A është shqipja ilirishtja e kohës sonë?
Deri sot është gjetur vetëm një mbishkrim me një fjalë të vetme ilire dhe prej të paktën një shekulli ky fakt vazhdon të nxirret për të vënë në dyshim prejardhjen ilire të shqiptarëve. Si mund të flitet për ilirishten dhe lidhjen e mundshme të saj me shqipen, kur ne dimë vetëm një fjalë ilirisht, nga një mbishkrim i vetëm, i gjetur mbi një shekull më parë në Hungari?
Duke qenë se nga gjuhët e lashta të Ballkanit dhe të Evropës, vetëm greqishtja dhe latinishtja u shkruan në Lashtësi, këto dy gjuhë u bënë linguae francae, për Evropën akademike dhe letrare, për rreth 2 mijëvjeçarë. Shtresat e larta të shoqërive në Iliri, Daki, Traki dhe Maqedoni, për arsye të njohura shoqërore-kulturore, tregtare, administrative, por dhe prestigji, përdorën këto dy gjuhë në administrate, tregti dhe në mbishkrime. Kjo është arsyeja kryesore pse në gjuhët e këtyre dhe shumë popujve të tjerë ka fare pak, ose nuk ka fare, mbishkrime të lashta.
Megjithatë, mbishkrimet nuk janë as të vetmet as më të rëndësishmet e burimeve për njohjen e ilirishtes dhe gjuhëve të lashta të Ballkanit. Në burimet e lashta gjenden edhe rreth 100 emra vendesh si dhe dhjetëra e qindra emra njerëzish dhe fisesh, etj. ilire, me të cilat gjuhëtarët ende nuk janë marrë seriozisht.
Në këtë shkrim unë sjell vetëm një listë, sigurisht jo të plotë, të më shumë se 40 fjalëve ilire që dalin në burimet e lashta që janë lidhur e shpjeguar vetëm me shqipen nga shumica e gjuhëtarëve.
Këto fjalë janë nxjerë kryesisht nga Fjalori i Hesikut të Aleksandrisë i shekullit VI, nga emrat ilirë të vendeve dhe të fjalëve ilire që dalin në veprat e autorëve të lashtë, nga mbishkrimet mesape, etj.
Siç do të vihet re, këta 40 emra ilirë gjuhëtarët i kanë lidhur dhe shpjeguar me ligjet, faktet dhe mjetet e shqipes, e jo të ndonjë gjuhe tjetër ballkanike ose jashtëballkanike. Përballë këtij fakti, çdo mëndje e hapur dhe e paanshme do të pranonte se roli përjashtimor i shqipes si një kyç për shpjegimin e fjalëve ilirike nuk mund të jetë një rastësi, a lojë e fatit, më shumë se sa pasqyrim i një lidhjeje të brendshme shkakësore midis ilirishtes dhe shqipes, një lidhje prejardhjeje.
Duke lënë mënjanë hamendjet e paprovuara dhe të padokumentuara, sot mund të themi se në Ballkanin e lashtë janë folur vetëm 5 gjuhë: ilirisht, trakisht, dakisht, maqedonisht dhe greqisht. Fakti që shqipja ka një rol kyç, dhe të pranuar përgjithësisht për shpjegimin e një numri kaq të madh emrash ilirë, ndërkohë që nuk ka ndonjë rol të tillë për gjuhët e tjera të Ballkanit nuk mund të mos përfillet.
Listë e pjesshme e fjalëve ilire të shpjeguara me shqipen (d-nj)
daksa(Δάξα) është fjala epirote për detin.Kjo fjalë del te Fjaori i Hesikut: Δάξα ϑάλασα Ἠπειρωται: daksa është deti ndër epirotët30, i cili e përkthen nga epirotishtja/ilirishtja në greqisht me fjalën thalasa (ϑάλασα)det. Gjuhëtarët besojnë që fjala det të ketë dalë nga një protoshqipe *deub-eto. Shqip det, < dēt, < deët (sipas Pokornit, ky është një tipar karakteristik i emrave iliro-shqiptarë me prapashtesën formuese -t31). Kjo fjalë e lashtë iliro-epirote për detin, sipas Anton Mayer-it, ka dalë nga një PIE d(h)eg(h) përmes një forme ndërmjetëse *dažā 32.
darda – dardhë. Në 1854, J.G. von Hahn e lidhi emrin e vendit Dardani me fjalën shqipe dardhë33. Shpjegimi i tij është pranuar përgjithësisht nga gjuhëtarët, përfshirë Gustav Meyer-in dhe Eqrem Çabejn34. I pari e përkthen emrin etnik dardan si rritës dardhësh (Birnenzüchter)34 kurse Çabej e nxjerr atë me prejardhje nga një rrënjë PIE *dhorgh-35.
deuadai (Δευάδαι) – Del te Hesiku, i cili e përkufizon qartë si fjalë “ilire” 36 dhe e përkthen në greqisht si “Satir i Ilirëve” (Δευάδαι – Σάιοιύ ύπ’ Ίλλυρίων). Fjala është ruajtur në emrin Dodole të një rituali për ndjelljen e shiut në Shqipërinë e Jugut. Mund të rrjedhë nga PIE *dhewā– “fryj, godas”. Fjala ilire është trashëguar në fjalën shqipe dodo-le/dodo-lec, e cila përshkruan të njëjtin ritual të lashtë të ndjelljes së shiut37.
di – ‘dy’. Ky numëror ilir është dëshmuar së pari nga historiani gjerman Barthold Georg Niebuhr (1776-1831) thuajse dy shekuj më parë te përbërësi i parë (di-) i emrit të qytetit ilir Di-mallon/Di-mallum. Ai shkruan: “Emri i qytetit Dimalon vendbanimi lokal më i fortifikuar i rajonit, që dallohet nga një citadel i ngritur mes dy malesh të lidhur nga një mur…fjala mal në shqip (Autori e përkthen gjermanisht Berg,)… di është dy, pra Dimal do të thotë dy male, Dimal. Kjo dëshmi është aq e qartë sa që nuk ka nevojë për shpjegime (ganz offenbar).”38. Fjala mal është trashëguar pa ndërmjetësim nga ilirishtja në shqip.
dramis (δράμιξ) – Një fjalë epirote për copra të vogla buke të prera me dorë. Kjo fjalë është dëshmuar në Lashtësi si një izoglosë e ilirishtes dhe maqedonishtes39 . Del në formën dromcatë te Bogdani dhe ndër arbëreshët e Greqisë në formën dromsë 39a.
Dyalos (Δύαλος) –Del te Hesiku40, si emri i një perëndije të fisit ilir të paionëve: “ο Διόνυσος παρα Παίωσιν” (Dyalos ishte Dionisi i paionëve). Ndonëse shumica e autoriteteve të fushës mendojnë se paionët janë fis ilir në kufi me trakët, ka pasur dhe autorë që mendojnë se mund ata ishin trakë. Pa sjellë këtu argumente të tjera se kjo nuk është e vërtetë, mjafton të kujtojmë vetëm faktin që trakët adhuronin Dionisin “origjinal” e madje edhe grekët e lashtë Dionisin e kanë adoptuar nga trakët. Këtë emër, E. Çabej e bie të dalë nga një bazë ilire *dalno, që sipas Erik Hamp-it41 rrjedh nga një rrënjë PIE *dhalnio. Nga po kjo rrënjë dʰal- ka dalë edhe greqishtja θάλλω (thállō) ‘rritet, mbroth, lulëzon’.
kaston (κάστον). Sipas Hesikut, kështu e quanin drurin fisi epirot i atamanëve42. Fjala greke për drurin është ksylon (ξύλον) [atikja xylon nga xyô ‘kruarje, gërvishtje’, e nga kjo – xyston (ξυστόν) ‘shtizë’]. Krahaso edhe indishten e vjetër kasta ‘dru’ (dialektore kalon ‘dru’ nga kaiô ‘djeg’, kauston ‘lëndë djegse’). Fjala epirote mund të lidhet me shqipen e sotme kashtë < protoshqipe e rindërtuar *kalś-ta̅ 43, ose *kalstā44, të cilat janë të besueshme nga ana kuptimore meqë kashta përfaqëson trungun e bimës, në dallim nga rrënjët, fletët dhe frutet e pemës. E afërt me këtë është sanskritishtja kāṣṭham dru.
krua/kroi – fjalë ilire dhe e shqipes dhe emër i një qyteti mesjetar të Shqipërisë së Mesme, i themeluar në shekujt V-VI. U popullua fillimisht nga banorët e shpërngulur të qytetit ilir Scydreon, rrënojat e të cilit gjenden në rrëzën e Malit të Krujës, në fshatin Zgërdhesh. Qyteti u rrënua gjatë dyndjeve barbare të shekujve V-VI, siç është përjetësuar në një legjendë që ruhet ende sot në kujtesën historike të banorëve të qytetit45. Në shekullin XIX, J.G. von Hahn në Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar (1863) hamendësoi se në gërmadhat e qytetit të rrënuar, në fshatin Zgërdhesh të rrethit Krujë, shekuj më parë, lulëzonte kryeqendra e fisit ilir të arbërve (fisit albanoi), që përmendte Ptolemeu në shekullin II46. Skydreon ka qenë identifikuar gabimisht me Shkodrën47. Në emrin e fshatit Zgërdhesh shihet qartë se evolucioni i formës ilire Skydreon në formën e sotme Zgërdhesh ka ndodhur në përputhje të plotë me rregullat fonetike të shqipes, pa ndërmjetësinë e ndonjë gjuhe tjetër48. Edhe vetëm ky fakt, i marrë shkëputur nga të dhënat e shumanshme, do të mjaftonte për të provuar se shqiptarët, në Lashtësinë e Vonë dhe Mesjetën e Hershme, kanë jetuar në atdheun e fisit ilir të arbërve (Albanoi-ve të Ptolemeut) në Ballkanin perëndimor. Emri i Krujës dokumentohet për herë të parë rreth vitit 879 AD si Kroai in listën e peshkopëve të Këshillit të Katërt të Kostandinopojës. Emrin qyteti e ka marrë nga fjala ilire *krana, që rrjedh nga një bazë IE *krāna, me burim të parë rrënjën PIE *kres- (valë, burim). Është trashëguar rregullisht në shqipe.
lama – një fjalë ilire për ‘kënetë, pellg’49. Besohet se këtë fjalë mesape e kanë përdorur edhe poetët e mëdhenj latinë me prejardhje mesape, Enniusi dhe Horaci. Kjo fjalë ka kaluar dhe në latinishten dhe greqishten. Me këtë shpjegohet shpeshtia e madhe e fjalës lama në emrat e vendeve të Apulisë. Ky emër është trashëguar në emrin shqip lama/lëma, të cilin Çabej e krahasonte me lituanishten lomà ‘vend i ulët në një fushë’ dhe me letonishten lama ‘vend i ulët në një fushë”50.
*lugeon (Λούγεον) Lugeum – Fjalë ilire dhe emër vendi, e nxjerrë nga emri i një fshati që del të Straboni kur ai përshkruan se “aty është një grykë që përmes Malit Okra prej Tergestes (sot Trieste) të shpie në një fshat, në një moçal që quhet Lugeum”51. Gustav Meyer e krahasoi këtë fjalë me fjalën lituaneze liũgas ‘moçal’ dhe rindërtoi ilirishten *lugas (m) or *luga (f), nga e cila ka dalë shqipja lëgatë “vend i lagët e me bar”52.
mal/mall ‘mountain’. Është dëshmuar si përbërësi i parë i emrit Di-mallum, emri i një qyteti ilir në Shqipëri të jugut. Historiani gjerman Barthold G. Niebuhr (1776-1831) ishte i pari që shpjegoi se emri i vendbanimit të fortifikuar ilir Dimallum ka dalë nga bashkimi i dy emrave shqip di(dy) dhe mal që ka kuptim sepse bëhet fjalë për një qytet që ishte ngritur mbi dy kodra53. Ai shkruante: “Unë kam gjetur një provë që tregon qartë se shqiptarët e sotëm janë vetë ilirët e lashtë. Emri i qytetit Dimallum— më të fortifikuarit ndër vendbanimet e atjeshme, me një citadel të dyfishtë ngritur mbi një mal me dy maja që lidhen me anë të një muri, siç e pershkruan Polibi, sot e kësaj dite shqiptarët e njohin me po këtë emër.”53. Fjala ilire mal ka hyrë në përbërjen edhe të vendemrave të tjerë të Ilirisë si, psh. Molontum, Malontum, Maloventum, Malontina. Fjala ilire mal është trashëguar e pandryshuar nga ilirishtja te shqipja. Një tjetër fshat me emrin Dimale gjëndet në afërsi të Filatit, në Çamëri, Greqi54.
mëz – Identifikuar si sinonim i emrit menzana që del si mbiquajtje e perëndisë së madhe të mesapëve, Iuppiter menzana, së cilës i flijonin kuaj duke i djegur në zjarr. E kanë shpjeguar me fjalën shqipe mëz/maz/manz. Le të kujtojmë këtu se mesapët dalloheshin si kalorës të zotë dhe rritës të shquar të kuajve. Burimi fillestar i fjalës shqipe mëz/maz dhe mesapes menz-ana është e njëjta rrënjë PIE *mand- ‘mënd, i jap gji’54, që ka arritur e pandryshuar pas të paktën 5-mijëvjeçarësh deri në shqipen e sotme.
mandos – ‘kalë i vogël’. Ky emër lidhet me shqipen mëz/maz/manz dhe më tej me shqipen mënd, jap të pijë të voglit. Burimi fillestar – PIE *mendi̯os ‘kalë i vogël’. Menzana është një mbiquajtje e Jupiterit. Këtij grupi fjalësh i përket edhe mëndesha në shqipe. Sipas Festus-it në shekullin II, lakedomonët dhe salentinët mesapianë i bënin oferta Menzana Jupiterit (Menzana Iovi) kuaj që i hidhnin të gjallë në zjarr55.
manu (μάνυ) mank, ‘i vogël’, në kuptimin e qengjit pirës. Sipas Hesikut, këtë fjalë e përdornin epirotët e fisit të atamanëve (μάνυ πικρόν ᾽Αθαμᾶνες: manu – i vogël ndër atamanët)56. Kjo fjalë është trashëguar në shqip në formën mang “i vogli i një zogu a kafshe” dhe manun “qengj pirës”57.
messapioi (Μεσσάπιοι). Mesapët ishin një fis i madh i Apulisë, pas gjithë gjasash, me prejardhje ilire. Përbërësi i parë i emrit të fisit, mes, i lidhur me të dytin, apia, i japin fjalës së përbërë kuptimin “midis ujrave” që pasqyron mirë vendosjen gjeografike të këtij fisi në Siujdhesën Apuliane, midis detrave Adriatik dhe Jon. Gjuhëtarët e kanë shpjeguar kuptimin e emrit të fisit me mjetet e gjuhës shqipe. Përbërësi i parë do të mund të shpjegohej edhe me anë të greqishtes, por me greqishten e lashtë nuk mund të shpjegohet -apia, përbërësi i dytë, sepse rrënja -apia mungon në greqishten e lashtë. Veç kësaj duhet mbajtur parasysh edhe fakti që mesapët mërguan në Apuli rreth dy shekuj para grekëve, të cilët krijuan koloni atje vetëm nga shekulli VIII p.e.s. dhe ka fare pak të ngjarë që, për dy shekuj mesapët nuk kishin gjetur një emër për vendin e tyre. Ja si na e jep mitografi i shekullit II-III Antonius Liberalis një legjendë rreth mërgimit të ilirëve në Apuli gjatë shekullit XI p.e.s.: “Lykaoni, i lindur nga toka, pati si bij Japiksin, Daunin dhe Peucetiusin nga të cilët dolën fiset përkatëse ilire. Ata mblodhën një ushtri dhe mbërritën në anën adriatike të Italisë. Ata dëbuan Ausonianët që jetonin atje dhe zunë vendin e tyre. Pjesa më e madhe e ushtrisë së tyre përbëhej nga kolonë ilirë të udhëhequr nga Mesapius.”58.
met(u) – ‘midis’. Kjo fjalë del në burimet e lashta ndër emra vendesh ilire të tilla si Metubarbis “midis moçaleve” dhe emrave të fiseve si Metapi (Μετάπιοι) ‘midis ujrave’, helenizuar si Messapioi (Μεσσάπιοι)59. Nga fjala ilire metu ka dalë proto-shqipja dhe shqipja mjet, ndërsa burimi mëmë është rrënja PIE *medhi- ‘në mes’60. Sipas Plinit, “Në Lumin Sava është ujdhesa Metubarbis, më e madhja ujdhesë e njohur në ndonjë lumë” 61.
murs –Kjo fjalë është është nxjerrë nga emri i qytetit ilir, Mursa që gjëndej në Pannoni, afër vendit ku Lumi Sava takon Danubin. Qyteti njihej edhe me emrin *móri ‘det, uj’i ndenjur’62 . Nga fjala ilire mursa për moçalin kanë dalë emrat e qyteteve ilire Mursa dhe Mursella or Mursa e vogël, rreth 10 km. larg saj në Lumin Drava, Panoni. Mursa është identifikuar me qytetin e Osijekut në Kroaci. Në gjuhën kroate, osijek quhet “rënia e nivelit të ujit në pikën më të ulët” (një lloj zbatice në lumë). Fjala ilire është ruajtur në fjalën e epirotishtes së sotme mursa (μουρσα) ‘gropë, vënd i ulët’. Këtë emër, Mursia, mban edhe sot një fshat në rrethin e Sarandës, që gjendet në një vend të ulët e të rrethuar nga kodra.
gnosko(γνώσκω) – njoh. Kjo fjalë del te Orioni i Tebës (Egjipt)63, gramatikan i shekullit IV. Kjo formë epirote e foljes njoh, njëlloj si latinishtja gnosco/nosco ‘njoh, mësoj’, ndryshon nga format greke me dyfishimin karakteristik: γιγνώσκω (gignṓskō) të greqishtes klasike dhe γινώσκω (ginṓskō) të greqishtes së përbashkët (koinesë), siç shihet edhe në dyfishimin e emrit të ndonjë fisi epirot si Μολλοσσὤν/Μολοσσοί. Sot, fjala epirote gnosko/γνώσκω (epir.) është një fjalë ilire e atestuar në një burim të lashtësisë. Në shekullin IV, kur kjo fjalë u shënua nga Orioni, ende nuk mund të bëhej fjalë as për shqiptarë e as për gjuhë shqipe. Me njohjen e kësaj fjale epirote neve na vjen edhe vërtetimi (në fakt unik) i saktësisë së rindërtimit të foljes proto-shqiptare *gnesko nga Gustav Meyer në fjalorin e tij etimologjik të shqipes64. Në atë kohë në greqishten klasike (jonike) dhe atë të koinesë kjo fjalë shkruhej përkatësisht γιγνώσκω dhe γινώσκω. Të vihet re se në atë kohë në fjalën ilire gnosko ende nuk kishin ndodhur ndrimet sk>h dhe gn>nj të shqipes.
[vijon]
(c) 2026 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
30. Hesychi Alexandrini, Vep. përm. f. 372.
31. Pokorny, J. (1959). Vep. përm.
32. Mayer, A. (1957) Die Sprache der alten Illyrier I. In Kommission bei R. M. Rohrer, Ëien, 1957-59.
33. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauke, Jena, f. 236.
34. Meyer, G. (1891). Etymologisches Wörterbuch der albanischen Sprache. Trübner, Strassburg. f. 61.
35. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 107.
36. Hesychi Lexicon. Vep e përm., f. 444.
37. Çabej, N. (2014). Në gjurmët e perëndive dhe mitologjemave ilire. Fan Noli, Tiranë, 219-245.
38. Niebuhr, B.G. (1851). Vorträge über alte Länder- und Völkerkunde. Druck und Verlag von G. Reimer, Berlin. f. 305: “Der Name der Stadt Dimalon, der festesten unter der dortigen mit einer zëeifachen Burg auf einem Doppelberge durch eine Mauer verbunden, ëelche Polybios beschreibt, gibt dies zu erkennen: sie heisst noch jetzt bei den Albanesen”.
39. Tzitzilis, C., 2007. Greek and Illyrian. Në A History of Ancient Greek: From the Beginnings to Late Antiquity. A.-F. Christidis (ed.). Cambridge University Press, Cambridge-New York, f. 751 (745-751).
39a. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, 142-143.
40. Hesychi Alexandrini Lexicon. Vep. përm., f. 444.
41. Hamp, E.P. (1984). Albanian etymological notes. Die Sprache, XXX, 2, 169-172.
42. Hesychi Alexandrini Lexicon. Vep. përm., f. 819.
43. Demiraj, B. (1997). Vep e përm.
44. Orel, V.E. (1998). Albanian Etymological Dictionary. Koninklijke Brill, Leiden – Boston – Köln, f. 173.
45. Çabej, N.R. (2014). Vazhdimësi Iliro-shqiptare në emrat e vendeve. Fan Noli, Tiranë, 158-161.
46. Claudii Ptolemaei, Geographia I, Red. C.F.A. Nobbe, Tauchnitz, Leipzig, 1843, Libri 3, 13, 23.
47. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Tiranë, 1965, f. 578.
48. Çabej, N.R. (2014). Zgërdheshi – Skydreon. Vazhdimësi Iliro-shqiptare në emrat e vendeve. Fan Noli, Tiranë, f. 158-161.
49. Pokorny, J. (1959 Vep. përm.
50. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I. Rilindja, Prishtinë, f. 331.
51. Strabo Geography, VII, 5, 3.
52. Meyer, G. (1883). Albanesische Studien. Wien, f. 323.
53. Niebuhr, B.G. (1851). Vorträge über alte Länder- und Völkerkunde. Druck und Verlag von G. Reimer, Berlin. f. 305: “Allein Ich habe einen Beweis gefunden der ganz klar zeigt, ëie di jetzigen Albanesen dasselbe Volk sind wie die alten Illyrier. Der Name der Stadt Dimallon, der festesten unter den dortigen mit einer zëeifachen Burg auf einem Doppelberge durch eine Mauer verbunden, welche Polybios beschreibt, gibt dies zu erkennen: sie heisst noch jetzt bei den Albanesen so.”.
54. Çabej, E. (2008). Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe, Pjesa e parë. Çabej, Tiranë. f. 53.
55. Mommsen, T. (1850). Unteritalische Dialekte. Wigand’s Verlag, Leipzig, p. 70.
56. Hesychi Alexandrini, Vep. përm., f. 1012.
57. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore. Rilindja, Prishtinë, f. 331.
58. Antonini Liberalis Metamorphosis, 31 Messapians. https://topostext.org/work/216.
59. Tischner, H. http://www.heinrich-tischner.de/22-sp/1sprach/aegaeis/illyr-l.htm.Retrieved 10. 18. 2014.
60. Pokorny, J. (1959). Vep. përm.
61. Plini Naturalis historiae, III, 148.
62. Mayer, A. (1957). Die Sprache der alten Illyrier II. Rohrer, Wien, f. 80.
63. Orion, of Thebes: Orioni Thebani Etymologicon. Leipzig (apud I. A. G. Ëeigel, 1820), f. 42.
64. Meyer G. (1891). Etymologisches Wörterbuch der albanischen Sprache. Trübner, Strassburg.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.