Supermarketi afër shtëpisë sime në Tiranë është edhe tempull (modest) i globalizimit – kur hyj aty për të blerë diçka dhe përshëndetem me markat e ushqimeve, kryesisht italiane; por edhe me çmimet e tyre, që mbase ua kalojnë atyre në Itali, më duket sikur kam hyrë në një diorama ku mund ta përjetoj botën të ngrirë në akull. Dritat neon të bardha që u japin deri edhe sallameve e proshutave një nuancë blu prej morgu, bashkë me ata pak klientë që vërtiten të hutuar mes rafteve me produkte dhe pastaj blejnë ndonjë Red Bull çfarëdo, më kujtojnë filmat me zombie. Globalizimi më vjen erë lëngu të qelbur që rrjedh nga një frigorifer i rraskapitur; si fundi i botës, apokalipsi.
Vetëm 200 metra më tutje, te një nga tërthoret që kryqëzohen me rrugën e Kavajës, ngrihet – shtrihet – tregu “fshatar”, me tezga, miza dhe aroma ulliri, kopre dhe majdanozi të freskët. Ndryshe nga gruaja vetull-ngrysur tek arka e supermarketit, që më kërkon mekanikisht “kartën e klientit”, te tregu fshatar nuk ka shitës që të mos më njohë madje edhe nga ata ku nuk blej kurrë; dhe të mos dojë të ndërrojë dy fjalë me mua, qoftë edhe thjesht për t’u ankuar për vapën.
Këtë treg të rrugës e përfytyroj gjithnjë të larë në diell, por ndoshta ngaqë atje shkoj vetëm kur është moti i mirë; ndërsa supermarketi më ndjell në mendje, si rregull, atmosferë dhe skema ngjyrash nga filmi “The Thing” i John Carpenter, me njerëz që duan të mbijetojnë në Arktik, përballë një përbindëshi që i kopjon. Dallimi midis njërit mjedis dhe tjetrit më vjen si diferencë shqetësuese në temperaturë.
Globalizimin e kanë përkufizuar si integrim të teknologjive dhe të shkëmbimeve, nën flamurin dhe frymëzimin e tregut të lirë, por disa kanë parë aty edhe një rrafshim a hekurosje të diferencave, për shkak të “amerikanizimit”. Në të vërtetë, mua më duket më shumë si zëvendësim i disa diferencave, me diferenca të tjera. Kur isha fëmijë, mbaj mend që në Pazar të ri gjeje edhe shushunja (leeches), të gjalla në kavanoz (ia vunë edhe gjyshit tim dikur); sot te tregu fshatar gjen edhe ndonjë mango të jashtëzakonshme, veshur me fishnets si prostitutë dhe njëlloj të kaluar nga një dorë në tjetrën, nga India deri te rruga e Kavajës. Ekzotizmi ka ndërruar pamjen, por jo zakonin.
Ka lagje në Tiranë që vijnë e u ngjajnë lagjeve anonime në qytete të Italisë së Jugut, si Foggia e Caserta, me të njëjtat dyqane dhe të njëjtat mallra dhe të njëjtat buzëqeshje të shitëseve. I shohim këto dhe i lexojmë si prova të përparimit urban. Ndërkohë, protestat e këtyre ditëve, në Tiranë dhe në Paris dhe në Milano dhe kushedi ku tjetër, na sugjerojnë ngjashmëri të reja, edhe këto dëshmi të globalizimit. Duket sikur, falë teknologjive të komunikimit, bota ka ndryshuar në mënyrë të tillë, sa çdo vend të riprodhojë, në shkallë, vendin tjetër; dhe çdo njësi urbane dhe sociale të rimarrë madje të kopjojë tiparet e njësisë mëmë.
Njëlloj si në trupin e njeriut, ku çdo qelizë përmban të njëjtin kod gjenetik, edhe në ekonominë dhe në shoqërinë globale çdo qendër banimi përmban të njëjtin softuer të kopjuar. Ashtu nuk është vetëm qendra e Tiranës që i ngjan qendrës së këtij apo atij qyteti në Greqi a në Itali; por edhe periferitë. Kjo ngjashmëri nuk i detyrohet imitimit, por strukturës qytetërimore – nuk do të habitesha, sikur të formulohej ndonjëherë matematikisht.
Edhe për Europën e 1968-ës u vërejt kjo dukuri: njëkohshmëria e trazirave, protestave dhe revoltave dhe ngjashmëritë në ballafaqimin me autoritetet. U tha madje se diçka nga ajo 1968 europiane filtroi edhe në hapësirën aq të kontrolluar të Shqipërisë totalitare, në trajtën e një pasioni kolektiv, të një brezi të tërë, për t’i bërë gjërat ndryshe. Një model për ta shpjeguar këtë është ai epidemiologjik – ose nëpërmjet viralitetit. Viraliteti është riprodhim nëpërmjet kopjimit, por disa tipare kopjohen më lehtë e më mirë se disa të tjera.
Disa nga protestuesit kanë sulmuar dhe shkatërruar jo vetëm institucionet që i shohin si mishërime dhe instrumente shtypëse, ose të paktën si monumente të shtetit; por edhe banka dhe qendra tregtare dhe dyqane luksi në rrugët kryesore, madje edhe makinat ATM. Ndoshta ngaqë nuk i shohin si të tyret, as e shohin veten si konsumatorë mallrash të shtrenjta ose klientë bankash. Ndoshta ngaqë i shohin si shenja e dëshmi të një pranie armiqësore në qytet, që do të ishte progresi dhe vetë globalizimi. Ndoshta edhe thjesht ngaqë i shohin si targets of oportunity, ose mundësi për të artikuluar dhe komunikuar një mesazh refuzimi për atë model urbanizimi që i ka përjashtuar, duke i margjinalizuar. Ashtu shprehin edhe – siç më duket mua – një refuzim e përbuzje për publiken e ndërtuar nga propaganda e Rilindjes (Rama por edhe Veliaj në kohën e vet), sepse e shohin si një publike që nuk i pranon. Një hipotezë e fundit, do të ishte se vandalizimi nuk ka të bëjë me pronën që dëmtohet, shkatërrohet a digjet, por synon ta përdorë lajmin e dëmtimit si mesazh për kundërshtarin.
Qarkullon gjithsesi një dyshim i ngadalshëm – herë i argumentuar herë konspirativ – se qeveritë qendrore dhe lokale, të dekadës së fundit, të frymëzuar nga estetika ekstreme e kryeministrit Rama, i kanë (ri)ndërtuar qytetet, veçanërisht qendrat, si skenografi për turizmin. Këtu do të përfshija edhe zëvendësimin e strukturave urbane të degraduara, që ishin trashëguar nga periudha e para 1990-ës, me kulla. Bashkë me supermarketet, hotelet e mëdha dhe qendrat tregtare dhe parqet e improvizuara rishtas me pemë të zverdhura e skeletike, kullat bashkë me hapësirën rrethuese krejtësisht të rikontekstualizuar janë gjeneratorë të atyre jo-vendeve (non-lieus) për të cilat flet Marc Augé: duke penguar ndërveprimin mes njerëzve, ato ushqejnë jetërsimin dhe nuk lejojnë kënd që të vendosë me to marrëdhënie identitare vetjake.
Këto jo-vende janë ideale për turistin, sepse këtij i duken të afërta me struktura të ngjashme në vendin e origjinës; një turist e ndien veten më mirë në aeroport, në hapësirat e një qendre tregtare, në një hotel “zinxhir”, në një Starbucks, se në një hapësirë mirëfilli lokale, të pasur në kuptim për vendësin, por kërcënuese për mysafirin. Shndërrimi skenografik i Tiranës në qytet turistik – pikërisht në një kohë kur institucionet kulturore atje janë mbyllur për rinovime ose janë shkatërruar – e bën vetvetiu qytetin të huaj për jo-turistin. Nëse e pranojmë këtë, jetërsimi është po aq efekt kapilar i globalizimit sa edhe vetë turizmi, teksa “përtëritja” e qendrave të qyteteve – e realizuar zakonisht me betonizim, prerje pemësh, prishje parqesh dhe ndërtime kullash – synon zëvendësimin e një komuniteti banorësh me një komunitet vizitorësh krejt të përkohshëm.
Ka megjithatë diçka të përbashkët mes të rinjve që ngrihen në protestë kundër “zotërve të qytetit” dhe turistëve – edhe të parët edhe të dytët ndihen të ardhur. Në Paris e në Milano janë përfshirë në revolta edhe shumë imigrantë, të ardhur nga vende të tjera ose bij familjesh të tilla; për të gjithë këta qyteti mund të jetë burim të ardhurash, përfitimesh, aventurash – ose anasjelltas, skena ku konfrontohen me rendin publik dhe policinë – por gjithnjë mbetet vend-kalimi, madje edhe kur jetojnë aty prej vitesh. Kjo ndodh edhe kur turistit i krijohen të gjitha kushtet që të përjetojë atë qytet që dëshiron, dhe që nuk ka lidhje me qytetin tjetër, realin; njëlloj sikurse i krijohen imigrantit – të brendshëm a të jashtëm – kushtet për të riprodhuar, në periferinë ku jeton, kushtet për të riprodhuar mizerjen së cilës kish shpresuar t’i largohej.
Jam në gjendje ta konfirmoj këtë edhe me eksperiencë personale – kam ndenjur në Napoli gjashtë vjet, me të ardhura modeste dhe në luftë të përditshme për të mbijetuar me familjen; por vite më pas, e kam vizituar Napolin si turist, madje “amerikan”. Ashtu pashë e përjetova dy qytete të ndryshme, gjithë duke u ndier mysafir në dy mënyra të ndryshme. Megjithatë, nga Napoli i parë, i varfërisë dhe i emigracionit, kujtoj marrëdhëniet që kam pasur me njerëz të tjerë, disa po aq të alienuar sa unë; ndërsa nga i dyti kujtoj qytetin pa njerëz brenda. Diçka si Pompei që vajta e pashë sërish, por jo aq të njëtrajtësuar nga zjarri.
I rrëfej të gjitha këto, për të treguar se jeta që kam bërë të paktën më lejon një pozicion të tillë, që të flas për globalizmin nga disa perspektiva njëherësh.
Edhe një kujtim tjetër: kur shkela për herë të parë Italinë, në Romën e vitit 1987, kërkova sakaq ngushëllim te një nga ato pak “vende” ku do të gjeja familjaritet: në librari. Dhe pikërisht, te Feltrinelli në piazza Repubblica, ku kaloja ndonjëherë orë të tëra, duke u përpjekur të zbuloj tituj që i kisha dëgjuar e njohur që në Shqipëri. Në fakt, bota kish ardhur në vendin tim, atëherë, nëpërmjet librave, filmave dhe muzikës; këto ishin këngët e sirenave që kërkoja pastaj t’i dëgjoja edhe në Romë, teksa kisha mbërritur atje gjysmë i kolonizuar kulturorisht. Të njëjtin ngushëllim shkova ta kërkoj edhe në EUR, me shpresën se do të rikuperoja atje atmosferën e Tiranës së bardhë të Bulevardit dhe të korpusit të Universitetit.
Ironikisht, edhe tani që kanë kaluar gati 30 vjet që kur jam larguar përfundimisht nga Italia, ende më merr fort malli për “ajrin” e atjeshëm; dhe këtë mall më duket sikur e shlyej disi edhe kur shkoj të bëj pazar te supermarketi italian në Tiranë. Me shumë vonesë, ishte jeta ime e përditshme prej studenti në Romë dhe imigranti në Napoli, që u kthye të më vizitonte në qytetin tim, ku pak vizitor tani jam edhe unë vetë.
Tirana qytet global tani ka pak nga çdo qytet tjetër i botës, përshi edhe ata banorë, qytetarë edhe ata, që nuk e gjejnë te qyteti vetveten, që ndihen të ndarë me gardh, të përjashtuar, të zëvendësuar. Teksa ne, soditësit, vazhdojmë të flasim për “tironsa të vjetër” e për “çuna Tirone”, kujtesa jonë kolektive faktorizohet në kushedi ç’tryeza kazinosh të ambicieve, sekserllëqeve dhe të krimit. Një ditë do të gdhihemi edhe ne dhe nuk do ta gjejmë më qytetin që e gjykonim si të pajetërsueshëm; edhe ne pjesë e një diaspore post-gjeografike, së cilës ia kanë vjedhur tokën nën këmbë. Dhe nuk do të dimë ç’të themi, kur të na pyesin: po ju që nuk keni shkuar gjëkundi, nga vini? Ku e keni raftin tuaj?
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është përpunuar me AI. Një version i kësaj eseje është botuar tashmë si status në Facebook.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.