Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

“PËRRALLËTARËT E SHQIPES”

Me rastin e prezantimit të librit “Përrallëtarët e shqipes”, po sjellim më poshtë një fragment nga parathënia për lexuesit e revistës si bashkudhëtarë në këtë përpjekje.   


Dy fjalë lexuesit

Prej vitesh më kanë interesuar aq sa edhe më kanë shqetësuar orvatjet për t’ia rrëzuar traditës albanoogjike statusin dhe legjitimitetin, si arritje madhore e dijes ndër shqiptarë dhe gjetiu në botë. Këto përpjekje janë intensifikuar tani së fundi, kur masmediat në Shqipëri dhe në Kosovë, veçanërisht televizionet komerciale trash, u kanë hapur dyert përfaqësuesve të së ashtuquajturës “albanologji alternative” dhe u janë ofruar këtyre si kanal për t’i folur drejtpërdrejt publikut të gjerë. Teorive fantastike për moshën dhe origjinën e gjuhës shqipe, marrëdhënieve të kësaj gjuhe me gjuhë të tjera dhe etimologjinë e fjalëve u janë bashkëngjitur sulme dhe akuza ndonjëherë të rënda kundër themeleve të dijes albanologjike dhe studiuesve që i kanë ngritur.

Kam menduar gjithnjë se kjo valë goditëse revizionuese, denigruese ndaj dijes dhe sa amatore, aq edhe keqdashëse në synimet e saj, duhet kundërshtuar nga të gjithë ata që e kuptojnë vlerën intelektuale dhe morale të arritjeve të deritashme të albanologjisë, veçanërisht në lëmin e historisë së gjuhës shqipe; sikurse që është imperativ i dijes që të mbrojë arritjet e veta dhe traditën ku mbështeten këto arritje ndaj sulmeve me natyrë ideologjike dhe populiste, të përcjella dhe të amplifkuara nga palë të treta.

Prej disa vjetësh, në faqet e revistës online “Peizazhe të fjalës”, kemi mbajtur gjallë një debat rreth statusit të sotëm të albanologjisë, traditës së saj dhe kundërshtimit nga poshtë; të vetëdijshëm edhe se kriza e tanishme e besimit të publikut, ndaj jo vetëm dijes historike por edhe dijes në përgjithësi, është edhe rezultat i shfaqjes dhe konsolidimit të rrjeteve dhe të mediave sociale, si një platformë e re për publikun dhe të gjithë ata që publikun duan ta përdorin për synime politike dhe ideologjike.

Temat e gjuhës shqipe, historisë së saj dhe “ekscepsionalizmit” të saj gjithnjë janë përdorur, nga ideologët, si mjete për të angazhuar dhe mobilizuar publikun, çfarë përbën edhe një arsye më të fortë, për të mos e lënë argumentin në mëshirë të amatorëve dhe të atyre që kërkojnë të tërheqin vëmendjen me protagonizmin e tyre. Revista “Peizazhe të fjalës” e ka sjellë, kështu, fjalën albanologjike në ato forume ku përndryshe mbizotëron keqinformimi, padija, amatorizmi, shtrembërimi dhe gënjeshtra. Ka qenë synimi ynë që të mbrojmë dhe të promovojmë arritjet dhe vlerat e mëdha të dijes albanologjike në publik, por edhe të mendimit kritik, përballë demagogjisë dhe padijes.

Janë kohë të vështira për shkencën, më në përgjithësi dijen, racionalizmin, mendimin kritik dhe përkushtimin intelektual ndaj së vërtetës; kohë kur publiku rrezikon ta humbë besimin në institucionet duke iu dorëzuar teorive konspirative dhe shkolla nuk po arrin të kultivojë virtytin e të menduarit kritik në brezat e rinj. Televizioni nga njëra anë, mediat dhe rrjetet sociale nga ana tjetër, po kultivojnë në masë një lloj analfabetizmi funksional, i cili shumë shpejt do ta bëjë praktikisht të pamundur komunikimin mes specialistëve dhe publikut. Në vende si Shqipëria, që kanë dalë nga një e kaluar totalitare, pluralizmi dhe liria e shprehjes janë perceptuar jo rrallë si shanse për të hequr qafe çdo lloj hierarkie institucionale dhe autoriteti intelektual e moral; teksa gjithnjë e më tepër njerëzit pyesin se kujt i duhet ajo lloj dijeje albanologjike, që nuk i shërben drejtpërdrejt lëmimit të sedrës kombëtariste. Sfidat që u dalin përpara profesionistëve, në fusha ku dija plekset me ideologjinë dhe mitin, kërkojnë qasje të reja në komunikimin me publikun, qasje që synon të jetë edhe ky libër, i cili mishëron shpresën për të mos iu dorëzuar errësirës, urrejtjes dhe padijes.

– Në kopertinë, “Pema e gjuhëve indoeuropiane” (realizuar me Midjourney).

(c) 2024 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

2 Komente

  1. Z Ardian Vehbiu. Lexova librin tende prralletaret e shqipes dhe dua te komunikojme.

    1. Zoti Margarit, ju falënderoj shumë që e keni lexuar librin, për fat të keq jam duke u larguar nga Tirana dhe nuk takohemi dot. Por gjithnjë mund të shkruani një replikë për librin dhe ta botoni, në mënyrë që ta lexoj edhe unë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin