NJË SHTËPI PËR TË NDJERIN

Ndryshe nga disa vende perëndimore, në Shqipëri shtëpia mbetet ende në qendër të ceremonisë së përmortshme. E nuk është vetëm fakti që nga shtëpia njeriu përcillet për në varreza, ose siç thuhet rëndom për në banesën e fundit. Në shtëpi njeriu mund të ndërrojë jetë, sikundër mund të sillet i vdekur nga jashtë; aty përgatitet për ceremoninë e përmortshme, ruhet gjatë natës, qahet, kujtohet… Po aty vijnë të afërm, komshinj, të njohur e të tjerë për ngushëllime.

Sipas zakonit shqiptar, i ndjeri vendoset në dhomën e grave. Kurse burrat kanë një dhomë tjetër, ku familjarëve meshkuj u bëhen ngushëllimet e rastit. Shtëpia nuk del nga qendra e rëndesës së ceremonisë edhe pas varrimit. Në shtëpi shkojnë njerëz të ndryshëm për ngushëllim ditët e mëpasshme. Në bazë të traditës fetare, përkujtohen ditë të caktuara (të tretat, të pestat, të shtatat, të nëntat), deri të dyzetat. Pastaj mbetet gjashtëmujori dhe njëvjetori.

Zakonisht pas varrimit, sipas traditës shqiptare, në kujtim të të ndjerit familjarët japin një drekë ose darkë. Për hir të së vërtetës, ky zakon është mjaft i përhapur në botë. Edhe kjo drekë jepej dikur në shtëpi, pavarësisht se dhjetëvjeçarët e fundit, për arsye hapësinore dhe komoditeti, është zhvendosur nëpër lokale.

Në botën perëndimore ruajtja e trupit të të ndjerit në shtëpi, në kohën midis vdekjes dhe varrimit, është duke u braktisur. Sipas studiuesve[1], ky zakon po zëvendësohet me lënien e trupit në strukturat spitalore, ose të tjera të posaçme për këtë funksion. Në fakt, edhe nga vëzhgimet personale, mund të vihet re se i ndjeri dërgohet shpeshherë në kishë, për meshën e posaçme, direkt nga spitali ku ka mbyllur sytë.

Dy janë arsyet kryesore që shtëpia në perëndim e ka humbur qendërsinë e vet origjinale në ceremoninë e përmortshme. E para lidhet me medikalizimin e skajshëm të jetës. Njerëzit vdesin më shumë në strukturat spitalore se sa në shtëpitë e tyre. Jo shumë kohë më parë, ishte shtëpia vendi i fundit që shikonte i ndjeri. Kurse tani, muret e shtëpisë po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me ato të spitalit dhe me aparaturat mjekësore përreth.

Arsyeja e dytë është më e përgjithshme dhe ka të bëjë me shndërrimin e shtëpisë në epokën e shoqërisë konsumiste. Sidomos në kontekstet urbane. Në jetën e sotme frenetike, praktikisht një vrap i vazhdueshëm nga shtëpia në punë, nga shtëpia në argëtim, nga shtëpia në angazhime të ndryshme, nga shtëpia në restorant, e anasjelltas, shtëpia është kthyer përgjithësisht në fjetore. Praktikisht shtëpia po jetohet gjithnjë e më pak dhe jeta e vrullshme po zhvillohet jashtë mureve të saj.

Edhe në Shqipëri, dikur shtëpia ishte vendi ku njeriu lindte, rritej, martohej, bëhej prind e më pas vdiste. Një pjesë e madhe e këtyre ngjarjeve janë nxjerrë tashmë jashtë (eksternalizuar): kështu njeriu lind në maternitet, martohet në lokal, vdes në spital ose diku tjetër.

Me pak fjalë, përmasa intime e shtëpisë dhe e vatrës ka humbur tashmë. Por kjo ka ndodhur kryesisht në botën perëndimore. Shtëpia si hapësirë qendrore e ceremonisë së përmortshme i reziston ende kohës në Shqipëri, megjithëse ka pësuar shumë ndryshime.

Shtëpia i nënshtrohet një ndryshimi radikal gjatë vdekjes së një personi. Dhoma kryesore ku do të vendoset i ndjeri rregullohet në mënyrë të tillë që t’i përshtatet vendosjes së trupit në qendër. Përreth vendosen karrige e ndenjëse të tjera. Por kryesorja është se shtëpia, nga një hapësirë private transformohet në publike, meqë zia nuk është vetëm akt privat, por edhe publik. Vetë hapja e dyerve të shtëpisë, për zi, tregon se hapësira është e hapur për pjesëmarrjen e të tjerëve në pikëllim.

Hapësirat e shtëpisë mbeten në funksion jo vetëm të ceremonisë së përmortshme, por gjatë gjithë periudhës së zisë, meqë priten vizita të shumta nga familjarë e të njohur për ngushëllimet e humbjes.

Duhet pranuar se shtëpitë e sotme, kryesisht në perëndim, po përdoren gjithnjë e më pak në raste zie. Madje, ka raste që në lajmërimet për vdekje vihet shënimi se nuk bëhen vizita ngushëllimi. Pra të afërmve dhe miqve u mbetet vetëm pjesëmarrja në ceremoninë fetare, ku edhe ngushëllohen familjarët e të ndjerit.

Megjithatë, siç e thamë edhe më sipër, në Shqipëri ceremonia e përmortshme kalon detyrimisht nga shtëpia. Ceremonitë fetare që zhvillohen në vendet e kultit në rast vdekjesh nuk janë të përhapura. Pas vdekjes në spital, trupi sillet në shtëpi dhe nga shtëpia niset vargani i përmortshëm. Gjithashtu, vizitat për ngushëllim priten në shtëpi. Pra shtëpia ka rëndësinë e vet të padiskutueshme në traditën shqiptare në rast zie.

Si e tillë, vetë urbanistika, ndërtuesit e arkitektët duhet ta kishin mbajtur parasysh elementin “shtëpi” në ritet e përmortshme. Fakti është se shtëpitë e sotme shqiptare nuk e përballojnë dot ceremoninë e përmortshme, për shkak të hapësirës së kufizuar dhe jo funksionale. Kjo është arsyeja që shpeshherë komshinjtë e “hapin shtëpinë” për mort, çka ndodhte edhe dje, për ta ndihmuar tjetrin në ditën e vështirë. Natyrisht, bëhet fjalë për një shembull të shkëlqyer solidariteti.

Shtëpitë e ndërtuara pas viteve 1990, për të maksimizuar përfitimet dhe hapësirën në dispozicion, janë bërë përgjithësisht shumëkatëshe, përtej standardit të dikurshëm me pesë kate. Edhe gjatë periudhës totalitare shtëpitë e shqiptarëve në qytet nuk shquheshin për hapësira të mëdha. Por këto të sotmet, me përjashtimet e pakta, janë shpeshherë pa ashensor, me shkallë pothuajse të thikta dhe me hapësirë tejet të ngushtë midis shkallëve (të ashtuquajturat shesh pushime). Jo vetëm bartja e të ndjerit në shtëpi, por edhe ardhja e njerëzve për ngushëllim, bëhet vërtet problematike dhe mjaft e vështirë nga ana praktike[2].

Nuk është rastësi që në Shqipëri po përhapet zakoni i pritjeve të njerëzve në struktura të ndryshme nga shtëpia, si për shembull në lokale, ku familjarët shmangin angazhime (si p.sh. përgatitja e kafeve, pastrimi, etj.), të cilat nuk i përmbushin dot për arsye objektive.

Ndërtuesit e banesave duhet t’i konceptojnë dhe t’i ndërtojnë shtëpitë në funksion të njeriut, duke marrë parasysh traditat e tij. Është ekonomia që duhet të rrotullohet rreth njeriut, jo e kundërta. Kjo problematikë duhet të ishte prej kohësh edhe në vëmendje të pushtetit lokal, në mënyrë që të vendosë standarde në këtë drejtim. Tek e fundit, respekti ndaj njeriut duhet të tregohet si në jetë, ashtu edhe gjatë rrugës së tij të fundit.

 

 


[1] Jo vetëm në këtë pikë, por edhe në arsyetimet e mëtejshme, jam bazuar gjerësisht tek shkrimi i Carla Landuzzi, I rituali del morire nelle diversità etniche e culturali dell’ambiente urbano, në  revistën “IN_BO. Ricerche e progetti per il territorio, la città e l’architettura”, titulli i numrit “Evoluzioni contemporanee nell’architettura cimiteriale”, përgatitur nga L. Bartolomei e G. Praderio, Vol. 3, n. 4, Bolonja 2012. Përveç trajtimit të vet, shkrimi jep edhe një përmbledhje të vyeshme të studimeve në këtë fushë.

[2] Ashensori nuk mund të përdoret për transportimin e personit të vdekur, por mund të lehtësojë ardhjen e të moshuarve në ceremoni. Megjithatë, edhe kur ekziston, ashensori është shpeshherë i papërdorshëm, për arsye që kanë të bëjnë me administrimin e pallatit.

2 Komente

  1. Veshtrim interesant, por edhe duhej pritur qe ndryshimet e medha sociale te preknin edhe kete ane te jetes, d.m.th, vdekjen. Tani qe i hyre kesaj pune, Pishak, ke detyrimin e nje vazhdimi te shkrimit, kete here me titull, Nje varr per te ndjerin. Thuhet se eshte bere problem i madh gjetja e nje varri, behen manovra surrealiste, ka varre qe vidhen, te tjere qe shiten etj. Duket ka ardhur koha qe shoqeria shqiptare te pranoje krematoriumet. Kur vite me pare shkova te nderoj dike ne Tufine, verejta se rruginat midis parcelave pothuaj ishin zhdukur, çdo hapesire e pazene ishte nje varr potencial, diku pashe se kishin thyer edhe asfaltin dhe i kishin gjetur vend nje te ndjeri… Te pakten nuk ishin nxituar te riparonin asfaltin, per ta kthyer ne gjendjen e mepareshme, per t’i shpetuar ndonje gjobitjeje te rastit. Duket edhe korrupsioni i policise ka te mirat e veta.

    1. Lyss, vëzhgimin e ke shumë të saktë. Njerëzit në Shqipëri nuk i lënë rehat as në këtë jetë, as në atë tjetrën.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: