PIRAMIDA DHE KUPOLA

Ka qarkulluar këto javë, në fillim te Dita dhe më pas i përditësuar te Panorama një artikull i gjatë, me tone të forta të viteve 1980 si prej raporti të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të asaj kohe, për një “piramidë” në letërsinë e sotme shqipe dhe dëmet që po sillkan shkrimtarët e dobët dhe mediokër, si dhe kritika njëlloj mediokre që i promovon.

Po lejohem të mos i vendos lidhjet drejt këtij artikulli të lig, sepse nuk dua t’i jap një përhapje që nuk e meriton (kush e ka lexuar, e ka lexuar); dhe as të përmend me emër autorin e tij, i cili është një nobody, pa ndonjë autoritet profesional dhe prestigj kulturor publik të tillë që të renditë hierarki vlerash letrare, të hartojë lista shkrimtarësh; dhe që më tingëllon sikur përcjell arrogancën e një grupi me interesa të kërcënuara.

Vetë metafora e “piramidës” në letërsi – kombëtare dhe ndërkombëtare – tradhton mendësinë e atij që nuk i intereson letërsia si komunikim dhe lexuesi si vendi i dukurisë letrare, por pushteti që të jep suksesi. Dhe vërtet, në kulturën e sotme shqiptare nuk ka gjë piramidë, por vetëm një kupolë, që rreket të garantojë dhe të riprodhojë hierarki vlerash të përcaktuara, në vija të trasha, që në kohët e Realizmit Socialist; dhe një sistem të shtangët të qarkullimit të këtyre vlerave, i cili është, në fakt, ndër shkaqet e stagnacionit të sotëm.

Letërsinë e sotme shqipe, sikurse vetë kulturën e sotme, po e mbyt jo mediokriteti i supozuar i vlerave të reja dhe i atyre që kërkojnë të komunikojnë diçka në mes të zallahisë dhe të kaosit; por pesha dhe duhma tashmë e papërballueshme, prej balene të ngordhur, e çka kërkon ende të imponohet, madje të adhurohet si autoriteti suprem.

Nuk janë pra, shkrimtarët e dobët, shkaku i krizës së sotme; por autoriteti i dobësuar i pushtetarëve letrarë të djeshëm.

piramida

4 Komente

  1. Mendoj se, sido qofshin e cfarëdo qofshin shkaqet e krizës së sotme të letersisë, asnjë prej tyre , e ndoshta të gjithë sëbashku,nuk barazohen dot me dëmin që i sjell mediokriteti. Mediokriteti dhe cronyism-i janë aktualisht halli i letërsisë shqipe.

    1. Letërsi mediokre do të ketë gjithnjë, madje nga mediokriteti do të shquhen edhe më të mirët.

      Mendoj se më shqetësuese është mungesa e një mekanizmi për shoshitjen e vlerave: jo vetëm është shkëputur zinxhiri vepër-lexues-kritik, por edhe mungon një model për ta riparuar këtë zinxhir.

      Sot e kësaj dite ne vazhdojmë me hierarki vlerash të përpunuara në kohën e regjimit totalitar, kur letërsia ishte thjesht mjet i pushtetit për edukimin e masave.

      Atëherë shkrimtarët e mirë shquheshin, para së gjithash, për nga shërbimi që i sillnin kauzës. Një shkrimtar i shkëlqyer që binte nga fiku, përfundonte në karton.

      Por sot kjo nuk mund të funksionojë më, para së gjithash sepse nuk ka kauzë politike, por vetëm nevoja kulturore dhe shpirtërore.

      Brezi i ri lexon shumë, por nuk lexon më letërsi. Përndryshe, një pjesë e madhe e komunikimit online vazhdon të kryhet me shkrim, dhe statuset në FB janë gjithashtu tekste.

      Ja edhe një shembull: në artikujt që përmenda në shkrimin tim, dallohej si shkrimtare e mirë në letërsinë shqipe Ornela Vorpsi – e cila mund të jetë vërtet shumë e mirë, por nuk ka asnjë vepër të përkthyer në shqip.

      Kjo tregon se me ç’kritere po hartohen këto hierarki të reja.

      Një mënyrë për promovimin e vlerave letrare do të ishin çmimet. Dhe në fakt janë dhënë çmime plot këto vitet e fundit – pa çka se nuk kanë luajtur ndonjë rol.

      Vështirë të gjesh një shqiptar të vetëm, që të renditë fituesit e çmimit letrar të Ministrisë së Kulturës në vite.

      Këtu “ndihmon” edhe vetë Ministria e Kulturës, e cila luan me traditën dhe i heq çmimet, pa lejuar të krijojnë një traditë.

      Një çmim që nuk jepet për të paktën disa dekada rresht, vështirë se mund të luajë rol në promovimin e një autori ose të një vepre.

      Unë isha anëtar i jurisë që ia dha çmimin Ardian Klosi këtë vit Veton Surroit. Libri i tij m’u duk i shkëlqyer, që nuk i lë gjë mangut veprave të nobelistes së fundit, Svetlana Aleksieviç; për të mos thënë gjë për polakun e mirënjohur, Rishard Kapuçinskin.

      Por si t’i bësh njerëzit që ta lexojnë? Unë nuk kam përgjigje për këtë. Me siguri as autori vetë nuk ka.

  2. Nuk behet art sipas sistemit te vlerave qe thua ti!! Noshta por nuk besoj qe vepra e artit ka te beje me sisteme vlerash!

    1. Mbase për një autor mund të jetë kështu, por publiku gjithnjë do ta vendosë veprën e artit në një perspektivë vlerash – që mund të jenë politike, morale, heuristike, estetike, historike ose edhe vetëm hedonistike.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: