Ceremonia e përmortshme në traditën shqiptare sillet rreth shtëpisë. Para varrimit shtëpia shërben si hapësirë ku i ndjeri qahet dhe ku familjarët ngushëllohen nga të afërmit e të njohurit e ndryshëm. Ndërsa pas ceremonisë së përmortshme, familjarët e “hapin shtëpinë” për të pritur vizitat e ngushëllimit nga kushërinjtë, fqinjët e të tjerë.
Ndarja në dy dhoma (e grave dhe e burrave) gjatë kohës që i ndjeri gjendet ende në shtëpi, zakonisht zhduket pas varrimit. Pritja bëhet për të gjithë në të njëjtën hapësirë, atje ku familjarët presin ngushëllime.
Sipas studiuesve, ceremonia e përmortshme dhe traditat në rast vdekjeje përbëjnë fakte me karakter social. Sipas antropologut Robert Hertz, vdekja është ngjarje që shkakton krizë në grupin shoqëror (familje, fis, klan, etj.). Vdekja krijon gjithashtu një zbrazëti sociale në grupin e prekur nga humbja. Si rrjedhim, vdekja kërcënon kohezionin social. Për të përballuar goditjen, strukturat sociale kanë krijuar ritualet e veta të kodifikuara[1].
Në Shqipëri personat që shkojnë për ngushëllim tek familja pas funeralit japin edhe ndihmë materiale. Sipas ritualit, pasi pinë kafenë dhe bëjnë ngushëllimet e rastit, tek pjata e filxhanit të kafesë lënë një shumë të caktuar lekësh[2].
Në dritën e interpretimeve të studiuesve, kjo shprehje solidariteti mund të shihet si tentativë për riorganizimin e indit familjar e social, përderisa humbja nuk mund të llogaritet vetëm në planin afektiv, por edhe atë ekonomik.
Ndihma mund të konsiderohet në planin e ngushtë, pra si ndihmë kontekstuale, meqë familja nuk ka kohë të përgatisë ushqim për vete e për të ardhurit nga larg, sikurse ndihmë ekonomike e përgjithshme, gjithsesi për periudhën akute të humbjes. Mungesa e papritur e dy krahëve për punë do të ketë qenë goditje e rëndë për ekonominë familjare në atë kohë kur familja funksiononte edhe si ndërmarrje e vogël[3].
Aktualisht, solidariteti i shprehur nëpërmjet ndihmës në parà mund të gjejë kuptim në faktorë të tjerë të epokës moderne, si p.sh. shpenzimet e mëdha për funeralin dhe për darkën në nder të të ndjerit. Por mbetet gjithashtu faktori i krahut të punës, për sa kohë rroga e një personi është ende e rëndësishme në ekonominë familjare shqiptare.
Gjatë viteve të fundit të totalitarizmit, kur kriza ekonomike ndihej edhe më shumë, ndihma jepej edhe me të mira materiale. Kështu, të afërm e miq çonin në shtëpinë e të ndjerit kafe, sheqer, etj. Me fjalë të tjera, artikuj që gjendeshin me vështirësi dhe ishin të nevojshme për pritjen e ngushëllimtarëve. Nga disa dëshmi, kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur familjes në zi i ushqime, si bukë, bulmet, etj. Këtu mund të ketë ndikuar edhe qarkullimi i reduktuar i parasë si mjet këmbimi.
Sasia e parave që jepen në rast morti ka ndryshuar me kalimin e kohës. Ajo varet edhe nga afërsia me të ndjerin, nga lidhja miqësore me familjen, por edhe nga mundësia ekonomike. Dikur, tek familja në zi, liheshin 5 lekë të reja (kryesisht në fshat), që më pas u shndërruan në 10 lekë. Sipas disa dëshmive të mbledhura, ka pasur edhe një farë ndarjeje midis grave (që jepnin më pak) dhe burrave.
Gjatë regjimit totalitar, vlera e lekut ka qenë relativisht e qëndrueshme, dhe sasia e lekëve që liheshin për ngushëllim luhatej nga 5 deri në 50 lekë të reja. Gjithnjë në vartësi të faktorëve kushtëzues, si p.sh. lidhja farefisnore dhe miqësore.
Aktualisht në zonat e varfra lihen 200 lekë të reja, por në qytet kjo shifër e ka kaluar tashmë 500 lekëshin, duke u stabilizuar tek 1000 lekë. Do të ishte interesante të studiohej se si arrihet standardizimi social i sasisë së lekëve që duhen lënë pas ceremonisë së përmortshme, sidomos në kushtet e një lëvizshmërie të skajshme të popullsisë. Mund të supozohet se kjo realizohet nga komunikimi personal midis njerëzve që shkojnë për ngushëllim, të cilët shpesh pyesin njëri tjetrin “sa duhet lënë”; por edhe nga vëzhgimi i situatës, për sa kohë akti i lënies së parave mbetet publik, madje plateal, ngaqë veprimin duhet ta shikojnë fillimisht të afërmit, e më pas të tjerët. Natyrisht, në caktimin e sasisë kanë ndikimin e vet ndjenjat dhe mundësia financiare.
Kjo traditë shqiptare me siguri nuk është e vetme, por në botën perëndimore moderne nuk ekziston më. Në kuptimin që ndihma kolektive, pra duke dhënë parà në dorë, nuk është e kodifikuar si e tillë. Kjo nuk do të thotë se familjarët, në rast nevoje, nuk e ndihmojnë ekonomikisht familjen e prekur nga zia, por që vizitat në shtëpi me lënien e parave sipas një rituali të caktuar nuk praktikohen.
Ndërsa zakoni shqiptar nuk ka ndryshuar aspak në këtë pikë, kushtet e Shqipërisë janë transformuar pothuajse rrënjësisht. Para së gjithash hendeku i madh midis të pasurve dhe të varfërve. Siç dihet, pabarazia është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Në kushtet aktuale, edhe një vëzhgim empirik do ta vinte re se ka diçka që stonon në zbatimin e ritualit. Një person i kamur (për të mos folur për ekzibicionistët dhe servilët) e ka më të lehtë të lerë dyfishin, trefishin ose dhjetëfishin e zakonshëm në familjen e të ndjerit.
Ndërkohë, një personi tjetër, me të njëjtën lidhje farefisnore ose miqësie, nuk mund t’ia mbajë xhepi një shumë të tillë. Mirëpo, dhënia në publik e një sasie të lartë parash mund t’i vërë në siklet njerëzit që vërtet e donin të ndjerin, por nuk mund t’ua lejojnë vetes të japin më shumë. Në këtë rast, situatën do ta zgjidhte një zarf i vetëm. Aty brenda mund të vendoseshin të hollat, të shkruhej emri sipër dhe të dorëzohej në çastin e kodifikuar, pra pas pirjes së kafesë. Zarfi do të ruante si privatësinë, ashtu edhe zakonin shqiptar i cili, tek e fundit, rrjedh nga një dëshirë fisnike, që ka të bëjë me ndihmën e solidaritetin ndaj familjes në nevojë.
[1] Cituar tek Carla Landuzzi, I rituali del morire nelle diversità etniche e culturali dell’ambiente urbano, në revistën “IN_BO. Ricerche e progetti per il territorio, la città e l’architettura”, titulli i numrit “Evoluzioni contemporanee nell’architettura cimiteriale”, përgatitur nga L. Bartolomei e G. Praderio, Vol. 3, n. 4, Bolonja 2012.
[2] Vitet e fundit, me siguri për shkak të migracionit dhe hapjes së ekonomisë shqiptare, pas ngushëllimit ka njerëz që e japin ndihmën e tyre në valutë.
[3] Le të kujtojmë se sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, “Ata, qi kàn deken në shpi, jashtoehn prej çdo pûne si kah katundi si kah flamuri, si edhè kah të reshunt e ujit të mullijvet. Ket tager e kàn prej kanûnit per nji javë ditë rresht. Si të mbushet java, do tu pergjegien detyrvet si kah katundi si kah Flamuri, edhè në kjofèt krye a Dera e Giomarkut” (§.1229. IX. Deken).
Zakonet me te felliqura te nje populli qe e shtyn me hipokrizi edhe kur del jashte.
E para nuk kuptoj dot se pse ne kushtet e sotme vdekja e nje personi te jete lajm publik permes shpalljes neper shtylla. Dicka qe i ngjan nje tellalli per te sjelle ne varrim “ata qe e deshen dhe e njohen”.
Se dyti kjo e parave, nje shemti me vete. Se vertet i fut ne zarf, por nga ana tjeter eshte personi qe mban shenim, sa hodhi ky e sa hodhi ai. Ketu neglizhohet komplet sentimenti i atij qe vjen, i cili mund te vije thjesht se ka dhimbje per ate qe iku. Kaq. E jo se do ta shohin sa hodhi.
Ai muhabeti i drekes se vakise eshte nje nga neverite me te medha qe mund te ekzistoje. Si duket, ngaqe kane kaluar 24 ore nga ndarja nga jeta, edhe qarja pa pushim ka konsumuar energjite, ne dreke konsumohen muhabete gazmore. Mirepo kjo e drekes lidhet mendoj une me nje Shqiperi rurale ku transporti behej me kafshe. Distancat e “lodhnin” mikun qe duhet t’i sherbehej dreka. Ca kuptimi ka dreka sot kur po pelcasim nga te ngrenet mor aman?
Pastaj vazhdojne te tretat, te shtatat, te 40-at e te 6 muajt. Pastaj viti. Nje zakon te papunesh qe vene e vine a thua aty e kane mendjen, tek ai qe iku. Te tretat e te 7-at prape lidhen me nje traditet rurale qe duhet te rregullonte prezencen e te gjitheve. Ca kuptimi ka kjo sot kur per nje ore je ne cdo vend te Shqiperise? Asnje kuptim, vec asaj qe “hajde se do hame buke bashke”.
Keto pallavrosje te nje kombi qe shtirjen e ka bazen e adn-se do merrte fund kur vdekja te mbetej ngjarje private, familjare. Dashuri e madhe ketu nga lagja dhe shoket e punes!
Nuk jam dakord me çka shkruan. Por më shumë nuk pajtohem me qasjen tënde. Vdekja dhe ritualet e saj janë shumë serioze. Por për të gjallët, për të mbijetuarit, jo për ata që kanë ndërruar jetë. Shënimet e mia me nota antropologjike shkojnë pak më tutje se përshkrimi i ritualit, i cili nuk është kot, edhe pse sot mund të na duket demodé e pa kuptim. Siç e shkruaja më lart, vdekja dhe ritualet e saj kanë karakter social. Pikërisht për këtë arsye duhen analizuar e ndonjëherë mirëkuptuar, edhe pse personalisht (këtu fus edhe veten) shumë gjëra nuk na pëlqejnë.
Megjithatë, temat e prekuara në koment janë të shumta e duhen trajtuar veças. P.sh. njoftimi për vdekjen, që nuk do ta banalizoja aspak. Përkundrazi. Aty do të gjenim një shoqëri të tërë që po ndryshon, ndërkohë që praktikat kanë mbetur të dikurshmet… Me fjalë të tjera, duhet mirëkuptim e respekt ndaj të vdekurve, të gjallëve dhe ritualeve të tyre.
Shume e vertete. Duhet respekt ndaj te vdekurve dhe Mirekuptim ndaj te gjalleve. Por kete nuk na e rregullojne keto zakone, qe ne kushtet e tanishme fyejne nje kujtim permes formalizmit te disa riteve qe nuk sherbejne per asgje pos forces se zakonit. Dhe nuk me duken keto zakone dhe aq demode, sesa pa permbajtje me.
Zakoni sjell ne shtepi e ne varrim kedo, pse behet me “apel” publik. I vdekuri, perkundrazi te sjell edhe te varri po qe se e ndjen e nuk ka nevoje per keto ceremoni. Te cilat po i lene vendin nje rutine zakonore qe nuk i pergjigjen me “karakterit social” te vdekjes qe e merr ne komunitete jo shume te medha. Pse aty ke “rendesi” per te gjithe.
Per mendimin tim vdekja ka karakter Familjar, as fisnor me. Dhe kur them qe nuk ka nevoje per shpallje publike, kete e kam mendim shume personal dhe nuk e thashe aspak per ta banalizuar. Ndaloj perhere ne shtylla dhe i shoh emrat: Pyes veten, pse e kane vene kete kur tashme te gjithe njoftohen ne rruge te tjera? Dhe mendja me shkon te emri im dikur ne nje shtylle. Kujt i duhet, pyes veten? Askujt, vec familjes.
Zakoni duhet te rregulloje nje protokoll, por edhe t’i pergjigjet disi sentimentit, ndaj edhe duhet rishikuar kjo “engledisje” me ceremonite. Qe nuk ka pse te jene nje teresi rregullash permes te cilave thjesht “behet adeti”.
Me kujtohet nje komshi imi qe vdiq para disa vjetesh. E la ne ditar: Nuk dua te me shtrojne dreke, qe te di se do vijne e do tallen duke bere ate muhabetin universal: “Mishi nuk ka zjere”.
Normalisht dreka iu shtrua dhe ndodhi mu ashtu sic e kishte folur.
Ketu nuk po flas per ate rregullin masakrues per familjaret e te ndjerit qe per gati 24 ore duhet te jene ne kembe, te presin e te percjellin. Ne Tirane kam pare qe kete gje tani e bejne ne lokalet e kateve te para dhe jo ne shtepi. Po cili zakon shqiptar e parashikon kete? Hic. Asnje. Zero. Ky nuk eshte zakon, por zanat i ri si i thone fjales, pse Zakoni na kerkon qe t’i shkojme sa per sy e faqe. Ndaj edhe kur te vijne ne dere gjithe njerezit e punes, lagjare, ish -shoke nga qyteti ku ke qene me pare. Nevoja praktike, por edhe ndryshimi ne mentalitet qe kerkon te “mos e hapesh me shtepine si dikur”, con ne keto improvizime sa per “te mos u turperuar” apo per t’i dhene vdekjes ate karakterin social qe ne fakt nuk e ka.
Thjesht: Jane zakone te nje Shqiperie qe nuk ekziston me dhe te shqiptareve qe nuk jetojne me.
Duhet t’u kthehemi këtyre çështjeve me qetësi. Që shumë zakone shqiptare nuk kanë më kuptim dhe duhen ndërruar është e qartë. Shembulli i mësipërm i zarfit tregon edhe këtë. Por jemi një shoqëri në transformim të thellë, megjithëse zakonet dhe ritualet e përmortshme janë nga më rezistueset, për arsye që kuptohen dhe që lidhen me traumën familjare. Duhet të kujtoj se ekziston edhe procesi i deritualizimit të shumë traditave. Pra gjërat ndryshojnë, sidomos në vartësi të kontekstit. Them se duhet t’i trajtojmë me kujdes, sepse ritualet e kanë kuptimin dhe funksionin e tyre. P.sh. drekat e darkat në rast zie janë rituale shumë të përhapura në botë. Dua të them se nuk jemi aq të veçantë sa kujtojmë. Pastaj, edhe ajo “mishi nuk ka zierë” nuk duhet lexuar vetëm si vlerësim gjelle…
ke lene pa permendur edhe nderhyrjen e politikes dhe medias.
Nje gazetare po me tregonte se kishte qene prezente ne nje sherr ndermjet redaktorit dhe gazetarit, sesi ky i fundit kishte shkuar per varrim dhe dreke per te marre vesh ndonje gje mbi viktimen e radhes dhe kishte hedhur 500 leke, e kerkonte rimbursimin nga redaksia qe nuk e njihte si ze shpenzimi.
Ndersa ne Shkoder (PD) apo Skrapar (LSI) shkonin deputete per te hedhur 1000 leke, e si per te ndjekur traditen dhe per te mos rene shume ne sy shkojne tre a pese vete e hedhin secili nga 1000 leke.
Ne fakt edhe mua me jane dukur shume hipokrite keto zakone. Por ja qe keto ja largojne disi mendjen robve te prekur nga dhimbja, i bejne te merren me te gjallet e jo te vdekurit.
Paragrafi i fundit më duket shumë me vend. Shpeshherë ritet mund të shërbejnë thjesht për të siguruar praninë e njerëzve. Vetë organizimi i ceremonisë së përmortshme dhe pritje-përcjelljet kërkojnë angazhim më vete, por kjo bën që familja e prekur të jetë e angazhuar mendërisht e fizikisht, pra ta largojë pak mendjen nga dhimbja. Por ka plot nga ata që duan ta përjetojnë dhimbjen në qetësi e vetmi.
Ritualet e vdekjes nder shqiptaret (pjesmarrja ne ceremonine e varrimit , ngushellimet, te shtatat, te dyzetat etj.) jane shenje e respektit per te vdekurit dhe shprehje solidariteti me te gjallet (familjaret). Ky i fundit duhet pare jo thjesht ne termat materiale por edhe ne aspektin psikologjik, si mbeshtetje dhe lehtesim I dhimbjes. Personalisht me eshte dukur kaq barbare dhe paradoksale ulja ne dreken e mortit,ngrenia e ushqimit fill pas gjames dhe funeralit.Por jeta vazhdon.I vdekuri me te vdekurit, I gjalli me te gjallet.Dreka eshte diktuar jo vetem nga prania e miqve e te afermve te larget , por edhe nga nevoja per t’I rifutur ne rrjedhen e jetes familjaret e te ndjerit.
Dikur, ne kohen e tallonit, vdekja ishte nje mundesi per te ngrene mish!
Nje ritual te cilin Devole nuk e ka permendur, eshte nata e pergjimit te te vdekurit.Oh c’ tmerr! Njerzit rrine gjithe naten pa gjume dhe dhome e burrave kthehet ne parlament! Politike,debate, te qeshura.Dhe gjithmone dikush qe do nenvizoje : “te na fali I zoti shtepise se e tepruam pak Ti vime per te mira por keto gjera keshtu kalohen”. Dhe rindizet debati.Dikur vakite,sidomos ato te rendat, kishin hijen e tende te mortit dhe burra zakoni benin muhabetin me karar.
Tranzicioni , levizjet demografike dhe emigracioni kane larguar njerzit qe dikur jetonin ne nje vendbanim.Fisi dhe shoqeria jane shperndare por rrjetet sociale dhe solidariteti ende funksionojne. Gradualish edhe kjo tradite e mire do te dobesohet,me siguri dhe ceremonialin do te behet si ne filmat hollivudiane.
Kjo pjesmarrje kaq massive ne kesoll , me teper eshte inercia e tradites sesa detyrim moral dhe dhembshuri per te vdekurit.
Kushdo qe merr pjese ne ceremoni mortore e konstaton pranine e njereve qe ndoshta se kane perfillur ne gjallje te vdekurin. Nje rast i fundit ishte vetvrasja e dikujt per shkaqe depresioni . Kishte vite qe kurohej dhe kishte tentuar vetvrasjen disa here. Po kush ju ndodh prane sa ishte gjalle nga ajo mizeri njerzish qe u mblidhen nga ishin e nuk ishin? Vec familjareve ,askush. “Kultura e vdekjes”, ritual pra dominon mbi jeten.Kush nga ata te kamur te cilet hedhin nga pese mije leke te reja , me shume si shenje statusi material sesa si solidaritet , sa ishte gjalle i ndjeri nevojtar , i’u gjenden prane atij ? Asnjehere!.