MAJTAS DHE DJATHTAS

Veç expressen.se, edhe “Dala-Demokraten” – një gazetë suedeze e krahut social-demokratik – recensionoi tre romanet e I. Kadaresë të përkthyera rishtas në suedisht: “Kronikë në gur”, “Dimri i madh” dhe “Pallati i ëndrrave.”

Autori i recensionit, shkrimtari i njohur suedez Gunder Andersson, (lindur në 1943), rrëfen që në krye të artikullit se është takuar me I.K.-në në vitin 1975, kur ky po vizitonte Suedinë, menjëherë pas botimit të suksesshëm, në suedisht, të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur.”

Intelektualë dhe publicistë të së majtës suedeze ishin mbledhur në shtëpinë e Jan Stolpe-s, kujton Andersson, të etur për të llomotitur rreth politikave bujqësore në Shqipëri dhe industrializimit të vendit, por I.K.-ja vetë nuk po tregonte ndonjë interes për këto tema, teksa dukej se e kish humbur mendjen pas një botimi deluxe, shumëngjyrësh, me foto yjesh kinemaje gjysmë të zhveshura: Brigitte Bardot, Marilyn Monroe, Sophia Loren dhe të tjera.

S’kish parë ndonjëherë të tilla, thotë Andersson, sepse të tilla imazhe nuk qarkullonin në vendin e tij – por Andersson-i ekzagjeron, natyrisht, në mos sajon gjëra të paqena; meqë I.K.-ja kish udhëtuar disa herë në Perëndim para se të vizitonte Suedinë; në kuptimin që nuk kish mbetur Suedia që t’ia “rregullonte” atij Brigitte Bardot-në dhe Sophia Loren-in – aq më tepër që, të paktën këto të dyja, në Tiranën chic të viteve 1960 do t’i kenë njohur kishin njohur më herët se në Suedi.

dala-demokratenE megjithatë, s’është vështirë ta përfytyrosh këtë takim të majtësh skandinavë, doktrinarë pedantë dhe llafazanë, të etur për të folur rreth një Shqipërie të imagjinuar prej tyre; në një kohë që I.K.-ja, i cili këtë farë Shqipërie e kish provuar dhe e provonte çdo ditë në lëkurë (përfshi edhe bujqësinë socialiste si kërcënim politik real), parapëlqen të përtypë biftekun soft-porn në vend të sallatës propagandistike politikisht të angazhuar të suedezëve.

Dhe lexuesit kureshtar nuk mund t’i shpëtojë ironia e kësaj situate – sa kohë që I.K.-ja i viteve 1970 u bë i njohur në Suedi në mos ekskluzivisht, të paktën edhe nëpërmjet simpatisë dhe promovimit bujar prej intelektualëve maoistë të atij vendi, të cilët shihnin tek ai shkrimtarin përfaqësues të së vetmit vend socialist në Europë; pa çka se tani, gati 45 vjet më vonë, I.K.-ja vështirë se do t’i frekuentonte me dëshirë dhe publikisht të njëjtat qarqe politike.

Flirtet e maoistëve suedezë me regjimin komunist të Tiranës dhe hoxhizmin e kanë zanafillën në vitet 1960. Një shkrimtar i mirënjohur suedez, Jan Myrdal (i biri i nobelistit Gunnar Myrdal), vizitoi Shqipërinë disa herë gjatë atyre viteve, së bashku me gruan e vet Gun Kessle, me të cilën pastaj shkroi librin Albansk utmaning (“Albania Defiant”) në 1970 (një përkthim në anglisht i këtij libri u botua në 1976). Ky version online i librit të Myrdal-it, përveçse dokument i paçmuar i kohës, jep një ide për idealizimin që i bëhej Shqipërisë hoxhiste dhe Enver Hoxhës vetë, nga një fraksion i së majtës në Skandinavinë e largët.[1]

Sikurse jep një ide të qartë se çfarë prisnin dhe shpresonin, intelektualët e pasdites në sallonin e Jan Stolpe-s, prej autorit të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe shqiptarit të rrallë që vizitonte Suedinë; dhe që kushedi ai vetë shpresonte diçka të kundërt, edhe pse në thelb të njëjtë, prej mikpritësve: suedezët e takimit prisnin prej I.K.-së iluminime staliniste-hoxhiste për bujqësinë kooperativiste shqiptare, teksa I.K.-ja kushedi priste prej tyre, në heshtje dhe privatisht, t’i jepnin pak gusto intelektuale të Perëndimit; kushedi po aq joshëse për të sa edhe sisët formidabël të divave në revistën e ilustruar.

Andersson-i autori i recensionit (dhe një nga të paktët shkrimtarë suedezë bashkëkohorë që ka një faqe rudimentare në Wikipedian shqip), duket se e ka të vështirë të pajtojë, në përfytyrimin e vet, I.K.-në e atëhershëm dhe këtë të tanishmin.

Kështu mund të shpjegohen disa pohime të tijat krejt të gabuara, si p.sh. kur thotë se “dy tema shfaqen e rishfaqen shpesh në veprën e Kadaresë: Lufta II Botërore dhe çlirimi kombëtar që çoi në marrjen e pushtetit prej komunistëve” – çka nuk qëndron, sikurse e di çdo lexues i rregullt i I.K.-së; meqë kështu lihen jashtë edhe bota fantastike e Perandorisë Osmane, edhe përmasa tjetër, po aq fantastike, e legjendave shqiptare dhe ballkanike.

Ose, kur thotë, në lidhje me romanin “Kronikë në gur”, se në Gjirokastër “feja greke-ortodokse integrohet me një traditë të lashtë pagane që nuk ishte shuar kurrë,” çka dëshmon se ky recenzent nuk ka vënë re që praktikisht të gjitha personazhet e romanit janë myslimanë, në mos nga sjellja dhe botëkuptimi të paktën nga emrat (me pak përjashtime, si Margarita, Kako Pinoja, kushedi edhe Suzana?). Dhe kjo nuk është gjë e vogël: të mos vësh re që “Kronikë në gur” flet edhe për jetërsimin dhe skizofreninë e një qyteti deri dje ottoman dhe mysliman, përballë modernitetit që vinte nga Perëndimi, do të thotë të mos e kesh kuptuar romanin.

Duke kaluar pastaj te “Dimri i madh”, autori citon tërthorazi nga parathënia e Kajsa Ekis Ekman, për të shpjeguar se ky roman ekziston në tri versione, prej të cilave i dyti ishte përditësuar, prej I.K.-së, me një portret më lajkatues të Hoxhës (uppdaterats med en mer smickrande bild av Hoxha). Pas gjase, kjo u referohet kritikave që pasuan botimin e “Dimrit të vetmisë së madhe” në Shqipëri dhe pastaj ribotimit të këtij romani, të ripunuar, me titullin “Dimri i madh.”

Por Ekman dhe bashkë me të edhe Andersson e kanë natyrisht gabim – kritikat që iu bënë botimit të parë të romanit dhe që u pasuan nga botimi i veprës së ripunuar nuk kishin të bënin me portretizimin e Hoxhës atje, përkundrazi. Në një farë mënyre, ishte Hoxha dragua i mbledhjes së Moskës dhe personazh qendror i romanit, që e mbroi I.K.-në nga linçimi popullor.

Në përgjithësi, Andersson-i nuk duket shumë i impresionuar nga këto tre romane; madje të lë përshtypjen sikur u është qasur me indiferencë dhe bezdi, dhe s’është për t’u çuditur pastaj edhe që ashtu e kanë lënë – indiferent dhe të bezdisur.

Por recensione si ky i Dala-Demokraten të bëjnë të mendosh edhe për pritjen e tanishme të I.K.-së në Perëndim; sidomos në ato rrethana kur, përtej Francës ku raportet kanë pasur natyrë tjetër, vepra e këtij shkrimtari ka qenë ndihmuar, përkrahur dhe promovuar nga qarqe miqësore ndaj Shqipërisë staliniste të Hoxhës[2]; dhe që tani kushedi nuk janë gati të përqafojnë antikomunizmin e hapur të I.K.-së, pas vitit 1990.[3]

Duke gjykuar që një pjesë e këtyre të majtëve sot janë në moshë të tillë që të kontrollojnë shumë institucione kulturore-letrare, redaksi revistash dhe katedra universitare në Perëndim, mund të rrokim më mirë edhe kontekstin e ri ku lexohet vepra e I.K.-së sot në Europë, veçanërisht jashtë Francës.

[1] Një kujtim personal që nuk po arrij ta verifikoj – mbaj mend të kem pasur në bibliotekë, në fund të viteve 1960, librin e një autori marksist-leninist, maoist Perëndimor, me gjasë suedez edhe ai, që kishte kaluar një vit të tërë duke punuar, si fshatar i thjeshtë, në një kooperativë bujqësore në Shqipëri; jo për “pendesë”, por për të kuptuar mënyrën e organizimit të punës në bujqësinë e kolektivizuar shqiptare dhe, më tej, edhe të vetë shoqërisë shqiptare në vitet e revolucionarizimit “të mëtejshëm” të jetës së vendit.

[2] Nga ç’ka lënë të kuptohet sidomos te “Koncerti”, duket se I.K.-ja vetë nuk ka pasur ndonjë simpati të veçantë për këta ideologë, militantë dhe të ekzaltuar; edhe pse ndonjëherë simpatia dhe përkrahja e tyre mund t’u ketë hyrë në punë.

[3] Pa përmendur pastaj që kjo e majtë kulturore akademike, në radhët e së cilës ende gjen plot nga revolucionarët, anarkistët, maoistët, tribotistët dhe hipitë e viteve 1960-1970 edhe pse tashmë të zbutur dhe të gatshëm për kompromise, ka përqafuar edhe qëndrime multikulturale të tilla si ato që qortonte Victor Malm në esenë e vet për të njëjtat botime të I.K.-së, të botuar në expressen.se.

[Ky material origjinal është pronë e autorit dhe e blogut Peizazhe të Fjalës. Çdo riprodhim i tij në mediat elektronike dhe tradicionale është i ndaluar.]

Nuk ka komente

  1. Parashtresa juaj më duket me interes. Jo për horizontet ku është shtyrë ajo vetë, apo edhe letërsia e përkthyer shqipe – këtu interesi im është i pakët. Por për mundësinë e shikimit të një tjetër lloj lexuesi, jo më të atij të huaj, por të atij “të brendshmit”, lexuesit të botës shqipfolëse, me të njëjtat “lente”, me të njëjtat kritere siç e shihni ju autorin suedez të shkrimit. Besoj se do të gjendeshin paralelizma të bollshme tek lexuesit e moshës së mesme e sipër (pasi për lexuesit e moshave të reja s’dimë gjë, as sa lexojnë e as ç’lexojnë) për të kuptuar këtë lloj përqasjeje jashtëletrare, këtë lloj “interpretimi” jashtëletrar që i bëhet segmentit përkatës të letërsisë shqipe.

    1. Si për ta përforcuar këndvështrimin tim, ja ku vjen edhe një shkrim nga shtypi ynë famëmadh. Titulli i shkrimit është “Gazeta suedeze Helsingborgs Dagblad: Kadare, “kafka shqiptar”.

      https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/01/kafka.jpg

      Gjendet në këtë lidhje: http://shqiptarja.com/Kulture/2730/gazeta-suedeze-helsingborgs-dagblad-kadare-kafka-shqiptar-267508.html. E kam sjellë posaçërisht titullin, sepse në ka një gjë për të cilat mediat janë të famshme, është reagimi me shpejtësi ndaj talljeve me nivelin e tyre të injorancës – dhe mund ta ndryshojnë si pa të keq titullin, në i njoftoftë kush. Duket si një farë lapsusi pa të sharë, por tradhton një mentalitet të tërë të ndërtimit të debatit publik për letërsinë mbi injorancën, mbi mite të ngritura për arsye jashtëletrare rreth emrave të letrave shqipe, e mbi mite kombëtariste që shfrytëzojnë çdo gjë në funksion të tyre, gjer edhe “kafkën shqiptare”. Që në mendjen e redaktorëve të gazetës në fjalë duhet të jetë një kafkë e veçantë, ndryshe nga ato të popujve të tjerë.

      Është vërtet bukur ta shohësh me sytë e tu, ballazi, jo thjesht të cituar a të linkuar, një titull të tillë. Për të parë më thellë në ujërat ku noton sot varka e diskursit kritik mbi letërsinë shqipe. Dhe vetë leximi ende me shabllone jashtëletrare i kësaj letërsie. Kështu kuptohet më lehtë edhe interesi i dikurshëm suedez për kooperativat letrare shqiptare. Është njësoj me interesin e sotëm shqiptar për esnafet e trashëguara letraro-politike, ngritur mbi struktura të kalcifikuara mumjesh. Dje në funksion të lavdisë ideologjike, sot në funksion të lavdisë kombëtare.

      1. E. P., nuk te marr vesh se ç’do te thuash.

        Shtypi ka risjelle nje recension te botuar nga gazeta me e madhe suedeze “Helsingborgs Dagblad”. Ndryshe nga artikulli i nje gazete te vogel partiake si ai qe analizoi Xha Xhai, ku nuk kishte kurrfare qasjeje letrare, por vetem ideologjike dhe politike, artikulli qe citon ti duket se ben nje analize mirefilli letrare.

        Ç’te keqe ka ketu? Ku eshte problemi?

        1. Relapso, besoj se e.p. ironizon gazetën shqiptare që mbase nuk e kupton se synimi i gazetës suedeze është të gjejë tek Kadareja vlera të krahasueshme me Kafkën, jo me kafkën. E.p. më tej sugjeron se mbase gazetari shqiptar që ka redaktuar lajmin ka menduar se kolegu suedez i është referuar kafkës së Kadaresë si ekzemplar unik ndër shqiptarë. E.p. pa dyshim e ka çuar larg satirën e vet, gjithsesi ja vlen si fshikullim për mediokritetin e shypit shqiptar.

        2. Mua nuk më duket dhe aq recension politik ai që ka marrë në shqyrtim xha xhai në shkrimin e vet, për aq sa është sjellë këtu. Mund të jetë i cekët ose që arrin në disa konkluzione të gabuara (dhe si i tillë edhe është trajtuar), por jo politik ama. Detaji politik dhe të parit në atë kontekst është risia e shkrimit të xha xhait në blog. Ndërsa për recensionin që ju përmendni në koment, kjo është pak e paqartë se cili është ai konkretisht. Të paktën në shkrimin të cilit i kam sjellë lidhjen nuk duket gjë (këtë shqiptarin flas, ç’shkruan gazeta suedeze s’di ta them, se s’marr vesh). Por meqë pyesni, ja po e provoj një qasje tjetër kah ideja ime, ndoshta sqarohem me këtë.
          Kjo që shkruan gazeta jonë është një biçim lajmi, jo recension. Lajm mbi një recension të botuar në një gazetë të huaj. Pasi jepet lajmi në paragrafin e parë, vijon më tej i dyti me një lëndë që s’merret vesh prodhim i kujt është, i gazetës së huaj apo i tonës. Vijon pastaj duke e pasuruar me pak sfond (begraund, si i thonë sot) me informacionin për një çmim që autori i diskutuar edhe e ka marrë, edhe s’e ka marrë akoma. Dhe mbyllet pastaj me zgjatjen e çuditshme të këtij sfondi – gazeta, kjo jona, na jep listën e veprave të përkthyera në hebraisht në një shkrim mbi një recension të veprave të përkthyera në suedisht. Dhe e gjitha kjo pajiset edhe me një titull dhe hidhet në “shtyp”. E në këtë mes, udhës, ndodhin edhe kuptim-keqkuptimet me Kafka e kafka, të cilat s’merren vesh ku nisin e ku përfundojnë.
          Dhe prodhuesit e lajmit janë të lumtur. Se emri ynë – jo yni tamam, por i shkrimtarit tonë (e pra edhe emri ynë me një fjalë) – është përmendur atje, në Suedinë e largët. Kjo na i ngroh zemrat. Na i ngre peshë. Njësoj edhe lexuesit. Pa shih, për ne paskan shkruar atje larg, në Suedi! Dhe ja, nga njerëzit përpara ekraneve dhe prej atyre me gazetë në duar përhapet nëpër rrjet e nëpër rrugët e qytetit një valë drithërime gëzimi, mbarëshqiptar, mbarëkombëtar: Pa shih, atje po flasin për ne – jo për ne, për shkrimtarin tonë… e pra, për ne po flasin. E ç’thonë? Ja, shikoje vetë. Kafka ynë, kafka jonë!
          Dhe e gjithë kjo skenë vazhdon e shtjellet e shtjellet me kohë e me kohë, gjer në lodhje. Turma të tëra që, të obsesuara, vazhdojnë ia ngulin sytë gozhdës së Nastradinit në mur. Sillen e sillen rreth të njëjtit avaz, si ai qeni që diçka e ka pickuar fort në bisht e, me sytë errur nga dhimbja, sillet i tërbuar vërtik pas bishtit të vet gjer në rraskapitje, pa e kapur dot gjer pa rënë përtokë marrëmendsh. Ka një dozë të fortë psikopatologjie kolektive e gjithë kjo shfaqje, e cila ka nisur dekada më parë. Ndërsa letërsia shqipe është kaq e gjerë. Dhe kaq e panjohur, nga vetë shqiptarët së pari. Si duket, këta të fundit presin ndonjë recension të huaj, që të kenë ç’të flasin e ç’të botojnë për të.

  2. Shumë qasje interesante kjo; më rezonon me pamundësinë që kam vazhdimisht për të kuptuar qëndrimet ndaj Kadaresë nga pozicione të ndryshme politike, kulturore, pse jo fetare, pra këmbëngulja për ta kundruar veprën e Kadaresë vetëm nëpërmjet istikamit në të cilin veprimtarë shoqërorë, kinse lexues, e vendosin shkrimtarin.

    Personalisht preferoj ta ndaj qytetarin Kadare nga shkrimtari Kadare. Diskutimi mbi militantizimin e tij para dhe pas ’90-ës mendoj se dëmton debatin gjenuin mbi vlerat letrare te veprës së tij. Thënë kjo, më duhet të pranoj se edhe vetë e përdor filtrin e angazhimit shoqëror kur i qasem një vepre të caktuar të Kadaresë e ndaj e di që është më e lehtë ta them se sa ta bëj.

    Gjithsesi, qytetari Kadare është i rëndësishëm për ne bashkëkohësit e tij të cilët e kemi ndjekur këmba këmbës në ecejaket e tij të pozicionimeve shoqërore. Fëmijët tanë, dhe ca më pak nipërit, do ta duan ose jo si shkrimtar. Kësisoj mendoj se në rast se figura bashkëkohore e Kadaresë është e pandashme nga angazhimet shoqërore të qytetarit Kadare, një dimension më transversal kohor do ta kundronte në mënyrë më gjenuine shkrimtarin Kadare, në mënryë më të pakontaminuar nga ngarkesat emotive të militantizmit shoqëror që bartim sot të gjithë, Kadarenë përfshirë.

    Fëmijët tanë gjithashtu do të jenë të angazhuar shoqërisht, politikisht, filozofikisht, fetarisht…
    Ata ama do të kenë syzet e tyre të këqyrjes së kohëve dhe vendeve, të tjerë filtra, të tjera prioritete. Ndaj edhe besoj se qëndrimi ndaj Kadaresë do të vijojë të ndryshojë përkatësisht me ndërrimin e viteve, filtrave filozofikë, prioriteteve pragmatike.

  3. Dy paragrafet e fundit te shkrimit te xha-xhai-t , perpos dyshimit mbi mekanizmat qe mundesuan botimin dhe njohjen e Kadarese ne Perendim qysh ne gjallje te Shqiperise staliniste, reflektojne nje diskurs me te gjere, pertej Kadarese por qe posacerisht per Kadarene behet me intrigues, si autori shqiptar me i njohur ne Perendim. Ky eshte diskursi mbi teksin letrar dhe gjurmet e jashteletrares ne tekst, per teksin dhe konteksin ne kohen e shkrimit, ngjizjes se vepres letrare dhe kohen/konteksin e leximit dhe sidomos rileximit , per qasjen biografike dhe kombetariste ne leximin dhe rileximin e krijimtarise se Kadarese sidomos nga kritiket dhe lexuesit e huaj.Ceshtje keto qe lidhen edhe me shkrimin e meparshem te xha-xhai-t Letersi, gazetari dhe folklor.
    Si eshte pritur Kadare nga lexuesi francez dhe, me pas, edhe nga ai i vendeve te tjera, qysh kur botoi atje Gjeneralin dhe romanet e tjera ne vijim? Si nje kuriozitet ekzotik dhe dritare per te njohur Shqiperine e izoluar (historine, mitet, legjendat dhe realitetin e mbartur permes letrares ) apo si realitet i mirefillte letrar, pertej shenjave ideologjike, nacionaliste dhe folklorike te teksteve letrare? Si shkrimtar i socrealizmit me stil te pelqyeshem letrar apo si autor qe i kishte rreshqit dinakerisht, fale talentit, metodes se realizmit socialist?
    Kjo te kujton ate qe thote Kundera ne nje shenim te tij ne vitin 1985 mbi peripecite e botimit te romanit te tij Shakaja dhe menyres si u prit ne France. Kundera kujton se romani u botua fill pas ngjarjeve te Prages 1968 dhe parathenia e shkruar nga L.Aragon ishte teresisht politike.Romani, letraia ju nenshtrua “diktatures se aktualitetit” dhe tani, pas kaq vitesh, kur Pranvera e Prages eshte harruar, Shakaja do jete ajo cfare ka dashur gjithmone te jete , thote Kundera: roman dhe vetem roman.
    Kadare, si shkrimtar i dy koheve, i diktatures dhe demokracise por dhe si shkrimtar i dyzuar ne stilin e tij, do te vazhdoje te mbetet i debatuar.Nje nga debatet eshte edhe dyshimi nese fama e tij ne bote eshte atribut i talentit te tij apo pasoje e sponsorizimit nga ish udheheqja komuniste dhe admiruesit e saj te majte, marksiste apo maoiste ne Perendim. Ashtu sikurse diskutimi qe behet nga disa kritike te huaj per Kadarene, i fokusuar ne dilemen: shkrimtar oborri apo disident, e merr “lenden e pare” nga debati brendshem ose me mire te themi, nga ajo linje e mendimit kritik e cila niset nga qasja biografike, autoriale dhe kontekstuale, duke anashkaluar analizen e tekstit letrar si realitet autonom.
    Personalisht me duket jo produktive leximi teksteve letrare dhe kundrimi letrares ne tekste ,teresisht permes lenteve te teorise se “vdekjes se autorit”. Cdo tekst letrar mbart gjurme biografike dhe te kontekstit shkrimor (te nivelit politik, ideologjik, nacionalist dhe social) dhe nuk mund te lexohet i zhveshur nga keto referenca.Pallati endrrave psh, fare mire mund te lexohet si alegori e paster per pasojat e ndrydhjjes se individit ne te gjitha sistemet autoritare dhe censuruese por i pare nga pikpamja historike nuk mund te anashkalohet fakti se si tekst u inspirua dhe shkrua prej autorit ne kushtet e sistemit totalitar dhe mbart raportet e autorit me ate sistem/kontekst politik. I shkruar ne ate kontekst, letrarja merrte vlere dhe i flste lexuesit si mbartese e dykuptimesise dhe alegorise per aktualitetin asokohe.
    Po keshtu edhe raporti mes kombetares/lokales me universalen. Kronike ne gur ka shenjat e qytetit te lindjes se autorit, Gjirokastres , ka te gjitha aromat, nunancat dhe jetes ne nje qytet shqiptar provincial (hapsira) ne kohen e L2B dhe permes ketyre shenjave partikulare, mbartetet edhe universalia. Ky qytet fiksional mund te jete kronika e jetes te nje qyteti provincial kudo ne bote, ne nje kontekst te ngjashem.Nqs ne disa nga romanet e Kadarese te shkruara para vitit 90, shenjat ideologjike si faktor jashteletrar jane te dukshme , ne romanet e shkruara ne liri, pas 90-es, kur presupozohet se shkrimtari eshte cliruar nga te qenit sherbetor i Partise, shenjat ideologjike ne tekstin letrar jane perseri te pranishe. Frymezimi ideologjik , tashme nen shenjen antikomunist, eshte i pranishem ne romane si Pasardhesi, Darka e gabuar, E penguara, Loja, jeta dhe vdekja e Lul Mazrekut etj.
    Nqs ne romanet para 90 Kadare i shmangej ideologjizimit te letersise dhe glorifikimit te sistemit, nder te tjera permes “arratisej nga realiteti” dhe trajtimit te temave me sfond historik , ne krijimtarine pas 90-es, eshte i zhytur ne aktualitet, duke bere autopsine e kufomes se komunizmit, pjese e nje konteksti me te gjere politik qe meton te dekomunistizohet ne te gjitha poret e saj.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: