KUR QAN E QESH POETI

Imazhin negativ të Dritëro Agollit, si shef dhe krye-zbatues të policisë kulturore dhe artistike të shtetit totalitar të Enver Hoxhës, ca po mundohen ta kundërpeshojnë me një imazh tjetër, atë të poetit gaztor dhe bejtexhi, që i mban gati vargjet si batuta.

Figurën e “poetit të oborrit”, që e promovojnë ata që duan ta shembin, po e luftojnë me figurën e “lolos së oborrit”; gjithnjë duke lënë jashtë shkrimtarin dhe veprën.

Nuk kam pasur ndonjëherë të bëj me Dritëroin dhe nuk di sa i përshtatet ky imazhi i dytë; por di që as ky nuk i bën mirë trashëgimisë së tij letrare, madje e përçudnon deri në atë shkallë sa ta shfytyrojë.

Për shkak të natyrës së tij, interesave dhe pasioneve, por edhe të nevojës “shtetërore” për të kultivuar një personazh të tillë publik, Agolli gjithnjë ka qenë i dashur për “popullin” dhe “njerëzit e thjeshtë”, si njeri dhe si autor. Megjithatë, ai nuk ka qenë kurrë poet folklorik, dhe aq më pak bejtexhi, në kuptimin keqësues të kësaj fjale.

Vargjet e mira të Agollit nuk janë ato që të bëjnë për të qeshur, kupletet prej estrade dhe batutat e pijetoreve; por ato që përcjellin ndjeshmëri të hollë, filozofi dhe urtësi Zen.

Kjo edhe ngaqë ky shkrimtar kish formim universitar dhe kulturor të dorës së parë, dhe njohje të shkëlqyer të të paktën të poezisë ruse së traditës, nga Pushkini, Lermontovi e Nekrasovi, te Esenini, Bloku dhe të tjerë të shekullit XX.

Prandaj nuk më duket se i shërben kujtimit të Dritëroit kjo këmbëngulje në aspektet lozonjare të persona-s së tij publike, si një rastin kur “zbulohet” një bejte e tij për Jozefina Topallin:

Ah moj Jozefinë, gugushe në thekën
Për ty Fatos Nano mban fjalim pa mjekër
Ah moj Jozefinë zogës nën koritë
Për ty Namik Dokle hidhet në opozitë

Ose kur i jepet publikut një bejte tjetër, me të cilën Dritëroi i qenka përgjigjur një detraktori të tij:

O qatip faqe pa qime
Sa di ti di bytha ime

Dhe kështu me radhë, përfshi edhe vargje të tjera që tani po thyejnë rrjetin; duke e kujtuar e risjellë në vëmendje poetin si të ishte K.Th. Spiri.

Më kujtohet se diçka e ngjashme ndodhi, vite më parë, edhe kur vdiq Teodor Keko; miqtë dhe të afërmit e tij, të shtyrë nga malli dhe doemos nga dëshira për të bërë mirë, u ngutën t’i japin publikut bejte e zhgarravina, përfshi edhe shaka të tij gjatë kohës që rrinte ulur në Parlament – të cilat veç dëm i bënë figurës së atij autori dhe mënyrës si do të kujtohet.

Ky personazh i poetit batutaxhi e ndonjëherë lolo oborri, që e ka gati bejten për këdo dhe bën të tjerët për të qeshur, mundësisht në një kafene, i përket një vizioni folklorik për kulturën, që nuk duhet ushqyer – besoj unë, kur bëhet fjalë për figura themeltare të fjalës të shkruar.

Dhe aq më e rëndë bëhet kjo sëmundje populiste, kjo etje e shtirur për humor mejhanesh dhe banalitete të certifikuara, po të kemi parasysh se flasim për Dritëroin, një poet i cili i ka dhënë lexuesit dhe shqipes vargje si këto më poshtë (i mora nga faqja e Arbër Zaimit në FB; besoj se janë riprodhuar në mënyrë korrekte):

Vërtitet një re e zezë mbi botë
e zezë si unë
leh natën një qen i tërbuar nën portë
tërbuar si unë

zvarritet një gjarpër nga rrugë e vithisur
një gjarpër si unë
kalojnë në shtigje plot njerëz të krisur
të krisur si unë

lëkunden në qoshe të rrugëve kurvat
lëkunden si unë
bërtasin lypsarët si kafshët në guvat
në guvat si unë

kërcejnë majmunët në pyjet e xhunglat
majmunçe dhe unë
jeton botë e çmendur me vallet dhe plumbat
e çmendur si unë

tmerrohet njeriu kur lind mbinjeriu
tmerrohem dhe unë
kur vdes mbinjeriu merr zemër fatziu
marr zemër dhe unë.

Një kulturë që arrin të përftojë këtë lloj arti, e ka edhe publikun në gjendje ta shijojë.

29 Komente

  1. “Vargjet e mira të Agollit nuk janë ato…., por ato që përcjellin ndjeshmëri të hollë, filozofi dhe urtësi Zen” – shkruan.

    Ja ca nga vargjet e këqija të Agollit, që vetëm urtësi Zen e filozofi nuk përcjellin, sidomos tani, atje ku është, qoftë edhe në mosqenie:

    MJEKRA E ZOTIT

    Shumë vjet me perënditë
    Kam jetuar bashkë i zbathur
    Kemi qenë tok përditë
    Por aspak nuk jemi dashur

    Dhentë tok kemi kullotur
    Arat tok kemi lëruar
    Kur unë isha i përlotur
    Zoti qeshte i harbuar.

    Kur më ngordhnin bejkat malit,
    Zoti tallej si i marrë
    Une gurë merrja zallit
    E goditja për ta vrarë…

    Eh, ç’të grindur , eh ç’të therur
    Me tërbim e me potere!
    Mjekrën zotit s’ia kam krehur,
    Mjekrën zotit ia kam çjerrë.

    Dhe pastaj me dru në dorë
    E kam ndjekur e përzënë
    Përmbi malet me dëborë
    Asnjë fron nuk i kam lënë

    I kam thënë: hajde, zhduku,
    Fundi yt një fund të jetë,
    Ku të duash shko e struku,
    Jam i zoti të rroj vetë!

    Krishtit kryqin ia kam hequr
    Pa trokitur në këmbanë
    Muhametit ia kam djegur
    Çallmen , xhyben dhe kuranë..

    Dhe nga kjo i dëshpëruar,
    Papa, balli i Vatikanit,
    Më ka nëmur e mallkuar
    Mua, tersin e Ballkanit.

    Shenjtëri, o rrënjë e vjetër,
    Mbaj pak vesh e pak vështro,
    Ç’po të flet nga bregu tjetër
    Një apostull Dritëro:

    “S’kam qeder se psall nje papë
    me karrocë apo veturë
    Po të ngjallet zoti prapë,
    Une prapë e zë me gurë”

    Dikujt mund t’i duken edhe të mira këto vargje; ka njerëz që blejnë me çmime të kripura akuarelet e Hitlerit e eja të diskutosh me ta që krimi dhe arti nuk para shkojnë dorë më dorë, vetëm se problemi më këta njerëz është që e fitojnë edhe çdo debat, me shpirt luftarak e grushte tryezës, në përpjestim të zhdrejtë me shijen që sjellin me vete.

    Unë për vete mendoj se të ngatërrosh urtësinë e vërtetë, e cila, në fund të fundit, mund të reduktohet në maksimën që njerëzit e urtë janë medoemos të paqtë (ndërsa të paqtit jo doemos të urtë) me këtë babaxhanllëkun e shtirur të Agollit është goxha e rrezikshme, jo për gjë, por dy hapa më tutje do të përballesh me Qoftëlargun, Enverin vetë, e këtë pastaj si ta quash? Burrë shteti me dëme kolaterale?

    1. Por kjo nuk ka lidhje me çfarë kam shkruar unë. Unë nuk po kritikoja gjë Agollin, por po kritikoja të gjithë ata që, për ta mburrur Agollin, po përmendin dhe citojnë vargje të këqia. Këto që ke sjellë ti më sipër, nuk më rezulton që t’i ketë sjellë kush për të mburrur Agollin. Edhe ti po i sjell për të provuar se nuk vlen. E megjithatë, kur duam të vlerësojmë një poet, çështja nuk është nëse ka shkruar apo jo gjëra të dobëta, por nëse ka shkruar apo jo gjëra të mira. Këtu po më kujtohet një student, shoku im i kursit, që shkruante vazhdimisht poezi dhe, kur e pyesnin thoshte: nuk i kërkoj asgjë fatit, veçse që një vjershë e imja të futet në një antologji të poezisë shqipe. Një vjershë e vetme.

      1. Nuk ka njerëz të urtë me hope Ardian; dmth. një herë i urtë e pesë herë kriminel. Ndoshta Agolli nuk e meriton me tamam këtë cilësimin e fundit, porse një krahasim me Goebbels-in dhe Speer-in e nazistëve nuk do të ishte fare i pavend.
        Se nuk po merret vesh fare se kush i bëri ato krime, se kush i përligji, se kush u përgatiti plaftormën kulturore e ideologjike. Vetëm Enveri nuk ishte; ky nuk ishte vetëm, por me shokë shumë; pensum-i do të ishte i pamundur për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe me potencë djallëzore maksimale.

        Një krahasim me kulturën gjermano-lindore dhe mënyrën se si janë trajtuar këndej kipcat e Agollit, ndoshta do të na ndihte ca më tutje për të kuptuar se janë vrarë me të vërtetë njerëz, pushkatuar për një vjershë ndoshta jo antologjike, por pushkatimi me siguri që ka qenë i tillë, antologjik, nëse krimi e ka një antologji të tillë. Dhe dikush i bëri ato punë, i lejoi, mbylli njërin sy, shkroi recensat, mbajti fjalimin. Kush pra paskëshin qenë këta, me emra, se të folurit në përgjithësi nuk po na çon asgjëkundi. Dhe ata që kanë qenë, kushdo të kenë qenë, do u duhej medoemos të përballeshin me akuzën e duarve të lara me gjak, pasi krime kanë ndodhur, apo jo?

      2. Një vëpër nuk mund të vlerësohet as nga pika më e lartë as nga pika më e ulët (po qe se mund të flasim kështu). Por mund të vlerësohet nga konsistenca. Unë s’po e kam shumë të qartë se në çfarë është konsistente vepra e Agollit!

        Pastaj, ato studentët që e perceptojnë antologjinë e letërsisë sikur të ishte karrierë, me siguri që nuk kanë kuptuar shumë nga antologjia… Apo jo? Përndryshe… we are in deep sh**t.

  2. Kjo teoria se për krimet e diktaturës janë të gjithë përgjegjës , edhe Kupola, edhe hetuesit, edhe xhelatët, edhe toga e pushkatarëeve, edhe varrëmihësit, edhe brohoritësit, edhe agjitatorët, edhe tornitorët që fabrikonin pranga, edhe mësuesit, edhe pionierët, edhe ushtarët që ruanin Bllokun e Krimeve, edhe furrtarët që prodhonin bukën për Udheheqësit , faktikisht e lehtëson Enverin deri në skajshmëri. Dhe uditrisht Enveri pas kçëa thënë: jini Ju pra jemi Ne.
    Dritëroi është përgjegjës për krimet e diktaturës.Edhe Naimi për krimet e osmanllinjve se i shërbeu atij sistemi. Edhe Koliqi me Fishtën sepse i shkelën syrin fashizmit dhe flirtuan me të. Dhe Kipling është përgjegjës për mizoritë e kolonializmit. Edhe ata që punuan në në oborret mbretërore, si poetë apo gaztorë, kanë përgjegjësinë e tyre për krimet e kohës së tyre.
    Të gjithë janë përgjegjës sepse të gjithë janë mëkatarë.

    1. Pa dyshim qe te gjithe jemi pergjegjes. Tek e fundit Enveri gjeti shesh pa beri pershesh. Ne rastin me te keq jemi pergjegjes per veprimet tona, ne rastin me te mire per mosveprimin, per faktin se ulem koken si berrat dhe nuk reaguam, Perjashtim bejne vetem ata qe ngriten krye dhe u denuan. Te tjeret duhet te ndihen pergjegjes per pjesen qe u takon.

  3. Pika S, do të kisha sjellë të njëjtin argument si yti, por u tregove më i shpejtë.

    Megjithatë, tema e shkrimit tim ishte kjo: tani që ka vdekur Agolli, shumë nga ata që e duan dhe e lëvdojnë, po e lëvdojnë për vargje pa vlerë, banalitete dhe bejte. Vlerësimi i një autori kryesor – pavarësisht nga ideologjia e këtij – duhet bërë ndryshe, për të shmangur përshtypjen se po duam ta përdorim autorin për synimet TONA.

    Se çfarë mendoj unë për Agollin, e kam shpjeguar në shkrimin tjetër, të mëparshmin: “Kultura që nuk di të flasë për veten.” Aty do ta kish pasur vendin edhe ky diskutim. Gjithsesi, unë nuk besoj se ideologjia dhe krijimtaria letrare janë të lidhura kaq ngushtë: stalinistët i lidhnin kështu dhe ua digjnin veprat armiqve të tyre ideologjikë, por unë nuk jam stalinist. Unë madje jam i bindur se mund të jesh edhe komunist, edhe fashist, dhe të jesh njëkohësisht poet a prozator i shkëlqyer. Meqë të parëve – nga Majakovski tek Aragoni e Jevtushenkoja – ua kemi marrë erzin, po ndalem pak tek të dytët, sa për freskim. Ezra Pound-i ishte fashist, D’Annunzio ishte fashist, Giuseppe Ungaretti ishte fashist, Curzio Malaparte ishte fashist (madje skuadrist), Heidegger-i ishte simpatizant i hapur i nazizmit, Leni Riefenstahl ishte propagandiste e nazizmit, Carl Schmitt ishte ideolog nazist, Knut Hamsun – nobelist – ishte nazist, Emile Cioran ishte simpatizant i Gardës së Hekurt rumune, Louis-Ferdinand Celine ishte kolaboracionist dhe antisemit i tërbuar. Kjo listë mund të zgjatet edhe më. E megjithatë, unë besoj se vlera artistike, letrare, filozofike e veprës më të mirë të këtyre autorëve nuk mund dhe nuk duhet vënë në diskutim thjesht ngaqë rreshtimet e tyre ideologjike rezultuan të gabuara. Dhe, për ta lidhur me temën e shkrimit tim, kur t’ia kujtojmë veprën, bie fjala, Ezra Pound-it, të mos citojmë pjesë nga fjalimet e tij në Radio Roma (radiodiscorsi) kundër aleatëve, por vargje nga Cantos. Këtë po kërkoja të them.

    Shënim: Ai tipi i antologjisë që përmenda në komentin tjetër, ishte një djalë modest, që vinte nga një fshat i largët. Nuk arriti dot t’i përfundojë studimet, sepse u sëmur (skizofren). Talentin për vargje e kishte të jashtëzakonshëm, por ndoshta e kish kuptuar që gjithçka tjetër e kish kundër: shëndetin, vetminë, mungesën e përkrahjes dhe atmosferën mbytëse në Shqipërinë e fundviteve 1970. Prandaj ëndërronte për të shpëtuar, nga harresa, një vjershë të vetme.

    1. Adrian, unë e kam fort të qartë fokusin e shkrimit tuaj dhe ashtu është, sikurse e shpjegoni: qasja e mbrojtësve të Agollit , në zjarrminë e debateve mediatike dhe rrjeteve sociale , është një qasje folklorike. Por mjerisht kjo qasje reflekton “kulturën e batutës” , e ushqyer nga politika e ditës dhe mediumet, ku debati substancial sfumohet me estradën e batutave dhe ku , diskursi serioz, eklipsohet nga “folklori elitave”. Dritëroi para se të ishte poet e shkrimtar, ishte njeri dhe brënda mjedisit ku jetoi, jepte e merrte me njërëz të tjerë, edhe përmes batutave apo “bejteve” zbavitëse të atypëratyshme.Kjo qasje ka dhe një të “mirë”, sepse , në raportin institucional ndaj figurave të rëndësishme, ka përherë një lloj teknologji mitizuese , duke i kthyer ata në qënie të zbrazura nga përditshmëria, pa vese e vogëlsira.Vetëm statujat janë të tilla. Dhe gjindja ecën në drejtimin çmitizues, duke sjellë grimca nga jeta e tyre, ku përfshihen edhe batutat apo kujtime të tipit “Lasgushi mua më ka thënë” E keqja është atje ku ju vini gishtin: reduktimi personalitetit të tij në personin batutaxhi.
      Por ja që erdhi Arb Elo dhe, në të drejtën e tij, e riktheu debatin në pikën e nisjes ( Kultura që nuk di të flasi për veten) , para në pikën e raportit të autorit/njeriut/personit publik me veprën letrare. Personalisht e kam shprehur edhe në komente të tjera se Agolli është produkt i një periudhe të komplikuar historike dhe mbart dritëhijet e tij si personalitet publik.Ka qënë komunist dhe ka besuar tek komunizmi. I ka kënduar komunizmit dhe Enver Hoxhës.(Për Enver Hoxhën këngë do thur gjithë jetën/ se nëna ime i dha bukë me dhallë…). Por krijimtaria e tij nuk është përmbytur e tëra nga ideologjia dhe shërbesa politike. Edhe para 90 -ës.Dhe pas 90-ës ka një etapë të re reflektive në krijimtarinë e tij, ku gjallon një lloj urtësie zen, sikurse e përmend Vebiu.
      Gjithë çështja është: do ta bëjmë hasha gjthçka në krijimtarinë e tij sepse ishte komunist dhe pjesë e nomenklaturës komuniste? Do ta bëjmë hasha të gjithë krijimtarinë e tij ,a block, ngaqë një pjesë e saj është e ndotur me iedeologji?
      Arb Elo e asgjëson Agollin në të dyja aspektet: si njeri publik dhe si poet.Si njeri publik, përkatësisht si drejtues i LSHA, duke e bërë përgjegjës për krimet e komunizmit në radhët e shkrimtarëve a ndoshta në tërësi të krimeve të kryera në atë sistem. Në mos kriminel, Agolli është një Gebels! A thua Agolli ishte Feçor Shehu apo Ramiz Alia.
      Cdo berr varet në këmbët e tij. Ka një hierarki përgjegjësia dhe mbi të gjitha është individuale dhe e dokumentuar. Pastaj, mua më duket e pahijshme për një poet dhe njeri të letrave, të shprehet për një poet tjetër dhe ta gjykojë moralisht me gjuhën e lagjes:”pijaneci ynë devollit” ! Hemingueji ishte një pijanec, pfff! Bodleri ishte një drogaxhi…pfff zero me xhufkë!! Po sa mund të vlerësohet letërsia, pra gjëja estetike, me etalone moralë?
      Arb Elo e asgjëson Agollin dhe si poet kur thotë se “më të shumtën e famës, Agolli e ka prej vjershave të tipit që solla unë..” Kjo është e vërtetë pjesësrisht por fama dhe ajo cfarë mbetet si vlerë e vërtetë e krijimtarisë, janë dy gjëra të ndryshme. Agollit nuk i vishen aposteriori vlera në krijimtarinë e tij, nga që qënkesh bërë i njohur dhe nga gjykimi se atje ku ka sasi do ketë dhe ca cilësi. Kritika ka evidentuar se ku janë këto vlera, në cilat rrafshe shpërfaqen.
      Nuk pritet lisi me një të rënë dhe as me sëpatë dardhari. Pastaj thotë se ” ata që e mbrojnë, nuk sjellin argumente estetikë” . Po Arb Elo vetë, ku i ka argumentet estetikë?? Vjersha e sjellë prej tij, në përmbajtje, shpërfaq botëkuptimin ateist të Agollit, dhe, sipas tij, kjo dëshmon se në krijimtarinë e tij nuk mund të gjesh ndonjë lloj fryme apo filozofie zen. Po a mund të bëhet vlerësimi i krijimtarisë së Agollit sipas analogjisë, se “mjafton të pimë një gllënjkë verë për të degustuar gjithë shijen e verës në but”? Unë them se jo, nuk mund të bëhet kështu. Historia e letërsisë njeh dhjetra krijues me qasje ateiste. A thua se vetëm qasja religjioze prodhon automatikisht vlera letrare.
      E thënë shkurt, gjykimi me lente biografike i krijimtarisë letrare, është mentalitet tipik komunist. Komunizmin e deklarojmë kolerë, e anatemojmë por ca gjëra të tij na volisim në erën e antikomunizmës.Sikurse i mirëkuptoj të gjitha arsyetimet mbi ndarjen me të kaluarën duke zbuluar krimet e saj, duke aktivizuar kujtesën dhe duke i dhënë secilit aq sa meriton. Dekomunistizimi dhe lustracioni gjysmak dhe, për më tepër, i instrumentalizuar për nevojat e politikës së ditës, ka sjellë gjithë ketë pështjellim. Sot fjala ka humbur peshën e saj përmes shpërdorimit të llahtarshëm që i bëhen termave dhe koncepteve. Duke i thënë kujtdo “kriminel”, kriminilët e vërtetë amnistohen. Duke i thën kujtdo “i korruptuar”, të korruptuait e vërtetë sot japin leksione për ndershmërinë dhe antikorrupsionin!
      Dritëro si njeri i Fjalës , e ka shprehur edhe këtë shqetsim:

      Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
      kujdes me Fjalën dhe ti zotri !

      1. Po Arb Elo vetë ku i ka argumentat estetikë? – shkruan Pika S.

        Së pari, shkrimi është i Ardianit e jo i imi. Unë u kuturisa të komentoj, kur lexova në shkrimin e Vehbiut, citoj me shkëputje: “Vargjet e mira të Agollit nuk janë ato që të bëjnë për të qeshur… por ato që përcjellin ndjeshmëri të hollë, filozofi dhe urtësi Zen.”, pa çka se kjo nuk ishte me tamam tema e shkrimit të tij.

        Në shembullin ultra-ateist që solla unë, vetëm për ndjeshmëri të hollë dhe urtësi Zen nuk mund të bëhet fjalë, por sidoqoftë, nuk ka se si të jetë qëllimi i një komenti gjetja e argumentave estetikë në shembullin kinse të mirë që solli Ardiani për Agollin, kur komentuesi mendon se estetikë mund të gjendet vetëm aty ku kjo qenkësh, e bukura pra, e jo aty ku nuk është.

        Në këtë kuptim, mund të nisesh e të sjellësh argumenta estetikë për diçka që të pëlqen e jo për diçka që nuk të pëlqen, ndonëse kritikëve letrarë u duhet nganjëherë të bëjnë edhe këtë punën e dytë, gjë që nuk e bën zanatin e tyre aspak të këndshëm.

        Po shihja para ca ditësh Diana Çulin në një si intervistë nekrologjike për Agollin, ku kjo e shpalli, ja mu kështu siç e bën edhe ti më sipër, lehtë-lehtë e me kthesa e aty pak spec, matanë pak piper, e shpalli pra Dritëroin humanist – po e shënoj edhe një herë me të madhe: HUMANIST.

        Çuli vetë është ajo që u shkroi recensionin atyre dy djemve që u pushkatuan për poezi (jo mjaft të arrira mbase, të pafajshme ndoshta, porse edhe të rinj ishin e nuk u mbet kohë të rreshkeshin baltrave të Devollit.)

        Të njëjtën gjë bëjnë edhe ca komentues këtu, por edhe autori i shkrimit në fjalitë e shkëputura që citova, ndonëse nuk synoj këtu të vë kënd me shpatulla për muri e ta pushkatoj, pasi këtë po dua edhe të vë në pah, të kritikoj.

        Edhe vargjet “Kujdes me fjalën ti zotëri…etj) mua nuk më thonë asgjë, kur vijnë nga dikush që pikërisht fjalën e vringëlloi si topuz, si ç’vëren me shumë të drejtë Lyss ca më poshtë.

        E për mendimin tim, bashkë me Dritëroin njeri kemi varrosur edhe Agollin poet, parë që të jetë aq i çartur në të ardhmen që të nxjerrë nga sepetet e të lexojë për nënën Shqipëri… me vajzat (prostituta) dhe djemtë (tutorë, deputetë, vrasës me pagesë, rritës të përkushtuar hashashi dhe konsumues kokaine), të jetë aq skiç sa të niset e të lexojë poema të tilla kush, është paksa e pamundur, por jo e përjashtueshme fare si mundësi për analphobetët tanë, parë që ka akoma tipa që lexojnë vërtet “Këneta” e Fatmir Gjatës dhe gjer edhe frymëzohen nga ajo.

        1. Nuk jemi të detyruar të mendojmë njëlloj. Por jemi të detyruar të mbështesim me argumente deklaratat që bëjmë.
          Edhe kur pohon diçka, edhe kur mohon, duhen argumente. Të mohosh nuk majfton të thuash Jo-(Engels) (apo Engelsi është burr i keq dhe, si i tillë, njollos edhe sentencën e bërë prej tij ?) Kur ti thua se ” për Agollin arsyetohet se, meqë qënkësh i njohur, duhet të ketë shkruar ndonjë gjë të mirë”, tërthorazi aludon se, në krijimtarinë e Agollit, nuk ka asnjë vlerë letrare sipas kritereve estetike.Këtë e artikulon më radikalisht kur thua “se me varrosjen e njeriut , kemi varrosur dhe poetin “! Tjetri ja pret “krijimtaria e Agollit është e mbushur me banalitete dhe bejte”!!
          Kur bëhen vlerësime të tilla, i zoti fjalës ka barrën e provës.
          A është Agolli humanist në veprën e tij letrare? Për mua është kur shfaq ndjeshmërinë për një qen që shtypet nga makina në rrugë, për një zog apo pulëbardhe krahëthyer. Është tjetër punë se sot një takimi , yshtur, me gjasa, nga kulti mbinjeriut apo të fortit të lagjes, nga kozmopolitizmi apo nihilizmi,nuk i pëlqen as kulti Atdheut, as kulti të parëve, as kulti për Tokën, as dhembshuria për më të dobtin.
          Balta dhe toka është diçka mediokre për këta, edhe pse , në momente e tyre të shënjtërisë, na predikojnë se Adami nga balta u krijua.Këta janë të epërm, rrahin të zbulojnë misteret e Qiellit.Po edhe zogjtë të qiellit janë por ushqimin në Tokë e gjejnë.. Vallaj unë se kuptoj argumentin se “Nëna Shqipëri” është e dënuar të mos lexohet sot e nesër, sepse prej asaj Nëne (lexo-Atdheut të djeshëm ,) lindën prostitutat dhe trafikantët e sotëm.Ky është arsyetim shumë skiç. Mund të mos ketë vlerë nëse është kthyer në një Kënetë ideologjike por jo nga faktorë jashtëtekstualë.

          1. Engelsin kot e zure në gojë, se vetëm me të që nuk kisha gjë. Më fute edhe pa e nënkuptuar unë vetë asgjëkundi në ca ugarë fetarie pa lidhje: ku e sheh këtë ti në atë që kam shkruar më sipër? Ku e gjen mungesën e atdhetarisë në atë që shkrova?
            Dhe gjithë këtë pandehmë, që e shpik vetë, vete e ma mbivendos mua, për të dalë në përfundimin që qenkësh “skiç”, si pandehma, – pa çka se unë nuk kam fare të bëj me monologun tënd të brendshëm oscar-wild-ian, – ashtu edhe ai që e ka lëshuar atë, pandehmën pra, ndonëse ti dhe pandehma jeni e njëjta gjë; më vesh mua atë që, në të vërtetë, në mos ti vetë, qenkësh pasqyrimi në baltë i Narcisit tënd, nga ata që gjallojnë me nga një teke raki e kokërr qepe ugarëve tanë.

            Më vjen keq, por në nivele të tilla unë nuk para diskutoj me dëshirë; jo për arsye snobizmi, por për mungesë kohe. Bëfsh qejf me kopjen e dhuruar e të nënshkruar nga autori të “Nënë Shqipëri”-së e këtë nuk e shpreh aspak me ironi: ti në tënden e unë në timen, secilit të vetëm, kujt punën e vet e kujt frymën.

            1. Paragrafi për atdhetarinë nuk të referohet ty, por i referohet gjithë shkronjëtarëve dhe kordhëtarëve me emër e anonimë të cilët Agollin e ridikuluan si “këngëtar të tokës, të ugarëve, të njeriut të punës , si rakixhi dhe bejtexhi ” etj. etj .
              Këtu shkruajmë ndonjë koment dhe “vrasim” kohën por, në instancë të fundit, Robër të Kohës jemi të gjithë, dhe vetëm ajo, Koha pra, do të thotë Fjalën e saj për të gjithë. Edhe për Agollin, për të cilin po diskutojmë.
              Tu mirë mbeç, zotri !

          2. Personalisht nuk mendoj se krijimtaria e Agollit eshte e mbushur me banalitete e bejte. Madje e marr seriozisht kur vleresoni Nena Shqiperi e thoni se per ju “Agolli eshte humanist kur shfaq ndjeshmeri per nje qen per nje zog apo puleberdhe krahethyer”.

            Veçse po te ajo poeme, dy njerezve me te cilet ai kishte miqesi Lubonja e Paçrami, njerez te letrave (qe sot e dime se vetem sa u perpoqen ta ndryshojne ca atmosferen funerale te arteve te kohes dhe per kete atyre ju shkaterreuan familjet dhe u moren vitet me te mira te jetes), ai po ne te njejten poeme u thote: “..po deshet buke shkoni e hapni kanale ne Puke…”

            A mund te nisem une nga kjo qe t’i heq cilesorin humanist qe i dhate ju ? Jo, nuk besoj, se ju jeni i sakte kur thoni se nuk jemi te detyruar te mendojme njelloj,

            Nuk do t’ia merrja per te keq po ta kishte shkruar ate varg nen tortura, po si ta shpjegoj qe ai nxjerr nga goja te tilla monstruozitete vetem per t’i lepire prapanicen Hoxhes qe sapo kishte urdheruar arrestimin dhe burgosjen e tyre?

            Megjithate, nuk i heq asgje cilesorit tuaj “humanist”. Por kjo nuk me heq mua te drejten ta quaj imoral, pra ne rastin me te mire kemi nje: humanist pa moral.

            Me kete ndjeshmerine fantastike per “pulebardhen krahethyer” me kujtuat nje mjek nazist te nje kampi shfarosjeje, Mengele me dukej se quhej, qe pasi i çante pa anestezi kofshen nje vajze çifute (kam degjuar intervisten e saj) dhe i fuste aty bakterie per te pare reagimin e trupit, shkonte ne dhomen ngjitur dhe luante ne piano, me shume delikatese, “Enderrimet” ca variacione ne piano te Debusise a te Shumanit, nuk e kujtoj saktesisht.

            1. Jam i prirur t’ju mirëkuptoj, dhe e them seriozisht, të vë në dyshim bindjet e mija rreth asaj që po diskutojmë: raporti njeriut me vepren letrare ose e thënë ndryshe, a duhet ta gjykojmë krijimtarinë e dikujt përmes moralit të tij në jetën e përditshme, në të gjitha relacionet dhe funksionet e tij si peson publik, familjar, pjestar komuniteti etj. Ky është debat i gjërë. Jam i prirur të mirëkuptoj dhe ndjeshmëritë e njerzve dhe gjykimet e tyre, për shka të dëmeve që kanë ndjerë në familje ose në lëkurë në sistemin totalitar komunist. Askush nuk del dot plotësisht nga fllucka e vet kur flet e gjykon.

              Agollin “komunist” në krijimtari, po e gjykojmë me termat e biografisë dhe politizimit, por kësaj here nga pozicione antikomuniste. Ky është paradoksi! Po e gjykojmë për atë që ka bërë ( si përçues i vijës së partisë dhe përçmues i “armiqve të klasës”) dhe atë që nuk ka bërë (që ka heshtur kur shkrimtarët pushkatoheshin, burgoseshin, internoheshin.). Para pyetet, post mortum: Ku ishe ti, Adam? ose nënkuptohet: përse nuk i vure flakën vetes, përse nuk u bëre therror, kur të tjerët vriteshin, por shijove karierën, privilegjet etj.?
              Problemi pra është tek qasja biografike për të dhënë verdiktin e krijimtarisë poetike, edhe të asaj krijimtarie të tij pas viteve 90-të, ku ka një lloj reflektimi, zhgënjimi dhe fryma humaniste është më e pranishme. Nuk e besoj-themi. “Njolla” në biografi njollos të gjithë krijimtarinë.

              Pra përveç biografizimit, personit i mohoet edhe e drejta e reflektimit, e ndryshimit dhe braktisjes së këndvështrimeve të mëparshme. Pra njeriun e ndjek pas mëkati parë! Nuk është i besueshëm, thoni!
              Po ka një qasje tjetër, atë që ka pëprqafuar shkenca jonë letrare, strukturizmi dhe poststrukturizmi. Nuk ka asgje jashtë tekstit . Cfarë është e ndotur me propagandë dhe partishmëri, do të hidhet në plehra. Cfarë është mirëfilli letrare, mbetet. Një tekst i aksh autori të huaj për jetën e të cilit nuk di asgje-ka qënë dhunues i gruas apo drogman, gënjeshtar apo mizantrop, ka rënë në burk si shkelës ligji-e lexoj pa syza biografike, o më pëlqen, o nuk më pëlqen teksti. Jeta e autorit as më thotë ndonjë gjë.
              Kur gjykojmë dikë, nuk duhet të jemi selektivë. Sillni si shembull të militantizmit të Agollit rastin me Kadarenë. Po përse nuk sillni dhe letrën e Kadaresë drejtuar gazetës Le Monde, ku mbronte E.Hoxhën dhe veprën e tij? Kush e shtërngoi ta shkruante?
              Shkurt, sipas radakes time, Agolli, mbart të gjitha dritëhijet e epokës së tij. Krijimtari e tij ka brënda dhe miloitantizëm, ka edhe humanizëm. Askush nuk detyron askënd të lexojë propagandë. Dhe askush nuk detyron askënd ta dojë e vlerësojë një shkrimtarë. Shyqyr që jemi në botën e zgjedhjeve.

            2. Thua: Kur gjykojmë dikë, nuk duhet të jemi selektivë. Sillni si shembull të militantizmit të Agollit rastin me Kadarenë. Po përse nuk sillni dhe letrën e Kadaresë drejtuar gazetës Le Monde, ku mbronte E.Hoxhën dhe veprën e tij? Kush e shtërngoi ta shkruante?

              Edhe pse vleresoj sinqeritetin e dialogunt me ju, jam i shtrenguar te them se nuk me ke kuptuar. As nuk kam tager as nuk i lejoj vetes te gjykoj bindjet politike te Agollit apo Kadarese. Eshte e kote. Ka njezet vjet qe jam bindur per kete.
              Ne nderhyrjet e mia i jam permbajtur linjes se moralit te thjeshte e te njohur njerzor. Asaj nese ben mire a keq njerezisht, jo politikisht. Ne rastin me te keq sa e ve politiken ne funksion te meskinitetit a ligesise tende.
              Pra, ne rastin a Agollit kemi nje akuze te rende, nje aktakuze qe Kadarese, edhe pse e mendoi, realisht nuk guxoi t’ia bente as regjimi ne fuqi, por ne nje rrethane te caktuar, fjalimi i Agollit i kishte te gjitha atributet per ta hedhur tjetrin ne hapshane, madje u fol per nje gje te tille. Kadareja i kishte dale para se keqes me investimin qe kishte bere per figuren e diktatorit.

              Ne rastin e Kadarese me gazeten Le monde, ai vetem se tregon edhe nje here ambiguitetin e tij proverbial, por nuk me del qe me nje akt te tille te rrezikonte te fuste ne burg ndokend.

              Te pakten jo kryeredaktorin e Le monde.

            3. Pak e sikletshme ndërhyrja ime pëprsëri, sepse druaj se po duket si dëshirë për ta thënë unë fjalën e fundit, por po e kapërdijmë sëkëlldinë.
              Unë e kam kuptuar fare mirë cfarë keni shkruar. Është e vërtetë ajo që thoni se këllëçin apo shpatën e luftës së klasave e mbante në dorë njeriu politik, por varej se si e vërtiste e si e kë godiste ose jo.Dhe këtu hynte në lojë ana njerzore, në ishe i vetpërmbajtur, zëmërgjërë, brënda një marzhi, apo dogmatik dhe në emër të ideologjisë, i haje kokën tjetrit edhe për smira personale. Sa drama të tilla janë luajtur në atë kohë duke folur në emër të vijës së partisë!
              Të tjerë sjellin dëshmi të kundërta, ku rrëfejnë një Dritëro zemërgjerë, që ndihmoi, sa mundi, njerëz me probleme biografike.
              Nga dëshmia juaj del se e keni jetuar atë kohë si i rritur, dhe kësisoj, duhet ta dini se në atë botë, ikje për lesh jo vetëm kur shkelje vijën por edhe “për mungesë vigjëlence”! Dhe parë kështu e në kontekstin e kohës, në rastin e sulmit kundër Kadaresë,Agolli me shqisën politike ka reaguar duke bërë orthodoksin. Kohë të vështira ato. Ikje për lesh .Kushdo ishte i dyshuar.
              Ju thoni se kush e shtërngonte Agollin të shkruante ato monstruozitete kundër Paçramit e Lubonjës, pasi ranë në burg?
              O mik, a e ke jetuar atë kohë? Ti mendon se Kretari i LASH mund të mos prononcohej dhe kjo heshtje apo oportunizmi, nga ata lart do të shikohej njëlloj si mosprononcimi i një karrocieri në ndërrmarjen e grumbullimit të qumshtit?
              Unë po mundohem ta shikoj në kontekstin e kohës por jo ta llagareps nga çfarë mund të ketë bërë keq e në dëm të të tjerëve, me zellin militant.
              Si ai që shkruajti monstruozitete (pa vetpërmbajtje) për denoncimin e “armiqve”, edhe ai që shkruajti ditirambe (pas vdekjes për Enverin në Le Monde) janë dyja anë të medaljes së partishmërisë. Të dyja janë bythlëpirje për Enverin dhe vijën e tij. Po flasim për karakterin, për moralin njerzor dhe zellin e tepruar këtu. Shkrimi Kadaresë vërtet nuk rrezikonte kërkënd por edhe kur Agolli sokëllinte, dëmi ishte bërë. Nuk ka denoncuar ai Todin dhe Fadilin.E kam lexuar Nën peshën e dhunës dhe nuk më rezulton që Lubonja( i vjetri) të ketë drejtuar gishtin nga Agolli.
              Leri ambiguitetet, për hir të Zotit! Se ka plot shkrime publicistike IK dingas me retorikë e partishmëri komuniste. Por s po e gjykojmë për ato. Ambiguitetin e ka tek krijimtaria, aty po dhe kjo është vlera e tij.
              Nejse, se shumë llafosëm. Të vdekurit nuk po na lënë rehat e që përtej varrit trazojnë jetën.

    2. Ishte funksionar dhe poet qe mbeti ne anen e fitimtareve ne jete dhe ne veper. Me ndergjegje te qete madje dhe edhe para vdekjes e ka cilesuar se me fitimtare ai quante edhe triumfin e nje morali me te mire.

      Sa per vendin ne letersi, natyrisht qe do ta kete nder kryesoret. Nuk ka pse te zmadhojme vlerat e letersise shqipe.

  4. Pika S.: Për krimet e diktaturës NUK janë të gjithë përgjegjës dhe këtë unë nuk e shkrova asgjëkundi. Atë që thua ti se e them unë e ka thënë Berisha, por unë nuk jam Berisha.

    Janë përgjegjës ata që janë përgjegjës. Më të shumtën e famës si poet Agolli ia detyron vjershave si atyre që postova unë këtu në komentin e parë, – pa çka se më të shumtët mungojnë gjithnjë të sjellin argumenta estetikë, por mjaftohen me të marrët të dhënë se aty ku ka tym duhet të këtë dhe zjarr, pra, me rregullin e tre policëve: meqë Agolli qenkësh i njohur, duhet të ketë shkruar dhe ndonjë gjë të mirë, se përndryshe nuk do të ishte aq i njohur.

    Mungon edhe Ardiani të na tregojë se pse vargjet e Agollit që ka sjellë si shembull të mirë Zen-i, qenkan vargje të mira. Thjesht ky qenka Zen-i dhe kaq. Se çka pijaneci ynë devollit me mjeshtrat e Chan-it, këtë një dreq e di, por ndoshta edhe Maks Veloja, si ç’rrëfn në kujtimet e tij mbi dënimet.

    Dhe jo, jo, Ardian: nuk është Agolli ynë nga sëra e Pound-ve. Mos harro se Pound-i e vuajti më shumë se ç’meritonte gabimin e vet. Këtyre tanëve nuk po u hyn asnjë gjemb në këmbë; përkundrazi, gjembaçët vazhdojmë akoma të mbetemi ne, të parehatshmit.

    Ndërsa për Heidegger-in që sjell për shembull gjithashtu, pa hidhu një sy revistave europiane, kur dolën, nuk ka dy-tre vjet, të ashtuquajturat famëkeqe “Fletore të kafenjta”.

    D’Annunzio-s nuk di njeri t’ia ketë falur të kaluarën e tij fashiste; po kështu edhe me Celine-in. Pa eja njëherë këtej nga ne dhe provo të shpallësh publikisht se Leni paskësh qenë artiste e mirë, pa çka se naziste.

    Kaq shumë nga dritarja zgjaten njerëzit vetëm në Shqipëri, kur bie fjala për të kaluarën dhe arsyeja pse e bëjnë është e thjeshtë: se nuk ka ende ligje – për të mos folur prapë për hapjen e dosjeve – se komunizmi dhe e kaluara nuk dënohen ende nga ligji, por edhe nga opinioni. Përkundrazi: është kryeministri vetë që prin xhenazetë e ish-xhelatëve, që e paçim.

  5. Po ç’të thuash. Ngadalë po bëhën 30-të vjetë që nga rënia e komunizmit dhe shqiptarët e identifikohjnë Poetin me P-të-madhe ende me emrin e Agollit (edhe këtu tek PF).

    Dakort, nuk duhet të ketë vlerësim politik për artin. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë vlerësim historik.

    Bejtet dhe banaliteti i Agollit e kanë mbytur artin e vërtet atëhërë, dhe e mbysin edhe sot, kur ende vazhdojmë të flasim për të sikur të ishte poeti i fundit, dhe jo bejtexhiu i fundit.

  6. K. Th. Spiri? Kiço Spiri? ai plaku matuf nga koncka e zagories? e dija qe kiço ngjela i kishte mbledhe bejtet e rij por nuk e dija qe kishte bere kaq nam

  7. Ka nje sjellje qe na e diktojne rrethanat dhe ideologjite, te themi dhe ka nje tjeter qe na e dikton zoti, te themi perseri.
    Ne kete veshtrim, jam i prirur te fal edhe vete frymezimet “ideologjike”.
    Eshte tjeter gje ajo qe kaperdij me veshtiresi, devijimin moral (nderkohe qe nuk me shqetson fare ateizmi i gjithkujt, as i poezise se mesiperme qe solli Alb), egersine ndaj njerezve ne veshtiresi, qe edhe pa u vene ai nje shqelm ne kurriz, jane ne zgrip te ekzistences.
    Ka qe dine shume dhe eshte e vertete qe ai ka hedhur firmen per t’i nxjerre te drejten e studimit ndokujt me biografi te keqe, por mua me ka mbetur ne mend egersia me te cilen iu versul Kutelit ne gazeta e pleniume, preteteksi ishin do perkthime nga rusishtja, por duket qarte se e urren, e perbuz dhe nuk do ta shohe gjekundi emrin e tij te shfaqet ne botime.
    Shume vete kujtojne inatin e tij te paperligjur per te mos ndihmuar Lasgushin ne veshtiresi te medha, ndersa une e perligj duke besuar se e kuptonte se Lasgushi nuk ishte i kampit te tij politik, akoma me tej, i perligj edhe te gjitha llogot e tij politike, por me ka mbetur ne mendje se ai ishte i vetmi qe per dhjete vjetorin e famekeqit Plenium i katert beri nje artikull sa nje çarçaf per ta ngritur ne qiell si pleniumi qe shpetoi e çoi perpara kulturen dhe artet shqiptare, nderkohe qe te gjithe e dinin se ai plenimun me goditjet e tmerreshme qe dha , me denimet bugosjet e artisteve e kishte varrosur artin shqiptar edhe per shekullin e ardhshem.

    D. nuk ishte budalla, ai e ndjente se te qenit e tij ne pushtet ishte fort i lidhur jo thjesht me me nje ngjyre politike, me komunizmin, por me nje gjendje te thelle terrori, qe nuk e ushtruan as otomanet.

    I fal dhe i kuptoj poezite e tij politike, por nuk i fal fjalimin e tij prej Gebelsi ne nje Plenium te Lidhjes (ku isha edhe vete i pranishem), kur ai me gishtin lart pyeti Kadarene: Kur dihet se ne Perandorine Osmane nuk ka ekzistuar nje institucion i tille qe merrej me enderrat e njerezve, ti per kë e ke fjalen ne librin Nepunesi i pallaltit te endrrave?

    Nje akuze e hapur, e pameshireshme, e drejteperdrejte qe buronte nga nje urrejtje e thelle fshatareske dhe hapte te gjitha dyert e burgjeve. Dhe kjo ne prani te disa antarve te Byrose Politike dhe te femijve te E. Hoxhes.

    Me kujtohet se pas nje imoraliteti te atyre permasave (edhe macet e Tiranes e kishin kuptuar nje gje te tille, por vetem ai e shprehu me ze, thua se çfare kishte zbuluar), u fol se Kadareja do te arrestohej sapo te dilte te dera.

    Kam ende ne lekure ndijesine e nje atmosfere rrëqethese qe krijoi fjalimi i tij dhe nuk dua ta zgjas me ne kete linje, se nuk eshte rasti…

    Dy shkrimet e fundit te Ardianit kishin per qellim te na ftonin te shihnim ne nje kend tjeter nje personalitet te modes qe po iken, e kuptoj, por eshte fort e veshtire sot te percaktohet se cilat jane parametrat me te mire per te gjykuar dike. Nuk shtrohet problemi te mos pranosh postin, te mos priresh nga privilegjet, puna eshte t’i largohesh tundimit per te bere keq me vetedije, se pastaj gjithnje do te gjendet ndokush qe do te tregoje se çfare ke bere, tha.

    1. Lyss, të dhashë të drejtë më sipër dhe klshtu e mendoj dhe unë. Por le të kthehem paksa te vargjet që postova në komentin e parë këtu, jo për arsye fetare dhe as ateizmi a agnosticizmi, porse për të shtjelluar ca vulgaritetin dhe pikërisht mungesën e ndjeshmërisë, kur vinte puna për ta dërguar kolegun, tjetrin, të talentuarin, të stërholluarin vërtet, baltërave, jo atyre të Devollit, por atyre të Maliqit (shumëkujt i ndërmendet Kuteli këtu dhe ajo historia e llahtarshme e groposjes për së gjalli të tij).

      Një lexuesi qoftë edhe mesatar, i lind pyetja: “Ore, nëse nuk paska Zot e Perëndi, ky njeri, uni lirik qenkësh i marrë, pasi po monologon me veten, me erën, po i kanoset asaj! Në pastë Perëndi e Zot, ky është edhe më i marrë, se cili do të kishte tagrin të matej me të plotfuqishmin! Kush qenkësh ky i marrë që po matet me Krishtin dhe Muhametin, ndikuesit e sa e sa librave e kulturave për mijëvjeçarë me radhë, pa hedhur në letër asnjë gërmë të vetën, pa çka se për papën nuk po i bëeht vonë sot shumëkujt. Por qenkësh Papa Gjon Pali, me të cilin e ka inatin, përkrahësin pa kompromis të Solidarnos, dmth. uni lirik qenkësh tip Ali Akça-i, allçak me një fjalë, nga ata që nuk u bën syri dritë. Aha, qenkësh Dritëroi ynë, po ç’e kujton veten ky? Bëri një të mesme në Gjirokastër, shkollimin në Tiranë e në Moskë, shkruan te Zëri i Popullit, i qesh nuri kur i jep dorën Enver Hoxha, nga ata që kanë përmbytur tekstet shkollore me gjepurat e tyre asokohe e gazetat në një kohë të dytë, kur deti ishte bërë sidoqoftë në mos kos, këllirë po se po ”

      Ndërsa në vargjet “e mira” që pru Ardiani gjendet i njëjti un lirik, por tanimë paksa i penduar, që merr përsipër edhe mëkatet e qenve të tërbuar, që qenkësh ky vetë – të paktën ka një farë reflektimi, po pse jo në intervista?, merr përsipër mëkatet e kurvave, kryqin që ia shkuli Jezuit nga krahët ca vite më parë – gjë që të kujton “Peshën e kryqit” të atij që kryqëzoi në Plenumin që përmend ti – e tani që e ka hedhur hapin e parë dhe e di se si funksionon loja, me paksa autoironi që kinse majmun jam edhe vetë në xhunglën me majmunë (Nuk jam majmun z.Agolli, majmun je ti! – të vjen t’i thuash), kalon paksa nga Niçja, që e merr për kut kur bëhet fjalë për kultin e individit (kupto: Enverit), me të cilin identifikohet gjithashtu, duke bërë lapsusin frojdian që bënë edhe nazistët me Niçen – mirëpo unë, lexuesi, nuk i besoj më këtij autori, këtij poeti, që sot i pall Zotit e në një kohë të dytë vetes, që më pall mua në fund të fundit.

      Nuk kam gjë me të, por, me sa duket qartë, paskësh ai me mua, parë që më përndjek qysh në fëmijëri, sa nga faqet e të përditshmeve, sa nga ekrani, sa nga libraritë, për të mos m’u shqitur në një kohë të dytë, sa përkrah Nanos e Metës e së fundi Ramës, edhe nëse unë vetë nuk e dua më këtë. Sepse ai nuk është vetëm: shpura e tij është e gjerë e vetëm një forcë madhore u bën punë këtyre tipave, që nuk janë në gjendje të formulojnë thjesht e shkoqur të pashmangshmen “Më fal! Të gjithë gabojnë, pse jo ne njëherë?”

      Vetëm atëherë, por ja që nuk ndodh në të gjallë kjo, një lexues si unë (se nuk ka kuptim të flasësh për lexuesin në përgjithësi, meqë secili është ndryshe) do të ishte ndoshta gati të shfletonte lirikë të këtyre gjysmë-xhelatëve, nisur nga parësia se më së pari duam lirinë nga tjetri e prej tij e këtë e duam mbi dashurinë (për tjetrin) e mbi poezinë ( e tjetrit për tjetrin).

  8. Per mua eshte e qarte dhe shtoj se me pelqejne referencime te tilla: … Nuk kam gje me te, por me sa duket qarte, paskesh ai me mua, (pare) qe me perndjek qysh nga feminija, sa ne faqet e te perditeshmve, sa nga ekrani…” Bukur shume!

    Nderkohe me lejo nje saktesim. Per rastin e Kutelit, groposja e turpeshme e tij i perket nje faze te pare, eshte gjesendi qe ka ndodhur menjehere pas atij qe duhej te ishte çlirim, dhe personi per te cilin po flasim, nuk ka dore, se ishte i ri.
    Une ne nderhyrjen time flas per nje ngjarje konkrete te fillimit te viteve ’70 kur ai iu qep personalisht Kutelit (eshte ne gazeta kjo histori, se aty e kam lexuar), qe ishte ne veshtiresi te tmerreshme, ecte rreze mureve, shihej me dyshim, ishte i semure, nuk lejohej te botonte dhe mezi siguronte ndonje perkthim per te shtuar pak yndyre mbi lakra, siç thuhet. Ai deshi t’ia hiqte edhe ate.
    Solidaritet artistesh!

    1. Po, po, e kisha të qartë edhe vetë se groposja e Kutelit nuk mund t’i faturohet Agollit, po e përdora si metaforë, ndonëse raste të ngjashme gjenden po ashtu me bollëk edhe me Agollin vetë, jo aq makabre ndoshta, por në kufijtë e këtij, makabritetit pra.

    2. Nga nje lexim i shpejte ne wikipedia me rezulton se Mitrush Kuteli eshte larguar nga kjo jete ne vitin 1967 ne moshen 60 vjec. Nderkohe Driteroi u be kryetar i Lidhjes se Shkrimtereve dhe Artisteve ne vitin 1973, pra rreth 6 vjet me vone. Ne vitet 60-te ai punonte redaktor dhe gazetar tek “zeri i popullit”.

      1. Si ç’shkrova më sipër: ishte metaforë ajo me Kutelin. Por ndoshta mund të gugllonit emrat: Genc Leka, Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika, Havzi Nela e ca të tjerë. E sigurt që ju përputhen datat pastaj.

  9. Kam pershtypjen se ne komentet e mesiperme Driteroi dhe krijimtaria e tij artistike u kane sherbyer komentuesve si pretekst per te shprehur pozicionin e tyre ndaj regjimit komunist.

    A ishte poet i mire Driteroi? Doemos qe ishte nje poet i mire i realizmit socialist. Prandaj edhe regjimi e mbajti afer, sepse kishte nevoje per poete te mire qe ta vinin talentin e tyre ne sherbim te propagandes. Driteroi e kreu me se miri kete detyre qe i ngarkoi partia.

    Driteroi humanist? Ato vargjet qe u sollen ketu kur ngasherehej poetikisht para nje zogu krahethyer e nxjerrin Driteroin si animalist dhe jo si humanist. Se pastaj ka edhe shume vargje te tjera ku poeti i thur lavde krimit, si p.sh. kur mburret para trupit te vrare te nje shkelesi kufiri, duke u habitur se sa shume gjak paskesh pasur ne trup, per te pyetur pastaj paturpesisht: a mos nuk duhej ta vrisja?

    Edhe Hitleri i donte shume kafshet dhe madje ishte vegjetarian. Me nismen e Goeringut Gjermania naziste u be i pari vend ne bote ku u ndaluan me ligj eksperimentet ne trupin e gjalle te kafsheve (viviseksionimi), per te lejuar pastaj eksperimentet ne trupin e gjalle te hebrenjve.

    Sa per shembujt qe u sollen me lart me disa poete e shkrimtare fashiste e naziste, duhet mbajtur parasysh se, fjala vjen, D’Annunzio, Ungaretti, Pirandello, Malaparte, Dario Fo etj. vertet ishin simpatizante te fashizmit, por ata nuk e vune krijimtarine letrare ne sherbim te fashizmit. Madje dy te fundit, Malaparte dhe Fo e kthyen pllaken dhe u bene komuniste, por prape nuk e shnderruan letersine ne mjet propagande politike. Sikurse e thoshte diku Mark Marku, Koliqi vertet e vuri veprimtarine e tij politike ne sherbim te fashizmit, por jo letersine.

    Ketu qendron dallimi me Driteroin tone.

  10. Edhe diçka: Driteroi nuk ishte me komunist se, te themi, Sejfulla Maleshova, Skender Luarasi a Petro Marko te cilet, ndryshe nga Driteroi, idealizmin dhe besnikerine ndaj bindjeve ideologjike e paguan shtrenjte. Por keta nuk e vune letersine ne sherbim te regjimit sikurse beri Driteroi. Me te drejte thuhet se kur gjykohen figura te tilla, duhen ndare zgjedhjet politike nga krijimtaria letrare, por kjo vlen kur vete autoret e kane bere nje ndarje te tille brenda vetes. Kur autoret me vepren e tyre zgjedhin te behen megafone te politikes, neve sot nuk kemi se ç’ndajme.

  11. Nga gjithe keto romane-komente qe renditen ketu, vetem nje fakt diskretitues dallova per Driteroin, (qe e sjell Lyss), ate ne nje plenium, ku Driteroi e pyet Kadarene per pallatin e endrrave, gje qe mund ta rrezikonte poziten e Kadarese. Ky fakt mund te verifikohet kollaj, perderisa Kadare jeton dhe nje gazetar mund t’ia nxirrte klecken! Te tjerat, se nuk paska ndihmuar Lasgushin, kur dihet se Lasgushi ishte i larguar vete dhe as qe kerkonte ndihme (te pakten publicistike) nga shteti, apo se i qenka kundervene Kutelit, gje qe duket pak e dyshimte, pasi Kuteli nuk njihet si krijues i mirfillte letrar, por si mbledhes folklori, (e ndoshta edhe perkthyes), apo debate partishmerie qe aty pas 1973-it ishin te nxitura edhe nga aparet partiake dhe shteterore, e ku edhe Driteroi ka derdellitur nga partishmeria e dites, apo se Driteroi na paska shpallur ateizmin e tij, gje qe eshte e drejta e tij, etj., te gjitha keto nuk e nxijne Driteroin, aq me pak ne ate mase me Gebelsin, sic aludohet me lart. Duke lexuar poezite dhe vjershat e tij, dallon nje shpirt i ndjeshem. Natyrisht nuk ishte Driteroi engjell, natyrisht ishte ne nje fare mase karrierist, sic edhe Kadareja, por te dy e kane zbutur ate diktature me shkrimet e tyre. Po ti ndanim njerezit dhe fenomenet ne bardh e zi, me disa fakte te tjera do i nxjerrim Agollin dhe Kadarene si heronjte e asaj kohe! Sterhollimet dhe stergjatjet duhet te na bejne ta shohim kohen e shkuar me te gjitha ngjyrat e saj. Keshtu duke e pare me ngjyra edhe Lasgushin, qe ishte tjeter, por qe nuk mund te krahasohet me ata qe u zune direkt me diktaturen dhe muaren burgun apo plumbin. Ashtu sic edhe tek keta te fundit disa i zuri lapsi e disa ishin vertete intelektuale. Me duket mjaft hileqare sot, te kerkosh pse Driteroi apo Ismaili nuk dualen hapur kundra sistemit “socialist” dhe Enver Hoxhes! Me duket si pretekst per karriera te sotme!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin