MJESHTRI I LISTAVE

Këtë herë e kam me ty, o Adri Vukaj. Që nuk e ke emrin Adri, as e ke mbiemrin Vukaj, por unë kështu do të të quaj, se një emër më duhet të ta vë; dhe të vërtetin nuk po ta përmend, sepse emri yt është legion.

Pse e kam me ty? Sepse ti i ke shumë për zemër listat: në çdo tekst që nxjerr nga penda jote e rafinuar, të paktën nja tre-katër lista do t’i kesh. Lista njerëzish të shquar e të pashquar; lista miqsh dhe armiqsh, lista njerëzish që të lënë në baltë dhe njerëzish që të nxjerrin nga balta; lista aleatësh dhe lista komplotistësh; lista njerëzish që kanë gabuar dhe lista njerëzish që do të gabojnë.

Si pa dashur, e bëra edhe unë një listë tani, por kjo imja të paktën nuk përmban emra, por kategori.

Do të më thuash: po ç’të plasi ty, që bëj lista unë? Dhe do të kesh plot të drejtë, prandaj po t’i jap shpjegimet në vijim.

Hidhi një sy listës më poshtë:

  1. Isaac Newton
  2. James Clerk Maxwell
  3. Prof. Dr. Adri Vukaj
  4. Stephen Hawking

Çfarë të bie në sy aty, veç emrit tënd? Dhe mos më thuaj që t’i kam ngjitur me pështymë ato prof. dr. përpara, sepse ato je ti që ia ke ngjitur vetes i pari – për shembull, kur zhgarravit ndonjë gjë për pellazgët ose Gjergj Aranitin, dhe e nënshkruan poshtë: prof. dr. Adri Vukaj, pa çka se gradat i ke marrë në fushën tënde, që është përpunimi mekanik i drurit (me fjalë të tjera, sharra).

Po le të mos largohemi nga tema. Sepse nuk të kam pyetur akoma si e ndien veten, në shoqërinë e atyre tre të tjerëve, në listën më lart: të nderuar, apo të poshtëruar?

Mendohu, dhe mos m’u përgjigj.

Ja tani edhe një listë tjetër:

  1. Orang-utangu (Pongo pygmaeus)
  2. Prof. dr. Adri Vukaj (Homo sapiens)
  3. Shimpanzeu (Pan troglodytes)
  4. Gorilla (Gorilla gorilla)

Po këtu, si të duket vetja? Para se të vraposh të më hedhësh në gjyq për fyerje, përpiqu të kesh parasysh se të kam renditur të dytin – mund të të rendisja edhe të katërtin!

Për ta sqaruar edhe më se çfarë po dua të them, të ftoj, i nderuar Adri, t’i hedhësh një sy listës së mëposhtme, që është edhe e treta:

  1. Hamza Kastrioti
  2. Ballaban Pasha
  3. Esad Pashë Toptani
  4. Prof. dr. Adri Vukaj

E papranueshme? Natyrisht, pa çka se është një listë arbërish dhe shqiptarësh, prej të cilëve ndonjëri edhe mund të ketë gabuar.

Por më lejo të korrigjohem:

  1. Miguel de Cervantes Saavedra
  2. Dante Alighieri
  3. Prof. dr. Adri Vukaj
  4. William Shakespeare

Kam frikë se as tani nuk do të ndihesh i shpaguar: sepse emri yt sërish do të tërheqë vëmendjen siç e tërheq vëmendjen vrima e freskët, në sipërfaqen e një dysheku deti.

Ndonjëherë, kur të kesh kohë, mbase mbron një doktoratë edhe për listat – kuptimin e tyre, përdorimin e tyre praktik, kriteret e hartimit të tyre. Siç e përfytyroj unë, kapitulli më tërheqës i asaj doktorate do të ishte: Si ta përfshish një ndërmarrje shërbimesh funerale në listën e spitaleve më të mira të Ballkanit?

Aty do të shpjegoje, me zotësinë tënde karakteristike, edhe si t’ia lëshosh glasën tjetrit në kokë, duke paguar pëllumbin; ose si ta njollosësh dikë, thjesht duke e futur në një listë të njollosurish dhe të qullosurish.

Por edhe e kundërta:

  1. Cristiano Ronaldo
  2. Paulo Dybala
  3. Lionel Mesi
  4. Prof. dr. Adri Vukaj

A nuk je dakord me mua, që pas kësaj renditjeje, për kartonin tënd do të interesohen menjëherë drejtuesit e ekipeve të tilla si Dinamo e Kiev-it dhe Qarabağ nga Azerbaixhani?

Do të më thuash: po unë nuk u vendos kurrë numra listave të mia, dhe sërish do të kesh të drejtë. Listat e tua janë të lirshme, open-ended, madje fillojnë me një si dhe përfundojnë me fatalen etj.

Ja një shembull, i nxjerrë nga publicistika jote model:

Dijetarët më të mëdhenj të shekullit XX, si Albert Einstein, Sigmund Freud, Claude Lévi-Strauss, etj.

Mjeshtër je, Adri; mjeshtër. I vetmi në këtë botë, që mund të vendosë një etj. pas emrit të Levi-Strauss-it; me shpengimin e amvisës që nder të linjtat e të shoqit në tel.

Etj. Disa këtë do ta lexonin kështu: “durimi juaj, si lexues, është tejet i shkurtër për erudicionin tim”; ndërsa disa të tjerë, përfshi këtu dhe mua, do ta lexonin kështu: “unë nuk e kam idenë se çfarë po shkruaj.”

(Mbase ti thjesht e mbajte dorën në kohë, për të mos shtuar Calvin Klein-in pas Lévi-Strauss-it.)

Apo jo, Adri?

Listën time të fundit e kam lënë për në fund, si sheqerparen; quaje sfidën time ndaj teje:

  1. Një farë Adri Vukaj
  2. Adri Vukaj
  3. Prof. dr. Adri Vukaj
  4. I madhi Adri Vukaj

Kjo renditje, seç ka një ngjashmëri aluzive me gjëzën e Sfinksit për Edipin; por nuk po të rëndoj më. Sepse në ato katër elemente më lart, dikush mund të lexojë shkëlqimin dhe rënien, sikurse dikush tjetër mund të kuptojë se çfarë ndodh, sikur njeriu të mund të kalonte përmes një prizmi, siç kalon drita në kopertinën e “The Dark Side of the Moon” të Pink Floyd; dhe ashtu si drita të (k)analizohej.

Po të lë këtu, dhe po largohem me në mendje imazhin e një prof. dr. si ty, shkencëtar gjeni, futbollist hero, koLLos të letrave, primat në mes të primatëve më të shquar dhe të akuzuar – pa arsye – si tradhtar të çështjes shqiptare; por edhe si homo sapiens të zbërthyer fije-fije, pas kalimit të detyruar në prizmin e vështrimit tim prej vdekatari.

Të qofshin të mbara listat, pra, Adri!

3 Komente

  1. “prof. dr. Adri Vukaj, pa çka se gradat i ke marrë në fushën tënde, që është përpunimi mekanik i drurit (me fjalë të tjera, sharra).”

    nuk di me ke e ke por kjo me siper me hapi kendeshem mengjesin 😀

    ps, tek tema e gomorres nuk mund te komentoj, me del nje “oops” se faqja nuk ekziston sapo dergoj komentin

  2. e provova, ende kam problem. e provova edhe nga celulari, edhe kam te njejten pergjigje me keqardhjen “oops”.

    tek sa e postoj komentin shikoj kete https://ibb.co/bHvu4Q

    mbase eshte ndonje sabotim prej kamoristeve 😀

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin