Reklama

SHVEJKU JUAJ APO YNI?

svejkPrej vitesh po qarkullon në mediat thënia “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë”, e cila i atribuohet Shvejkut (deri edhe Berisha e ka përmendur një herë).

Cituesit besoj se nuk i referohen aq tekstit të romanit, sa njëri-tjetrit; në kuptimin që thënia i përket më shumë Shvejkut si personazh të imagjinatës popullore dhe hero të kujtesës sonë kolektive, sa Shvejkut të romanit.

Si njohës jo i keq i veprës, nuk besoj që “ushtari i mirë” ta ketë thënë gjëkundi këtë – edhe pse fare mirë mund të më ketë shpëtuar.

Në fakt, edhe vetë batuta më tingëllon e sforcuar dhe si prej estrade të provincës socialiste, jo prej një romani gati kafkian, si ai i Hashekut.

Të jetë vallë apokrife?

Mirëpres ndonjë sugjerim prej lexuesit, i bindur se – të paktën në brezin tim – kanë qenë të shumtë ata që e dinin përmendësh tekstin e këtij romani.

E përdornim rëndom në bisedat mes nesh, për të kompensuar ndjenjën e përgjithshme të mizerjes dhe të poshtërimit të kotë, që provonim në situata kolektive nën totalitarizëm: veçanërisht përballë autoritetit të fryrë prej kaposhi – në stërvitje ushtarake dhe në aksione.

Njëlloj si Austro-Hungaria e romanit, edhe Shqipëria jonë ishte kalbëzuar deri në atë shkallë, sa kudo që ta shpoje, të mbyste duhma e fëlliqësirës.

Revoltën tonë të atëhershme, nëse mund ta quaj kështu, e shembëllzon më së miri ajo shfryrja plot dëshpërim e kadetit Marek: “Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

Ashtu edhe e kaluam Shvejkun nga romani në folklor; dhe kushedi edhe filluam t’i vëmë në gojë gjëra që mund t’i kish thënë, po të ish gjendur në pozitën tonë.

Dhe Shvejku e gjeti gati vendin, në këto narrativa të ndera pezull midis anekdotës dhe legjendës: përkrah Nastradinit, Qerosit dhe të tjerëve tricksters të imagjinatës popullore.

Shvejku i cituar, ose edhe thjesht “i cituar” nuk mund të funksionte përtej energjisë që i jepte romani, si referencë të cilën e ndanim së bashku dhe që na përcaktonte si brez. Të qeshje me Shvejkun, do të thoshte të kishe lexuar romanin – madje edhe batutat vetë e merrnin humorin nga personazhi, sesa e përftonin në mënyrë të pavarur.

Por mos më lini të gënjej.

 

Reklama

1 Koment

  1. Xha Xha ke plotesisht te drejte, shprehja “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë” nuk i takon Shvejkut te Hashekut. Eshte sajese e ndonje politikani me “humor te holle”, tip Namik Dokle. Ka shume te ngjare qe ta kete perdorur ai, ose ndonje si ai, per here te pare dhe pastaj ka fituar legjitimitet.

    Po me lejove, une po ve nje premio publike ne kete blog, te themi $10,000 dhe cilido qe me tregon nr e faqes, ne botimin e pare te librit ne shqip, ku ndodhet kjo shprehje, ia kam bere hallall.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: