzimit patën të njëjtën prirje. Guri i themelit të ngrehinës së alfabetit që përfundoi me Kongresin e Manastirit u vendos me librin e parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut. Për E. Çabejn ky alfabet, në mos pikënisje, është pa dyshim një nga gurët e parë themelorë.[4] Në vështrimin e mirëfilltë gjuhësor ka rëndësi të theksohet se Gj. Buzuku në pajtim me orientimin kulturor të shqiptarëve dhe me bindjet e formimin e tij përktheu shkrime të shenjta kryesisht nga latinishtja dhe zgjodhi alfabetin latin për të shkruar gjuhën shqipe, i cili u përgjigjej më mirë edhe veçorive të gjuhës shqipe. Ndryshe nga Formula e Pagëzimit, Buzuku për shqipen /g/ përdor shkronjën latine ‹g›, ndërsa kur kjo ndiqet nga /e/ ose /i/ përdor shenjën cirilike @ (, ћ, ђ), të cilën e përdor zakonisht për tingujt e shqipes /gj/ e /q/.

Përdorimi i shkronjës ‹s› për tingullin e shqipes /sh/, që haset vetëm te Buzuku (autorët e tjerë përdorin grafinë italiane ‹sc›),  është konsideruar nga studiuesit si Jokli e Çabej si ndikim i venecianishtes, meqenëse në këtë të folme tingulli /s/ i afrohet në shqiptim tingullit /sh/.

Grafema ‹s› për /z/ në paghesont është sigurisht ndikim i italishtes, dhe haset te Buzuku, i cili e përdor krahas shenjës më të zakonshme (ε) që e kanë të gjithë shkrimtarët e vjetër gegë. Ai përdori grafi e praktika shkrimi nga tradita latino-italiane. Disa grafi me origjinë sllave a greke që përdori ai për të shënuar disa tinguj që i mungonin latinishtes, flasin dhe ato për lidhjet dhe ndikimet historike të shqipes me gjuhë të tjera.

Nga ana tjetër, Buzuku, duke përkthyer nga latinishtja dhe duke përdorur alfabetin latin në librin e parë në gjuhën shqipe i bëri një shërbim të madh historisë kulturore shqiptare. Ai e lidhi që në fillim fatin e shkrimit të gjuhës shqipe me fatin e gjuhëve të tjera perëndimore të Evropës. Ai krijoi kështu traditën e shkrimit të gjuhës sonë me alfabet latin që u ndoq dhe u konsolidua dhe nga autorë të tjerë pas tij, një traditë e qëndrueshme që mbizotëroi në të gjithë shekujt e mëvonshëm. Qysh te ky autor vihet re synimi i përputhjes së një foneme me një grafemë. Ai nuk u mjaftua me 24 shkronjat e latinishtes, po përdori dhe pesë diagrama për fonemat /gj, nj, sh, th, ll/ si dhe pesë monograme. Ky parim,  i përputhjes së një foneme me një grafemë as u diskutua fare në Kongresin e Manastarit, ai ishte i gjithëpranuar dhe një çështje  e tejkaluar, tashmë.

Përpjekjet që u bënë sidomos në shek. XVIII e XIX për ta shkruar shqipen edhe me alfabetin grek, me alfabetin turko-arab e me alfabete të veçanta nuk mund ta ndryshonin rrjedhën e kësaj tradite të themeluar nga Gjon Buzuku. Traditën e tij e ndoqën dhe autorët e tjerë si Budi e Bogdani. Ky i Fundit është i pari që e dallon zanoren e mesme /ë/ me anë të shkronjës ‹è›, e pas tij Gjon Kazazi (1743) që e riprodhoi atë me ‹æ› e ndonjëherë me ‹ę›. Nga autorët e vjetër, Budi, Bardhi e Bogdani përdorin pa dallim lat. ‹g›: ‹fetige›, ‹lengim› etj.

Ndërsa te autorët e Veriut përdorimi i alfabetit latin ishte e kuptueshme, për shkak të kontaktit dhe të edukimit të tyre në shkollat e kishës katolike romane, por vihet re se një prirje  e tillë në fillim si diçka e pavetëdijshme, u bë prirje kombëtare. Edhe shumë të tjerë si Thimi Mitkoja edhe pse kishte pranuar pa rezervë alfabetin e Stambollit, më vonë anoi nga alfabeti latin[5]. Prirja e natyrshme e shqiptarëve gjen shprehje edhe në fjalët e ideologut të Rilindjes, Samiut i cili thoshte: Shqipëria është një copë vënt nga Evropa, dhe shqipëtarët janë një nga kombet’ e Evropësë, p’andaj dhe gjuha shqipe duhetë të shkruhet me shkronjat e Evropësë do-me -thënë me shkronja latine.[6]

Në epokën e Rilindjes shqiptarët, me sa duket, kërkonin të shkruanin shqipen me një alfabet jo të mbështetur në modelet ekzistuese dhe tipografikisht të përdorshme (latin, grek, cirilik, arab), por krejtësisht origjinal, por çka do të krijonte vështirësi teknike të pritshme dhe të pakapërcyeshme lehtë për kohën dhe për një lëvizje si Rilindja Kombëtare, që shqipen e shkruar kërkonte ta përdorte si mjetin e përhapjes së “dritës së diturisë. Kjo ndodhte, sepse gjatë kësaj epoke në vendet ballkanike po krijoheshin shtetet që ishin rezultat i proceseve identifikuese kombëtare, i veçimit sa te ishte e mundur dallues nga të tjerët. Duke qenë se gjuha është edhe mjeti më identifikues, kombet e shtetet më vonë, me ndonjë përjashtim, u organizuan sipas parimit të gjuhës kombëtare të shkruar me një alfabet origjinal. Përpjekjet e rilindësve për një alfabet intensifikoheshin edhe më shumë sepse kjo ishte e lidhur edhe me dëshirën e madhe të çeljes së shkollave në gjuhën shqipe e nga ana tjetër kërkohej t’u bëhej ballë përpjekjeve të të huajve për asimilim. Ndërsa pushtuesi turk po e fuste rininë e qendrave administrative në shkollat turke, kleri katolik në Veri dhe kisha greke në Jug po shtonin shkollat katolike e ato ku mësohej greqishtja.

Janë domethënëse e tingëllojnë si kushtrim ndaj rrezikut, fjalët e “babait të gjuhës shqipe” Kostandin Kristoforidhit në këtë kohë të errët: “…po ndë mos u shkroftë gjuha e shqipesë edhe sot mbë këtë ditë, nuk do të shkojënë shumë vjet, edhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënonetë më emëri i Shqipërisë ndë hartat e botësë, as do të përmëndetë bir shqipëtari a bijë shqipëtareje pas kësaj jete.”[7] Edhe pse s’u mor me hartimin e një alfabeti, si poet atdhetar e si një nga zërat e fuqishëm të Rilindjes sonë A. Z. Çajupi më 1898 botoi artikullin për “Abecedarë shqip” në të cilën shtroi idenë e alfabetit latin dhe ishte në kundërshtim të alfabetit grek e turk. “Zgjedhja e një alfabeti të përhershëm e të vetëm, që të përdoret nga të gjithë, është bërë sot më e domosdoshme se kurrë për ruajtjen e gjuhës dhe për formimin e saj si gjuhë letrare”[8] Një tjetër rilindës që edhe pse jo gjuhëtar i përmasave të K. Kristoforidhit, por si njeri i letrave, politikan, historian e poet, Pashko Vasa del me një broshurë të titulluar “Alfabeti latin, i përshtatur për gjuhën shqipe” (1878). P. Vasa kërkonte të përkrahej alfabeti latin, sepse shqiptarët do të njiheshin me literaturën botërore, por dhe shkrimet shqipe do te ishin lehtësisht më të lexueshme nga të huajt[9]. Krahas kërkesave politike që kanë ndaj perandorisë turke, përpjekjet e patriotëve nuk rreshtin për krijimin e alfabetit. Dikush kërkon një alfabet “sui generis” ose siç i ka quajtur J. Rrota “alfabeta gjithënduer fizjonomiet”[10]

Në këto kushte u mblodh Kongresi i Manastirit, Komisioni i të cilit u ndodh përpara tri alternativave:

– te pranohej një nga alfabetet ekzistuese (të shoqërisë Agimi, të shoqërisë Bashkimi apo ai i Stambollit)
– të bëhej një përzierje alfabetesh
– të krijohej një alfabet i ri.

Komisioni vendosi për të tretën, por lidhur  me tingujt e shqipes që i mungonin latinishtes, si: dh, gj, ll, nj, sh, th, xh, zh, u has në vështirësi dhe vendimi për një alfabet të ri u tërhoq. Komisioni, duke parë se ishte e pamundur të binin në ujdi për shkronjat e diskutueshme të një alfabeti të ri dhe “të shtyrë edhe nga disa shkake të jashtme”, siç pohohet në Rezolutën e Kongresit[11], vendosën të pranonin alfabetin e Stambollit e bashkë me të dhe një “abc fjesht latine”. Vendimi u shpall më 20 nëntor 1908 dhe ishte një fitore e madhe e lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që shërbeu edhe për forcimin politik midis shqiptarëve. Numri i alfabeteve filloi të binte dhe brenda dy vjetëve u duk qartë se megjithëse alfabeti i Stambollit i përmbahej më mirë parimit një fonemë – një grafemë shpallur dhe nga Sami Frashëri “për çdo zë të vetëm dhe të pandarë, një shkronjë”, hasi në vështirësi në shtypshkronjat e kohës, prandaj u mënajnua shpejt. Me alfabetin fjesht latin u realizuan botimet e mëpastajme duke treguar se deri më sot i ka plotësuar mirë kërkesat e gjuhës sonë të shkruar.

Kongresi i Elbasanit, i organizuar në shtator 1909, i dha fund një herë e përgjithmonë përdorimit të dy varianteve të alfabeteve, duke pranuar vetëm alfabetin fjesht latin me dyshkronjëshat. Kjo bëri që alfabeti latin të përdorej edhe më shpejt se para afatit që zgjodhi Kongresi i Manastirit. Më në fund alfabeti latin që përzgjodhi Buzuku, i përmirësuar e i plotësuar nga koha, në Kongresin e Manastirit (1908) u shpall si alfabet i përbashkët i gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët duke luajtur një rol të rëndësishëm për njësimin e gjuhës shqipe dhe bashkimin e shqiptarëve. Katër vite më vonë, më 1912, me këtë alfabet u shkrua Deklarata e Pavarësisë.

© 2024 Mimoza Karagjozi Kore. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Literatura
Çabej, EMeshari i Gjon Buzukut, I, Tiranë, 1968, f.45.
Demiraj, Sh. -Prifti, K., Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe dhe vendi i tij në kulturën shqiptare, në Der Kongress von Manastir-Herausforderung zëischen Tradition und Neuerung in der albanischen Schriftkultur, Hamburg f.37.
Frashëri, S. Vepra 1, Tiranë 1988, f.245.
Kastrati, J., “Lufta për njësimin e alfabetit shqip në vitet 1878-1905, SF. 4, 1968, f. 109.
Memushaj, R. Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, në Der Kongress von Manastir-Herausforderung zëischen Tradition und Neuerung in der albanischen Schriftkultur, Hamburg, 2009, f.48.
Osmani, T. Udha e shkronjave shqipe, Shkodër, 1999.
Rrota, J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, botimi I, Shkodër, 2006, f. 116.
Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1959, f. 156-157.


[1] S. Mansaku, “Orientimi kulturor e fetar i shqiptarëve në mesjetë dhe fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe” Botuar në Meshari i Buzukut mriz i vlerave evropiane, Zagreb 2005, f. 79-86.
[2] Shih: Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1959, f. 156-157.
[3] R. Memushaj, Veçori të fazës së parë të planifikimit gjuhësor të shqipes, në Der Kongress von Manastir-Herausforderung zwischen Tradition und Neuerung in der albanischen Schriftkultur, Hamburg, 2009, f.48.
[4] E. Çabej, Meshari i Gjon Buzukut, I, Tiranë, 1968, f.45.
[5] T. Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër, 1999, f.275.
[6] S. Frashëri, Vepra 1, Tiranë 1988, f.245.
[7] K. Koristoforidhi, Letër dërguar N. Naços
[8] J. Kastrati, “Lufta për njësimin e alfabetit shqip në vitet 1878-1905, SF. 4, 1968, f. 109.
[9] T. Osmani, vep. e cit. f. 246
[10] J. Rrota, Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, botimi I, Shkodër, 2006, f. 116.
[11] Sh, Demiraj-K. Prifti, Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe dhe vendi i tij në kulturën shqiptare, në Der Kongress von Manastir-Herausforderung zwischen Tradition und Neuerung in der albanischen Schriftkultur, Hamburg f.37.

1 Koment

  1. Si fizikan ish shkencëtar nafte, pensionist i jap të drejtën vetes ta trajtoj ndryshe mendimin për traditën e shkrimit, “Homazh për veprën e gjuhëtarëve të Elbasanit”: Kinse isha ftuar posaçërisht për të dëgjuar interpretimin e veprës simfonike “Shkronjat e Elbasanit”, ftesën e kisha për grup. Veprimtaria bëhej te Manastiri i Shën Gjon Vladimirit, njoftova miqtë elbasanas me të cilët kisha kryer studimet në vitet 1965-70 në degën e Fizikës, nëse dëshironin ta dëgjonin. Kurioziteti jo i vogël, kush e kishte krijuar veprën, cilët e organizonin dhe cilët ishin pjesëtarët e orkestrës? Mbërrita dhe pashë interesim për ta ndjekur shfaqen, nuk njihja pothuaj askënd, veç kur u përballa me miqtë. U përshëndetëm dhe pyeta nëse kishin më shumë dijeni për shfaqen. Më thonë se shihnin shumë gjuhëtarë ndoshta edhe nga trojet shqipfolëse, më pyetën për mundësinë e hyrjes. U tregova ftesën e grupit, udhëhoqa dhe kaluam shpejt te hyrja. Në Holl fillova të kuptoja më shumë duke parë dokumente të ngjitura te stendat e ngritura. Ishin dokumentet e botuara nga Faulmann, ato të Hahn, nga Fletorja e Simonit, Dhiata e Re dhe Abetarja të Kristoforidhit, Interpretimi i Stylos, ishin dhe librat e mi “Alfabeti i Dhaskal Todhrit është vepër e Akademisë se Re”, “Akademizmi Voskopojar” dhe “Shkronjat, shëmbëllime të firinave pellazge”. Vijuam për te vendet e caktuar, ftesa ishte preferenciale dhe vendet i kishim të tilla. I interceptoj intelektualët elbasanas të gjuhësisë shqiptare si pjesëtarë orkestrës. Jemi ulur e shijojmë interpretimin. Goshi me kamerë në dorë e kufje në vesh nuk harron pasionin. Shikoj me ëndje baketën e Grigor Voskopojari/Durrsaku që drejton madhërisht orkestrantët. Lexoj shkëlqimin te sytë e Bogomilit, te Papa Totasi, te Haxhifilipi, te Simoni (i Fletores), te Kristoforidhi, te Cipo, etj. Të gjithë luajnë me dëshirë e gjallëri. Një simfoni shumë e këndshme, kombëtarisht e paarritshme deri sot dhe me notat e saja që fluturojnë e mbushin Elbasanin, trojet shqipfolëse dhe shkojnë deri në Vjenë. Më kap syri në lozhë të ftuar Carl Faulmann e Johann Gustav Von Hahn. Është në një llozhë dhe Niko Stylos. Hera herës më duket se Grigori u bën vërejtje Shuteriqit, Budës, Xhuvanit (nuk njoh shumë pjesëtarë të asaj orkestre madhështore). Simfonia kombëtare “Shkronjat e Elbasanit” me pjesë të parë ABC-ja pellazge, pjesa e dytë ABC-ja Profesionale dhe Uvertura Shkenca shqiptare u interpretua me përsosmëri.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin